Armand Shkullaku: Marrëveshja e Riçard Hollbruk, kush fitoi?
(Botuar me 14 tetor 1998 në KOHA JONE)
Nga Armand Shkullaku-
Ndërsa Sllobodan Millosheviçi iu drejtua kombit me një fjalim ku shpalli se u “mënjanua rreziku i një ndërhyrje ushtarake”, marrëveshja e arritur dje nga i dërguari i SHBA, Riçard Hollbruk, i ka lënë përsëri shqiptarët të hutuar dhe të përçarë. Marrëveshja e Millosheviçit me Perëndimin, në thelb garanton një lloj autonomie të Kosovës, gjithnjë brenda Serbisë, parashikon tërheqjen e forcave serbe nga Kosova, vendosjen e 2 000 vëzhguesve ndërkombëtarë, rikonjicionin ajror me avionë të NATO-s dhe një datë për diskutimet mbi autonominë. Por të 2 000 anëtarët e misionit vëzhgues nuk do të lejohen të mbështeten nga forca të armatosura të NATO-s.
Nga kjo marrëveshje, serbët duket se kanë mbetur të kënaqur. Sipas tyre ajo dëshmoi vendosmërinë e Serbisë për mbrojtjen e integritetit e sovranitetit të saj territorial. Mbi të gjitha, mbi kokat e serbëve u mënjanua zhurma e frikshme e avionëve të NATO-s si dhe u përforcua bindja se Perëndimi ka vetëm llafe. Gjithashtu lideri serb, i cilësuar në Perëndim si “kasapi i Ballkanit”, edhe një herë tjetër u shfaq si një partner i domosdoshëm në çdo marrëveshje.
Për shqiptarët, të cilët të strehuar maleve e pyjeve për një çast harruan dhimbjet, të entuziazmuar nga lajmet që vinin nga Brukseli, marrëveshja e djeshme ishte si një dimër i acartë i ardhur para kohe. Perspektiva e qëndrimit nën zgjedhën e Beogradit (autonomi brenda Serbisë), ashtu sikurse parashikohej, marrëveshja e arritur mes Millosheviçit dhe Hollbrukut, ka shkaktuar reagime të ashpra. UÇK e hodhi poshtë marrëveshjen dhe kërkoi ndërhyrjen e menjëhershme të NATO-s. Zëdhënësi i saj tha dje se UÇK ngul këmbë për pavarësi të plotë dhe se shqiptarët nuk mund të jetojmë me Serbinë. Por edhe këtë herë qëndrimi shqiptar nuk ka qenë i unifikuar.
Fehmi Agani e ka mirëpritur marrëveshjen duke deklaruar se “ky është një hap në drejtimin e duhur”. Gjithashtu ministria e Jashtme shqiptare ka përshëndetur angazhimin e Perëndimit “për krijimin e premisave drejt një zgjidhje politike të krizës atje”.
Por pavarësisht nga entuziazmi serb dhe pakënaqësia shqiptare, a do të mundet vallë një marrëveshje e tillë të sigurojë zbatimin e rezolutës së OKB dhe të hapë rrugë për një zgjidhje të krizës në Kosovë? Sipas mjaft analistëve perëndimorë, marrëveshja për parandalimin e sulmeve ajrore të NATO-s në Jugosllavi vetëm sa e shtyn problemin e Kosovës dhe duket se nuk ka gjasa ta zgjidhë atë. Askush nuk mund të jetë i sigurt se Millosheviçi do t’i tërheqë trupat nga Kosova dhe pa një forcë të armatosur mbështetëse të NATO-s, misioni vëzhgues mund të dështojë.
Për të mos lejuar dështimin, masa e vetme mbetet kërcënimi për përdorimin e sulmeve ajrore. Por me kërcënime serbët u mësuan, ndërsa shqiptarët nuk mund të besojnë më. Një student shqiptar, 23-vjeçar tha dje pas nënshkrimit të marrëveshjes: “Kosova duhet të jetë e pavarur. Ndoshta, kjo do të kërkojë një kohë të gjatë dhe neve do të na duhet të pësojmë shumë humbje të tjera. Por, unë jam i sigurt se fëmijët e mi nuk do të vdesin duke jetuar nën Serbinë, edhe pse NATO-ja nuk është aq e fortë sa të na bindë”./Armand Shkullaku/