Arta Marku: Busti i De Radës zëvendësohet me një banesë 8-katëshe
(Botuar me 10 Shkurt 1998 në KOHA JONE)
Nga Arta Marku-
Monumenteve të kulturës u hiqet e drejta për të ekzistuar. Tashmë, atyre pak busteve që u kanë rezistuar kohës, po u “pritet” koka. Tendenca e zëvendësimit të tyre me ndërtime çfarëdo, ndërsa është bërë rrugë, po i nxjerr jashtë funksionimit, veprat e artit. Figura të kulturës shqiptare që “mbretëronin” buzë rrugëve, në sheshe apo vende të tjera, prej kohësh ishin lënë në harresë. Në mëshirë të fatit, kushdo kishte të drejtën t’i diskriminonte. Tabela qitjeje të njerëzve që ushtroheshin të qëllonin në shenjë, pika furnizimi me materiale për ndërtuesit privatë, shumë buste apo monumente janë rrënuar. E ndërsa disa prej tyre ende qëndrojnë në këmbë, megjithëse falë rastësisë, shihet se po konsiderohen të panevojshëm. Një kryeqytet i çuditshëm, Tirana nuk po e pranon praninë e veprave të artit në rrugët e saj. Indiferentë jo vetëm kalimtarët, por edhe ata që duhet të merren drejtpërsëdrejti me këtë fenomen, e shohin të panevojshme qenien e busteve apo statujave në vendet publike. Nuk është fjala për të ndërmarrë aksione që do ti shtonin Tiranës vepra të reja arti, apo përkujtimore të figurave që shkruan historinë e kulturës (qoftë edhe histori të tjera). Por, veprat ekzistuese po “shkulen” nga territoret që kanë qenë të tyret.
De Rada është më i fundit personalitet i kulturës shqiptare i “rrethuar”. Brenda një gardhi të lartë dhe të padepërtueshëm, autori i “Kënga e sprasme e Balës”, “jeton” ditët e fundit mbi piedestalin e tij. Në të shkuarën, brenda një lulishteje të vogël, busti prej bronzi, ka kohë që e ka humbur atmosferën rreth tij. Pa gjelbërimin e dikurshëm dhe i rrethuar nga pellgje të pakapërcyeshme baltërash, përkujtimorja e De Radës është e destinuar të mos ekzistojë më. Një godinë e lartë ka marrë lejen nga Këshilli i Rregullimit të Territorit paranë Bashkisë së Tiranës, të hedhë themelet pikërisht mbi truallin e poetit arbëresh. Në vend të De Radës do të kenë së shpejti apartamentet e tyre bashkëkohore qindra banorë të rinj. Duket se një zonë e preferueshme për ndërtime, Tirana e Re ka favorizuar ndërtuesit e pallateve duke injoruar figurat historike të Shqipërisë.
Krejt rastësisht, De Rada ka qenë një nga të paktët emra me fat, që ka pasur një bust për një kohë kaq të gjatë. Shumë të tjerë prej kohësh, janë harruar. Privatisht, apo në rrugë të rregullt, tashmë veprat e artit janë zëvendësuar… Me kioska, ndonjëherë edhe me ndërtime më të fisme, truallet e ish-monumenteve kanë “preferuar” themele më solide se piedestalet.
Shqipëria nuk paska nevojë për të nderuar figurat e ndritura të saj. Ndërsa ndihet mirë kur ato nuk neglizhon t’i nderojë bota, harron se ato figura i takojnë mbi të gjitha asaj dhe ajo së pari ka detyrimin t’i ngrejë mbi piedestale. Në kohën kur Naim Frashëri gjen vend edhe në seritë filatelike të Iranit, tre vëllezërit me këtë emër qëndrojnë të fshehur mes kioskave, përballë shpërfilljes së kalimtarëve. “Së paku ekzistojë”. Padyshim mund të kishin edhe një fat më të keq… Për Nolin më shumë kujdesen shqiptarët e Amerikës.
Tirana me shumë probleme arriti të sigurojë terren për të vendosur monumentin e tij. Por gjithsesi, mbetet të shikohet ana pozitive e këtij fakti: Shumë shpejt busti i Nolit do të përurohet. Mbeten te pllakat përkujtimore, mundësitë financiare që Ministria e Kulturës ka, në favor të figurave të artit. Por, e pafuqishme kjo ministri nuk i mbron dot ata për të cilët duhet të kujdeset. I kanë mbetur pak monumente apo buste, vendeve publike, jo vetëm të Tiranës por të gjithë Shqipërisë. Shumë prej tyre (idhujt fallco) i lanë piedestalet bosh menjëherë pas fillimit të këtij dhjetëvjeçari. Ndërsa mund të zëvendësoheshin me idhujt e vërtetë, ato piedestale u bënë pre e tregtarëve të shkathët që ngritën dyqanet e tyre. Tani, është tepër e vështirë të zëvendësosh një kioskë ku bixhosxhinjtë provojnë “fatin” e tyre me një statujë. Por, po kaq e vështirë duket edhe të “lihet rehat” një vepër arti që ende qëndron në këmbë.
Të shpërfillura figurat shqiptare, të shpërfillur, artistët që i përjetësuan ata në bronz, mbeten të shpresojnë së paku në talentin e arkitektëve. Ndoshta apartamentet e banimit e meritojnë të ngrihen mbi piedestale statujash. Veç faktit që do të zgjidhin një pjesë të problemit të strehimit, ekziston mundësia të kenë edhe fasada të bukura. Dhe për këto dy arsye edhe De Rada mund të vetësakrifikohet, së paku për hir të njërit nga problemet më të mprehta, kryesisht të kryeqytetit shqiptar.
Arta Marku