Arben Imami: Sindromi “Vranicki” dhe qëndrimi i PD

(Botuar me 28 nëntor 1998 në KOHA JONE)

Nga Arben Imami-

Botimi i një letre pune të Ambasadorit Everts me vlerësime dhe mendime e sugjerime lidhur me gjendjen në prag të referendumit ka shkaktuar një stuhi në shtypin e opozitës së S. Berishës. Lavdi Zotit, që Berisha e mori vesh çfarë shkruan Evertsi në raportet e tij (megjithëse mënyra e disponimit të asaj letre nuk qe shumë elegante, nga ana tjetër kurrsesi aq e ulët sa falsifikimi më i fundit për Internacionalen Demokristiane), kurse Ambasadori Everts nëpërmjet shtypit po njihet vetëm me majën e ajsbergut të vlerësimit që një pjesë e shqiptarëve atij i bëjnë, por tek e fundit jo se çfarë këta shkruajnë për të në raportet e tyre të brendshme. Por le t’i kthehemi thelbit të akuzës: Everts po fut hundët kudo dhe mban qëndrime partikulariste “pro ish-komunistëve dhe kundër antikomunistëve”.

Prania e z. Everts në Shqipëri, prania e OSBE-së në Shqipëri, prania e KE-së në Shqipëri janë tregues të një gjendjeje tejet të veçantë politike tek ne, janë tregues se klasa politike shqiptare nuk mundet e vetme pa një mbështetje të jashtme të përmbushë detyrimet e saj kundrejt popullit shqiptar, se klasa politike shqiptare është e përçarë dhe konfliktuale në një të tillë mënyrë saqë kërkon legjitimitetin e qëndrimeve politike jashtë kuadrit të saj, jashtë kuadrit të vendit të saj dhe domosdo kërkon një gjyqtar, në këtë rast ndërkombëtar, i cili të ndajë këto dava. Ky është sindromi Vranicki i politikës shqiptare.

Duke kujtuar se në historinë e shkurtër të shtetit shqiptar ky sindrom është shfaqur herë-herë, na duhet të theksojmë se ai u shfaq me shenja klinike të plota në pragun e një lufte civile midis uzurpuesit të pushtetit dhe të keqqeverisurve prej tij. Në mars të 1997 ishin shqiptarët ata që ftuan “Vranickin”, ndërhyrjen e bashkësisë ndërkombëtare për zgjidhjen e konfliktit dhe jo Vranicki, apo më pas Evertsi kërkuan të vinin në Shqipëri për të vendosur rregullat e tyre. S. Berisha dhe të tijtë bëjnë sikur nuk i njohin këto fakte, bëjnë sikur nuk e dinë se kush është shkaktari i krizës politike të vendit dhe me patetika pseudopatriotike akuzojnë një të huaj si faktor i krizës politike në Shqipëri. Kështu që sindromin “Vranicki” të shqiptarëve e projektojnë si sindrom antidemokratik të Perëndimit. Kështu ekzaltohet Asambleja kuislinge me përbërje intelektualësh nacionalistë të shquar, të cilët megjithëse kuislingë bënin politikë të pavarur nga Gjermania, ndërkohë që akuzohet politika e sotme se është e varur nga OSBE, KE, Ambasada Amerikane etj. Askush nuk të jep të drejtë që të akuzosh për qëndrime antidemokratike deri në shkelje të sovranitetit të politikës lokale organizata demokratike, si OSBE (KSBE) që ndikuan fuqimisht në shprangosjen e lindjes evropiane nga komunizmi. Por ky grup njerëzish nuk dëshiron që Shqipëria t’u takojë standardeve perëndimore dhe kjo është kontradikta e parë me këta organizma, nuk kupton se bota e sotme demokratike është një sistem ndërvarësish dhe ndërlidhjes reciproke e se izolacionizmi është i pamundur si politikë dhe kjo është kontradikta e dytë me to. Dhe tek e fundit këto rregulla të lojës u vendosën në mars ’97 dhe nuk mund të prishen në mënyrë të njëanshme, duhet luajtur brenda tyre.

Për sa i përket sindromit “Vranicki” ai nuk shëndoshet me luftën “patriotike” të PD-së por me shëndoshjen e politikës së vendit nga konfliktualiteti.

SHKARKO APP