Auron Tare: Butrint, historia e gurtë e Demit të Plagosur
(Botuar me 20 Korrik 1997 në KOHA JONE)
Auron Tare: Butrint, historia e gurtë e Demit të Plagosur
Në Butrint duhet të shkosh i armatosur dhe me eskortë. Po pate fat, do t’u shpëtosh minareve që kanë mbirë gjithandej. Këto relikte të çmendurisë moderne janë pjesa më intriguese e një itinerari tashmë të harruar nga turistët
Butrinti
Pra, duke ecur shoh një Troje të vogël,
dhe një Pergam në ngjasim të atij të madhit.
Dhe një përrua të thatë të quajtur Ksanth,
aty në prag puth edhe Portën Skea…
Këto janë vargjet e të madhit Virgjil, vargje që na sjellin të gjallë skenat e lashta të një kohe të harruar, të një kohe që merr jetë vetëm në gurët e tempujt e një qyteti mitik si Butrinti. Sipas Virgjilit, Princi Trojan Enea pas shkatërrimit të Trojës udhëtoi drejt Italisë për të gjetur një atdhe të dytë. Në brigjet e Epirit, ai ndalon në tokën e Kaonëve dhe pikërisht në Butrint, ku takon Andromakën dhe koloninë e vogël të të ikurve Trojan. Atje pasi u bën fli perëndimeve një dem i cili jep shpirt pranë mureve të “Trojës së vogël” nga ku edhe merr emrin BUTHROTOS, Demi i Plagosur largohet për në Itali ku themelon fshatin ku lindin bijtë e Ulkonjës Romuli dhe Romus, themeluesit e Romës. Kjo legjendë e shkruar nga Virgjili te Eneida e tij e famshme frymëzon një arkeolog të ri italian për të ndërmarrë një nga ekspeditat më të mëdha arkeologjike të këtij shekulli në Shqipëri. Konti Luigji Maria Ugolini, bir i një familje aristokrate italiane anëtar i klubit fashist të Alpineve, ëndërronte të gjente Trojën e dytë, Trojën e Eneas dhe ashtu si Shlimani një shekull para tij të ishte i pari që të takonte personazhet mitike të legjendave të lashta. Në fillim të viteve 20, Ugolini me bekimin edhe të Duçes, ngul kazmën e parë në kodrën e zhveshur ku sipas përshkrimit të një sërë dëshmish të hershme duhej të ishte qyteti i themeluar nga Enea. Me një numër të pafund punëtorësh shqiptarë që gërmonin pareshtur, shumë shpejt Ugolini do të shpërblehej, njëri pas tjetrit nga nëntoka e thellë filluan të dalin tempuj, mure rrethuese, teatri, banja publike, kisha si dhe një nga perlat e ndërtimeve bizantine, Baptisteri. Gjatë viteve 20 e 30, Ugolini endej midis rrënojave të lashta ashtu si edhe vizitorët e sotëm, duke përfytyruar Ciceronin e madh të ulur në shkallaret e teatrit pas një dite pune në vilën e tij disa kilometra larg Butrintit Cezarin, të lodhur nga Betejat me Pompeun duke u çlodhur në banjat publike.
Ndoshta edhe Neronin i cili kishte një vilë në Korkyra (Korfuzi i sotëm) Oktavian Augustin që ishte edhe mbrojtësi i qytetit, Perandorin Justian, udhëheqësin e Normanëve Guiskardin që e pushtoi Butrintin, Perandorin Aleks Kommnenin apo edhe Kazanovën i cili u strehua në Butrint pas ikjes nga furia e xhelozisë së një Korfioti.
Në mesin e viteve 30, Ugolini vdes papritur në një katastrofë ajrore. Fillimi i Luftës së Dytë Botërore është edhe fundi i gërmimeve të misionit Italian në Butrint. Një kapitull po aq i vjetër sa edhe historia e Butrintit, hapet plaçkitja. Butrinti i plaçkitur në shekuj nga fiset barbare të Gotëve, Ostrogotëve, Sllavëve, Normanève, Turqve, kësaj radhe plaçkitet nga misioni italian. Po t’u hedhësh një sy volumeve të botuara pas vdekjes së Ugolinit, Albania Antica, do të shohësh numrin e madh të statujave dhe objekteve të zbuluara. Shumë nga ato objekte u morën nga misioni italian dhe u shpërndanë nëpër komisione private, ç’mbeti nga banorët rreth e përqark. Gjatë luftës, Butrinti mbulohet nga shkurret e ferrat. Një oficer anglez, alpinisti i famshëm Billi Tilman që e viziton gjatë lufte shkruan me keqardhje për gjendjen në të cilin e gjeti. Megjithatë Butrinti i rezistoi edhe kësaj lufte.
U desh një kohë relativisht e gjatë deri sa arkeologët shqiptarë të fillonin gërmimet në Butrint. Arkeologë nga më të mirët gërmuan në periudha të ndryshme por asnjëherë në përmasat e Ugolinit. Në vitin ’59 Butrinti shkruan në librin e tij të artë edhe një emër tjetër, atë të Nikita Hrushovit, i cili për t’u bërë edhe më i paharrueshëm se të tjerët do të ndërtojë një bazë nëndetësesh. Pas vizitës së Hrushovit, Butrinti zhytet në vetminë e tij për t’u zgjuar herë pas here nga vizitorët e rrallë me leje të posaçme nga Dega P. B.
Rizbulimi i Butrintit
Në vitin 1992 Butrinti “rizbulohet” serish, kësaj here nga dy filantropistët më të mëdhenj të Anglisë, Lordët Jakop Nathanail Rothschild dhe Xhon Sainsbery. Butrinti, me misteret dhe historitë e tij, ashtu si në përralla, u ka pushtuar zemrat dy njerëzve te cilët janë legjendarë në kontributin e tyre ndaj artit dhe kulturës botërore. Ata së bashku themelojnë “Fondacionin Butrinti” me qëllim ruajtjen dhe mbrojtjen si dhe njohjen e tij, jo vetëm në qarqet shkencore, por edhe për publikun e thjeshtë. Si fillim kontribuojnë me shumën prej 500 mijë paund. Ata kanë zgjedhur me kujdes ekipin. Gërmimet ia besojnë një prej arkeologëve më të njohur anglezë, Prof. Richard Hogde, mik dhe këshilltar i Mbretit të ardhshëm të Anglisë, Princit të Uellsit Charlie.
Shtypi, perëndimor dhe sidomos ai anglez “zbulojnë” Butrintin, këtë mikrokozmos të kulturave mesdhetare. UNESCO e pranon në radhët e veta, Fondi Botëror i Monumenteve e vendos në listën e 100 qyteteve më të rëndësishme të botës që kërkojnë status të veçantë. Kanale televizive të njohura në botë japin programe të posaçme kushtuar historisë së Butrintit dhe flasin me admirim për arkeologjinë Shqiptare, e cila për kushtet në të cilat punoi për 50 vjet, dha rezultate te shkëlqyera. Njerëzit e famshëm që vizitojnë Butrintin pas 93, do t’i kishte zili çdo qendër arkeologjike në botë. Butrinti pranohet nga autoritete mjaft me zë në fushën shkencore, se është qendra arkeologjike me e rëndësishme në Mesdhe.
Një histori e zakonshme shqiptare
Por çfarë është më e rëndësishmja, numri i vizitorëve të huaj që vijnë për të vizituar Butrintin, rritet nga viti në vit, duke arritur shifra rekord vitin e kaluar me rreth 2530 mije vizitorë. Duke bërë të mundur lindjen e një “industrie” të vogël të turizmit. Megjithatë gërmimet ngecin, zvarriten. Ditët dhe javët kalojnë. Misioni arkeologjik i ardhur nga Anglia, harxhon kohë duke pirë birrë në lokalin përballë portës ku përgjegjës-arkeologu biletaprerës, Çondi, i cili me siguri do të hyjë në legjendat e ardhshme të Butrintit, ndalon këdo të hyje pa urdhrin e Zeusit të arkeologjisë shqiptare. Megjithatë Butrinti i viteve të fundit i ngjan më tepër një peshoreje, ku sa më lart ngrihet njëri krah, aq më poshtë ulet tjetri. Prej disa vitesh, çelësat e Butrintit i mban një ish-mësues historie, kontributi i të cilit në lëmin e arkeologjisë, është se vëllai i tij ishte piloti i Presidentit.
Megjithëse ka ekzistuar një bërthamë arkeologjike për Butrintin në qytetin e Sarandës, tashmë ajo nuk ekziston fare. Astrit Nanaj dhe Kosta Lako, dy arkeologë me grada shkencore, të cilët kanë një jetë që gërmojnë në Butrint, paguhen me paga qesharake duke mos u krijuar asnjë mundësi profesionale për të qenë aktivë në jetën e Butrintit.
Megjithëse vitet e fundit numri i vizitoreve ka arritur në 25-30 mijë vetë, të cilët paguajnë një biletë hyrje prej 2 US (pra 50-60 mije dollarë vetëm ne sezonin e fundit), këto para humbasin si kripa në ujë. Me 50-60 mijë dollarë Butrinti mund të vetadministrohet pa kurrfarë problemi. Mund të mbajë arkeologet e tij, të financojë ekspeditat, të botojë materiale shkencore, mund të vendosë një sistem alarmi deri edhe të sjellë ujë për WC-të, të cilat nuk hapën kurrë për turistët. Se ku shkojnë këto para, kjo mbetet për t’u zbuluar. Butrinti është administruar në mënyrën më të papërgjegjshme që mund të bëhet.
I hapur për turizmin, Butrinti është kthyer në një minierë floriri për ekonominë lokale. Gjatë sezonit turistik janë disa tragete në javë që vijnë nga Korfuzi për në Butrint. Turistët paguajnë viza, taksi, autobusë, hotele, restorante, bilete-hyrje e me the e te thashë. Megjithatë, kur shkojnë në Butrint, nuk gjejnë asnjë informacion, harte, apo guidë. Të vetmen gjë që një turist mund të gjejë është një hartim arkeologjik i shkruar në vitet 80 shtypur në një libërth, të ardhurat e të cilit nuk shkojnë në favor te Butrintit.
Në Butrint është i lirë që të luajë rolin e Ciceronit kushdo që di ca fjalë të huaja, paçka se mund të mos dijë asgjë për historinë e Butrintit. Aty mund te takosh taksixhinj, veterinerë, kamerierë që u tregojnë të huajve çfarë u mbushet mendja. Në tetor 1995 Fondacioni “Butrinti” fton në Shqipëri Presidentin e Bankës Botërore James Wolfenson, rast unikal ky kur një President i BB viziton një vend, i cili ndoshta do të jetë një projekt i këtij organizmi. Në takim, ku përveç dy lordëve angleze, merrte pjesë edhe Presidenti Berisha, Fondacioni paraqiti projektin sipas të cilit zona rreth e përqark Butrintit, do të shpallej “Park Kombëtar” dhe Banka Botërore merrte përsipër financimin e infrastrukturës së zonës me 116 milionë US. Ky projekt, në të cilin Butrinti do të kthehej në qendër kërkimore shkencore ku do te përgatiteshin brezat e ardhshëm të arkeologjisë shqiptare, do të zhvillonte gjithashtu për herë të parë ne zonën e Mesdheut një industri turizmi të bazuar në ekologji-arkeologji, pra një turizëm elitar. Një park arkeologjik ku vizitoret do të vizitonin jo vetëm Butrintin por edhe objekte të tjera arkeologjike të zonës. Projekti qe ambicioz, ashtu siç që e trashë heshtja që ra mbi të pas ikjes së zyrtarëve të lartë nga rrënojat e qytetit të lashtë. Qeveria Shqiptare heshti ndaj Butrintit. Heshti pasi zonat rreth e qark Butrintit u ishin dhënë me kohë Firmave ndërtuese Malteze AX Holding, italiane, kuvajtiane, Vefa, gjermane si dhe pushtetarëve nga Tirana, të cilët nëse do të mund të zhvillojnë dikur planet e tyre, do ta kthejnë Butrintin dhe zonën përqark në një impiant gjigant turizmi qe do t’i varrosë një herë e përgjithmonë vlerat ekologjike dhe arkeologjike te rajonit.
Mars 1997, tragjedia e gurtë
Pas trazirave të Marsit, Butrinti i ngjan një qyteti të vdekur. Nuk është hera e parë që Butrinti goditet nga turma barbare. Muzeumi, i cili nuk u hap kurrë këto 5-6 vjetet e fundit, u shpartallua plotësisht. Prej aty u morën amfora, statuja antike dhe objekte të tjera. Fatkeqësia goditi statujat që shumë kureshtarë dashamirës nuk i kishin parë ndonjëherë. Njëra prej tyre është rrëmbyer me kamion, ndërkohë që të tjerave u është prerë koka me sharrë. Një vepër autentike e piraterisë kulturore. Rrëmbimet ndoshta nuk do të kishin ndodhur nëse dikush do të ishte kujtuar për to më parë. Askush nuk i ruante prej kohësh e ndoshta paratë që Butrinti kishte siguruar në kohë më të qeta iu deshën për ta mbrojtur. Depot me materialet qe janë grumbulluar gjatë gërmimeve të fundit, u dëmtuan duke u thyer të gjitha objektet e qeramikës, u morën mjaft pjesë mermeri me mbishkrime greke e latine. Pompat e ujit që zbraznin teatrin nga shirat e dimrit, u shkulën dhe ndoshta përdorën për të ujitur ndonjë ngastër me domate. Muret rrethues, kishat, teatrin, i ka mbuluar bari dhe një fryme braktisjeje e trishtimi sundon gjithandej. Punëtorët e papaguar prej muajsh, kanë braktisur punën dhe tashmë enden në Greqi. Për të udhëtuar për në Butrint tani të duhet një shofer guximtar i cili do të pranonte të përshkonte ato pak kilometra nga Saranda, si dhe një eskortë e armatosur. Ndërsa për te ecur rreth e rrotull parkut të duhet një mina kërkuese. Nga një park arkeologjik, Butrinti u shndërrua në një fushë loje ku të papërgjegjshmit mbollën bomba defensive thjesht për kuriozitet dhe për të përligjur anarkinë e gjithëpushtetshme.
EPILOG
Dhe megjithatë duket sikur asgjë nuk ka ndryshuar në të përditshmen e Butrintit. Ritmi i jetës është i ngadaltë. Në fushën e Vrinës (Kestrina antike ku Herkuli vrau demin e tërbuar) shikon bujq që çapiten nga pas ndonjë gomari e qerreje, tek-tuk të sheh syri ndonjë makinë që lëviz ngadalë nëpër udhët e hapura nga legjionet romake të Cezarit. Kodrat e zhveshura nga drurët ndoshta që nga koha e ushtarëve të mbretit norman Guiskard, qe ndërtuan flotën e tyre dhe tutje kodra e Finiqit është në tym. Për një moment mendon se ushtarët e Konsullit romak Paulus Emilius po djegin vendlindjen e Pirros, kryeqendrën e Epirit. Por jo. Janë çobenjtë që djegin kullotat. Nga kalaja veneciane duken dritat vezulluese te Korfuzit. I ulur mbase në po atë vend ku ndoshta Pashai plak i Janinës rrutiste i qetë në kafene dhe mendja i pillte djallëzira, edhe unë vështroj ato drita tunduese dhe kuptoj se në asnjë vend tjetër e kaluara me të tashmen nuk ndërthuren kaq paqësisht. Paçka se në 200 ditët e fundit këtu kaloi lufta. Tej, nga gjiret e fshehta te detit vijnë guitjet e motorëve te skafeve. Muzgu po bie dhe piratet modernë po bëhen gati për prenë e natës. /AURON TARE/