Arian Çani: Musaraj e Gazidede pranë dorëheqjes

(Botuar me 1 Maj 1996 në KOHA JONE)

Nga Arian Çani-

A do të japë dorëheqjen Bashkim Gazidede? Po Agim Musaraj?  Dy funksionarët e lartë të shtetit shqiptar ndodhen tani përballë dy alternativave, por të detyruar të zgjedhin vetëm njërën: të kandidojnë për deputet apo të ruajnë detyrën e tyre shtetërore. Nga njëra apo nga tjetra, dorëheqja duket se është e vetmja fjalë për të cilën ata duhet të mendojnë. Musaraj e Gazidede, kandidatë të PD, nga drejtues të rendit e SHIK-ut, duhet të heqin dorë. Të paktën kështu thotë ligji shqiptar për zgjedhjet. “Në rast se drejtuesit e organeve të pushtetit lokal, pjesëtarët e organeve të drejtësisë, drejtuesit e organeve të rendit dhe SHIK-ut, si dhe ushtarakët e shërbimit aktiv, paraqesin kandidaturën për deputet, atëherë ata lirohen nga detyra 25 ditë para datës së zgjedhjeve”.

Është ky paragrafi i plotë i nenit 19 të ligjit elektoral, fjalë që gjithkush do të kuptonte se nuk lenë vend për koment. Aq më tepër kur flitet për një ligj të hartuar e miratuar pak kohë më parë, nga vetë mazhoranca e sotme parlamentare. Në këto kushte, Gazidede dhe Musaraj duhet dhe kanë të drejtë të zgjedhin ose dorëheqjen nga postet që mbajnë ose dorëheqjen nga kandidatura për deputet. Koha për të marrë vendimin mbaron sot në mesnatë. Ora 24.00 e ditës së sotme është momenti i fundit që shënon, sipas ligjit, afrimin apo largimin e dy funksionarëve të lartë me ditën e zgjedhjeve në Shqipëri.  Askush nuk do ta uronte që Ministri i Rendit apo Kryetari i Shikut të jetonin këto orë në një dilemë të madhe, nëse janë duke menduar për zgjedhjen e tyre. Por ndërkohë, askush nuk do të kishte të drejtë për t’i privuar ata nga e drejta  për t’u kandiduar si deputet, brenda një force politike. Dikush është i mendimit se institucionet në të cilat Musaraj e Gazidede punojnë si drejtues, janë të depolitizuara. Një mendim, në favor të cilit, flasin edhe vetë juristët. Kjo është dhe arsyeja e gjetjes së një formule të tillë në ligjin elektoral. Një nen që specialistët e quajnë të drejtë dhe në favor të paanshmërisë së dy institucioneve gjatë një fushate elektorale. Por çfarë mendojnë lidhur me këtë çështje, aktorët e tjerë të politikës shqiptare? “Ligji flet qartë por ne nuk mund të prononcohemi ende përderisa edhe Gazidede, edhe Musaraj, kanë dhënë kohë për të bërë zgjedhjen e tyre”. Të kujdesshëm janë shprehur kështu në kancelaritë e partisë më të madhe opozitare. Reagimi i ngjashëm, ka mbërritur ndërkohë edhe nga selia e partisë në pushtet, parti me të cilën dy funksionarët e lartë kanë zgjedhur të kandidohen. “PD ka vepruar dhe do të veprojë gjithnjë sipas ligjit, por për rastin në fjalë, ata e dinë vetë se ç’duhet të bëjnë”, janë mjaftuar të thonë nëpunësit e lartë të kësaj partie, por duke preferuar të evitojnë çdo parashikim mbi një dorëheqje të mundshme të Gazidedes e Musarajt nga detyra e tyre shtetërore. Juristët, shumë prej të cilëve nuk kanë dëshiruar të prononcohen mbi zgjedhjen që duhet të bëjnë dy funksionarët e lartë shtetërorë, pohojnë vetëm se neni 19 i ligjit për zgjedhjet e shpreh qartë zgjidhjen e një kontradikte të mundshme. Do të kandidojnë për deputet apo do të vazhdojnë në postin e tyre të lartë, kjo duket se është ende për disa orë në dorën e dy zyrtarëve të lartë. Në dorën e të tjerëve – mbi të gjitha në atë të ligjit – do të jetë vetëm nëse ata do të vendosin që edhe pas ditës së sotme, “të vazhdojnë të hanë me dy lugë”. Ndoshta ja vlen të kujtohet se vetëm pak ditë më parë, komisioni qendror i zgjedhjeve ka fshirë nga lista e proporcionalit, emrat e disa liderëve të opozitës, të cilët kishin vendosur të kandidoheshin. Dhe nëse komisioni zbatoi ligjin me politikanët e prekur nga “antigjenocidi” duhet të jetë po ky komision që të respektojë nenin 19 të ligjit për zgjedhjet./Arian Çani/

 

 

SHKARKO APP