Arben Puto: Minoriteti grek në Shqipëri nga e kaluara tek e sotmja

(Botuar me 17 tetor 2002)

Nga Arben Puto

Para së gjithash, duhet çmuar fakti se autori grek Dimitris Hristopulos në shkrimin e tij ka marrë në disa raste, një distancë nga klishetë dhe skemat e vjetra të propagandës greke dhe nga një literaturë e bollshme antishqiptare. Çështja padyshim trajtohet në një frymë të re, por ka pasazhe në këtë shkrim që përpiqen ta vënë në dyshim respektimin e plotë të të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri. Ato janë të pasakta dhe në kundërshtim me realitetin.

Do të tërheqim vëmendjen në disa pika, pa hyrë shumë në hollësira dhe duke e trajtuar çështjen në mënyrë globale.

Së pari, vihet në dyshim fakti i qartë se përgjithësisht trajtimi i minoritetit grek në Shqipëri është një shembull i mirë që mund të shërbejë si model për të gjithë hapësirën ballkanike. Të mos harrohet se Greqia, nuk njeh kurrfarë minoritetesh në territorin e saj. Vihet re tek autori grek po ajo tendencë që shfaqet në një rreth të gjerë jo vetëm zyrtar, por edhe në qarqe intelektuale, që çështjen e minoriteteve ta trajtojnë nga “pozitat e arbitrave” në drejtim të shteteve fqinje, sikur vetëm këto dhe jo Greqia kanë popullsi minoritare.

Së dyti, quhet gati një shkelje, fakti që minoriteti grek në Shqipëri e ndan fatin me shumicën e popullsisë. Gati-gati, kërkohet që ajo e cila quhet “varfëri shqiptare” të kursejë, të lërë jashtë popullsinë minoritare greke. Kjo është jashtë logjikës së mbrojtjes së të drejtave të njeriut, sepse, ashtu siç nuk duhet të ketë diskriminim nuk mund të ketë as privilegjin të një pjese të popullsisë vetëm për faktin se është minoritare. Realiteti i këtij vendi është ai që është, dhe është i njëjtë për të gjithë shtetasit, pavarësisht nga përkatësia etnike. Në një vend, autori Hristopulos thotë se kur bëhet fjalë për minoritetet, Shqipëria është një “bashkëbisedues i vështirë” që përdor herë argumentin e një formalizmi juridik (siç është regjimi i minoritetit me bazë ligjore), herë ato që ai i quan “argumente cinike pesimiste” (në të cilat si duket ai kupton përsëri varfërinë, një varfëri gati endemike). Shqipëria kështu përpiqet sipas tij, të mbulojë “paaftësinë apo mosvullnetin për aplikimin thelbësor të kërkesave që rrjedhin nga e drejta ndërkombëtare”. Kjo është krejt në kundërshtim si me gjendjen reale në vend, ashtu edhe me vlerësimet që janë bërë nga organizmat ndërkombëtare të kësaj sfere. Këto të fundit, e kanë quajtur gjendjen e minoritetit në Shqipëri “nën kontroll”. Pra, ajo paraqitet në përgjithësi në parametra pozitivë. Dhe nga kjo pikëpamje, mund të thuhet se Shqipëria ka patur se ç’të tregojë, ajo nuk ka qenë asnjëherë një “bashkëbisedues i vështirë”, por është treguar gjithnjë e gatshme te presë vërejtjet dhe vlerësimet. Ajo e ka lënë derën të hapur dhe është treguar një “bashkëbisedues transparent për të gjitha problemet që kanë të bëjnë me këtë çështje.

Një vërejtje tjetër, është ajo që ka të bëjë me zonën e minoritetit grek. Autori e quan shkelje që çështja e minoritetit është përqendruar në zonën përkatëse. Ai i kundërvihet edhe Konventës-Kuadër për Mbrojtjen e Minoriteteve që thotë se minoriteti është një popullsi që ka vendqëndrimin e vet të dalluar nga pjesa tjetër e territorit shtetëror. Ai e vë kështu në dyshim dhe e quan të padrejtë që “minoriteti grek ekziston vetëm në zonën minoritare”.

Kështu, autori grek bëhet indirekt zëdhënës i tezës së shtrirjes së elementit minoritar grek në gjithë Shqipërinë Jugore. Një pohim i tillë lë shkas që të interpretohet se ky do të ishte një variant i planit të mirënjohur të “autonomisë” së Shqipërisë Jugore” që ka qenë një strategji për aneksimin e saj përfundimtar nga ana e Greqisë. Autori thotë në një vend se në Greqi akoma mbijetojnë tezat e atyre që shohin si të vetmen rrugëdalje për përmbushjen e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri autonominë dhe ndoshta dhe bashkimin në të ardhmen të “Vorio Epirit” me Greqinë.

Autori duket se e denoncon këtë, por, ku do të na çonte denoncon këtë, por, ku do të na çonte një shtrirje e tillë e elementit minoritar, tej zonës minoritare. Ai ndoshta e ka për mbrojtjen e të drejtave të minoritetit edhe jashtë kësaj zone. Por minoriteti gëzon barazi të plotë në të gjithë hapësirën territoriale. Mbrojtja e “ndjek”atë kudo që është, veçse nuk mund të bëhet fjalë për të ndryshuar vetë nocionin e minoritetit që përcaktohet nga Konventa – Kuadër si një popullsi që banon në një pjesë të caktuar të territorit të shtetit, shtetësinë e të cilit ajo ka.

Autori i kushton vëmendje atij që ai e quan irredentizëm dhe nacionalizëm, i cili helmon marrëdhëniet midis dy vendeve dhe mund të reflektohet negativisht edhe në gjendjen e minoritetit grek. Ndonëse nuk mund të mohohet se dhe në këtë anën tonë ka herë-herë shprehje të kësaj dukurie, ajo merr një dimension të pakrahasueshëm në anën greke. Artikullshkruesi flet gjerësisht për organizatat “Vorio-Epiriote” të cilat vazhdojnë të jenë aktive e gjejnë jo rrallë shprehje edhe në nivelin e organeve qendrore konkretisht nga një numër “deputetësh grekë që vazhdojnë të ushtrojnë politikë”.

Është një gjë pozitive që Histropulos e quan ekzistencën dhe veprimtarinë e tyre si kundërproduktive si në planin e marrëdhënieve midis dy vendeve, ashtu dhe në atë të pozitës së minoritetit grek në Shqipëri. Ai quan politikë realiste që pala greke të çlirohet përfundimisht nga “mekanizmat që ushqehen dhe ushqejnë tensionin dhe polarizimin e minoritetit në shoqërinë shqiptare. “Realizmi”, nga dy anët e kufirit,-shton ai, “është e vetmja rrugë që na mbetet dhe sa më shpejt ta kuptojmë këtë në të dy anët e kufirit aq më mirë për Shqipërinë, për Greqinë dhe për minoritetin grek në Shqipëri.

Në opinionin shqiptar qoftë në atë shoqëror, por edhe në nivelin e organeve zyrtare kjo është kuptuar tanimë si një nevojë e domosdoshme. Në këtë anën tonë, përshtypja është se gjendja është e kënaqshme. Mbetet që edhe në Greqi të ketë po atë bindje. Shkrime si ky i Hristopulos në përgjithësi, pavarësisht nga vërejtjet, janë deri diku një “mesazh” ndryshe. Një vërejtje veçanërisht serioze është ajo që ka të bëjë me atë që autori quan ‘tkurrje të minoritetit grek” si rezultat i zhvillimeve të këtyre viteve. Ai e ka fjalën për numrin e minoritetit grek që është përgjithësisht në ulje. Ai shprehet kundër “prejardhjes kombëtare” si kriter për të përcaktuar përkatësinë etnike. Sipas tij kjo është shkelje e të drejtave të minoritetit grek në përgjithësi, por veçanërisht në Shqipëri sepse “përbën një perceptim racial të subjektit njerëzor”. Sipas tij nuk është gjaku që rrjedh në venat tona ai që përcakton përkatësinë minoritare, por është shprehja e vullnetit të individit t’i përkasë ose jo një grupi minoritar. Kjo na çon tepër prapa në kohë, që kur pretendimet territoriale greke në Shqipërinë jugore qoftë para Luftës së Parë apo pas Luftës së Dytë bazoheshin pikërisht mbi “vullnetin subjektiv” pa marrë parasysh kriteret objektive të gjuhës së folur, të traditave dhe vlerave kombëtare.

Në Konferencën e Paqes të vitit 1919, kryeministri grek Venizellos paraqiti pikërisht këtë tezë, duke kërkuar shprehjen e vullnetit subjektiv” si kriter të vetëm për ndarjen e territoreve. Shprehja e vullnetit është vetëm një element i përkatësisë etnike. Nocioni i minoritetit kërkon që të mos injorohen elementët objektivë siç janë gjuha e folur në familje, besimi fetar dhe të dhëna të tjera plotësuese të kësaj natyre. Pikërisht këto të dhëna janë marrë për bazë në kohën e vet për caktimin e kufijve midis Shqipërisë dhe Greqisë si dhe atë të zonës minoritare.

Shkakton habi fakti që Hristopulos “tkurrjen e minoritetit grek” kërkon ta kompensojë me një “dinamikë të re” si kusht për vazhdimin e ekzistencës së minoritetit grek në Shqipëri.  Po ç’është kjo dinamikë e re? Ajo konsiston në “rekrutimin” e vllehëve në popullsinë minoritare. Nuk kuptohet përse kjo duhet bërë vetëm për vllehët e Shqipërisë. Komuniteti vlleh është i shtrirë në të gjithë hapësirën ballkanike veçanërisht në Shqipëri, por dhe më shumë në Greqi. Në të dy anët e kufirit ai ka arritur një shkallë të lartë integrimi në gjithë jetën e shoqërisë në secilin prej dy vendeve. Nuk mund të thotë njeri se popullsia vllehe në Greqi nuk ka vetëdije greke. Por po aq e vërtetë është kjo për Shqipërinë, ku vllehët, megjithë tiparet e tyre të veçanta janë integruar po ashtu në shoqërinë shqiptare dhe nuk ka ndodhur asnjëherë që vllehët, këtu tek ne ta kenë venë veten në radhët e “popullsisë minoritare greke”. Të shumtë janë personalitetet me origjinë vllehe që me veprat e tyre kanë zënë një vend të dorës së parë në kulturën dhe letërsinë shqiptare.

Pas kësaj hyrjeje në të cilën u përpoqa të shpalos disa vërejtje kritike, mua më duhet të theksoj se këtë shkrimin tim nuk e kam konceptuar thjesht si një replikë. Qëllimi i këtij shkrimi është që të japë versionin shqiptar të ngjarjeve dhe fakteve, që debati të mos kufizohet me arsyetime në parim, por të ndalet edhe te faktet reale të gjendjes së minoritetit grek në Shqipëri. Nganjëherë polemikat mbeten shterpe nëse nuk ballafaqohen me realitetin e gjërave. Popullsia etnike greke jeton në pjesën juglindore të vendit në afërsi të kufirit shtetëror me Greqinë.

Shqipëria është një vend ku jetojnë edhe disa grupe të tjera minoritare, por minoriteti grek është grupi më i madh në numër. Për numrin nuk mund të bëhet një vlerësim i saktë. Për këtë disponojmë vetëm të dhënat e regjistrimit të popullsisë që është bërë më 1989. Sipas tyre gjithë popullsia e Shqipërisë arrinte në atë kohë në 3 182 400, nga të cilët 3 117 600 shqiptarë dhe 58 758 grekë. Sigurisht këto të dhëna duhen azhornuar. Kanë kaluar vite dhe kanë ndodhur ndryshime. Edhe përbërja e minoritetit grek nuk është po ajo. Ndryshimet kanë ndodhur jo vetëm në një sens. Nataliteti këtu ka qënë nën mesataren e kësaj zone. Ka pasur lëvizje demografike dhe një pjesë jo e vogël e popullsisë minoritare është larguar për në Greqi. Kjo është ajo që autori grek quan “tkurrje” e minoritetit grek në Shqipëri. Minoriteti grek në Shqipëri ka pasur gjithnjë një status të veçantë. Ai ka qenë për vite me radhë i vetmi minoritet i njohur nga shteti shqiptar. Madje, duhet thënë se çështja minoritare në vendin tonë ka qenë identifikuar për një kohë të gjatë me minoritetin grek. Ajo ka qenë e pranishme dhe ka zënë një vend të veçantë në të gjitha etapat e zhvillimit të shtetit shqiptar.

Pas Luftës së Dytë Botërore, çështja e mbrojtjes së minoriteteve mori një dimension të ri në krahasim me atë të paraluftës, të Lidhjes së Kombeve. Organizata e Kombeve të Bashkuara i kushtoi vëmendje të veçantë mbrojtjes së të drejtave të njeriut pa dallim mbi baza etnike. Mjafton të përmendet Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut e vitit 1948. Pakti Ndërkombëtar mbi të drejtat civile dhe politike i vitit 1966 përmendte shprehimisht çështjen e minoriteteve duke u vënë si detyrë shteteve anëtare të OKB të respektonin të drejtat e tyre si grupe më vete me veçoritë e tyre etnike, fetare e gjuhësore.

Pa vënë në dyshim rëndësinë punës që është bërë në këtë drejtim në kuadër të OKB, tema e të drejtave të njeriut mori një zhvillim të mëtejshëm e të gjithanshëm në Këshillin e Evropës. Këshilli i Evropës e ka ngritur me forcë në një shkallë të lartë çështjen e minoriteteve. Që në vitin 1961 ai shtroi çështjen e një protokolli, i cili t’i kushtohet posaçërisht kësaj çështjeje. Kjo hapi rrugën për një përpunim më të plotë të çështjes së minoritetit. U krijua një program i posaçëm dhe si rezultat u arrit në Konventën Kuadër për Mbrojtjen e Minoriteteve. Ajo u hap për nënshkrim nga shtetet anëtare që në vitin 1995. Shqipëria e ka ratifikuar atë në qershor 1999.

E bëmë këtë hyrje për të treguar shkurtimisht rrugën që ka ndjekur trajtimi i çështjes së minoriteteve në aspektin historik. Ka qenë një rrugë e gjatë, e cila me gjithë kujdesin që është treguar në nivel ndërkombëtar nuk ka shkaktuar pak vështirësi dhe është bërë mjaft shpesh objekt konfliktesh midis shteteve. Ajo ka shkaktuar tensione në marrëdhëniet midis tyre. Por le të hapim një faqe të re dhe të shikojmë si paraqitet dhe si shtrohet kjo çështje në kushtet aktuale. Nga kjo pikëpamje, interes të veçantë paraqet një përqasje komparative ndaj përmbajtjes së Konventës Kuadër, e cila është një produkt i Këshillit të Evropës.

Që në fillim Konventa shtron çështjen si në planin ndërkombëtar ashtu dhe në kuadrin e marrëdhënieve midis shteteve fqinje. Pasi theksohet se mbrojtja e të drejtave dhe lirive të minoriteteve është pjesë përbërëse e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në shkallë ndërkombëtare, shtrohen detyra veç e veç për shtetet anëtare. Kërkohet prej tyre që dispozitat e Konventës të zbatohen me vullnet të mirë dhe midis të tjerash në përputhje me parimet e fqinjësisë së mirë. Kërkohet që shtetet anëtare të përfundojnë marrëveshje shumëpalëshe dhe dypalëshe me shtetet e tjera “veçanërisht me shtetet fqinje për të siguruar mbrojtjen e personave që u përkasin minoriteteve kombëtare”. Në rastin tonë kjo ka një rëndësi të posaçme. Shqipëria dhe Greqia i janë përgjigjur kësaj dispozite të Konventës Kuadër. Ato kanë lidhur Traktatin e miqësisë, bashkëpunimit, fqinjësisë së mirë dhe sigurisë në mars 1996. Statusi dhe gjendja e popullsisë minoritare greke në jug të vendit ka qenë objekt kontaktesh të shpeshta midis palëve. Duhet thënë se në të kaluarën shteti shqiptar i është përmbajtur rigorozisht detyrimit që pati marrë përpara Lidhjes së Kombeve dhe minoriteti grek ka gëzuar të drejtat themelore pa asnjë diskriminim. Sigurisht gjatë regjimit komunist ai ka ndarë fatin e tij me shumicën e popullsisë me kufizimet që impononte regjimi i asaj kohe.

Por nuk ka qenë objekt diskriminimi të veçantë as gjatë kësaj periudhe. Në zonën e minoritetit grek ka funksionuar prej kohësh një rrjet i gjerë shkollash në gjuhën greke. Duhet pranuar se në të kaluarën çështja ka qenë objekt mosmarrëveshjesh dhe ka shkaktuar tensione.

Nën ndikimin e qarqeve të caktuara shoviniste ekstremiste, pala greke ka marrë shpesh qëndrimin e të ‘fortit’ dhe është përpjekur t’i imponohet palës shqiptare. Por aktualisht ka një atmosferë të re në marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe kjo është reflektuar pozitivisht dhe në pozitën e minoritetit grek. Një gur themeli për këtë realitet të ri është Traktati i lartpërmendur i marsit 1996. Ai duhet vlerësuar si një arritje e rëndësishme në interes të të dyja palëve.

Në këtë Traktat çështja e të drejtave njerëzore dhe minoritare konsiderohet si pjesë e trashëgimisë mbarevropiane”. Veç asaj në Traktat bëhet fjalë për minoritetin grek në Shqipëri dhe emigracionin shqiptar në Greqi si një “urë e zhvillimit të vazhdueshëm të marrëdhënieve midis dy palëve”. Palët angazhohen të zhvillojnë marrëdhëniet në bazë të besimit, bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë si dhe shpallin përkushtimin e tyre ndaj paprekshmërisë së kufijve, duke shtuar se “vija kufitare midis dy vendeve do të jetë një vijë kufitare paqeje dhe miqësie”. Traktati i miqësisë sugjeron trajtimin e dy problemeve.

Së pari, cili është kuadri konkret i gjendjes së minoritetit grek, i trajtimit të tij në rrethanat e sot me. Është e qartë se pas ndryshimeve demokratike të dekadës së fundit në Shqipëri, regjimi i minoritetit grek është ngritur në një shkallë të re në shumë drejtime. Arsimimi në gjuhën greke është përhapur gjerësisht. Ai mbulon sot të gjitha fshatrat e zonave të Gjirokastrës, Sarandës dhe Delvinës. Ndërsa më parë shkolla në gjuhën greke kishte vetëm në fshatrat e kësaj zone, sot shkolla të tilla janë hapur dhe në këto qytete. Nga vëzhgimet e kryera veçanërisht këto kohët e fundit nga ekipe të Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KSHH) mund të jepet një tablo e përgjithshme me të dhënat e mëposhtme. Në rrethin e Gjirokastrës ndodhet grupi më i madh i minoritetit grek në Shqipëri. Këtu janë gjithsej 33 fshatra të banuara nga popullsi minoritare. Në Dropull çdo fshat ka kopsht për fëmijë dhe shkollë fillore në gjuhën greke. Ka gjithashtu 4 shkolla tetëvjeçare dhe 1 shkollë të mesme, po ashtu në gjuhën greke.

Një zhvillim të dukshëm ka marrë media e shkruar në gjuhën greke. Kështu në rrethin e Gjirokastrës dalin dhe qarkullojnë një numër revistash e gazetash si: “Laiko Vima”, gazetë që ka dalë vazhdimisht që prej vitit 1945, “lonis tes Omonia” (Zëri i Omonias) e përjavshme, “Romi osi mi” (Ne jemi grekë) gazetë në tre gjuhë: greqisht, anglisht dhe shqip, “Oazis” revistë e ilustruar. Veç kësaj Radio Gjirokastra transmeton çdo ditë 45 minuta emision në gjuhën greke.

Duhet theksuar se kjo zonë ka një zhvillim ekonomik dhe një nivel jetese mbi mesataren e kësaj zone. Aty kanë qendrën disa firma të njohura dhe mjaft të suksesshme, që kanë bërë emër në shkallë kombëtare. Edhe në rrethin e Sarandës ka një numër të konsiderueshëm fshatrash minoritarë. Janë 33 (ndonëse disa prej tyre kanë popullsi të përzier). Edhe këtu paraqitet po ajo tablo. Shkollat greke në fshatra si dhe në qytetin e Sarandës funksionojnë rregullisht. Veç asaj, në rrethin e Sarandës janë ndërtuar dhe rinovuar shumë kisha ortodokse.

Në rrethin e Delvinës nga 37 fshatra, 18 janë pothuaj krejt minoritarë. Në çdo fshat ka shkollë tetëvjeçare në gjuhën greke. Në vetë qytetin e Delvinës ka po ashtu një shkollë tetëvjeçare. Kjo gjendje e ka bazën në traditën e një bashkëjetese miqësore midis pakicës dhe shumicës. Minoritarët grekë luajnë një rol aktiv edhe në jetën politike të vendit. Ata janë deputetë në parlament dhe marrin pjesë në aktivitetet e partive të ndryshme politike. Ata i gjejmë edhe në qeverinë qendrore ku zënë poste të rëndësishme. Në këtë kuadër stonojnë disa tentativa që bëhen edhe në rrethanat e sotme nga qarqe greke ekstremiste për të helmuar marrëdhëniet shqiptaro-greke. Nga këto qarqe ndahet edhe studiuesi greke megjithatë ato nuk kanë pushuar veprimtarinë e tyre. Ato nxjerrin krye herë pas here.

Në strukturat e Bashkimit Evropian janë dëgjuar zëra që shkojnë tepër larg. Kështu sipas njoftimeve të shtypit një eurodeputet i djathtë grek me emrin Ksarkakos jo vetëm që i ka çuar në qindra-mijëra minoritarët grekë në Shqipëri, por ka kërkuar dhe autonominë e Shqipërisë së jugut të bazuar në “konventa ndërkombëtare”. Ka mundësi që ai t’i referohet “lëvizjes autonomiste Vorio-Epirote dhe Protokollit të Korfuzit 1914”. Duke shpërfillur faktet një eurodeputet tjetër Mastorakis e akuzoi shtetin shqiptar “për shkatërrimin e pronave të minoritetit grek në Shqipëri, për keqtrajtim të tij si dhe për mungesë të shkollave greke”.

Vlen të theksohet se këto spekulime dhe shtrembërime flagrante nuk kanë gjetur jehonë në nivelin e Bashkimit Evropian. Në lidhje me këtë është për t’u përmendur përgjigja e komisionarit të Bashkimit Evropian Kris Paten i cili përveç që ridimensionoi pretendimet për qindra mijëra minoritarë grekë në Shqipëri, (siç bën edhe vet Hristopulos, shprehu mendimin e Komisionit Evropian se “minoritarët grekë që jetojnë në Shqipëri marrin pjesë plotësisht në jetën politike, ekonomike dhe sociale të vendit”. Duke e çmuar Traktatin e Miqësisë të vitit 1996 si një arritje të rëndësishme në fushën e të drejtave njerëzore dhe minoritare nëpërmjet marrëdhënieve zyrtare direkte midis Greqisë dhe Shqipërisë, janë edhe dy çështje të tjera që duhen shtruar.

Së pari, nuk mund të kalohet në heshtje një çështje që ka mbetur pezull që prej mbarimit të Luftës së Dytë. Është fjala për ligjin e luftës që shpalli Greqia kundër Shqipërisë në vitin 1940 në kohën e Luftës Italo-Greke. Që në krye ky ligj nuk ka patur asnjë bazë juridike për faktin e thjeshtë se Shqipëria ishte e okupuar dhe si e tillë nuk kishte kurrfarë personaliteti juridiko-kombëtar. Një shtet i okupuar nuk është subjekt i së drejtës ndërkombëtare. Ky është një paradoks në dritën e marrëdhënieve shqiptaro-greke të vendosura zyrtarisht prej tanimë gati 40 vjetësh. Janë vendosur marrëdhënie të rregullta diplomatike mes dy vendeve. Ka zhvillime të vazhdueshme në marrëdhëniet midis tyre në fusha të ndryshme. Më në fund vjen edhe Traktati i miqësisë dhe bashkëpunimit në vitin 1996. Ai mbyll një të kaluar dhe shënon një etapë të re në marrëdhëniet midis dy vendeve. Tek i ashtuquajturi Ligj i luftës e ka origjinën edhe një çështje që ka të bëjë me të drejtat e njeriut, ajo e një popullsie të konsiderueshme çame të dëbuar me forcë nga Greqia në mbarim të luftës. Duhet parë si një mangësi dhe padrejtësi që kjo çështje, që hyn në sferën e të drejtave njerëzore nuk ka gjetur ende vendin e duhur në marrëdhëniet midis dy vendeve. Ajo ka ndeshur në mohimin këmbëngulës të palës greke. Nuk është shtruar jo më çështja e ndonjë pretendimi për ndryshime territoriale, por as ajo e rikthimit të kësaj popullsie në vatrat e tyre, apo kompensim të pronave të saj të mbetura në Greqi. Është për të ardhur keq që autori grek e ka lenë në heshtje çështjen e gjendjes së luftës dhe atë të popullsisë çame.

Veç asaj, një çështje tjetër që duhet trajtuar në kuadrin e Traktatit të vitit 1996 është dhe ajo e emigracionit shqiptar në Greqi. Në tekstin e Traktatit sikurse u pa ky emigracion trajtohet bashkë me minoritetin grek si “një urë e zhvillimit të vazhdueshëm të marrëdhënieve midis dy palëve”. Trajtimi i emigracionit shqiptar shtrohet në kuadrin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe lirive themelore. Pavarësisht nga disa masa të kohëve të fundit për legalizimin e emigrantëve, kjo çështje nuk ka gjetur vëmendjen dhe angazhimin e duhur nga autoritetet greke. Të shumta kanë qenë rastet e keqtrajtimit veçanërisht nga policia greke. Emigrantët janë shpesh objekt i paragjykimeve gati raciste dhe vuajnë nga një psikozë antishqiptare. Ka tendencë për t’i kriminalizuar globalisht për vepër penale të kryera nga individë të veçantë. Shumë prej tyre detyrohen të ndërrojnë emrin dhe fenë për t’i shpëtuar diskriminimit si racë inferiore. Kjo nuk është ajo që autori grek quan shprehje të “vullnetit subjektiv”.

Në adresë të KSHH kanë mbërritur dhe ankesa për keqtrajtime nga të dënuar që vuajnë dënimin në burgjet greke. Numri tejet i madh i emigrantëve që arrijnë në gati 400 mijë dhe kontributi që ata japin me punën e tyre në zhvillimin e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë greke e shtrojnë në një përmasë të veçantë trajtimin e tyre. Një çështje e mprehtë është ajo e arsimimit të fëmijëve të emigrantëve në shkolla në gjuhën amtare. Nga autoritetet greke mund të pritet që të merren masa të efektshme në këtë drejtim, në mënyrë që disa shkolla të hapura të mos kenë thjesht vlerë simbolike. Më lart u përshkrua një tablo e përgjithshme e gjendjes së minoritetit grek në Shqipëri. Në të kaluarën ka pasur edhe probleme, por ka tani arsye të besohet se e sotmja është në një nivel të përshtatshëm. Është tanimë një kërkesë e ngutshme që edhe çështjet e mbetura pezull, si ajo çame dhe ajo e emigracionit të gjejnë një zgjidhje të përshtatshme.

Zgjidhja e këtyre çështjeve është po aq detyrim për autoritetet greke sa ç’është dhe respektimi i të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri. Nuk është e rastit që këto çështje kohët e fundit kanë marrë një ndjeshmëri më të madhe jo vetëm në opinionin e brendshëm të vendit, por edhe në shkallë ndërkombëtare.

Si konkluzion kjo është përgjigja që mund t’i jepet studiuesit grek Hristopulos. Një përgjigje që u kundërvihet formulave të dikurshme duke lënë derën të hapur për debat konstruktiv. Të lihen mënjanë paragjykimet e së kaluarës, të inkurajohet mirëkuptimi midis dy palëve. Nga kjo pikëpamje me rezultatet e arritura ka arsye të mendohet se e ardhmja do të jetë më e mirë dhe ajo mund të shikohet me optimizëm.

SHKARKO APP