Artan Fuga: Përse shoqëria jonë “prodhon” kaq shumë emigrantë?
(Botuar me 16 janar 2004)
Nga Artan Fuga
Tre sekondat e fundit
Pas ngjarjes tragjike të 9 janarit 2004 kur gjetën vdekjen një numër jo i vogël, ende i papërcaktuar përfundimisht, burrash e grash që kërkonin të emigronin duke kapërcyer detin me gomonet e trafikantëve dhe ku shumë të tjerë panë tmerrin me sy duke u përballur nga çasti në çast për rreth 20 orë rresht me vdekjen brenda një mjeti lundrues të mbushur me ujë, me benzol dhe me trupa njerëzish pa jetë, dhimbja dhe zija kolektive janë të natyrshme. Mendja nuk shkulet nga fati tragjik i të humburve dhe nga kobi që përjetojnë familjet e viktimave me gjithë thirrjet që na bëhen për të harruar shpejt. Askush nuk e meriton këtë fat. Pas goditjes së parë psikologjike dhe lemerisë së përjetuar duke ndjekur skenat e mbledhjes së trupave pa jetë, të transmetuara nga të gjitha stacionet televizive kryesore evropiane, vjen koha e analizave të mbështetura në arsyetime dhe të dhëna të pamohueshme, të cilat as nuk mund të fshihen dhe as nuk mund të nxihen, sepse janë të pranuara prej të gjithëve, ditën për diell.
Për rreth 14 vjet me radhë, shoqëria shqiptare « prodhon » emigrantë që duke mos pasur tjetër urë kalimi drejt vendeve që ofrojnë mundësi pune, pra edhe jete, tentojnë të kalojnë detrat që na rrethojnë, natën, në kohë të keqe, mbi dallgë disaballëshe, pikërisht në kohë rreziku për jetën, atëherë kur kalimi është praktikisht i mundur. Shpresa e tyre për një jetë më të mirë kalon kështu nëpër një rrezik të madh jete dhe disa herë është paguar me të.
Brenda harkut kohor që përfshin vitet ’90 dhe fillimin e viteve 2000 nga vendi janë larguar me dhjetëra e qindra mijë të rinj e të reja, burra e gra, persona individualë dhe familje. Dikush flet për mbi pesëqind mijë shqiptarë të ikur në mërgim, dikush edhe për më shumë, por pak a shumë shifrat rrahin në kuotat e përafërta që u përmendën. Bëhet kështu fjalë për një eksod, një fluks demografik të tërë që tenton t’i largohet në radhë të parë zonave rurale të vendit, veçanërisht atyre të Shqipërisë së Veriut dhe të krahinave malore e kodrinore, drejt pjesëve të tjera të territorit të vendit dhe pastaj të niset nga të gjitha krahinat, fshatrat e qytetet e vendit për të emigruar jashtë. Është pikërisht brenda realizim it të këtij fluksi të madh demografik , i cili duke mos mundur të kalojë dot në rrugë legale drejt destinacionit të kërkuar, tenton kalimin klandestin, në kushte të vështira dhe shumë të rrezikshme transporti dhe udhëtimi që ndodhin edhe dramat si kjo e fundit. Ngjarjet e rënda dhe aksidentet tragjike mund të ndodhin rastësisht sot ose nesër, natën ose ditën, mund të bien në supet e këtij apo të atij personi ose familjeje.
Por, kjo rastësi është e “shkruar” megjithatë mbi një tendencë shoqërore që i prodhon këto drama pafundësisht. Përpara disa vitesh, përgjatë një anketimi që realizonim me disa kolegë sociologë, biseduam gjerësisht dhe me shumë kandidatët për të kaluar në emigracion, tamam disa orë para nisjes së tyre, pikërisht në rrugët e një qyteti bregdetar të Jugut. Nga shumë opinione që mblodhëm atëherë, për një studim të titulluar “Tre sekondat e fundit para nisjes” (që hetonte dilemat dhe motivet e çastit para nisjes së klandestinëve) më ka mbetur në mend fjalia që nxori nga goja dikush prej tyre, një djalë nga Veriu, i cili na pohoi jo pa ironi dhe sarkazëm të dhimbshme: “Sonte natën në çdo rast unë ndërroj botë, ose kaloj në bregun tjetër, ose mbetem në fund të detit.”
Proceset shoqërore nuk mund të “mbyllen” me urdhër si një kioskë pa leje
Kur përpara disa kohësh u tha se trafiqet nga deti u mbyllën dhe se gomonet dhe skafet u bllokuan përfundimisht, e gjitha na u duk si një ëndërr. Por, duke përmbajtur nota optimiste si deklaratë zyrtare, do të ishte cinike të kundërshtohej pa provuar të kundërtën. Në fakt jeta është kokëfortë. Ajo nuk pranon që proceset që kanë rrënjë të thella shoqërore të ndërpriten vetëm me anë të një veprimi administrativ të thjeshtë, vetëm me anën e operacioneve të pjesshme policore, qoftë edhe të suksesshme, vetëm me një të rënë të lapsit kur i thonë, në mënyrë administrative, siç mund të prishen kioskat e rrugës.
Përfundimi se trafiqet bregdetare të emigrimit klandestin u mbyllën, në fakt, nga pikëpamja e arsyetimit sociologjik dhe ekonomik hapte të paktën dy probleme të mëdha krejt të pazgjidhura: Problemi i parë që ndoshta duket cinike për ta ngritur por, që megjithatë trajtohet si i tillë gjerësisht në literaturën e sotme sociologjike, ka të bëjë me aspektin financiar. Dihet se trafiku klandestin i qenieve të gjalla është i dënueshëm jo vetëm ligjërisht, por edhe moralisht. Por, kjo nuk na pengon të themi se prej tij duket se vijnë të ardhura kolosale, pra rrjedhin flukse të mëdhenj financiarë në formën e një paraje të lehtë, të papastër që veç lidhjeve me botën e trafiqeve, shkakton edhe shumë pasoja të tjera të rënda në planin ekonomik dhe financiar, të cilat bien tërësisht mbi shtresat e gjera të popullsisë. Por, nga ana tjetër, në mënyrë paradoksale, e gjithë kjo para që hyn nëpërmjet trafiqeve, në formën e thërrmijave, shpërndahet në një terren shoqëror relativisht të gjerë, në një numër të madh njerëzish, të cilët ndofta nuk e dine fare dhe as nuk ka ç’ju duhet se cili është burimi fillestar i parave me të cilat janë paguar për të bërë një punë a për të ushtruar një profesion fare të ndershëm, si për shembull, kamerier në një restorant luksoz, bojaxhi që lyen apartamente të kushtueshëm, lavazhist që pastron baltën nga makina super të kushtueshme, etj.
Është e kotë madje e dëmshme që të shtrihet përgjegjësia morale deri në këta njerëz sepse në këtë mënyrë zhduket dallimi midis shoqërisë dhe individëve të inkriminuar. Duke inkriminuar të gjithë shoqërinë rrezikojmë të fusim edhe “gjykatësin” në një “thes” me viktimën. Mbyllja e trafiqeve do të thotë ndërprerje e këtij fluksi financiar që në fakt pjesërisht hyn edhe brenda sferave të ekonomisë normale dhe e ushqen atë. Prandaj, kur vendoset për një politikë më të ashpër ndaluese ndaj trafiqeve, duhen mbajtur doemos parasysh edhe rrethanat për të cilën folëm, për rrjedhojë, duhet menduar se çfarë masash ekonomike, shoqërore, financiare lipset të ndërmerren për të bërë që ndalimi dhe zvogëlimi i fluksit financiar të ardhur nga burime të paligjshme dhe moralisht të dënueshme, të mos penalizojnë, paradoksalisht, njerëzit e thjeshtë, ekonominë e rregullt në tërësi dhe të mos e rendojnë edhe më shumë barrën ekonomike të popullsisë. Duke mos u ndërmarrë asnjë nga këto masa, optimizmi zyrtar për mbylljen përfundimtare të trafiqeve nga deti dukej i pabazuar dhe ashtu rezultoi në të vërtetë.
Problemi i dytë, lidhet, paradoksalisht, jo vetëm me dëshirën e trafikantëve për të fituar para të lehtë nëpërmjet një veprimtarie të paligjshme, por ka të bëjë po aq edhe me dëshirën për emigrim të mijëra e dhjetëra mijërave të rinjve e të rejave, të cilët duke qenë të papë unë, duke qenë të pakënaqur nga kushtet e jetesës në vend, duke mos përballuar si duhet jetën e tyre dhe të familjeve të tyre, kërkojnë të largohen për të punuar dhe jetuar në kushte që ata i gjykojnë më të përshtatshme.
Ka një sërë mekanizmash që e mbajnë njeriun të lidhur në vendin e tij. Këto mekanizma ekonomikë, shoqërorë, financiarë, pronësorë na mungojnë sot rëndshëm. Nuk kemi për qëllim t’i analizojmë këta mekanizma në shkrimin e sotëm sepse kjo është një çështje tjetër serioze që duhet trajtuar veçmas. Puna është se ekziston një nevojë sociale dhe kolektive për emigrim, për një qind arsye të ndryshme, çka bën që kjo nevojë të mbajë gjallë shtratin e trafikut, i cili mund të meket për periudha të caktuara, por kurrë nuk do të shteret deri atëherë sa individi masiv të konsiderojë se më mire se kudo jeta bëhet në vendin e tij.
Si për ironi të rastit, operacioni i bllokimit të disa mjeteve lundruese kohë më pare u quajt bukur “Puna”, por, në fakt, “puna” ishte se duheshin gjetur vende të vërtetë pune me qëllim që masat e njerëzve sidomos në zonat e thella të vendit të mos shihnin nga bregu për të kërkuar të ardhmen e tyre në vende të tjerë.
Parashikimi i proceseve shoqërore dhe drejtimi me “sy” i anijes së administratës
Nga pikëpamja sociologjike ka qenë e qartë se fluksi migrator nuk kishte reshtur as nga burimet e ushqimit të tij as edhe nga sasia e prurjeve të kandidatëve për emigrim klandestin. Por si çdo proces tjetër shoqëror, fluksi migrator ka edhe ai uljet dhe ngritjet e veta, ka pra periodicitetin e vet që përcaktohet nga rrethana dhe faktorë të ndryshëm.
Bashkë me kolegë të tjerë sociologë, kemi vërejtur në terren se kërkesa për emigrim bëhet më e shprehur aty nga mosha tetëmbëdhjetë – njëzet vjeç dhe është më e pazhvilluar në grupmoshat pararendëse. Kjo nënkupton se pas çdo vale të fortë emigrimi duhet pritur një periudhë dy-trevjeçare që presioni nga të rinjtë që arrijnë në moshë madhore të marrë formë të plotë. Nëse projekti emigrues nuk realizohet, atëherë tensioni social rritet pa ndërprerje.
Problemi shoqëror nis të shfaqet në forma të tjera zëvendësuese. Vihet re një rritje e agresivitetit verbal në familje dhe jashtë saj, ka një rritje të kriminalitetit të përmasave të konsiderueshme apo në format e tija latente, si edhe ka një përhapje të pesimizmit kolektiv në radhët e të rinjve, të cilët nuk gjejnë dot rrugët e tyre të jetës brenda vendit. Studimet kanë treguar se kandidatët për emigrim janë thuajse krejt të painteresuar për jeton politike të vendit çka na tregon se ka një korrelacion shumë të forte midis shkallés së lartë të abstenimit politik në radhët e të rinjve dhe tendencës së tyre për të emigruar.
Në dokumente të botuara, rezultat i kërkimeve shkencore në grup, (siç është edhe libri Ndërmjet fshatit dhe qytetërimit global ku këtij problemi i është kushtuar kapitulli i titulluar Ikje) kemi pasur rastin të konstatojmë nëpërmjet anketimesh të gjera, të bëra sidomos në zonat rurale të vendit, se një ndër tre të rinj është normalisht i prirë psikologjikisht të emigrojë jashtë shtetit, ndërsa tek djemtë kjo shifër është akoma edhe më e lartë duke arritur në raportin një me tre. Po kështu, në një studim mbi reformën dhe gjendjen politike dhe shoqërore në zonën rurale të Shqipërisë së tranzicionit, më ka rezultuar se struktura e pronësisë dhe e prodhimit atje përbën shtratin e përgjithshëm makroekonomik të fenomenit të emigrimit masiv dhe virulent të të rinjve.
Aq e fortë u paraqit kjo lidhje sa që nuk mund të mos ia kushtoja tërë librin e botuar mbi këtë çështje në vitin 2000, në Francë, atyre burrave, grave dhe fëmijëve që shkuan në fund të detit përgjatë përpjekjeve mbinjerëzore për të kaluar në bregun tjetër, duke shkruar se: “Mizorisht përpara tyre deti nuk u hap sikurse bëri mrekullisht përpara profetit Moisi.”Në mënyrë të natyrshme lind pyetja se përse strukturat e ministrisë së punës ende nuk kanë botuar një studim të plotë, të botuar publikisht, të hapur ndaj lexuesit të gjerë dhe qytetarëve lidhur me problemet e punësimit brenda dhe jashtë vendit të shqiptarëve, ndërkohë as mund të pritet që strukturat e kësaj ministrie të kenë bërë studime të thelluara e të botuara lidhur me gjendjen e tregut të punës përreth vendit tonë dhe mbi mundësitë e krahut tone të punës për t’u integruar harmonikisht atje. Nuk mund të vazhdohet të drejtohet me “sy” anija e administratës duke i lënë proceset shoqërore të shpërthejnë në mënyrë spontane. Prej disa vitesh themi se sistemi i kërkimit shkencor publik, pra Akademia e Shkencave, është pa një krah. Atij i mungojnë institutet e sociologjisë, të shkencave të komunikimit dhe informimit, të ekonomisë, etj., të cilët do ta ndihmonin shtetin për të përpunuar strategjitë dhe prognozat e zhvillimi të shoqërisë. Por, megjithatë, nuk kemi asnjë reagim prej strukturave drejtuese të këtij sistemi, sikur shoqëria të mos ishte objekt i shkencës shqiptare.
Edhe librat dhe studimet që kërkuesit shqiptarë kryejnë dhe botojnë pothuajse me mjetet e tyre financiare shkojnë tek lexuesi i gjerë, por nga ana tjetër ndeshen trishtueshëm me “veshin e shurdhër” të përgjegjësve të administratës që merret me punën dhe mbrojtjen sociale, të cilët ndërrohen rregullisht një herë në disa muaj.
Model i vjetruar i“shtetit social” që shpërndan thërrmija
Është e qartë se një shoqëri e mbështetur tek ekonomia e tregut krijon pabarazi në të ardhurat dhe në kushtet e jetesës së individëve dhe të grupeve shoqërore. Në këto rrethana, ndihma sociale e shtetit, e drejtuar te familjet, shtresat dhe individët me gjendje ekonomike tejet të dobët, të margjinalizuar, madje të varfër, përbën një domosdoshmëri. E gjithë kjo politikë mbështetjeje sociale i jep shtetit përmasën e “shtetit social”. Pa dyshim, që mund të na ofrohen statistika për të treguar se buxheti i shtetit ka vënë kaq apo aq mjete financiare për të zbatuar politikën e tij të mbrojtjes sociale.
Nuk është synimi ynë këtu për t’i shqyrtuar apo për t’i kundërshtuar këto të dhëna. Hëpërhë le t’i marrim statistikat si të mirëqena. Puna është se këto masa janë krejt të pamjaftueshme për të bërë një politikë sociale dinjitoze. Në çdo rast, kur shkërmoqen për të shkuar tek individi, mjetet financiare të vëna në dispozicion të mbrojtjes sociale bëhen vetëm disa thërrmija, të cilat nuk e lejojnë njeriun në zgrip të varfërisë të integrohet në shoqëri.
Një politikë ekonomike që nuk ikurajon zgjerimin e tregut të punës, pra punësimin, që nuk shpërndan tituj pronësie në shkallë të gjerë për ta lidhur qytetarin e thjeshtë me pronën, që nuk nxit prodhimin vendas, duke e lënë në radhë të parë bujkun në gjendjen e një ekonomie autarqike, që nuk inkurajon të rinjtë drejt zanateve praktike, punës dhe integrimit profesional, etj, dhe pastaj, për të përballuar trishtueshëm këto mungesa, shpërndan mjete financiare buxhetore të thërrmuara me qëllim që ta zbusë sadopak varfërinë e krijuar, e gjitha kjo, më vjen keq ta pohoj kështu drejtpërdrejt, është një politikë mbrojtjeje sociale e lënë pas nga koha dhe aspak efikase.
Duhen mbështetur në radhë të parë shanset e barabarta për pronë dhe sipërmarrje private, në inpute, në mënyrë që të marrë kuptim edhe ndihma sociale jashtë procesit të prodhimit, në rishpërndarje, pra në outpute. Përndryshe, ndihma sociale kthehet në lëmoshë bamirësie. Kjo lloj “formule” nga njëra anë krijon pasuri kolosale për një grusht njerëzish, nga ana tjetër shpërndan disa thërrmija për shtresat e gjera të atyre që gjenden në mjerim ekonomik, ndihma cilat ndonëse mund të zënë ndonjë “brimë” të buxhetit familjar të nevojtarëve, por kurrsesi nuk lejojnë që këta të bëjnë një jetë normale.
Nga ana tjetër, individi duket sikur merr lëmoshë nga shteti duke u vënë pa dashjen e tij në një gjendje të detyruar parazitizmi. Nuk ka punë! Në shkëmbim të pranimit të këtij fakti duhen pranuar disa dhjetëra mijëra lekë që mezi dalin për të blerë një sasi të vogël mallra bazë për jetesën. Individi i vënë përpara kësaj politike të një “shteti social” të vjetruar rrezikon të kthehet në një qytetar pasiv, të humbasë lidhjet me shoqërinë, të bëhet pre e kriminalitetit, të humbasë nuhatjen dhe aftësitë për të punuar, të mos ketë më asnjë formim profesional, të rrëzohet në krahët e apatisë dhe të pesimizmit duke shuar dalëngadalë të gjitha shpresat e riintegrimit në shoqëri, çka përbën edhe qëllimin thelbësor të ndihmës sociale. Në të gjithë këtë situatë të pashpresë, mbetet ende një shpresë e luhatur midis iluzionit dhe guximit të skajshëm, e fundmja fare: ik me ç’të mundesh! Le të shohim konkretisht. Me rastin e projektit të rritjes së çmimit të energjisë elektrike, në të përditshmen e gazetës së partisë në pushtet, duke justifikuar hapin e marrë, u dha edhe një shifër që është interesante nga përmasat dhe domethënia e saj. U tha, pra, se vërtet çmimet e energjisë po rriteshin, porse ishin marrë masa që 192 mijë familje, pra rreth 800 mijë individë (që janë quajtur “frymë”), do të përfitonin kompensim nga shteti për të përballuar rritjen e re të çmimeve (!).
Me siguri, ata që e kanë botuar këtë shifër nuk e kanë parë si duhet domethënien e saj. 800 mijë “frymë” që duhet të mbajnë frymën gjallë me ndihma janë pak a shumë një treta e popullsisë së vendit. Kjo do të thotë se një masë kaq e madhe njerëzish ka nevojë sot për mbrojtje sociale. Ajo është vënë në një situatë të tillë ekonomike dhe shoqërore, në të cilën duhet të marrë patjetër ndihmë sociale për të mbijetuar. Rezultati është serioz. Nga njëra anë shoqëria prodhon dhe qarkullon të mira materiale dhe shërbime, siç është rasti edhe i energjisë elektrike, dhe nga ana tjetër, popullsia gjithnjë e më shumë nuk është në gjendje të ketë mjete financiare për t’i blerë ato. Ky është paradoksi i sotëm. Këtë e vërteton fakti se administrata është e detyruar të pranojë se një ndër tre shqiptarë ka nevojë të “ndihmohet për të përballuar rritjen e çmimeve. Por sikur të ishte vetëm kaq, përsëri s’do të ishte aq keq me gjithë natyrën krejt paradoksale të situatës. Ndërkaq, problemi vazhdon edhe më tej. Kuptohet se ngritja e çmimit të energjisë nuk varet vetëm nga vullneti i administratorëve tanë. Kudo në vendet e Lindjes, në kushtet e reformave ekonomike, rritja e çmimit të energjisë ka qenë një nga kushtet e integrimit global të këtyre ekonomive në ekonominë europiane.
Në mos sot, nesër një dukuri e tillë do të ndodhë. Puna, pra, nuk është tek rritja e çmimit të energjisë elektrike në vetvete. Puna është tek fakti se kjo masë ekonomike, në mos sot nesër e paevitueshme, e gjen qytetarin shqiptar masivisht të varfër dhe e varfëron edhe më tej. Jo aq shumë për shkak se duhet të paguajë një faturë elektriku më të kripur. Kjo është ana e dukshme e problemit. Por, kryesisht, sepse rritja e çmimit të energjisë elektrike bëhet në kushtet kur reformat e tjera ekonomike kanë një evoluim tepër të ngadaltë. Sigurisht që një familje mund të paguante një çmim më të lartë të energjisë elektrike nëse ta zëmë një anëtar i saj do të punësohej rishtazi në një nga degët e ekonomisë si pasojë e prosperitetit të disa nga degët e ekonomisë kombëtare. Mirë po kjo nuk ndodh dhe nuk ka gjasa të ndodhë. Pra, problemi nuk qëndron tek rritja e çmimit të energjisë elektrike, por tek dinamikat e vakëta të ecurisë së ekonomisë në tërësi. Pyetja që bëhet është më shumë se sa ajo që lidhet me gjendjen e “xhepit” të konsumatorit pas rritjes së çmimeve.
Pyetja në fakt është: Në kushtet tona, kjo rritje çmimesh a e ndihmon ecurinë e ekonomisë sonë kombëtare? Vështirë se kësaj pyetje mund t’i përgjigjesh pozitivisht me gjithë dëshirën e mirë për të qenë optimist. Rritja e çmimit të energjisë elektrike, sado e pashmangshme që mund të paraqitet, do të ketë një faturë” të caktuar. Ajo do të rrisë në mënyrë të pashmangshme çmimet e pothuajse të të gjithë strukturës së mallrave të konsumit, ajo do ta bëjë edhe më të shtrenjtë hapjen e një vendi pune, pra do të shtojë papunësinë dhe do të ndikojë në uljen edhe më të mëtejshme të përçueshmërisë të mallrave shqiptarë në tregun ndërkombëtar. E njëjta gjë ndodh edhe me vlerën e lekut, për të cilën thuhet shpesh në formën e afirmimit të një arritjeje, se leku u rrit aq e kaq në raport me dollarin dhe se inflacioni është mbajtur e kontrolluar. E gjitha kjo na thuhet pikërisht në kohën kur dihet se rritja e vlerës së monedhave lokale në krahasim me dollarin, e zvogëlon fuqinë konkurruese të mallrave të çdo vendi në tregun botëror dhe ka për tendencë ta zvogëlojë edhe më tej peshën specifike të eksporteve në krahasim me importet. Disbalancimi i vlerës së eksporteve dhe importeve në favor të të dytave është shumë i ndjeshëm për vende me treg të vogël të brendshëm si për shembull Shqipëria dhe më pak problematik me vende me treg relativisht të gjerë si për shembull Rusia, India, Kina etj.
I gjithë ky kontekst ekonomik, nga pikëpamja e burimeve njerëzore mund të përkthehet edhe më thjesht: Jemi në një situatë ku situata ekonomike aktuale, ashtu siç është formuluar aktualisht, pavarësisht nga treguesit sasiorë të saj, ka bllokuar punën, prodhon papunësi gjithnjë e më të madhe, ka nxjerr në “breg” fuqinë e punës. A duhet të habitemi pastaj sepse këta njerëz që nuk ju propozohet asgjë të dalin në bregun e vërtetë të detit për të kërkuar “mjetin” më të parë për në bregun tjetër? Sigurisht që jo.