Aurel Plasari: Migjeni, shkrimtari që guxoi të sugjerojë “heqjen e brageshave”
(Botuar me 6 qershor 1998 në KOHA JONE)
Nga Aurel Plasari-
Unë jam pa moral. Konceptimi im menduar, mos me thanë ideologjik, nuk pajtohet me moralin, të cilin mue kjo shoqni ma imponon. Por unë e marr moralin e saj për sy e faqe, n’sa mbrapa unë ia loz lojën kur të due. Kështu si unë ia lozin lojën shoqnis’ me qindra vetë në vendin tonë”. Në mjaft raste, kur për një dukuni flitet shumë, ndodh që ajo të mbulohet më tepër se të zbulohet.
Kam përshtypjen se kështu ka ndodhur edhe me diskutimet për vlerën emancipuese të veprës së Migjenit. Disa “akte emancipuese” që atij i janë veshur kanë të bëjnë me aspekte joletrare; disa të tjera i përkasin ndonjë shkrimtari paraardhës të tij, të cilin kritika, për hir të koniukturave politike, nuk ka dashur ta përmendë.
Për të shkulur barrokun e atributeve të pasakta lidhur me vlerën emancipuese të Migjenit si shkrimtar më ndihmoi, pa dashur. Margeritë Jursenari me postulatin e saj: “Duket sheshazi se si, nga breznia në brezni, prirjet dhe veprimet njerëzore ndryshojnë fort pak. Ajo çka ndryshon është shtrirja e zonës së heshtjes, që i rrethon ose trashësia e shtresave të gënjeshtrës që i ndrydhin”.
Ndaj më ngjan interesante të vështrohet vlera e veprës emancipuese migjeniane në raport me depërtimin e këtyre “zonave të heshtjes” apo me shprishjen e “shtresave të gënjeshtrës”, që te shkrimtari ynë mund ta emërtonim edhe si proces të “heqjes së bragashave”.
Në letërsinë e shekullit XX “bragashat” qenë të lidhura kryesisht me dukuri nga më të larmishmet të fushës psikoerotike, aberracione seksuale, ambiguitete erotike, të cilat tradicionalisht i janë nënshtruar një sërë skemash, stereotipish, janë veshur me një aureolë misteri, mëkati, gjërash të pathëna ose të thëna përgjysmë. Kur kjo s’është bërë në mënyrë të vetëdijshme, sipas bindjeve krijuese të shkrimtarit, atëherë ka ardhur si trysni e kohës apo shoqërisë dhe shkrimtari e ka shtyrë për një çast tjetër, deri pas vdekjes së vet, zbulimin e “zonës” së rrezikshme. Procesi i çlirimit, i cili vjen shpesh deri në nivelin e krijimit artistik, nuk përkon gjithnjë me guximin për ta bërë publik këtë çlirim. Në njëfarë mënyre, kemi të bëjmë me një “shtyrje të çlirimit”, një pritje të vazhdueshme të “kapërcimit”.
Kapërcimi befasues i bërë në këtë fushë në fillim të shekullit XX në letërsinë evropiane ishte meritë shkrimtarësh si O. Uajlld, A. Zhid, M. Prust, për të përmendur veç më të mëdhenjtë. Udhën e tyre u orvat ta rrihte Migjeni, gjithnjë në përpjesëtim me përmasat e letërsisë në të cilën ai hynte. Në këtë letërsi ai qe i pari që guxoi t’i përshkruante instinktet të zhveshura. E nënvizova fjalën e fundit për t’i dhënë rëndësi, mbasi instinktet e veshura i kishin përshkruar mbarë e prapë një aradhe e tërë shkrimtarësh para tij.
“Zhveshja”
Migjeni diti të flasë hapur doemos, brenda caqeve të gjuhës së letërsisë, për realitetin e botës seksuale: për “femrën-mashkull rrokun si dy vetë që mbyten”, për shijen e mollës së ndalueme”, për “kafshimet”, herë-herë edhe për ndonjë “shuplakë për trup të lakuriqët”… Gjejmë të trajtuar tek ai nocionin e “dashurisë epshore”, “epshin kapërthyes”, shkartisjen e ndjenjave “me fuqi shtazore”, “buzët që përpijnë e thithen nëpër skaje t’errta’…
Ndeshim jo vetëm tablonë e prostitucionit, por të përshkruar në mënyrë kuazinatyraliste edhe femrën që shkon me dy meshkuj një pas një. Mandaj përvëlimin e gjaqeve që përzihen, çohen peshë, tërbohen… Kafshimi i dhëmbëve mbi gjokset e grave të Migjenit paguhet me para… Joshjen epshore ndaj një murgeshe ai e pranon haptas dhe kurmi që ajo u zbulon shenjtëve përfytyrohet me xhelozi blasfemuese…
Është një femër, te poezia “Mbas tryezës”, me fytyrë të lyer në pudër të kuqe, me buzë bojëgjake e me gjinj që i majen, e cila i buzëqesh ëmbël grupit të të rinjve. Ç’do të thotë aty ai vargu: “zonjushën shikojmë edhe n’andrrim vallëzojmë”? Mos janë po ato ëndërrimet e dykuptimta të të riut që, të “Një natë pa gjumë”, rrok jastëkun dhe ia kërkon atij ëndjen e dy buzëve? Me gjasë, janë të njëjtat ëndje që shkrimtari i përshkruan edhe kur flet për malësoren e “qershive” dhe i quan “gëzimet e natës”. Te “Puthja e cubit” flitet orë e çast për “dëshira të vokta në gji”, për prekje nga të cilat “u rritshin gjitë”, si dhe për një “dëshirë që të len pa gjumë”.
Skena e malësores së shtrirë që përfytyron aktin e dashurisë duke ëndërruar qershitë mes buzëve, pikërisht në një gjendje shtatzënie, është një nga kryeveprat e prozës erotike shqipe. Te “Studenti në shtëpi” e quajtur njëzëri nga kritika si më e mira novelëz e tij, ndërkallet përmasa incestuoze. Disa herë përshkruhen në të afrimet e vëllait me motrën, ravgimet e ndërsjellta të ndjenjave, deri te momenti kur ata kanë fjetur bashkë, kanë puqur trupat e tyre të nxehtë dhe “atëherë ndjejshin praninë e gjasë së tretë, të huej, deri atëherë të panjoftun për trupnat e tyne, por që tash, në nxehtësinë e dyshekut, ngjallej, rritej…”
Te proza tjetër “Pak poezi” përmasa shpërfaqet më hapur. Dashuria e Lilit për Lilushen, vajzën e tezes, tani vishet me tingëllim natyralist. Deri në kryeqytetet e Evropës të riun e shoqëron “vegimi verbues i kofshës së bardhë” të së kushërirës… Migjeni bën edhe përligjen sociale të ndjenjës: “Pse skllavët e dokeve, të zakoneve, të ligjeve të trashigueme me shekuj, skllavët e thashethanjeve, ku mund ta kuptojnë se mund të dashunohet edhe nji kushrinë”.
Në të njëjtën prozë, Migjeni është ndofta i pari në letërsinë shqipe që i jep vend përmasës homoseksuale, tek dëshmon qoftë edhe alegorikisht: “Pozitivi bashkohet me negativin; mirëpo këtu tek na – këtu qoftë e thanun dhe e lanun – bashkohen dhe pozitivi me pozitivin. Dhe atëherë çirren moralistat për sanksione kundra njatyne meshkujve dhe duen t’i linçojnë. E pse djali i ri vuen dhe s’ka mënyrë ta shpenzojë at energji – ata nuk e mendojnë”.
Te “Histora e njenës nga ato” lexuesi mund të gjejë edhe përshkrimin e lojës erotike me vetveten, deri në cak të masturbimit: “në mënyrë të panatyrshme, të rafinueme, të shpikun vetvetiu tue u bashkue intelekti me epsh”.
Kundër shtresave të gënjeshtrës
Koha në të cilën shkroi Migjeni, kohë e shtresave të mëdha të gënjeshtrës në rrafsh të marrëdhënieve shoqërore, kur shkrimtari pohonte gjithë dhembje se ëndrrat çirreshin si këmishë e thurur me penj merimange dhe mbetej vetëm lakuriqësia e jetës banale, një kësi kohe e kërkonte “kapërcimin” që bëri Migjeni. Në një jetë të tillë është e natyrshme që shkrimtari të mos shndërrohej thjesht në një autor trillimi të mirëfilltë (fiction), por në shkrimet e tij në prozë apo poezi të fuste e të nxirrte, si përmes pasqyrash me kënde të thyera, vetveten. Ç’ka prej vetë Migjenit në personazhet e tij? Këtu ia kam frikën atij kritikut N. N. që do të hidhet menjëherë në mbrojtje të jetës “intime” të shkrimtarit, të cilën nuk paskësh të drejtë ta hulumtojë as edhe specialisti i psikokritikës… Po i bindem, porse në mënyrë të përgjithshme nuk mund ta hesht faktin e dukshëm që personazhet e Migjenit janë po aq personazhe sa ç’janë edhe Migjenë e Migjeni vetë është po aq Migjen sa ç’është edhe personazh i vetvetes. Ç’tjetër donte të pohonte vallë shkrimtari i tunduar nga murgesha kur shpallte: “due pash më pash t’i bij ferrit”? Po në letrën drejtuar T-së, ç’kuptim tjetër mund të ketë fraza: “vuej bashkë me të riun qi digjet n’erotizëm?”
Hulumtimet e tij në këtë fushë, nga njëra anë, dhe sëmundja nga tjetra, ta bien disa herë ndër mend Bodlerrin dhe aventurën e tij psikoerotike. Ajo çka i afron shpesh të dy mund të jetë edhe ajo morbus poetica, për karakteristikat e së cilës te Migjeni pati folur i pari A. Pipa më 1954. Por, pavarësisht afrimeve apo largimeve me kolegët evropianë, që edhe për një kohë të gjatë do të mbeten të diskutueshme, një gjë mund të pranohet pa u diskutuar shumë: përvoja e Migjenit, që vë në peshore para shoqërisë paragjykimet dhe tabutat lidhur me ravgimet psikoerotike – po i quaj unë kështu – është akt emancipues shembullor në letërsinë moderne shqipe.
Po pas Migjenit?
Pas Migjenit hulumtimit të “zonave të heshtjes” në këtë letërsi ia mbyllën shtigjet. Akti i Migjenit mbeti pa pasues. Dhe ishte brenda logjikës së zhvillimeve të mbrapshta nëpër të cilat kaluan shumica e shkrimtarëve tanë, mbasi pasues të Migjenit në depërtimin e “shtresave të gënjeshtrës” nuk mund të dilnin prej letërsisë “së realizmit socialist”. Përfytyroni tash sikur lexuesit ta ndërtonin identitetin e tyre duke e ballafaquar me krijimin letrar para se ta ballafaqonin me realitetin; nëse krijimi letrar që u ofron “realizmi socialist” do t’ua mbulonte ato dukuri që pati guxuar t’i zbulonte në kohën e tij Migjeni, atëherë kuptohet se qindra e mijëra lexues jo vetëm nuk do ta gjenin veten në krijimin letrar, por mbase do ta gjenin edhe mohimin e tyre.
Nëse për cilindo lexues është e qartë, që “zonat e heshtjes” të hulumtuara prej Migjenit lidhen pikësëpari me “moralin”, po ashtu është e qartë se një krizë e tillë letërsie, si e letërsisë sonë, lidhet drejtazi me të ashtuquajturin “moral komunist”. Sepse ja ç’shpall ai nëpërmjet heroit të tij: “Unë jam pa moral. Konceptimi im menduer – mos me thanë ideologjik – nuk pajtohet me moralin të cilin kjo shoqni ma imponon. Por unë e marr moralin e saj për sy e faqe, s’sa mbrapa ia loz lojën kur të due. Kështu si unë ia lozin lojën shoqnis’ me qindra vetë në vendin tonë”.
Me gjasë, edhe disa dhjetëvjeçarë pas Migjenit, në vendin tonë po kështu vazhduan t’ia lozin lojën shoqërisë jo me qindra, po me mijëra vetë. Ndërsa letërsia shqipe, në vend që të shpërthente shtegun që ia kish hapur Migjeni, do ta humbte atë. Ndokush që do të rrekej ta riçante, do të etiketohej “frojdist”, “patologjist”, madje edhe “imoral”… Më duket se Haveli e ka karakterizuar letërsinë e kësaj metode si “të tredhur”. Do të propozoja se më e saktë do të ishte që realizmin socialist ta përfytyronim si një përftesë hermafrodite, as mashkull as femër, si puna e kërmillit, ushunjëzës, krimbave të tokës, që mbarsen me vetveten… Një shoqërie që e pranon para fytyrës një letërsi të tillë do t’i duhej kurdoherë një Migjen emancipues, kapërcyes i madh, i cili të ketë guximin t’ia sugjerojë haptas “heqjen e brageshave”. AUREL PLASARI