Ardian Klosi: Nyja e Berishës
(Botuar me 7 Janar 1998 në KOHA JONE)
Nga Ardian Klosi
Sikur t’u thoshe shqiptarëve në ditët e kryengritjeve të marsit se Sali Berisha as nuk do të rrëzohet, as nuk do të arrestohet, as nuk do të zhduket nga skena politike, askush nuk do të besonte. Sikur t’u thoshe njerëzve në muajt e mjerimit më të madh të këtij vendi se, edhe mbas disfatës në zgjedhje, Berisha do të ishte politikani kryesor i opozitës, padyshim që do të të mbanin për të marrë. Sepse çdo njeri me pak arsye në tru, në ato ditë po edhe më pas, do të kishte menduar se njeriu që ishte në krye të shtetit shqiptar në periudhën kur ndodhi rrënimi më i madh dhe trauma më e rëndë për këtë vend, detyrimisht do të mbante edhe pasojat më të rënda. Më e pakta, çka është në natyrën bujare dhe falëse të shqiptarëve, do të ishte largimi i këtij emri nga skena e politikës shqiptare.
Mirëpo ndodh krejt ndryshe. Njeriu i cili paaftësinë e tij për të drejtuar një shtet e dëshmoi me 5 vjet lëngatë dhe gënjeshtër ekonomike, komunisti sektar, i cili për pesë vite rresht mbolli veç farën e urrejtjes, xherahu, që s’ngurroi të japë urdhër për masakrimin ose rrahjen e opozitarëve kryesorë të vendit dhe djegien e gazetës më të madhe “Koha Jonë”, Neroni i Malësisë, që s’e pati për gjë të nisë kohortat e Gazidedes nga “Veriu” për të shtypur “Jugun” e pastaj të hapte depot e armëve, e pra ky dështak i drejtimit të shtetit dhe deliriak i pushtetit, ka ridalë në skenën shqiptare si një politikan opozitar normal! Bile çdo ditë e më tepër po këlthet për zgjedhje të reja, pa të cilat sipas tij Shqipëria s’do ketë kushtetutë.
Megjithatë, paradoksi më i madh nuk është që një deliriak i dështuar nuk ka hequr dorë nga ëndrra e tij për pushtet. Jo, paradoksi më i madh është që politikanë të tjerë, edhe të tillë që s’kanë ndonjë listë mëkatesh pas shpine, gazeta të pavarura, po e trajtojnë këtë njeri si një qenie normale, po i bëjnë madje thirrje të ulet në një tryezë me ta, të pranojë bisedimin, pajtimin kombëtar!
Një nga fatkeqësitë e këtij vendi sot është që nuk ka një opozitë serioze. Berisha dhe shpura që i bie ende nga mbrapa përfaqësojnë një klan dhe asgjë më shumë. Me një klan si ky nuk mund të bësh sot bisedime për pajtim kombëtar, për arsyen e thjeshtë se kemi të bëjmë me një klan të inkriminuar. Megjithatë duket se nxitohen edhe njerëzit e shumtë që ngrenë sot zërin për një arrestim të shpejtë të Berishës, si zgjidhje të nyjës së mallkuar politike ku kemi ngecur. E keqja më e madhe e shtetit shqiptar sot nuk është aftësia e Berishës për të bërtitur, por mefshtësia e pushtetit të ri për t’ia lidhur gjuhën me vepra, për të kapur duart mafioze që e mbajnë gjallë shpinën e tij sot e gjithë ditën, për të gjeneruar nga ish-shteti i degjeneruar berishian një shtet të vërtetë.