Arian Çani: Sikur secili prej nesh të ishte një numër

(Botuar me 29 Mars 1998 në KOHA JONE)

Nga Arian Çani

TIRANË – Kur para disa vitesh në Shqipëri u ligjërua lëvizja e lirë e shtetasve edhe brenda vendit, të gjithë e duartrokitën iniciativën. Por shumë pak guxuan të parashikojnë se kjo lëvizje, nëse nuk do të respektoheshin disa kritere, mund të kthehej në një anarki e kaos të vërtetë. Dhe kështu ndodhi. Në kryeqytetin shqiptar thonë se jetojnë aktualisht mbi 650 mijë njerëz, por askush nuk mund të thotë me saktësi se cili është numri i saktë i tyre. Specialistët e statistikave konfirmojë se me mijëra janë ata që kanë lënë qytetet e fshatrat e tyre, janë instaluar në kryeqytet, porse nuk figurojnë në asnjë regjistër apo kompjuter zyrtar.

Shteti dhe njerëzit që duhet të ruajnë rendin, gjenden kështu përballë disa mijëra të tjerëve, të cilët realisht janë pa leje banimi, me fjalë të tjera, ilegalë. Pjesa tjetër, ajo e ligjshme, banorë të instaluar prej vitesh në Tiranë, jeton ndërkohë nën ankthin e dëmtimit të pronës së saj. Qytetarë e tregtarë të deklaruar në zyrat e shtetit, gdhihen shpesh, me varfanjakë e kioska të paligjshme në portat e tyre. Të tjerë kanë vite që flenë, nëpër bodrumet e lokaleve, shtëpive përdhese apo vendstrehimet e vjetra të pallateve kryeqytetase. Pushtetarët, edhe ata që ishin, edhe ata që janë, thonë se shteti ka ligje dhe se ligjet duhen respektuar. Por vështirë të imagjinosh se polici shqiptar mund të të kontrollojë letërnjoftimin. Sigurisht që ky nuk është gjithnjë gabimi i policisë, përderisa në Shqipëri, ka vite që nuk prodhohen letërnjoftime. Kështu ilegalë në vendin e tyre, me mijëra njerëz që sot jetojnë në Tiranë pa leje banimi, janë mbartës të mundshëm të krimit. Të shtyrë nga varfëria, apo të thirrur me premtimin e një jete më të mirë, ata kanë zgjedhur si “fole” kryeqytetin. Askush nuk pyet për ta. Askush nuk do të dijë se si quhen, me çfarë jetojnë, ku punojnë apo ku banojnë. Emri i tyre del rastësisht në ekran, pas ndonjë identifikimi të rastësishëm të policisë. Për vjedhje, grabitje, përdhunim apo krim të rëndë ndaj tjetrit, shteti i quan ata fajtorë, ndonëse herë pas here, ata janë viktima të urisë apo barkut bosh. Sikur të kishim të gjithë nga një numër me 1, 2 apo X shifra, ndoshta gjithçka do të ishte më e lehtë për t’u provuar. Sikur secili të figuronte në një skedë të thjeshtë, pa qenë nevoja që kjo të ngatërrohej me dosjet famëkeqe, shteti do të kishte më shumë mundësi të parandalonte krimin. Jo më kot të burgosurit kanë shifra në kurrizin e tyre. Ndryshe si do t’i njihnim me këmishat njëlloj?

 

SHKARKO APP