Ardian Klosi: Mosbindja civile, përgjigja më e mirë për uzurpatorët
(Botuar me 22 Qershor 1996 në KOHA JONE)
Nga Ardian Klosi-
Gabimet tona
Të gjithë ne që kemi qenë e mbetemi në opozitë me Berishën dhe juntën e tij duhet të shqyrtojmë një herë, së pari, gabimet tona në periudhën e para zgjedhjeve të 26 majit. Partitë kryesore të opozitës, Partia Socialiste, Aleanca Demokratike, PSD, e të tjerë duhet ta pranojnë që u treguan të leshta dhe s’e kuptuan me kohë strategjinë e Berishës. Qysh se u shpall ligji për zgjedhjet (bile edhe më parë) pastaj më pas me krijimin e komisionit të figurës morale, ndodhën shkelje të rënda të një procedure normale demokratike drejt zgjedhjeve. Ligji elektoral shqiptar, më thoshte një jurist gjerman, njohës i thellë i Shqipërisë, të shtyn vetvetiu drejt manipulimit. Çdo ditë e më shumë po bëhej e qartë se Berisha do të bënte çmos për t’i shpëtuar përsëritjes së turpit të Referendumit. Fitorja duhej arritur me hir a me pahir. Televizioni zhvillonte ndërkohë një fushatë të paturpshme moniste. Të mos flasim pastaj për sabotimin e aktiviteteve të opozitës, grisjen e pllakateve, ndalimin e mbledhjeve dhe mitingjeve deri në rrahjen e kandidatëve ose deputetëve opozitarë! Do të mjaftonte secili nga këta kapituj, pale të gjithë së bashku, që të kërkohej shtyrja e zgjedhjeve dhe një fushatë tjetër elektorale, në kushte të barabarta për të gjithë. Sikur opozita të kishte arritur harmoninë e datës 26 Maj në drekë disa javë, qoftë edhe disa ditë përpara, do të ishte shmangur loja e shëmtuar në të cilën ranë të gjithë brenda. Strategjia e gabuar e partive të opozitës megjithatë i ka rrënjët më thellë se kaq. Sado që të gjithë e deklaronin se qëllimi kryesor ishte largimi i delirantit Berisha nga pushteti, bashkëpunimi midis partive kryesore mungoi krejt. Të rrallë ishin zërat si ai i Fatos Nanos që i bëri thirrje hapur pak ditë para zgjedhjeve, elektoratit të tij që, aty ku ishte rasti, të votonin për kandidatë të mirë të partive të tjera. Më tej, personalisht krijova përshtypjen se asnjëra nga partitë nuk kishte një program konkret të shpejtë, për plagët më të mëdha të vendit. Socialistët shpresonin në një fitore totale, partitë më të vogla për 15-20 për qind, çka do t’i bënte të domosdoshme në ndarjen e pushtetit. Emrat e deputetëve të ardhshëm dolën në plan të parë. Po me pushtetin e fituar ç’do të bënin? Programet e punës? Asgjë. Krijimi i një “dege ulliri” edhe në Shqipëri? Ç’ka do ta rihidhte delirantin tonë te përparësja e bardhë dhe shërbimi i rojës në spitalin numër 2, siç hodhi edhe delirantin tjetër përtej detit, më të fisëm se ky i yni, në spektaklet televizive të Kanalit 5? Asgjë. Vetëm besimi i patundur në vetveten. Sepse pikë kryesore e programeve ishte pushteti, nuk ishte Shqipëria. Sikur opozita të kish gjetur gjuhë të përbashkët përpara zgjedhjeve, do të qe bërë i mundur edhe kontrolli i plotë i ligjshmërisë më datë 26 maj: në rast pamundësie, sikurse thashë, nuk do të shkohej fare në zgjedhje. Nuk është vështirë të bëhesh i zgjuar pas fatkeqësisë dhe kjo gjë po më ndodh edhe mua. Në të vërtetë nuk patën faj vetëm partitë në faktin që Berisha e luajti deri në fund pokerin e tij të fëlliqur. Faj patëm edhe ne që jemi pa parti dhe shkruajmë. Sepse duhej t’i kishim kuptuar shenjat e mashtrimit të madh dhe të bënim thirrje për veprim, jo thirrje për votim. Për veprim kundër votimit. Ne ende nuk kishim kuptuar që roli i shtypit te ne është tepër relativ, ende kujtonim se Berisha me Safetët e tij lexojnë artikujt tanë dhe shqetësohen, akoma s’i kishim kapur përmasat e cinizmit. Nuk e dinim se në vend që të lexonin, ata ngrinin rrogat e oficerëve dhe u jepnin rrobaqepësve me mijëra porosi të reja për uniforma policësh.
Po tani?
Në rast se në mars 1992 Berisha dhe partia e tij hynë në Parlament si triumfatorë, tani në Qershor 1996, Presidenti me të vetët hyjnë në Parlament si uzurpatorë. Pushteti që ata morën dhe po “konsolidojnë” nuk është fitore “me disa parregullsi ose korrigjime”, por është thjesht uzurpim. Quajeni 26 majin edhe grusht shteti nëse doni, në thelb nuk ndryshon asgjë. Sepse thelbi është që Berisha me të vetët ndodhen tani në majë të një pushteti ilegjitim. Është një pushtet i ngritur mbi vjedhjen e votës, mbi manipulimin e së drejtës më elementare të qytetarit. Si i tillë ai s’ka të drejtë as edhe për një ditë ekzistencë të ligjshme. I vetmi justifikim që ende e mban këtë pushtet në pushtet është fakti se shqiptarët janë të lodhur nga vuajtjet dhe nuk duan mundime të mëtejshme si dhe fakti tjetër që Perëndimi është i lodhur nga konfliktet në Ballkan dhe nuk do një konflikt të ri. Por kjo s’na bën dot ta ndryshojmë bindjen tonë që jemi përballë një pushteti të paligjshëm. Është një bindje që na mbërthen nga maja e këmbëve tek qimja e flokut. Në çdo çast, në çdo veprim që na vë përballë këtij lloj regjimi, qoftë ky i mishëruar prej një polici druvar, prej një gjykatësi ryshfetxhi, prej një kryetari xhahil bashkie, ose prej një presidenti të dehur me vetveten, ne kemi vetëm një mendim në kokë: Zotërinj, jeni ilegalë. Ju durojmë vetëm sepse kemi fëmijë dhe familje, por ndërkohë po punojmë kundër jush dhe, sapo të na jepet rasti i parë do t’ju dëbojmë nga pushteti, siç kemi dëbuar edhe të tjerë. Berisha me të vetët pjesën më të madhe të llogarisë, arritjen e fitores nominale e bëri mirë. Veçse një pikë e harroi. E drejta nominale nuk të jep njëkohësisht të drejtën morale për të sunduar. Një vend demokratik nuk mund të qeveriset pa opozitë dhe opozita s’mund të marrë pjesë në farsat e pas 26 majit. Berisha deklaroi që më 26 maj, me një gëzim të pafshehur, se opozita po bën vetëvrasje. Në të vërtetë përfytyrimi i një opozite të vetëvrarë duhej ta kishte tronditur shumë, sepse tanimë askush nuk do t’ia besojë skenografinë demokratike. Berisha nuk ndodhet as në pozitën e Musolinit më 1924, as në atë të Enver Hoxhës më 1944 dhe as në atë të Pinoçetit më 1973. I mbetur pa moralitetin e një Parlamenti, qeverimi i tij mund të ekzistojë vetëm nëpërmjet imoralitetit dhe kërbaçit, por kjo bie krejt ndesh me motivin e ardhjes së tij të parë në pushtet: qeverimit demokratik. Tani për tani shqiptarët kanë rënë në letargjinë e vapës së verës dhe janë duke parë kampionatin Evropian të futbollit. Por kjo nuk do të thotë se do t’i durojmë gjatë mbi kurriz këpushat parazitarë që iu ngjitën pas manipulimit të votës më 26 maj. Por si do të detyrohet klika e këpushave që t’i lejojë shqiptarët sa më shpejt në një votim sa më të vërtetë demokratik? Rruga më e mirë, në të vërtetë rruga e vetme, është mosbindja civile. “Mosbindja civile, – thoshte Gandi që më 1921, – është rezistenca që i bëjnë nënshtetasit shtetit të tyre ilegal, të cilin përpiqen ta rrëzojnë… Mosbindja civile është e plotë atëherë kur arrihet gjendja e rebelimit paqësor dhe e kapërcimit të frikës”.
Mund të mendohet se një mosbindje civile e shqiptarëve ndaj shtetit të tyre vetëm do ta thellonte anarkinë në këtë vend. Mirëpo të kërkosh vendosjen e ligjshmërisë është pikërisht e kundërta e anarkisë. Po të flasim përsëri me Gandin mosbindja civile është e drejta e lindur e çdo qytetari. Nuk mund të jesh njeri në qoftë se heq dorë nga kjo e drejtë. Mosbindja civile asnjëherë nuk çon në kaos dhe anarki ligjore. Këtë gjë mund ta bëjë vetëm mosbindja kriminale – siç e jetojmë përditë në Shqipëri. Çdo shtet i vërtetë e shtyp mosbindjen kriminale, përndryshe ai do të vetëshkatërrohej. Ndërsa të shtypësh mosbindjen civile do të thotë t’i hedhësh zinxhirët vetë ndërgjegjes. Ka shumë mënyra dhe forma për të shprehur mosbindjen civile. Për fat të keq Shqipëria nuk ka as industri, as prodhim masiv, përndryshe mosbindja sindikale do të ishte një nga format më të efektshme. Megjithatë kjo nuk do të thotë se qeveria e deritanishme do ta ketë po njësoj të kollajtë qeverisjen, me anë të ndihmave nga Evropa dhe ndihmave nga kontrabanda, siç e ka pasur deri më tani. Sepse mosbindjen civile mund ta ushtrojë tanimë çdo individ që bie në konflikt me ligjin dhe që nuk di se ky ligj buron nga një pushtet i paligjshëm falsifikuesish; mosbindja civile të çon në veprime të drejtpërdrejta ose të tërthorta kundër pushtetit uzurpues; mënyrat më të thjeshta të shprehjes janë mospagimi i taksave, kundërshtimi i çdo rasti të arbitraritetit dhe korrupsionit qeveritar, injorimi i ligjeve ose rregullave që i shërbejnë mbajtjes së këtij pushteti e që shkon deri tek injorimi ose përbuzja e njerëzve që e ushtrojnë këtë pushtet; – mosbindjen civile e ushtron çdo polic e çdo ushtar që e ka çarë mjegullën në kokën e vet dhe që e ka kuptuar se nuk ka asnjë të ardhme të sigurt nën juntën e Berishës. Mosbindjen civile e ushtron edhe fshatari më i thjeshtë e më i varfër, kur të shohë që po i vjedh tokat, kullotat ose pyjet një pushtet uzurpatorësh, uzurpuesit deri më tani mendojnë se mund të ekzistojnë pavarësisht nga kultura, nga shkolla, nga shtypi shqiptar. Mirëpo mosbindja civile e njerëzve të kulturës, e mësuesve dhe e gazetarëve shqiptarë ka për t’u provuar të kundërtën. Veç disa njerëzve të paguar si punonjësve të TVSH dhe atyre të gazetës “Albania”, veç disa pleqve nga Lidhja e Shkrimtarëve, të cilët kurrë nuk kanë jetuar dot pa iu përulur shtetit, të tjerët do të kontribuojnë secili në mënyrën e tyre për rrëzimin e këtij shteti. Farsat e Berishës do t’u japin dorë shkrimtarëve për vepra edhe më groteske se “Arturo Ui”, ose “Zoti President”, mësuesit e historisë, letërsisë, filozofisë, do t’u rrisin nxënësve dashurinë për të vërtetën dhe përbuzjen ndaj falsifikatorëve, gazetarët do t’u zbulojnë të palarat më të fundit qeveritarëve aktualë. Kështu do të bëhet gjithmonë e më mbytëse atmosfera rreth tyre, derisa edhe për këtë shkak ata të detyrohen të dekretojnë zgjedhje të parakohshme; – mosbindja civile te individët shqiptarë është që tani e programuar dhe e pashmangshme. Por forca e saj mund të bëhet shumë më goditëse, realizimi i qëllimit edhe më i afërt në rast se mosbindja organizohet në grupe gjithmonë e më të mëdha. Takimet e ndryshme shfaqjet, koncertet, marshet e heshtura e deri te mitingjet e mëdha janë forma që do të synohen, edhe pse Qeveria e uzurpuesve pikërisht këtyre u trembet më shumë dhe do të bëjë çmos që t’i ndalojë. Sikur t’u kërkohet leje, ajo lejen nuk do ta japë asnjëherë. Mirëpo leja e tyre nuk duhet pritur shumë. Po të flasim për herë të tretë me Gandin “edhe sikur gjithë bota të na thotë se grumbullimet paqësore nuk mund të mbahen pa leje, se organizatat e pavarura nuk mund të krijohen pa leje, se gazetat nuk mund të botohen pa leje, ne këto lloj ndalimesh nuk mund t’i pranojmë. Sepse asnjë njeriu nuk mund t’i thuhet se duhet t’u kërkojë leje të tjerëve për të marrë frymë, për të ngrënë, ose për të pirë. Dhe këto tri gjëra që përmendët janë frymëmarrja, të ngrënët dhe të pirët e jetës publike”. Puna më e mirë që mund të bëjnë tani partitë e opozitës të përjashtuara nga jeta në Parlament është pikërisht nxitje e këtyre formave kolektive të mosbindjes. Nuk ka më kuptim të vazhdohet përsëri fushata e negocimit, domethënë propaganda antiBerishë, siç u zhvillua me të gjitha bateritë para zgjedhjeve, edhe sikur shtypi opozitar të arrijë tirazhe nga 200 mijë copë. Që të rrëzohet grupi i uzurpatorëve duhen bërë veprime konkrete nëpërmjet fushatës së pohimit dhe të organizimit. Njerëzit duhet ta kuptojnë se sa më e thellë do të jetë mosbindja e tyre, aq më shpejt do të largohet klika, sa më shpejt të zhvillohen zgjedhjet demokratike, aq më shpejt do të përmirësohet jeta e tyre, aq më shpejt do të shpëtojnë nga anarkia e rrugës, nga paligjshmëria dhe nga pisllëku. Prandaj është i nevojshëm pohimi, sepse qytetarët duhet ta shohin konkretisht se si do të jetë shteti i ri pas zgjedhjeve normale dhe dëbimit të tufës që thamë. Së fundi, duhet ta kuptojmë të gjithë se forca jonë dhe shpëtimi ynë janë te ne vetë. “Evropa” , pra Perëndimi e tregoi edhe një herë që fatet e popullit shqiptar nuk i pikojnë në zemër. Ndryshon puna kur “Evropa” ose “Amerika” ta shikojnë se shumica e shqiptarëve nuk e pranojnë një qeveri të mbështetur mbi mashtrimin dhe se janë në rebelim të përhershëm kundër saj. Të mos e përkrahin më këtë popull do të thotë të rreshtohen kundër tij në përkrahje të një pakice uzurpatorësh. Të gjitha shenjat tregojnë se historia e 26 majit jo vetëm nuk mbaroi më 26 maj, por se ajo sapo ka filluar./Ardian Klosi/