Artikull nga ALDA BIDA dhe BEN ANDONI: Lady D, përralla mbaroi. Bota qan për princeshën
(Botuar me 2 Shtator 1997 në KOHA JONE)
Të dielën, shpejtësia skëterrë e “Mercedesit” çon Dianën në parajsë. Akuzohen fotoreporterët e skandaleve
Lady D, përralla mbaroi. Bota qan për princeshën
Përfundon vallëzimi me djallin. Angli, familja mbretërore hap portat e vdekjes. Të shtunën njerëzimi përcjell mbretëreshën
Këto janë ndoshta fjalët e fundit tokësore, që do të marrë me vete gruaja që arriti të bëhej ikona e ndritshme britanike e shekullit tonë. Sensi i dhimbjes së kombit anglez që mundi nëpërmjet figurës së saj të brishtë të zbuste atë imazh të “ftohtë” të monarkisë britanike. Të gjithë duket sikur kanë pasur nevojën e saj, nga “vrasësit” e saj gazetarë, nga fëmijët e pambrojtur, nga njerëzit e pafund të prekur nga SIDA dhe në fund të gjithë kanë pasur nevojë për një hero që të paktën të mbulonte kohëzgjatjen e ditës së thjeshtë humane. Vallëzimi i saj me vdekjen që zgjati në të vërtetë jo shumë pak, së fundi e tërhoqi në serenitetin e pafund, të cilin ajo vetë e ëndërronte… Megjithatë vdekja e shpejtë në zenitin e famës i ka siguruar asaj rrugën më të afërt për pavdekësinë… Princesha Diana, britanikja e mbiquajtur “Mbretëresha e zemrave” është tashmë përjetësisht në imagjinatën e njerëzve të thjeshtë të këtij shekulli.
Diana, kjo bamirëse e përjetshme
Princeshë Diana kishte në Londër admirues jo të paktë. Ajo ishte mbiquajtur “Mbretëresha e zemrave”. Kjo ndoshta ishte arsyeja për një detyrim të ri, gjetjen e rrugëve për ta bërë punën e saj më të afërt dhe në ndihmë të njerëzve. Në ndihmë të viktimave të AIDS, por edhe të çminimit të shumë zonave të cilat ishin të rrezikshme për “dishepujt” e saj në mbarë botën.
Për shumë parlamentarë, ajo po ngatërrohej në politikë në një rajon, që tradicionalisht kishte qenë një hapësirë “no-go” për monarkinë. Në kundërshtim me ta, Diana insistonte për detyrimet e saj, në atë që ajo e quante interes në fushën humanitare.
Në janar, në Angola, Diana tha: “Unë nuk jam një figurë politike. Unë jam një figurë humanitare dhe kështu do të mbetem gjithmonë”. Këto ishin fjalët e asaj që do të pëlqente të ishte “princesha e paqes”. Gruaja më e fotografuar në botë, (sidomos pas ndarjes me trashëgimtarin mbretëror), mbante në shpatullat e saj rreth 100 vepra bamirësie. Gjeografia e shpërndarjes së tyre kapte gjithë kontinentet e globit. Ajo mbante lidhje rezidente me gjashtë organizata bamirësie, të cilat ishin “National Aids Trust”, “Misioni i Leprozëve”, “English National Ballet”, “Centrepoint”, (për njerëzit pa strehim) dhe “Qendra Spitalore Londineze për Kërkimet e Kancerit dhe Trajtimin e Fëmijëve të Sëmurë. “Por media ka qenë më e vëmendshme për të fotografuar “skandalet” e Ledi D, se sa për bamirësitë e saj. Diana me sinqeritetin e saj ua kalonte monarkëve të tjerë të familjes, të cilët respektonin rregullat e ngurta e të ftohta të mbretërisë. Duket se ajo nuk ka patur frikë të reklamojë problemet e saj edhe pse nuk ka gjetur mirëkuptim, duke krijuar në vetvete një palë kundër ftohtësisë.
Në vitin 95 në një intervistë ajo ka treguar se në martesën e saj të pafat kishte vuajtur nga një sëmundje që kish të bënte me probleme të çrregullimit të të ngrënit, sëmundje që quhej bulimia nervoze. Me thjeshtësinë e saj ajo nisi të “zhvishej” nga rekuizita e saj e shtrenjtë, për t’u ardhur në ndihmë atyre që vuanin. Fakt për këtë është ankandi i madh i gardërobës së saj personale, ku ajo arriti të siguronte 3.2 milionë dollarë për bamirësi.
E ndjeshmja Dianë u kritikua kur mori për herë të parë fëmijët e saj, princat William dhe Harry për të vizituar shtëpinë e fëmijëve jetimë, ose kur dha gjithçka për një spital në Londër. Ashtu si padashje, ajo nisi të ishte ambasadorja më e mirë e Anglisë nëpër botë, ndërkohë që gazetat talleshin me të. Do të vinin më vonë çmimet ndërkombëtare për Ledi Dianën si “Angel of Mercy”, pasi është zbuluar se ajo paguante për vizitat në spitalet e ndryshme. Organizatat bamirëse ku ajo ishte rezidente, ndjejnë humbjen e saj. Arsye për këtë duket se ka qenë fakti se ajo është përdorur si magnet për donacione të ndryshme.
Qytetarja e thjeshtë e Mbretërisë
Britanikia e ndrojtur, u shfaq në publikun anglez një ditë të zakonshme kur njohu princin e gjallë të kaltër, i cili çuditërisht atëherë i dukej si princi i vërtetë i përrallave të harruara prej kohësh. Ajo kishte lindur vetëm 19 vjet më parë në një ditë të zakonshme vere të vitit 1961. Dianës së re, do t’i duhej atëherë të përballonte testin e madh monarkik, të cilin ajo ndoshta e kalonte pa ndonjë sforcim.
Përfundimisht Elisabeta e Britanisë vendos martesën e shekullit. Vajza e re ishte e vetmja krijesë e pritshme me gjakun e pastër blu që mund të ndryshonte diçka nga jeta e pasardhësve të saj të monarkisë. Vajza e re fejohet me trashëgimtarin e parë të familjes mbretërore. Ishte kontakti i parë i saj me fatalitetin, atëherë ajo nuk e mendonte se ata njerëz të pafund me blicet e shumta, do ta ndiqnin pas deri në ferr.
Në 29 korrik të vitit 1981, ajo vendos kurorën bashkëshortore me princin Charles. Shumë shpejt Diana gjallëron monarkinë britanike me dy krijesa, të cilët do të ishin trashëgimtarët e vërtetë të monarkisë së përfolur aq shumë. Në 1982, ajo lind Uilliamin dhe në 1984 lind Harry. Gjithçka duket sikur ka marrë rrugën normale. Elisabeta është në kulmin e llogarive të saj megjithëse e reja “kapriçioze” nuk është në kutin monarkik. Diana ka kohë që ka nuhatur dashurinë idilike të bashkëshortit të saj me “të tmerrshmen” Camilla Parker Bowles. Kjo ngrënëse kurore do ta ndjekë si djall jetën e brishtë të dy bashkëshortëve deri në momentin kur çdo gjë bëhet publike dhe Princi, dikur i kaltër nuk heziton ta pohojë me gojën e vet. Më 1992, Meixhersi kryeministër i oborrit britanik, jep lajmin e ndarjes. Vetëm më 1996, bëhet fare i hapur lajmi i ndarjes së çiftit pasardhës mbretëror. Të dy bashkëshortët, dikur simboli i krenarisë së kombit monarki, kishin ndryshuar fatet e tyre. Diana me një njeri pothuaj të thjeshtë që pretendonte vetëm të arrinte të kalëronte përballë korteut mbretëror dhe Charles me fisniken Camilla, që froni nuk ia mbush dëshirën e shfrenuar për të sunduar.
VIP-at për vdekjen e Princeshës
Pothuaj i shokuar, TONY BLAIR në një konferencë shtypi të improvizuar është shprehur me shumë keqardhje për zonjën që kishte “errësuar” gjithçka në vendin e tij. Me një sintaksë që ai nuk e zgjidhte dot me kujdes, shikon nga gjithë anët me shpresën se dikush do e “shpëtojë”. Ai thotë se ajo ishte e mrekullueshme dhe se humbja e saj është një humbje e madhe për të gjithë.
Menjëherë KLINTON ka reaguar ndaj ngjarjes që për të ishte me të vërtetë e papritur. Presidenti amerikan me të shoqen, ishin nga miqtë e saj më të mirë. “E kemi dashur shumë”, është shprehur ai. “E kemi dashur për punën e saj me fëmijët, për të sëmurët e AIDS, për luftën e saj kundër fushave të minuara, dashurinë e saj për fëmijët e saj, Uilliam dhe Harry.
Shenjtorja e gjallë, NËNË TEREZA ka thënë nga ana e saj se: “Një mike e madhe që ka thirrur gjithmonë të varfrit. Një grua plot me jetë dhe e thjeshtë në të njëjtën kohë”. Ndërsa senatori EDWARD KENNEDY është shprehur në emër të gjithë familjes Kennedy: “Zemra ime është me të dhe në këto momente sidomos me fëmijët e saj të hidhëruar”. Më poshtë ai është shprehur se “Princesha Diana ishte një nënë e jashtëzakonshme për dy fëmijët e saj dhe është tashmë e shquar për atë që dha nga vetja që fëmijët e gjithë botës të jetonin më mirë”.
PRESIDENTI FRANCEZ ishte ndoshta francezi i fundit VIP që i dha lamtumirën Dianës. Ai ka shoqëruar kufomën e saj në përcjelljen e fundit nga spitali francez. Ai mundi t’i shprehë direkt hidhërimin Princit Charles.
Nga ana tjetër, edhe FATOS NANO nuk ka mundur t’i shpëtojë hidhërimit përgjithshëm për Lady Diana. Ndoshta në kohët e gjata të burgut atij i është dashur që midis shumë personazheve të njohur të çonte mendjen edhe tek ajo. Por vetëm ndoshta. Ajo mbase kurrë nuk e dinte fatin e një lideri shqiptar të opozitës apo Shqipërisë së vogël në përgjithësi. Nano dje ka bërë detyrën e thjeshtë të kortezisë si kryeministër duke i shprehur homologut të tij anglez Blair hidhërimin e tij të thellë dhe ngushëllimet për familjen e së ndjerës. Shqipëria e vogël e ka ndjerë jo pak ndarjen me të.
Shqipëria dhe princesha magjike
Vendi i varfër, të cilit, Diana shpesh i kishte anashkaluar në shëtitjet e saj në Mesdhe në fakt nuk kishte ndonjë lidhje shumë të veçantë me princeshën e madhe. Vendi i vogël krenohej se kishte një shenjtore mbi të gjitha shenjtoret e tjera të gjalla. Diana ishte përkulur njëherë para Shqipërisë që ishte materializuar me figurën e Terezës së madhe dhe vetëm kaq… Më pas, një modelist i apasionuar bën sprovën e madhe për ta materializuar këtë lidhje dhe ia arrin sipas mënyrës së tij, t’i dhurojë në përvjetorin e saj të fundit një fustan mëndafshi që i kushtoi atij 6000 dollarë. Ky është shqiptari Ajet Avdullai.
Monarkia pa regjentët e saj
Analistë të monarkisë e kanë cilësuar Ledi D, si pikën më të rrezikshme të Familjes Mbretërore. Në të vërtetë, ajo ishte xhevahiri i kurorës së saj. Duket se ajo ka qenë nga momentet magjike që zoti ia kish afruar anglezëve. Kur kjo femër, tërësisht e ndritshme, u gjend pranë princit Charles, u duk sikur fati i monarkisë 1000-vjeçare britanike, do të shtrihej përpara saj. Gjithsesi fati nuk ishte bujar deri në fund me të. Ajo mbeti vetëm pretendente për fronin mbretëreshës. Duket se Princesha nuk e ka harruar për asnjë moment se është nëna e mbretit të ardhshëm të monarkisë britanike. Gjithsesi ajo ka qenë e vlerësuar si anëtare “gjysmë e ndarë” e familjes mbretërore që në momentin që ka marrë divorcin nga Charles.
Vdekja e të brishtës D, ndoshta do t’i japë frymëmarrje kësaj monarkie të vjetër, të cilën ajo kishte dashur ta çonte përpara në shekullin e XXI. Për hir të së vërtetës, prania e saj e çoi monarkinë, gati pranë idesë së mbijetesës.
Psikologët në këto momente janë të mendimit se britanikët mund t’i kapë një sens zemërimi për humbjen dhe kësisoj, pasojat për të ardhmen e monarkisë janë pothuaj të panjohura. “Diana nuk ishte vetëm një ikonë kombëtare, por një princeshë e mrekullueshme. Ajo ishte ne… “ është shprehur nga Universiteti i Manchesterit psikologu Cary Cooper. Ajo jepte dashuri e në të njëjtën kohë kishte nevojë që t’i falnin dashuri. Diana ishte një mit dhe një njeri në të njëjtën kohë. Me brishtësinë e saj, ajo ishte e cenueshme dhe e pambrojtur. Pas një dekade, që ka qenë aq e ngarkuar me mosshkuarjet mirë të martesave mbretërore dhe përfshirjen e tyre në skandale të turpshme bashkëshortore, duket se Diana ka sjellë momentin e artë”. Vdekja e saj i ka sjellë, House of Windsor atë që mund të quhet shenjë restaurimi.
Paradoksi më i madh ishte në momentin kur pas ndarjes së shpallur, Mbretëresha Elisabeta dhe Princi Philip festuan përvjetorin e martesës së tyre të artë, si një shpresë të re për monarkinë angleze. Ligjet e vjetra, që i jepni përparësinë e fronit linjës femërore, me ndërhyrjen e historianëve dhe avokatëve më të mirë anglezë, t’i kaloheshin princit Charles. Duket se kjo solli që në të gjithë vendin mbështetësit e monarkisë të zbrisnin në 50% në votimet testuese. Mbretëresha Elisabeta, për të rifitur prapë zemrën e kombit është shprehur se fajtor për ndarjen është i biri. “Ai ka dëshiruar një grua tjetër…” dhe ky ka qenë shkaku që ka nxitur largimin e bukuroshes së ndrojtur.
Sytë dhe kamerat vazhduan të ishin përsëri tek Diana. Ndoshta për këtë shkak, ajo mori me vete përveç titullit të Madhërisë së saj, ashtu thjeshtë, si kishte jetuar, të gjithë trishtimin. Ajo nuk mundi kurrë të ishte e qetë. Në vitet e para të martesës, ajo ishte e rrethuar nga imazhi i një familje mbretërore “të gëzuar”.
Më pas, iu desh që gjithë jetën ta kalonte më fashinacionin, që u sillte viktimave të pafund njerëzore. Edhe ato, njëlloj si ajo, përjetonin një vuajtje të pashërueshme, por këtë radhë tokësore.
Duket se vallëzimi i saj me vdekjen kishte filluar si në Black Sabath. Ajo ishte për të gjithë “Saint D”.
Në një intervistë dramatike që ajo dha pa lejen dhe konsultën e Buckingham Palace, Diana e vendosi familjen mbretërore në rolin e armikut, që shikonte në ngrohtësinë e saj natyrale për popullin një qetësi për “plebejtë” dhe një rrezik eminent për Monarkinë.
Një nga episodet më dramatike për Monarkinë, ishte kur Charles i kishin lindur dilema për ngritjen në fron. Diana u shpreh me forcë: “Unë nuk do të shkoj qetësisht dhe për këtë do të luftoj deri në fund”. Gjithmonë me iniciativë dhe e paparashikueshme ajo mundi t’i hedhë poshtë akuzat, se ishte përfshirë në politikë, për shkak të luftës që ajo zhvillonte kundër problemeve të ndryshme në botë.
Këto dy muaj, lidhja e saj kishte sjellë prapë një çrregullim në monarkinë, që sundon në Angli. I ati i Dodi Al Fayed, është implikuar në ryshfete dhënë parlamentarëve anglezë për të mbrojtur interesat e tij financiare. Me vdekjen e Dianës, duket se humbjen më të madhe natyrale do ta kenë dy fëmijët e saj të vegjël, William dhe Harry.
Ndoshta regjenca që nëna e tyre nuk mundi kurrë t’ua japë, do t’i ndjekë nëpër imazhet që kjo shenjtore ka lënë në gjithë Britaninë. Humbja e përgjithshme angleze duket se është materializuar në një mesazh, që i është lënë Dianës bashkë me lulet në residencën e saj në Kensington Palace: “Kombit i është hedhur poshtë një xhevahir më i vlefshëm se e gjithë perandoria”.
I pari që ka reaguar ndaj atyre që janë quajtur “vrasësit” e vërtetë të Dianës është sekretari i jashtëm i Britanisë, Robin Cook. Dje, në një konferencë shtypi, ai tha se është shumë herët për të konsideruar përgjegjësitë e vërteta të vdekjes. Në të njëjtën kohë, Cook shtoi se në hidhërimin ku është mbërthyer vendi i tij, duket sikur nuk është rasti për të tilla pyetje. Megjithatë përsëri është insistuar që personaliteti i diplomacisë britanike të jepte ndonjë shpjegim të mëtejshëm duke i kërkuar që të jepte ndonjë opinion për ligjet e reja që duhen adoptuar për shtypin.
Përfundimisht, “i lodhur” nga shtypi, sekretari i shtetit tha: “Vdekja tragjike e Dianës ka ndodhur ditën e diel. Do të ishte shumë e gabuar nga çdo lloj qeverie që të përgjigjej menjëherë më një program politik brenda 24 orëve të ngjarjeve jo të zakonshme”.
Fjala e vëllait të Dianës, Earl Spencer ka qenë më e ashpër. Z. Spencer, në rezidencën e tij në Afrikën e Jugut tha: “Gjithmonë kam besuar se shtypi do ta vriste Dianën në fund të fundit.” Por ai shtoi: “Nuk mund as ta besoja se ata do të kishin kaq dorë të hapur (gazetarët) në vdekjen e saj sa edhe ndodhi me të vërtetë. “Megjithatë duket sikur ky kapitull do të jetë për shumë kohë i hapur sepse shtypi përveç shokimit të momentit ka marrë edhe sulmin e rastit ndaj atyre që duan të denigrojnë ne të vërtetë figurën e vërtetë të gazetarëve.
Një nga fotografët e gazetës së madhe britanike, “The Indipendent”, ka bërë të ditur, se edhe lexuesit që prisnin për ditë e më shumë imazhe nga Diana e bukur, janë po aq përgjegjës për vdekjen tragjike.
Policia Kriminale Franceze, ka ngarkuar me faj shtatë fotografë të cilët ishin duke e ndjekur Princeshën në rendjen drejt vdekjes së sigurt. Televizioni është shprehur se gjashtë fotografë kanë qenë francezë ndërsa tjetri, maqedonas. Ata mund të akuzohen për shkakun e përplasjes dhe për gabimin se duke asistuar në një ambient ku ishin njerëz që kërkonin ndihmë, ata kanë kërkuar të shfrytëzonin momentin për të fotografuar. Një amerikan i një shoqërie private ka thënë se atij i ishin ofruar fotografi kur Diana ishte duke u përpëlitur për të fituar jetën e ngelur tokësore. Botuesi Steve Coz ka thënë se ai ktheu mbrapsht fotografitë që i ofruan disa njerëz të cilët nuk donin të identifikoheshin dhe që kërkonin për këtë rreth 250.000 dollarë. Por, a mbaron vallë këtu Historia e Pasvdekjes së Dianës së bukur?
Përgatitën faqet: ALDA BIDA, BEN ANDONI