Arta Marku: Rrënimi i Butrintit, Shqipëria humb kujtesën

(Botuar me 4 Qershor 1997 në KOHA JONE)

Nga Arta Marku-

Një komb që nuk di të mbrojë kulturën e vet. Është përsëri Shqipëria më shumë se kurdo në këtë situatë, që po humb kujtesën e saj. Butrinti është vetëm një prej pasurive kulturore që rrezikon ekzistencën e vet. Një pasuri e tërë shtetërore është bërë objekt sulmesh të grabitësve. Objekte me vlera po vidhen e dëmtohen, ndërsa godina e muzeut vë në pikëpyetje vetëkzistencën. E ndërkohë duket se këto ngacmojnë vetëm vëmendjen e të huajve. Janë përsëri këta të fundit, që pasi kanë vlerësuar jo pak nga monumentet e kulturës në Shqipëri, kujdesen që ato mos t’u humbasin viteve të ardhshme.

Pas diskutimit në Romë, në mbledhjen e Këshillit Europian për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore, eurodeputeti grek Salavanos që kërkoi ndërhyrjen energjike për ndalimin e grabitjeve dhe shkatërrimeve në Butrint. Konferenca e Shtypit, me tendencë zgjidhjen e këtij problemi, duket se mund të bëhen në Athinë apo kudo tjetër, vetëm jo në Shqipëri. Një apel, Salavanos ia bën Ministrisë së Kulturës Greke për të ndihmuar që gërmimet e mëtejshme t’i kryejë Greqia, ndërkohë që për Ministrinë e Kulturës në Tiranë kërkohet vetëm vlerësimi i dëmeve… I marrë nën mbrojtje nga UNESCO, rreth një vit më parë, Butrinti u duk se do t’i shpëtonte shkatërrimit. U bë e dukshme, kështu, përmbushja e një detyrimi lidhur më respektimin e standardeve ndërkombëtare për ruajtjen, restaurimin dhe rikthimin e turistëve në këtë pikë të rëndësishme të kujtesës shqiptare. Rreth 50 mijë dollarë (në fakt një vlerë jo shumë për t’u marrë në konsideratë) të investuara në Butrint, do të shërbenin kryesisht për instalimet elektrike. E ndërsa nuk dihet nëse qyteti i lashtë është i elektrifikuar, ai ka filluar të rrëshqas drejt rrënimit, pas ngjarjeve të fillimit të vitit, |pasojat e të cilave ende nuk kanë marrë fund. E zbuluar deri tani vetëm një pjesë e vogël e Butrintit, rreth 5% e tij (në fakt pjesa më e rëndësishme), nuk duket të jetë pretendim kryesor vazhdimi i punimeve të mëtejshme, më tepër sesa ruajtja e pasurisë ekzistuese. Në një kohë që thuhet se arkeologjia nuk kërkon shumë para, neglizhenca e shtetit shqiptar ka bërë të shpërfillen edhe investimet e deritanishme. Si duket, të pashmangshme vjedhjet dhe grabitjet do të zhdukin gjurmët e punës që është bërë në të shkuarën. Nuk mund të shihet ndryshe në këtë mënyrë, misioni i qeverive që po zëvendësojnë njëra-tjetrën, veçse ai i eliminimit të një kombi nëpërmjet rrënimit të kulturës së tij. Gjithsesi Butrinti është vetëm një fragment. Durrësi, Apollonia, Kruja etj. janë gjithashtu në pozitat e qytetit të lashtë jugor. Kriteret shpirtërore janë lënë prej kohësh në harresë. Ajo që duhet bërë është të përfitohet nga fakti që Europa nuk neglizhon të mbrojë monumentet historiko-kulturore shqiptare, për sa kohë ato nuk janë zhdukur nga faqja e dheut prej vetë shqiptarëve. ARTA MARKU

SHKARKO APP