Arben Ahmetaj: Ideologjia serbe, truri dhe zemra e terrorit

(Botuar me 4 Prill 1999 në KOHA JONE)

Nga Arben Ahmetaj-

Pyetja që duhet të shqetësojë sot Shqiptarët është çfarë vjen pas katastrofës humanitare. Në qoftë se Shqipëria, Qeveria e saj, intelektualët apo klasa politike do të ngelen në nivelin e reaksionit ndaj emergjencës, pra të dyndjes së refugjatëve atëherë i kemi lehtësuar përpjekjet e Millosheviçit për të arritur qëllimin e tij dhe të shumë paraardhësve të tij për Serbinë e Madhe. Të arrish të artikulosh një përgjigje ndaj gjithë asaj çka po ndodh në Kosovë në radhë të parë duhet të kuptosh se kush qëndron në anën tjetër të konfliktit dhe cila është baza ideologjike e platformës së pastrimit etnik. E gjithë kjo në thelb përbën njohjen e tezës së kristalizuar në fund të shekullit të kaluar të krijimit të një Serbie të Madhe, e cila sipas ideologëve serbë do të luante rolin e udhëheqësit të Ballkanit. Ideologët serbë të viteve 1800 u munduan dhe duhet thënë që ia arritën qëllimit për të krijuar një mentalitet perandorak në shtresat e klasës së lartë serbe, por edhe të popullit duke e trajtuar gjendjen e Serbisë në atë kohë si një padrejtësi historike dhe politike që i ishte bërë, pra duke krijuar në të njëjtën kohë ndjenjën e madhështisë së një perandorie të humbur, por edhe viktimizimit të tyre si komb. E gjithë kjo do të derivonte në një ndjenjë me tipare të theksuara të shovinizmit ekspansionist. E gjithë kjo për të krijuar psikozën e një të drejte historike të serbëve për të marrë përsipër rolin e udhëheqësit të Ballkanit.

Në shkrimin e tij “Nacertanje” në vitin 1844 Ilia Garasanin, i cili në atë kohë ishte ministër i Punëve të Jashtme të Qeverisë së Mbretit Aleksandër Karagjorgjeviç shkruan “… Shteti serb duhet të përpiqet të zgjerohet dhe të bëhet më i fortë; rrënjët dhe themelet e tij janë thellë në Perandorinë Serbe të shekujve të 13 dhe 14-të, si dhe në kohët madhështore të historisë së Serbisë”. Të gjithë ideologët pasardhës të “Nacertanje”-s, një radhë e gjatë e tyre i dedikojnë energjitë në avancimin e kësaj ideologjie e cila dekadë pas dekade kthehej në ideologjinë e jetës së përditshme politike serbe. Në 1849 Vuk Karaxhixh, shkrimtar serb në artikullin e tij “Serb, të gjithë dhe kudo”, thekson idenë se Ballkani është i mbushur me serbë dhe me popuj sllavë. Gjeopolitika e Karaxhixhit në vitet e mëvonshme do të jetë një nga boshtet kryesore të ekspansionit serb, i cili sipas Karaxhixhit është totalisht i justifikuar. Kristalizimi i idesë së Serbisë së Madhe në fund të shekullit të kaluar bëri që ideologët e kësaj ideje të dilnin më hapur dhe më me agresivitet në mbrojtjen e tezave të tyre, por edhe në propagandimin e instrumenteve të realizimit të kësaj ideologjie.

Në qoftë se Garasanin në “Nacertanje”, më 1844, përmendte qoftë dhe shkaras, se një nga rrugët e arritjes së madhështisë së dikurshme mund të ishte dhe aleancë me popuj të ndryshëm të Ballkanit, ideologët e mëvonshëm jo vetëm që nuk e shohin aleancën si një nga mjetet, por përkundrazi propagandohet forca si mundësia e vetme për të arritur qëllimin. Jovan Cvijic i cili konsiderohet një nga themeluesit e shkencës së gjeografisë serbe në veprat e veta shkruan “Çështja serbe duhet të zgjidhet vetëm me instrumente force. Shtetet serbe duhet kryesisht të përgatisin veten ushtarakisht dhe ekonomikisht për këtë…” (1907). I njëjti autor në 1922 shkruan “Bota duhet ta dijë dhe ta kuptojë se Serbia mund të operojë në një territor shumë më të madh se ai që ka në zotërim aktualisht, transformimet më të mëdha të mundshme mund të ndodhin me Serbinë. Dhe ne nuk duhet të tërhiqemi nga frika për t’u derdhur në botë në qoftë se kjo do të jetë në përfitim të interesave tona kombëtare… “Kjo ideologji do të arrinte kulmin me Memorandumin që Vaso Cubriloviç në vitin 1937, atë kohë Këshilltar Politik i Qeverisë Mbretërore të Kryeministrit Stojanoviç… Në të shpaloset gjithë paranoja e kësaj ideologjie tashmë me një rrugë konstante drejt agresionit. Ky memorandum nënvizon rëndësinë jetike për kombin serb të ekstreminimit të shqiptarëve. Cubrilovici përshkruan në detaje dhe instrumentet që makina shtetërore serbe do të duhej të përdorte në realizimin e këtij qëllimi Serbinë e Madhe. “… dëbimi masiv i shqiptarëve nga ky trekëndësh (përshkrim i terrenit) është e vetmja rrugë efektive për ne. Në mënyrë që të arrijmë këtë realokim të popullsisë shqiptare, së pari duhet të krijojmë psikozën e përshtatshme”, “… Një nga mënyrat do të jetë përdorimi i forcës së makinës shtetërore. Ligji duhet të imponohet në atë mënyrë që ta bëjë qëndrimin e shqiptarëve të pamundur: gjoba, burgime, përdorimi i forcës së pamëshirshme nga policia…, refuzimi i njohjes së akteve të pronësisë, largimi nga detyrat shtetërore, komune… keqtrajtimi i klerikëve të tyre, shkatërrimi i varrezave të tyre…” “… Ata (shqiptarët) duhet të shtypen me gjak me mjetet dhe mënyrat më efektive, por nga kolonët tanë nga klanet e Malit të Zi, dhe nga çetnikët… Ngelet dhe një instrument tjetër, të cilin Serbia e përdori në 1878 i cili është djegia totale e fshatrave dhe e qendrave të banuara nga shqiptarë”.

Kur e lexon duket sikur e gjithë kjo është shkruar vetëm para disa muajsh. E gjithë kjo frymë ekspansioni nëpërmjet agresionit është e bazuar në një mentalitet i cili për 150 vjet është kthyer në ideologji e cila nën breshërinë e bombardimeve të NATO-s mund të tkurret, tërhiqet, por jo thyhet. Në thelb, kjo ideologji përbën kërcënimin e jetës, mirëqenies dhe zhvillimit të popujve të Ballkanit, por sidomos kërcënim direkt për qenësinë e kombit, shtetit dhe të çdo individi shqiptar. Në ngjarjet e dekadave të fundit në Ballkan, kombet e tjera kanë arritur të gjejnë mënyrat më të mira për t’ju përgjigjur. Së pari, Kroacia ushqeu një ndjenjë ekstremiste nacionaliste e cila në anën e kundërt do të kishte serbët si armiq. Ajo që e turpëroi Kroacinë në 1941-1945, pra ushtria, pikërisht ajo i solli lavdinë me fitoret në Krainja, apo në Slloveninë Lindore. Ndërsa Sllovenia nuk ndan kufi detar me Serbinë dhe mundohet të qëndrojë larg Ballkanit dhe problemeve të tij duke e konsideruar veten tërësisht shtet të varfër dhe të dobët, me pozicion gjeografik të favorshëm, me tendencat demografike që ka, por edhe me instinktin e rezistencës deri në kufij hyjnorë ngelet problemi i Serbisë. Debati politik për këtë çështje shpesh arrin në një konkluzion se demokratizimi i Serbisë do të jetë një nga mënyrat për të zbutur konfliktin. Kjo do të jetë e vërtetë megjithatë mendoj se një ideologji e inplantuar për më se 150 vjet do të mund vetëm të vishte me një vello relativisht tokësore apo civile por asnjëherë nuk ka për të ndryshuar thelbin e vet.

Eksperienca e konflikteve etnike ka treguar se “diplomacia e tokës”, pra kur në mes të konfliktit qëndron problemi i humbjes, marrjes apo këmbimit të tokës, apo tokave ka qenë shumë e vështirë dhe e ngadaltë në gjetjen e zgjidhjeve të kënaqshme për palët në konflikt. Personalisht mendoj se asnjëherë nuk ka zgjidhje të kënaqshme për të gjithë. Në këtë kuadër, mendoj se Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo që janë do t’u duhet të përforcojnë një ideologji po kaq të fortë, po kaq efektive, atë të mbijetesës. Ka ardhur koha që politika zyrtare, historianët, gjeografët, diplomatët apo ekonomistët politikë të kontribuojnë në krijimin e kësaj fryme e cila në vite do mund të kthehet në qëndrim kombëtar të konsoliduar. Boshti institucional i qëndrimeve zyrtare, shqetësimi qytetar shqiptar për çka ndodh në Kosovë në radhë të parë konsiston në shkeljen e të drejtave të një etnie për të jetuar, dhe zhvilluar brenda konvencionit të një shteti. Shqetësimi është i dyfishtë kur kjo etni është shqiptare dhe fatkeqësisht e torturuar, vrarë, djegur dhe përdhunuar, tashmë gati e gjitha në rrugëtim drejt humbjes. Shqiptarët nuk i ka frymëzuar në qëndrimet e veta ideja e Shqipërisë së Madhe sepse akoma janë larg të shijuarit të asaj të vogël. Për më tepër as mendjet më largpamëse nuk kanë ditur të thonë se cilat do të jenë të mirat e Shqipërisë së Madhe, ndërkohë që qytetari i thjeshtë e ka akoma më të vështirë të shohë se çfarë do të ndryshojë në jetën e tij të përditshme në Shqipërinë e Madhe. Megjithatë nuk përjashtohet mundësia që në kushtet e terrorizimit etnik të shqiptarëve të Kosovës e të transferimit të problemit në vendet fqinje e sidomos në Shqipëri të mos lindë të të forcohet natyrshëm ideja e Shqipërisë së Madhe. Një komb nuk duhet as të trembet as të turpërohet nga nacionalizmi i vet. Nacionalizmi nuk është gjithmonë i keq sidomos kur ai vihet në funksion të krenarisë, ruajtjes së tokës, gjuhës, mbijetesës e gjithçka që një etni ka. Civilizimi, demokratizimi i Serbisë do të mund të bëhet vetëm kur brenda saj të ketë forca të cilat të pranojnë realitetin kosovar, madje të mundohen ta shfrytëzojnë atë si alternativë integrimi politik e ekonomik në rajon. Asnjëherë nuk do të kërkoja të kishim një ndjenjë ekstremiste apo ekspansioniste nacionaliste, por një kauzë të përbashkët e cila do të pengojë marxhinalizimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në Ballkan. Le të mendojmë se çfarë do të sjellë “dita e dytë” pas përfundimit të bombardimeve të NATO-s. Eksperienca ka treguar se pavarësisht nga marrëveshjet që udhëheqës të tipit Milosheviç kanë pranuar pas përdorimit intensiv të forcës ndaj tyre, asnjëherë nuk kanë hequr dorë nga qëllimet e paravendosura. Duke qenë se këto 50 vjetët e fundit shqiptarët janë marrë me problemet e tyre të brendshme, pa arritur asnjëherë të bien dakord se në një vend të varfër dhe me probleme institucionale si Shqipëria, asnjë forcë politike nuk mund të udhëheqë e vetme, konsideroj se ndjenja kombëtare, e aq më tepër ndërgjegjja kombëtare ka qenë në subkoshiencë dhe vetëm e vakët. Ngjarjet e kohëve të fundit treguan se vërtet shqiptarët kanë një sistem vlerash morale të cilat akoma nuk kanë gjetur një bosht institucional.

Mënyra se si u pritën të ardhurit nga Kosova tregon një evoluim tepër pozitiv të saj. Megjithatë shumë prej nesh akoma e kanë të vështirë ta konceptojnë një të tërë Kosovën e Shqipërinë. Fatkeqësisht, çështja kombëtare është përdorur kaq shumë si element i fushatave politike pa u përqendruar në të si element i unifikimit të kombit. Zhvillimet e fundit e detyrojnë politikën shqiptare të heqë dorë nga tabutë në trajtimin e kësaj çështje. Mendoj se Qeveria dhe parlamenti duhet të kthejnë në politikë zyrtare mbështetjen e UÇK, duke e konsideruar atë si një nga fenomenet më pozitivë të zhvillimeve shqiptare të kohëve të fundit. Hapi pozitiv i njohjes së saj si faktor është hedhur tashmë që në fillimet e 1998 nga Qeveria Shqiptare. Diplomacia botërore, duke parë qëndrimin e faktorit kosovar dhe mbarëshqiptar në Rambuje, duke parë fatkeqësisht dështimin e politikës gandiste të Rugovës, si dhe duke përjetuar tmerret e kohëve të fundit nuk ka më dilemën të konsiderojë UÇK-në si luftëtare të lirisë apo terroriste. Zhvillimet në Kosovë tashmë nxjerrin në pah idenë se një autonomi e saj në kuptimin klasik të saj do të ishte shumë pak. Në qoftë se vërtet çështja kombëtare është prioritet për pothuajse të gjitha forcat politike që janë në pushtet apo e tentojnë atë, do të duhet që në këtë aspekt ato të derivojnë në një qëndrim të përbashkët, të qartë dhe afatgjatë. Qëndrimet shqiptare të ndrojtura, me kujdesin e tepruar për t’u përputhur me kuptimin e diplomacive të tjera për këtë çështje, tendencat për t’u bërë të pranueshëm në aspektin ndërkombëtar, e më pas pamundësia për t’u bërë faktor e përgjigjur sfidave që të detyrojnë zhvillimet vetëm sa e dëmtojnë çështjen kombëtare, fragmentojnë forcat që luftojnë apo e mbështesin atë, dekurajojnë pjesën më aktive dhe më të sinqertë të saj. Një nga elementët më të rëndësishëm të këtij kuadri është ajo që Shqipëria të ndajë qartë aleatët e vet politik dhe ekonomik.

Për shkak të gjeopolitikës ballkanike dhe interesave disashekullore të ndërthurura në të, ka forca apo aleanca të ndryshme në rajon të cilat mund të jenë të interesuara të shohin një Shqipëri pa surpriza, por jo një Shqipëri të fortë e cila të konsiderohet faktor dhe element i paneglizhueshëm i balancave dhe ekuilibrave politike rajonale më tej. Qartësimi i qëndrimeve koherente, të bazuara në realitetin etnik, nacional dhe potencial të shqiptarëve jo vetëm që do të krijojë një vazhdimësi në trajtimin e çështjes kombëtare, por do ta eliminojë manipulimin elektoral të kësaj çështje e cila tashmë është futur në një fazë të re. Realiteti i krijuar shpeshherë dhe brutalisht kërkon frymëzim e një ndjenje të përbashkët kombëtare e cila nuk mjafton të shprehet vetëm me mbështetjen ndaj të shpërngulurve. E ka gabim ai që mendon se vetëm Kosova është në luftë. Të mundohemi të shohim përtej emergjencës.

 

SHKARKO APP