Artan Hoxha: Humnera financiare
(Botuar me 12 Tetor 1997 në KOHA JONE)
Artan Hoxha: Humnera financiare
Emërimi i Qeverisë në korrik të këtij viti, së bashku me shpresën për rivendosjen e autoritetit të shtetit, bëri që Leku të rivlerësohej me rreth 30 lekë përkundrejt dollarit amerikan duke dhënë sinjalin e parë pozitiv për ekonominë e rrënuar shqiptare. Kriza që përfshiu vendin, më shumë se shkatërrimet dhe djegiet, goditjen me të fortë ua dha financave shqiptare. Tronditja e besimit në monedhën kombëtare dhe në institucionet financiare u pasqyrua në zhvlerësimin e shpejtë të lekut dhe rënien e nivelit të depozitave dhe llogarive rrjedhëse. Paraja rrezikonte të braktiste bankat dhe të qarkullonte e lirë. Hiperinflacioni ishte në prag ndërkohë që shteti, në mungesë të funksionimit të organeve tatimore, financohej kryesisht nëpërmjet emetimit të bonove të thesarit.
Deficiti buxhetor, rreth 26 miliardë lekë për vitin 1996, gjatë 1997-ës filloi të rritej me ritme edhe më të larta. Sistemi financiar shqiptar ishte në prag të falimentimit. Mbas 9 muajsh nga fillimi i dukshëm i krizës, financat shqiptare i ngjajnë një humnere të frikshme. Institucionet financiare, në veçanti bankat publike, në të cilat janë kanalizuar pjesa më e madhe e vlerave monetare, kanë pësuar dëme materiale dhe mbi të gjitha rezultojnë, për këtë periudhë, me humbje të konsiderueshme financiare. Aplikimi i interesave të larta për depozitat, bëri që njerëzit të fillonin t’i drejtoheshin përsëri bankave, por kosto e këtij rikthimi ishte tejet e lartë. Për të mbuluar interesat e depozitave, aktualisht në nivelin 30-36 për qind, në mungesë të të ardhurave nga kreditë, një pjesë e mirë e të cilave rezultojnë të pakthyeshme, bankat iu drejtuan tregut primar dhe sekondar të bonove të thesarit. Në këtë mënyrë, nëpërmjet tyre, depozitat e popullatës shërbyen për financimin e shpenzimeve buxhetore. Në fund të kësaj periudhe, bankat publike rezultojnë me humbje neto të konsiderueshme.
Vetëm për njërën prej këtyre bankave, humbjet e 9-mujorit arrijnë shifrën prej afër 2 miliardë lekë, shifër kjo më e lartë se kapitali i vetë bankës ose rreth 3 për qind të totalit të aktiteveve të saj. Humbjet e akumuluara janë mbi 3 miliardë lekë. Ndërkohë që volumi i depozitave të saj është rritur rreth 40 për qind, kreditë pa shpresë arkëtimi janë rritur rreth 4 herë.
Deficiti buxhetor, me gjithë shkurtimet e bëra, është në nivelin e rreth 40 miliardë lekë dhe parashikohet deri në fund të vitit të arrijë 50 miliardë. Financimi i shpenzimeve buxhetore është mbështetur në mënyrë të konsiderueshme në emetimin e bonove të thesarit. Totali i emetuar vetëm për periudhën janar-shtator 1997 ishte 90 miliardë lekë nga 60 miliardë që ishte për vitin 1996, me një nivel interesi nga 20 për qind në fillim të vitit në rreth 38 për qind aktualisht.
Borxhi publik i brendshëm, ka arritur shifrën e 140 miliardë lekë dhe së bashku me borxhin e jashtëm, pa llogaritur ndihmat dhe kreditë e këtyre viteve, mund të krahasohet me rreth 50 për qind të GDP ose ekuivalente me totalin e depozitave në skemat piramidale. Për më tepër, për një pjesë të kredive të akorduara nga donatorët e huaj ka filluar shlyerja e detyrimeve të principalit dhe interesave, detyrime këto që do të vijnë duke u rritur në të ardhmen. Dalja nga kjo humnerë financiare është kushti i mbijetesës së sistemit ekonomik shqiptar dhe jo vetëm i tij. Ajo mund të bëhet vetëm nëse do të mundësohet bashkëveprimi i orientuar i të gjithë faktorëve ekonomikë dhe joekonomikë.
Reformat ekonomike dhe financiare afatshkurtra të Qeverisë dhe të Bankës së Shqipërisë, duke lënë mënjanë debatet dhe opsionet e ndryshme, duhen përshëndetur. Shkurtimi i shpenzimeve buxhetore dhe rritja e të ardhurave tatimore e doganore me qëllim zvogëlimin e deficitit buxhetor është elementi determinant afatshkurtër i daljes nga kriza financiare. Ai do të krijojë premisa për uljen e normës së inflacionit, frenimin e rritjes së borxhit publik, uljen e normës së interesave në tregun financiar e për rrjedhojë të stabilizimit të tregjeve e nxitjes së investimeve.
Në tërësinë e institucioneve që administrojnë financat publike organet fiskale dhe bankat publike janë njësitë mbi të cilat duhet përqendruar vëmendja kryesore. Roli dhe përgjegjësia e organeve tatimore dhe doganore është parësor. Suksesi apo dështimi i tyre do të jetë sukses apo dështim i vetë programit të qeverisë. Ristrukturimi rrënjësor dhe rritja e efiçencës së tyre bëhet i domosdoshëm dhe imediat. Ristrukturimi, filializimi i degëve dhe rritja e efiçencës menaxheriale të bankave publike, për vetë faktin që ato luajnë rolin kryesor të ndërmjetësisë financiare në tregun e kapitaleve, duhet parë me përparësi, por dhe me kujdes.
Nga një anë bankat publike nuk duhet të jenë më thesi i hapur për mbushjen e deficitit buxhetor as dhe kreditori bamirës i bizneseve të pasuksesshme apo mashtruese. Nga ana tjetër, privatizimi i nxituar i tyre nuk është çelësi i artë i zgjidhjes së problemeve. Ne të njëjtën kohë, mbështetja e iniciativave serioze private bankare, shqiptare dhe të huaja, së bashku me rritjen e cilësisë së shërbimeve bankare, duke filluar që nga shërbimi në sportele, e deri tek modernizimi i sistemit dhe instrumenteve të pagesave, do të ishin faktorë të rritjes së frekuentimit të bankave nga publiku shqiptar, i zvogëlimit të ekonomisë së kesh-it dhe rritjes së qarkullimit të parasë në kanalet e sistemit legal financiar, duke bërë më efikase politikat monetare e fiskale. Ulja e deficitit buxhetor dhe disiplina e financave publike është kushti i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm. Ai duhet të pasohet nga rinisja efektive e aktiviteteve ekonomike që krijojnë vlerë të shtuar dhe punësim.
Burimet financiare shqiptare dhe të huaja nuk kanë munguar dhe nuk do të mungojnë. Orientimi i tyre drejt zhvillimit dhe rritja e efiçencës së manaxhimit të këtyre burimeve si në nivel publik po aq dhe në nivel privat është një tjetër domosdoshmëri. Sidoqoftë, ekonomia dhe financat shqiptare nuk ringjallen vetëm me masa ekonomike. Ajo ç’ka kërkohet është ndërgjegjësimi mbarëshoqëror për sfidat që duhet të përballojë shoqëria shqiptare dhe arritja e një konsensusi të qëndrueshëm politik e social si kusht i domosdoshëm i përballimit të këtyre sfidave. Çdo egoizëm politik, çdo pretendim i ekzagjeruar interesash të ngushta të grupeve sociale apo individuale do të ishte me pasoja fatale për të gjithë. Në dy alternativat: agoni e pafund apo dhimbje e shkurtër, për t’u ringjallur më pas shqiptarët duhet të zgjedhin pa mëdyshje të dytën. Me shpresën që kjo të jetë e fundit.
ARTAN HOXHA, Albanian Development Services