Bardhi Sejdarasi: Çmenduria që gllabëroi paratë e shqiptarëve vazhdon. Ja “piramidat” e tjera…

(Botuar me 8 Shkurt 1998 në KOHA JONE)

Nga Bardhi Sejdarasi

TIRANË – Emra të rinj në listën e gjatë të fajdesë. Epidemisë që përfshiu tërë vendin në dy-tre vitet e fundit duket se nuk po i vjen ende fundi. Vetëm pak kohë më parë, Këshilli i Lartë i Mbikëqyrjes së Fajdeve lëshoi “SOS”, duke treguar se janë evidentuar edhe rreth 15 persona të tjerë fizikë a juridikë si dhe shoqëri me përgjegjësi të kufizuar që kanë marrë hua nga publiku i gjerë në harkun kohor të viteve 1992-1996, shuma kolosale në lekë dhe valutë të huaj. Sipas një llogaritjeje të përafërt, shqiptarët llogaritet se kanë humbur në këto firma rreth 535 milionë lekë shqiptare, 3,5 milionë USD, 42 milionë lireta si dhe 90 milionë dhrahmi greke. Nëse këtyre shumave kolosale do t’u shtohen edhe paratë e lëna në fajde në kompanitë e njohura “Vefa Holding” (300 milionë USD), “Gjallica” (450 milionë USD), “Silva” (50 milionë USD), “Kamberi” (30 milionë USD), Cenaj &CO (80 milionë USD), Sude (60 milionë USD) etj etj, del se shqiptarët kanë humbur praktikisht rreth 2 miliardë dollarë, skandali më i madh i njohur ndonjëherë në historinë botërore të skemave mashtruese piramidale.

Të nisura si veprimtari legale, që rregullohej nga neni 1051 e Kodit Civil, huamarrëset shqiptare tentuan, larg parashikimit në fantazist dhe më të çmendur, të gllabërojnë kursimet e shqiptarëve me një shpejtësi marramendëse. Skemat mashtruese shqiptare bënë që shtypi í huaj të shkruajë se një në çdo tre shqiptarë kishte humbur në skemat mashtruese, duke shënuar një rekord të denjë për Guiness. Një rekord që do të pasohej më pas nga një tjetër Guiness shqiptar, shkatërrimi total i shtetit pas shpërthimit të revoltave mbarëpopullore antifajde.

Viti shkatërrimtar 1977 do të jetë i vështirë të shlyhet nga kujtesa e shqiptarëve, jo thjesht për humbjen e parave dhe shpresat e pakta për kthimin e tyre, por për të vrarët dhe të plagosurit e shumtë, për gjymtimin e fëmijëve dhe të nënave, për shkalafitje e shtetit dhe të infrastrukturës së tij. Shkaku i vetëm dhe madje absolut ishte fajdeja, termi që pushtoi gazetat dhe median, i quajtur shkencërisht edhe huamarrja shqiptare. “Shpikja e shekullit” për shqiptarët, që të pasuronte sa hap e mbyll sytë, u bë më pas varrmihësi i kursimeve me gjak e djersë të shqiptarëve. Vetëm pak ditë më parë “epopeja” e fajdesë mbushi një vit. Shqiptarët ende nuk kanë mësuar se ku kanë shkuar paratë e tyre të dhëna hua në mirëbesim të atyre që do të quheshin “bosët” e fajdesë. Madje nuk kanë mësuar as edhe nëse do t’i marrin paratë e tyre apo edhe një pjesë të parave. Historia e fajdesë, gjithsesi vazhdon, përsëri vazhdon…

Krahas veprimtarive të mirëfillta piramidale si Fondacionet Bamirëse “Populli” dhe “Xhaferri” apo të shoqërive tregtare që kanë grumbulluar kapitale nga popullata si “Gjallica”, “Sude”, “Vefa”, “Kamberi”, “Cenaj”, “Silva” dhe “Leka”, kohët e fundit është bërë e ditur nga burime pranë Këshillit të Lartë të Mbikëqyrjes së Fajdeve, se janë evidentuar edhe disa persona fizikë a juridikë dhe shoqëri me përgjegjësi të kufizuara, të cilët në rrugë e forma të ndryshme, kanë grumbulluar nga popullata kapitalet e tyre si dhe letra me vlerë. Sipas të njëjtit burim mësohet se aktualisht janë shfaqur në procesin e huamarrjes mbi 15 firma në trajtën e personave fizikë a juridikë, apo të shoqërive tregtare me përgjegjësi të kufizuar. Kapitalet e grumbulluara prej tyre nga popullata lëvizin në kufijtë 0.5 deri në 2 milionë dollarë amerikanë të konvertuar, ndërsa në letra me vlerë nga 100 milionë deri në 700 milionë letra me vlerë për privatizim. Numri i personave që kanë depozituar kapitalet lëviz nga 200-1000 vetë. Aktiviteti i huamarrjes është zhvilluar kryesisht në vitet 1992-1996. Megjithatë detyrimet ndaj kreditorëve për kthimin e kapitaleve janë ende të mëdha. Në mënyrë të përmbledhur po paraqesim çka përfaqësojnë vetëm 12 prej tyre për të krijuar një përfytyrim më të plotë të pjesës më pak të dukshme dhe të përfolur të skemave mashtruese piramidale.

  1. Shoqëria “Fabiona” shpk, Vorë

Shoqëria “Fabiona” shpk, Vorë është themeluar mbi bazën e privatizimit të Fabrikës së Tullave në Vorë: Me vendim të Agjencisë Kombëtare të Privatizimit, në nëntor 1995, është shpallur fituese e tenderit të kësaj fabrike z. Tofik Hyka me vlerën e privatizimit të objektit për shumën 2.1 miliardë lekë, pagim të këstit të parë 210 milionë lekë dhe shitje të objektit në rezervë për 6 muaj. Aktualisht edhe pse ka kaluar mbi një vit e gjysmë, ky objekt mbetet ende i paprivatizur, ndërkohë që vazhdon të njihet si pronar i saj z. Tofik Hyka në kundërshtim me ligjin, procedurën e zhvillimit të ankandit dhe vendimin e Agjencisë Kombëtare të Privatizimit.

Kjo firmë gjatë viteve 1995-1997, nga të përndjekurit politikë ka grumbulluar letra me vlerë për shumën 667 milionë lekë me rreth 914 persona. Nga kjo shumë, janë likuiduar rreth 247 milionë lekë duke mbetur detyrimi për 420 milionë lekë. Për vitin 1996 fabrika rezultoi me 224 milionë lekë humbje dhe nuk shleu asnjë kreditor, ndërsa në vitin 1997 realizoi 40 milionë lekë fitim. Në shlyerjen e 247 milionë lekë kreditorëve të ndryshëm, pretendohet të jenë përdorur kapitalet e vetë pronarit. Pronari z. Tofik Hyka sipas një raporti të Këshillit të Lartë të Mbikëqyrjes ka paraqitur një plan biznes, sipas të cilit mendohet të realizohen për vitin 1998 rreth 156 milionë lekë fitim, nga të cilat rreth 60 për qind e tyre ose 94 milionë lekë do të përdoren për shlyerjen e detyrimeve të letrave me vlerë të të përndjekurve politikë. Shuma e mbetur prej 326 milionë lekë mendohet të shlyhet brenda vitit 1998, në rast se prej kësaj shoqërie do të realizohet marrja e një kredie për zgjerim aktiviteti të fabrikës prej 30 milionë dollarësh nga Shoqëria American Fidelity Trust.

Për shlyerjen e detyrimit të letrave me vlerë të të përndjekurve politikë, në afate kohore shoqëria “Fabiona” Shpk mendon të nënshkruajë një akt marrëveshje me Institutin e Integrimit të të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë. Me gjithë këtë, ende për zyrtarët që kontrollojnë transparencën e fajdeve nuk është bërë e qartë se cili do të jetë pronari i kësaj fabrike, pasi në ligjin ekzistues të privatizimit të objekteve shtetërore, nuk përcaktohen rastet e shitjes në rezervë të tyre. Pikërisht për këtë arsye, stafi i z. Farudin Arapi ka kërkuar të vendoset kryerja e procesit të kontrollit dhe administrimit të kësaj shoqërie nga ekspertë kontabël dhe administratorë të pavarur si dhe të përndjekurit politikë, të cilët kanë vendosur letra me vlerë në këtë shoqëri, të kthehen, kryesisht pas privatizimit të objektit në bashkortakë të saj.

  1. Shoqëria “Flora & Co”

Shoqëria “Flora & Co” është themeluar mbi bazën e privatizimit të Fabrikës së Tullave Silikate Yzberisht Tiranë, e cila ka një kapacitet 40 milionë copë tulla në vit. Privatizimi i këtij objekti u realizua me ankand në 22 dhjetor 1994 në vlerën 150 milionë lekë, me pronare Flora Elezin. Huamarrjen, kjo shoqëri e filloi në Janar 1995 deri në 30 Mars 1995 kryesisht: në blerjen e letrave me vlerë prej 145 milionë lekë letra me vlerë, në grumbullimin e lekëve të konvertuara në 468 mijë dollarë me interes 5 për qind në muaj. Gjatë vitit 1995 dhe 1996 janë paguar interesa me 5 për qind në muaj baras me 351 mijë dollarë, dhe janë shlyer kapitale në vlerë 50 mijë dollarë. Borxhi i mbetur është i barabartë me 65 mijë dollarë, ndërsa në letra me vlerë rreth 40 milionë lekë. Në shlyerjen e borxhit është përdorur kredia e siguruar nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve prej 250 mijë dollarë për të cilën kjo shoqëri ka detyrimet e mësipërme. Duke njohur nga afër gjendjen në këtë shoqëri ka qenë Këshilli i lartë i Fajdeve që ka kërkuar (pas pretendimit të znj. Flora Elezi, për kthimin e shumave të mbetura kreditorëve, brenda 3 mujorit të parë të vitit 1998) që Shoqëria “Flora & Co”, deri në likuidimin e plotë të kreditorëve që kanë investuar kapitalet e tyre pranë saj t’i nënshtrohet procesit të kontrollit dhe administrimit. Po kështu administratorët e Arapit mendojnë se nëse me të ardhurat financiare që do të realizohen në 3 mujorin e parë të vitit 1998, kjo shoqëri nuk shlyen kreditorët, pjesa e mbetur e kreditorëve të kthehet në bashkortak të shoqërisë.

  1. Shoqëria “Global Foods”

Shoqëria “Global Foods” ka filluar aktivitetin tregtar në vitin 1992 kryesisht në importimin e pajisjeve të naftës, tregtimin e karburanteve, artikujve ushqimore e industriale të konsumit të gjerë. Aktivitetin e huamarrjes nga publiku i gjerë, kryesisht në qytetin e Beratit dhe të Tiranës e ka filluar nga muajt tetor 1996 deri në dhjetor 1996. Sipas të dhënave të grumbulluara rezultojnë 272 kreditorë me 966.200 dollarë.

Nga verifikimi i likuiditeteve që disponon shoqëria “Global Foods” rezulton që në Bankën Tregtare Agrare ekziston letër krediti e çelur nga z. Gani Shehu për blerje gruri nga një firmë italiane për shumën 800.000 dollarë amerikan në kartelën bankare 01/1BD/97, por e pezulluar. Përveç kësaj, sipas një burimi të besueshëm pranë kryeministrisë, shoqëria “Global Foods” disponon asete prodhuese të tilla si Hotel turizmi “Valbona”, Tropojë me një vlerë blerje 350 mijë dollarë, linja e prodhimit të sallamit Fier me një vlerë rreth 1 milionë dollarë, linja e prodhimit të inerteve Mifol-Vlorë në bashkëpronësi për shumën 700 mijë dollarë. Edhe për këtë shoqëri, Këshilli i Lartë i Fajdeve ka kërkuar që të fillojë procesi i kontrollit dhe administrimit në shoqërinë “Global Foods”, duke u evidentuar numri i kreditorëve së bashku me shumat përkatëse që kanë investuar kapitalet e tyre në këtë shoqëri. Për detyrimet që do të ketë shoqëria “Global Foods” ndaj kreditorëve krahas vleftave të depozituara në llogarinë bankare mund të përdoret deri në shlyerjen e detyrimeve të kreditorëve dhe vlefta e objekteve që kjo shoqëri ka në pronësi.

  1. Shoqëria “Beno” shpk në Lushnjë

Shoqëria “Beno” shpk me administrator z. Refat Beno ka filluar aktivitetin e saj në qytetin e Lushnjes dhe të Elbasanit. Nga informacionet e grumbulluara për këtë shoqëri rezulton se në vitin 1995 ka filluar aktivitetin e saj tregtar kryesisht në eksportin e lëndës drusore dhe të prodhimit e tregtimit të tullave e tjegullave. Aktiviteti i huamarrjes nga publiku i gjerë ka filluar në vitin 1996 dhe, në bazë të një shkrese dërguar nga prefekti i Elbasanit, rezulton se u detyrohet kreditorëve të këtij qyteti për shumën 180 milionë lekë. Në muajin shkurt të këtij viti, ish-prokurori i përgjithshëm z. Alush Dragoshi i ka kërkuar prokurorisë Lushnje fillimin e çështjes penale. Mësohet se ndaj Refat Beno ka filluar pëndjekja penale në gjendje të lirë. Burime të komisionit qeveritar të transparencës pranojnë se i është kërkuar mendim Prokurorit të Përgjithshëm dhe atij të Rrethit Lushnjë, për hapat që duhet të ndërmarrin për Shoqërinë “Beno”, qoftë për përfshirjen e saj në procesin e kontrollit dhe administrimit, apo për vazhdimin e procesit të hetimit. Nga ana tjetër komisioni “Arapi” edhe për këtë shoqëri, ashtu siç përcaktohet në vendimin e Këshillit të Ministrave, ka kërkuar si të domosdoshëm procesin e kontrollit dhe administrimit, pasi, sipas tyre, kjo do të kontribuojë më shpejt për kthimin e vlerave pasurore të kreditorëve që kanë investuar kapitalet e tyre. Mësohet ndërkohë se nga z. Refat Beno pretendohet se ai disponon sasinë e lëndës së drurit për eksport, por që i është bllokuar, me të cilën garanton kthimin e të gjithë vlerave kreditorëve. Këshilli i Lartë i Fajdeve mendon ndërkohë që fillimi i procesit të kontrollit dhe administrimit dhe vazhdimi i veprimtarisë për eksportin e lëndës drusore, të jetë parakushti i detyrimit për kthimin e vlerave kreditorëve.

  1. 5. Firma “Nahlel”shpk, Lushnjë

Kjo firmë ushtron aktivitetin e saj në fshatin Fier i Ri, Lushnjë me një fabrikë të përpunimit të lëkurave. Aktiviteti i huamarrjes së kësaj firme nga popullata filloi në vitin 1996 për shumën rreth 39.5 milionë lekë, kryesisht në rrethin e Lushnjës, Elbasanit e Kavajës me interesa mujore 612 për qind. Në gjashtë mujorin e parë të vitit 1996 kjo firmë ka shlyer një pjesë të interesave të kreditorëve duke mbetur pa shlyer rreth 237 kreditorë. Mësohet se administratori i kësaj fabrike z. Hekuran Çela ende nuk është paraqitur, ndërsa i është kërkuar Prokurorisë shpallja si person i kërkuar. Duke qenë se Fabrika e përpunimit të lëkurës vazhdon aktivitetin, administratorët shqiptarë mendojnë se duhet të fillojë procesi i kontrollit dhe administrimit për grumbullimin kapitaleve dhe fillimin e kthimit të tyre kreditorëve.

  1. Firma “Agroni”

Kjo firmë është drejtuar nga Tom Leshdedaj me banim në Ravinjë të Kroacisë. Aktiviteti i saj është mbështetur kryesisht në tregtimin e floririt dhe të konfeksioneve, duke filluar nga viti 1991 deri në mars 1996, kryesisht nëpërmjet tre dyqaneve të çelura në Tiranë. Aktiviteti i huamarrjes ka filluar në vitin 1995 dhe ka grumbulluar rreth 600 mijë dollarë nga popullata kryesisht në Tiranë. Duke qenë se në muajin nëntor 1995 në biznesin e vajgurit (kontrabandë) pësoi një humbje prej 280 mijë dollarësh, nga e cila pretendon se filloi edhe falimentimi i firmës, u largua nga Shqipëria. Me anë të një letre pretendon të kthehet në Shqipëri për të likuiduar kreditorët. Këshilli i Lartë i Mbikëqyrjes, që është në dijeni të adresës së tij i ka kërkuar organit të Prokurorisë kthimin e tij për likuidimin e kreditorëve të vet, pasi siç pretendon i disponon kapitalet.

  1. Firma “Esperanca”shpk, Berat

Firma “Esperanca” shpk ka ushtruar aktivitetin e saj në qytetin e Beratit kryesisht në grumbullimin e duhanit dhe më pas eksportin e saj. Ka filluar nga aktiviteti i grumbullimit të duhanit në 6-mujorin e dytë të vitit 1996 kohë kur dhe filloi grumbullimi i kapitaleve nga popullata. Huamarrja përfshin rreth 170 persona me rreth 12 milionë lekë, 20 milionë lireta dhe 5 milionë dhrahmi. Presidenti i firmës “Esperanca” është z. Muharrem Kasemi, i cili nga shkurti 1997 është i larguar nga Shqipëria. Mësohet se Drejtoria e Policisë në Berat ka filluar kërkimin e këtij personi apo të personave të tjerë të familjes që mendohet të jenë të lidhur me të. Mësohet ndërkohë që ekziston një shqetësim i madh i kreditorëve të kësaj firme, që kërkojnë rikthimin e parave të lëna me fajde.

  1. Firma “Aserd”, Tiranë

Kjo firmë ka zhvilluar aktivitetin e saj tregtar në lokalin Bar Restorant – Bingo “Aulona” në Tiranë të Re me administrator të saj Azis Borakaj. Aktivitetin e huamarrjes e ka filluar në vitin 1996 dhe, që nga marsi 1997 nuk u ka dhënë interes kreditorëve, gjithashtu edhe kapitalet e veta. Mendohet që pranë kësaj firme të kenë depozituar kapitalet e tyre rreth 100 persona për shumën 350 mijë dollarë.

Kreditorë të veçantë shpeshherë sipas kontratave që kanë lidhur me këtë person, janë paraqitur pranë zyrave të tij për prishje të kontratës e kthimin e kapitaleve, por që janë mashtruar duke i dhënë në formë bamirësie vlera 10-12 mijë lekë dhe kur administratori e gjykonte të arsyeshme. Mësohet se administratori i firmës është larguar në Greqi dhe ende nuk është kthyer. Nisur nga fakti që ky huamarrës disponon vlera kapitali siç është Bar Restorant – Bingo “Aulona” me të cilën realizohen të ardhura, Këshilli i Lartë i Fajdeve mendon që firma t’i nënshtrohet procesit të kontrollit dhe administrimit dhe, në varësi të situatës, të gjykojë edhe shitjen e objektit për shlyerjen e kreditorëve.

  1. Firma “Al-Delon” Vlorë

Aktiviteti tregtar i saj ka filluar në vitin 1993 në qytetin e Fierit e më pas, në vitin 1994 krijoi zyrat e saj në qytetin e Vlorës kryesisht në tregtimin e artikujve industrialë dhe ato ushqimorë. Administrator i kësaj firmë është z. Arben Xhelaj ndërsa zëvendëspresident i saj z. Theodhori Pashaj, aktualisht drejtor i Ndërmarrjes së Gjelbërimit në Vlorë. Organi i Policisë dhe Prokurorisë në Vlorë ka shpallur kërkimin e administratorit të kësaj firme z. Arben Xhelaj. Numri i kreditorëve që kanë investuar kapitalet e tyre pranë kësaj firme mendohet të jetë rreth 200 vetë me rreth 1.5 milionë dollarë. Gjithashtu ka informacion për disa lokale dhe aktivitete që Xhelaj zhvillon në qytetin e Vlorës. Është kërkuar edhe për këtë firmë të fillojë procesi i kontrollit dhe administrimit, i cili të evidentojë pasurinë dhe detyrimet që ka ndaj kreditorëve dhe më pas të përcaktojnë kriteret për kthimin e kapitaleve.

  1. Firma “Geodrill” shpk, Kuçovë

Aktiviteti i kësaj firme ka filluar në tetor të vitit 1995 deri në tetor të vitit 1996, kryesisht në shpimin e puseve të ujit, ndërtim dhe tregti. Kapitali i firmës mendohet të jetë deri në 15 milionë lekë, kryesisht në pasuri të paluajtshme si objekte ndërtimi, magazina, dy autosonda shpimi, si dhe dy automjete, zis dhe saurrel. Administratori i vetëm i kësaj firme që nga viti 1997 ndodhet i larguar jashtë Shqipërisë.

  1. Firma “Dajko”, Kuçovë

Kjo firmë me përfaqësues të saj z. Bardhyl Dajko ka ushtruar aktivitetin e saj në qytetin e Kuçovës nga viti 1993 deri në vitin 1995 kryesisht në tregti mallrash, makineri bujqësore dhe nëpërmjet dy peshkarexhave në qytetin e Lezhës, edhe në zënien e peshkut. Procesin e huamarrjes e ka filluar në vitin 1994 ku mendohet të jenë përfshirë rreth 200 kreditorë me rreth 300 milionë lekë. Duke qenë se administratori i kësaj firme z. Bardhyl Dajko ndodhet në Shqipëri dhe ushtron aktivitet, duke patur njëkohësisht edhe prona e kapitale, është kërkuar që të fillojë procesi i kontrollit dhe administrimit për kthimin e kapitaleve kreditorëve.

  1. Firma “Cene”, Vlorë

Në këtë firmë kanë depozituar kapitalet e tyre rreth 100 familje nga fshati Janjar të Sarandës. Shuma e kapitaleve të depozituara në këtë firmë llogaritet të jenë në 85 milionë dhrahmi greke, 22 milionë lireta italiane dhe 2.5 milionë lekë. Administrator i kësaj firmë është z. Partizan Cene, i cili ushtron aktivitet tregtar kryesisht me pije alkoolike, në qytetin e Vlorës ku edhe ka një fabrikë për prodhim lëngjesh. Duke qenë se administratori i saj aktualisht ndodhet në Shqipëri dhe zhvillon aktivitet tregtar, është menduar të fillojë edhe në këtë firmë procesi i kontrollit dhe administrimit.

SHKARKO APP