Arban Hasani: Shteti kundër shtetit?
(Botuar me 16 gusht 1996 në KOHA JONE)
Arban Hasani: Shteti kundër shtetit?
Një sulm ballor duket se është drejtuar karshi pushtetit gjyqësor me gjithë heshtjen e autoriteteve të vendit. Veçanërisht në drejtim të Gjykatës së Tiranës, dy muajt e fundit kanë nisur të drejtohen një seri akuzash, të cilat kërkojnë të krijojnë një opinion sipas të cilit e vetmja hallkë që çalon në shtetin aktual shqiptar është komportimi i gjyqësorit. Të parët që kundërshtuan “par exellance” idiomën “ligji është i njëjtë për të gjithë” karshi Gjykatës së Tiranës, ishin pikërisht një kategori e punonjësve të saj, ose më saktë më të privilegjuarit e institucionit të drejtësisë: juristët 6-mujorë, që paraqitën një mocion debati për të gjitha ngjarjet që ata i konsiderojnë si të diskutueshme. Në hijen e mbledhjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë i cili brenda dy javëve duhet të bëjë emërimet e reja, sulmi i kursantëve dukej më se normal, kur profesioni ushqen karrierën. Por s’ka luajtur aspak në këtë linjë shtypi proqeveritar, i cili gjithsesi nuk ka fare të bëjë me Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Ataku i tij përveçse i fortë mund të konsiderohet plotësisht pa bosht. I vetmi sinkronizim i akuzave të dy kundërshtuesve të gjykatës është tema e korrupsionit, një e vërtet e ditur prej shumë kohësh në Shqipëri. Dhe në fund, goditja shtesë vjen nga Prokuroria, e cila gjithë përgjegjësinë e shfaqjes makabre të krimit në rrugët e Tiranës, direkt apo indirekt mundohet t’ia hedhë mbi shpinë gjyqtarëve të cilët kanë lënë të lirë kriminelët. Një situatë e tillë ku shteti duket se ka vendosur të luftojë një pjesë të tijën, duket groteske pavarësisht prej qëllimeve nxitëse. Sepse të njëjtën gjë, i njëjti shtet, po me të njëjtën kategori sulmuesish, mund ta bëjë me të gjitha institucionet e dobëta të tij. Por si duket gjetja e sulmit ndaj gjykatave të cilat përveç se të korruptuara janë edhe inkompetente, është zgjidhja optimale për të hequr nga shpina barrën e dhjetëra përgjegjësive politike për këtë zgjedhje, padyshim që ka shërbyer dhe rasti Brozi, ku gjykatat shqiptare zyrtarisht mbajnë mbi shpinë burgosjen e kreut të opozitës./Arben Hasani/