Arbër Xhaferri: Niveli i Qytetarëve shqiptarë më i lartë se i partive politike

(Botuar me 11 gusht 1999 në KOHA JONE)

-Flet për KOHA JONE, Kryetari i Partisë Demokratike të Shqiptarëve të Maqedonisë, Arbër Xhaferri: Niveli i qytetarëve shqiptarë më i lartë se i partive politike- 

Ç’obligime të reja ju sjell rizgjedhja si kryetar nga kongresi i dytë i PDSH-së?

Së pari dëshiroj të shpjegoj përse u mbajt ky kongres. Ky kongres kishte për detyrë që para kuvendarëve e opinionit të gjerë të japë një raport sa më transparent për angazhimin e Partisë gjatë krizës kosovare dhe rezultatet nga koalicioni i ri qeveritar. Si kryetari i Partisë, si ministrat, zëvendësministrat, kryetarët e sipërmarrës qenë të obliguar që para kuvendarëve të dalin me raporte për punën e tyre. Në këto raporte pati analiza, projekte, të dhëna statistikore që do të pasqyrohen në librin e bardhë që do të dalë, ku do të reflektohet pozita reale e shqiptarëve në këtë sistem. Arsyeja e dytë përse u mbajt ky kongres ishte përgatitja e Partisë në përputhje me ndërrimet në masterplan. Nga hapësira shqiptare duhet me seriozitet t’i qasemi Paktit të Stabilitetit të Evropës Juglindore. Mungesa e këtij serioziteti është e palejueshme. Ne mendojmë se Pakti për stabilitet do të nxisë ndërrime të theksuara në masterplanin politik, ekonomik dhe të sigurisë. Ne dëshirojmë të jemi prezent në këto ndërrime, të nxisim interesat tona që përfshihen në të, të shfrytëzojmë oportunet që sjell pozicioni i ri në histori. Për ti realizuar këto obligime çdo parti duhet të bëhet e gatshme të profesionalizohet me segmente që të jenë të ngërthyera me Paktin për Stabilitet. Nga kjo del që kryetari i Partisë ka për obligim të përgatisë partinë që të luajë rol të rëndësishëm në kuadër të ndërrimeve në masterplan. Është e qartë se PDSH-ja nuk është parti minorene e një province të lënë pas dore të Maqedonisë, por është një parti ç’ka lot rol regjional dhe ne do të vazhdojmë ta ruajmë këtë status. Ky kongres u mor me këto çështje.

Cili qe roli i PDSH-së dhe i shqiptarëve të Maqedonisë gjatë procesit të krizës kosovare?

Para së gjithash roli qe aktiv, dinamik dhe mbi të gjitha i përgjegjshëm. Ne bëmë analiza të sindromit të krizës kosovare dhe e kishim të qartë se regjimi serb synon ta bart luftën e krizës që aprovoj në territor të tyre të fqinjëve. Milosheviçi me të deportuarit dhe refugjatët synonte ta destabilizonte Maqedoninë e Shqipërinë, për ta vënë NATO-n në një pozitë konfuze që objektivisht, me përhapjen e dilemave të shumta, do ta dobësonte hovin e ndërhyrjes në Jugosllavi e Kosovë. Ne kishim detyrë parësore që të rrënojmë dimensionin që synonte të luante Milosheviçi në Maqedoni dhe të veprojë kundër interesave të saj. Mirëpo, angazhimi i PDSH-së nuk ndodhi hë për hë në agravimin e krizës kosovare, por kishte një parahistori të gjatë. Qysh në janar të 1998 me masakrën e Drenicës, PDSH-ja krijoi shtabe e grupe të emergjencës në çdo qytet e fshat, të banuar me shqiptarë, pra në degë e nëndegë të Partisë. Këto shtabe duhet të ishin të përgatitura, ashtu siç qenë të përgatitura, kur shpërtheu kriza kosovare, që të lehtësojë pasojat e një eksodi masiv. Nga ana tjetër me hyrjen në koalicion me forcat e opozitës antikomuniste maqedonase të jetë më kooperative me forcat e NATO-s.

Që në seancën e parë të Qeverisë së koalicionit u soll mendimi që të lejohet instalimi i forcave të NATO-s në Maqedoni, që përfundimisht e përcaktoi tempin e zhvillimeve në Kosovë dhe tërheqjen e trupave serbe në Jugosllavi. Gjatë vetë krizës kosovare PDSH-ja u angazhua në dy drejtime.

  1. Në ruajtjen e stabilitetit politik në Maqedoni, që nga infrastruktura serbe të instaluara në institucionet e sistemit, përpiqej të prishej për ta evituar kështu bartjen e krizës dhe vëmendjes nga Jugosllavia e Kosova, në Maqedoni. Parandalimi i çfarëdo proteste të shqiptarëve si kundërpërgjigje ndaj protestave të serbëve e proserbëve që organizoheshin nga shërbimet sekrete jugosllave. PDSH-ja arriti t’u shmanget kurtheve e grupeve joshëse që prodhonin shërbimet informative serbe dhe kishte për qëllim ta lerë të qetë NATO-n, ta pastrojë terrenin për të, t’ia mbushë shpirtin dhe të evitojë çfarëdo konfuzioni lidhur me realizimin e planeve të tyre lidhur me Jugosllavinë e Kosovën. PDSH-ja në këto momente nuk i ndoqi emocionet për arsye se ishte një vend strategjikisht frytdhënës. PDSH-ja përmes shtabeve të organizuara të emergjencës u mor dhe me vendosjen e refugjatëve nëpër shtëpitë private. Ndihma logjistike që dha PDSH-ja ishte vendimtare për akomodimin e tyre, por dhe në nivel organizativ u tregua dhe më e fuqishme se organizatat qeveritare e joqeveritare të brendshme e të huaja. Të gjithë janë befasuar nga ky nivel i shkëlqyer organizativ i shqiptarëve të Maqedonisë që e kishin të gatshme skemën e vendosjes nga PDSH-ja. Nga ana tjetër PDSH-ja u angazhua në zhbllokimin e barrierave politike psikologjike që duke i përcaktuar refugjatët si invadues krijonin pengesa për hyrjen e tyre. Infrastrukturat proserbe ku mund të futet dhe vetë presidenti Gligorov, me vetëdije, ose pa të morën vendimin që të lejohet hyrja vetëm e 20 mijë refugjatëve nga Kosova, ose të krijohej një korridor efikas për zbrazje të heshtura të Kosovës e shqiptarëve që fundja korrespondonte me interesat e serbëve. Nuk u realizua as vendimi për 20 mijë refugjatë, siç dihet Maqedonia priti 350 mijë refugjatë dhe as korridori famëkeq Gligorov. Rol të madh në realizimin e këtyre pengesave pati PDSH-ja që ishte aktive, ndikuese dhe e përgjegjshme si për interesat globale të NATO-s ashtu dhe për interesat e ngushta të shqiptarëve.

Tani në fazën e pasluftës, ç’mendim keni për integrimin e forcave politike për rindërtimin e Kosovës?

Së pari duhet kuptuar që Kosova u shndërrua në çështje globale, ku testohen vlerësimet, principet dhe standardet, po ashtu globale. Këtë duhet ta kuptojnë të gjithë. PDSH-ja në këtë mes angazhohet të krijojë vetëdije e klimë për kooperim sa më të ngushtë të faktorit politik shqiptarë në sisteme globale, NATO-s dhe administratës civile. Në këtë mes ajo dërgoi dhe apel nga Kongresi për domosdonë e ndërtimit të një uniteti politik si në Kosovë, ashtu dhe në Shqipëri për evitimin e bipolarizimeve rrënuese që s’kanë kurrfarë kuptimi. Në këtë moment asgjë nuk është më e rëndësishme e prioritare, se sa komunikimi dhe kooperimi efikas mes faktorit shqiptar ndërkombëtar. Parakusht për efikasitetin e këtij relacioni është e legjitim, i pakontestueshëm i përfaqësuesve të popullit. Deligjitimi i vazhdueshëm për interesa të ngushta partiaku a grupe njëherazi e delegjitimion kërkesën e shqiptarëve që të jenë pjesë e botës së qytetëruar. PDSH-ja në fazën e postkrizës kosovare angazhohet të kumtojë vetëdije për domosdonë e shfrytëzimit të shansit historik që është afruar në këtë moment. Për ne nuk do jetë gjë më e rëndësishme se kjo.

Ç’përparësi sjell hyrja e PDSH-së në koalicion me partitë opozitare maqedonase?

Përparësia e parë ishte eliminimi i forcave strukturore të vjetra të pushtetit që ishin bastionet e mendësisë së vjetër antishqiptare e antidemokratike. Ne luajtëm rol vendimtar në eliminimin nga skena politike të këtyre forcave. Vetë ndërrimi i strukturave hap shtegun për ndërrim të mendësisë së vjetër e me këtë dhe bllokimi i barrierave politike që parandalonin realizimin e kërkesave fondamentale të shqiptarëve. Por ç’ka solli ky koalicion?  Së pari, lirimin e të burgosurve politike, rritjen e paimagjinueshme të shqiptarëve në administratën shtetërore, marrjen e disa posteve të rëndësishme në Ministrinë e Rendit, të administratës lokale, sipërmarrjet publike etj. Pastaj u zhbllokuan barrierat politike për zyrtarizim të nënshtetasve tanë të Tetovës. Po ashtu të përsërisim mendimin, Maqedonia u tregua shumë kooperative me NATO-n gjatë intervenimit në Jugosllavi, e në përgjithësi gjatë krizës kosovare.

Si e vlerësoni etapën e re të Paktit të Stabilitetit dhe cili do jetë roli i Maqedonisë në të?

Pakti për Stabilitet është peshqeshi që vuajtja kosovare ia solli dhe rajonit. Duhet kuptuar haptazi se vetëm nëpërmjet vuajtjeve, refuzimit të shqiptarëve që të bashkëpunojnë me regjimin e Milosheviçit, Evropa, NATO-ja pakti për stabilitet erdhën në rajon. Nga prezenca e tyre gjithsesi do të përfitojë dhe Maqedonia. Roli i saj do jetë i ngjashëm me etnitetet e tjera që janë të përfshira në këtë pakt, Shqipëria, Bosnia, Kosova, Kroacisë etj. Për t’i shfrytëzuar këto shanse, së pari duhet të demokratizohet vendi, të vendoset rendi, të evitohet korrupsioni. Maqedonia, Shqipëria, Kosova, etj. duhet thënë haptazi, këtë do kenë vetëm një obligim: Të vendosin rendin, standardet demokratike në shtetet e tyre etj.

Në kongresin tuaj të dytë keni theksuar se PDSH do të gjejë rrugë efikase për përmirësimin e aksesit të bizneseve të vogla e të mesme.  Cilat do të jenë disa më kryesoret për këtë?

PDSH-ja nuk është vetëm parti politike, por dhe parti që ka platformën e vetë ekonomike. Hapjen e aksesit për shfrytëzimin e investimeve e bankave mund të zgjidhet sipas analizave të PDSH së implementuan projektin do Eugradingut, ku 1 ose disa banka marrin asistencë financiare nga donatorë e konsulentë të huaj për t’i mësuar të zbatojnë një teknologji kreditimi të përshtatshme me kushtet specifike të bizneseve të vogla e të mesme me vlera në zhvillim. Mendoj se komuniteti shqiptar në Maqedoni do të ketë një zhvillim të fuqishëm në dimensionin e bizneseve të vogla e të mesme, por duhet lehtësuar procesi investues. PDSH-ja në fazën e ardhshme në bashkëpunim me partitë e koalicionit qeveritar do të përpiqet të marri sa më shumë fonde nga donatorë për projekte të ngjashme, do të veproj që trojet shqiptare të mos lihen pas dore gjatë implementimeve të projekteve. Do të kemi kujdes të punësohen dhe nëpunës Kredie shqiptarë nga që shtylla kryesore e teknologjisë e të drejtimit është shqyrtimi i kushteve ekonomike e sociale të kredi-kërkuesve. Të angazhohemi të thjeshtojmë procedurat burokratike veçanërisht gjatë lëshimit të lejeve për veprimtari.

Në ç’nivel janë marrëdhëniet e PDSH-së me forcat politike në Shqipëri. Çfarë duhet të korrigjojnë ato për shansin e ri që hap Pakti i Stabilitetit?

PDSH-ja ka strategjinë e vet në raport me subjektet politike në hapësirat tjera shqiptare. Në këtë mes ajo gjithnjë u jep përparësi interesave globale, pro shtetërore, të Shqipërisë e Kosovës e pastaj opsioneve që kanë alternacione të domosdoshme konkurruese brenda një sistemi demokratik. Mendoj se të gjithë së bashku të mbrojmë interesat shtetërore e pastaj interesat e tjera. Natyrisht tek ne ka emocione e motive me një parti, ose një tjetër parti, mirëpo ato racionalisht gjithnjë përcaktohen në mbrojtje të interesave të sistemeve të mëdha pra të shteteve e procedurave demokratike, si mënyra më qytetëruese të legjitimit të një vizioni për një shoqëri. Në vazhdë të kësaj përgjigje mendoj se partitë politike e vetë shtetet shqiptare lidhur me paktin për stabilitet mund të bëjnë vetëm një gjë, të vendosin rendin dhe të krijojnë ekipe sa më profesionale e kompetente për ndërlidhje të vazhdueshme me administratën e paktit për stabilitet.

Me sa di unë një ndër apelet e kongresit të dytë të PDSH-së ka qenë që në Shqipëri të ndalohen polarizimet politike, të vendoset rendi, të ç’rrënjoset korrupsioni. Cilat mund të jenë shtysat substanciale që të mënjanohen këto?

Është e qartë se polarizimet nuk i avancuan çështjen shqiptare as demokracinë në vendet tona, por shkaktuan rrënime që përfundimisht e dëmtuan imazhin pozitiv të shqiptarëve në botë. Me përfundimin e krizës kosovare ne duhet të kalojmë te gjithë se bashku një fazë racionale, të vlerësojmë qartë e drejtë ç’ka ofron konteksti global, ku gjendemi ne. Sa janë të vërteta të vërtetat tona të vogla, sa janë të pranueshme nga konteksti veprues evropian sa janë në kontabël me to. Duhen këto pyetje të shtrohen haptazi e të merren përgjigje të drejta pa demagogji dhe menaxhime të devijimeve. Shtysat kryesore që të mënjanohen këto devijime janë liderët e partive politike, që aktualisht simbolizojnë kurse metoda dhe sisteme të ndryshme të vlerave. Mund të ndodhë, në se nuk arrihen ndryshime në këtë aspekt të politikës së Tiranës, që vetëdija e niveli i qytetëruar i opinionit të jetë mbi nivelin e partive politike që do të përfundojë me një depresion masiv të popullsisë nga politika. Do të kemi popull të depolitizuar, individualisht të aftë për punë të ndryshme, por të paaftë për organizimin politik të shtetit. Shtetet pa politikë gjithnjë janë në proces të ndërtimit e përfundimisht prodhojnë energji pozitive që ekzistojnë në çdo shoqëri njerëzore.

Në Krushevë, me 2 gusht kryeministri Georgievski tha se dera e hekurt e Unionit evropian është e çelur. Si e vlerësoni kontekstin e kësaj thënie?

Dyert e hekurta të unionit evropian për çka u prononcua kryeministri Georgievski në mitingun e Krushevës, u hapën në sajë të Kosovës. E përsëris ky është peshqesh historik që Kosova ia dha Ballkanit. Dyert janë të hapura por nëpër to nuk mund të hyhet me kostume të vjetra ballkanike me atë mendësi ksenofobie që i përjetëson antagonizmin. Nëpër ato dyer do të hyhet vetëm në qoftë se pranohen standardet e mjedisit të ri.

Gjithashtu kryeministri duke folur për marrëdhëniet me fqinjët vlerësoi se në marrëdhëniet me Greqinë ka ndodhur “çudi e vogël”. Si duhet kuptuar ky përfundim?

Kryeministri Georgievski ka të drejtë kur thotë për “çudinë e vogël”, lidhur me marrëdhëniet me fqinjët, pasi me Maqedoninë u kuptua qartë se fqinjët nuk i krijuan telashe Maqedonisë por nomenklatura e vjetër krijonte telashe artificiale me fqinjët në kuadër të përcaktimit për rolin e “qengjit të butë” Maqedoninë pra, të rrethuar nga ujqër të rrezikshëm, fqinjët e saj.

Ç’përfitoi Maqedonia nga Samiti i Sarajevës?

Maqedonia gjithsesi fiton shumë me vetë faktin se është përfshirë në Paktin për Stabilitet dhe me këtë dhe në samite, ku shpejt dalin projekte investuese për ardhmërinë e Evropës e Jugosllavisë. Por duhet kuptuar se Pakti për Stabilitet nuk është fenomen i bingos në lotari, ku fitohet ose humbet për një çast, por do jetë një proces i gjatë i transformimit politik e ekonomik të Maqedonisë. Intervistoi: Garip Troci

 

SHKARKO APP