Azem Hajdari, njeriu i pluralizmit, u ekzekutua!

(Botuar me 13 shtator 1998 në KOHA JONE)

KOHA JONE: Azem Hajdari, njeriu i pluralizmit, u ekzekutua!

Një batare plumbash në një natë me shi i dha fund jetës së njeriut që filloi pluralizmin në Shqipëri. Azem Hajdari, studenti që e filloi jetën politike me xhupin e zi në një natë dimri pa drita dhe e vazhdoi duke mbetur një figurë kryesore e politikës shqiptare, nuk është më në jetë për shkak të një atentati në errësirë në mes të Tiranës. Ky fat iu imponua pikërisht njeriut që nuk kishte nevojë të humbiste jetën që të quhej hero i pluralizmit. Për të gjitha këto arsye dhe për të tjera, Shqipëria humbi një nga protagonistët kryesorë për vendosjen e fatit të saj, për ta ndjerë thellë gabimin që ka bërë dhe vazhdon të bëjë duke acaruar situatat, duke i çuar vazhdimisht ato në pika kritike, duke eliminuar dialogun dhe duke sjellë gjithnjë e më shumë tek njerëzit gjuhën e luftës. Kjo është pasojë e gjithë kërcënimeve të ndërsjella që kanë shkëmbyer palët politike, është pasojë e nivelit luftarak të politikës, e cila për hir të interesave autoritare dhe për mungesën e logjikës ka futur brenda saj njerëz që qëllojnë me armë kolegët, njerëz që e shfrytëzojnë komunikimin direkt me publikun për të quajtur vrasës kundërshtarët e tyre politikë. Por politika shqiptare nuk kishte nevojë për një humbje kaq të rëndë që të kuptonte fajet e mëdha.

Vrasja e djeshme politike e rikthen Shqipërinë në sy të të gjithë botës në vitet ’20, kur kundërshtarët politikë shkëmbenin atentate. Tani me humbjen më të madhe mbi kurriz, politikës shqiptare i mbetet vetëm të nxitojë që të gjenden autorët e ngjarjes, jo nga tribunat politike, por nga një grup hetimor i paanshëm ose i shumanshëm. Të parët që do të kërkojnë emrat e kriminelëve sapo të dalin nga trauma e parë e dhimbjes do të jenë familjarët e njeriut që ia fali jetën politikës. Dhe duhet të jetë më në fund një herë që në Shqipëri të gjenden vrasësit dhe ata që janë pas atyre. Askush nuk e mendoi dje dhe nuk e mendon as sot se vrasja e Hajdarit është një krim i palidhur me politikën. Në këtë situatë kaq të acaruar, ku prekja e një politikani të çfarëdoshëm do të shkaktonte luftë, vrasja e një politikani nga më aktivët është e vetmja gjë që duhet të eliminohej. E vetmja mundësi për t’i shpëtuar katastrofës tani mbetet fillimi i diçkaje të mirë, duke larguar nga politika të gjithë ata që shkaktuan direkt ose indirekt vrasjen më të rëndë të politikës shqiptare. Nëse Hajdari hyri në shtëpitë e të gjithë shqiptarëve si nismëtar i diçkaje të mirë, nuk duhet të ketë arsye që politika shqiptare ta shfrytëzojë për fillimin e konfliktit me armë. E kundërta do të ishte kujtimi i mirë për atë që solli pluralizmin në Shqipëri.

 

SHKARKO APP