Arian Çani: Ndoshta s’duam, por duhet
(Botuar me 11 korrik 1998 në KOHA JONE)
Nga Arian Çani-
“Korrupsioni i bluzave të bardha”, “mjekët janë hajdutë”, “ata luajnë me shëndetin e njerëzve”, sa herë i kemi dëgjuar këto akuza që, për nja tetë vjet me radhë, nuk kanë pushuar kundër atyre njerëzve, rroga e të cilëve, si për çudi kjo harrohet sistematikisht, nuk është më shumë se 100 apo 120 mijë lekë të vjetra në muaj. Nga ana e tyre, qeveritë që herë ndërrohen dhe herë nuk ndërrohen në këtë vend, e kanë pasur përgjigjen e gatshme sa herë që është folur për çështjen në fjalë. “Kaq janë mundësitë pasi kaq na lejon buxheti i shtetit”.
Kështu mjekët të cilët, përveçse janë mjekë, janë edhe prindër që duhet të rrisin kalamajtë e tyre, nuk bëjnë aspak “mëkat” që herë pas here apo rregullisht, kërkojnë ose nuk refuzojnë paratë e pacientëve nën dorë. Si mund të bënte ndryshe gjithë ajo armatë e madhe profesionistësh, kur vetëm një pakicë e vogël, ajo më me reputacion, ka patur shansin të kurojë privatisht nëpër shtëpi apo klinika private. Me qindra e mijëra mjekë kanë një jetë të tërë që punojnë në spitalet e shtetit dhe nëse nuk do t’i kishin “lyer duart” me pak ryshfete e bakshishe nga pacientët, me siguri që nuk do të mundnin dot të mbanin familjet dhe fëmijët e tyre. Dhe tani ndodhi që shteti, pasi vrau mendjen e pasi nuk mundi të gjente nëse fajtori ishte mjeku që pranonte bakshishin apo pacienti që e jepte atë, të ndërmerrte një reformë të re financiare e cila pritet të përfshijë gjithçka në marrëdhëniet mjek-pacient: Ky i fundit do të paguajë para, do të marrë një faturë dhe me këto para do të rriten rrogat e mjekut. Sigurisht që as ministri Solis, as parlamentarët që do të votojnë projektligjin, madje as vetë Nano, nuk do të besonin menjëherë se kjo reformë do të mund të zhdukte fenomenin e marrjes së parave nën dorë. Vetëm naivëve do të mund t’u shkonte nëpër mend se mjekët dhe pacientët do t’i jepnin fund pas kësaj reforme marrëdhënies së tyre të vjetër e të fshehtë: MITMARRJES.
Në thelb, kjo reformë financiare në shëndetësi që Solis i ka dërguar Parlamentit ta mbështesë ligjërisht, nuk është çelësi që do të zhbllokojë atë që rëndom në Shqipëri quhet korrupsion. Por të paktën, është një prej çelësave që ia vlen ta provosh, edhe nëse kosto bie mbi kurrizin e pacientëve shqiptarë. Pra shqiptarët, të cilët, që këtej e tutje, do t’u duhet të shkojnë në spital, do të mund të paguajnë jo vetëm nën dorë por edhe zyrtarisht. Shumëkush mund të mos jetë dakord me këtë reformë dhe mund të hidhet e thotë se është shteti ai që duhet t’ua rrisë rrogat mjekëve në spitalet publike. Po në fund të fundit, shteti, a nuk jemi ne vetë?/ Arian Çani/