Bashkim Fino: Qeveria e Pajtimit do të mbahet mend për mirë
(Botuar me 12 Prill 1997 në KOHA JONE)
Intervistë me kryeministrin Bashkim Fino
Pyetje: Një muaj më parë ju morët votëbesimin nga Parlamenti shqiptar. A jeni i kënaqur me funksionimin e deritanishëm të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar?
Nisur nga detyrat e vështira që ka kjo qeveri dhe mandati i kufizuar kohor, do të ishte më e udhës te thoshim se ndjejmë shumë më tepër përgjegjësi se sa ndonjë kënaqësi. Megjithatë, ka mjaft elemente që të japin kënaqësi. Një kënaqësi e tillë jo e vogël është edhe ridalja e gazetave shqiptare pikërisht në prag të muajit të parë të qeverisjes së pajtimit, duke përfshirë edhe gazetën tuaj të njohur. Më duket edhe kjo një shenje e mirë dhe premtuese po të kemi parasysh rolin e pazëvendësueshëm të shtypit, veçanërisht të atij të pavarur. Jo vetëm për informimin objektiv të publikut, por edhe të përcjelljes së mesazheve të paqes, konsensusit dhe mirëkuptimit ndërmjet të gjithë shqiptarëve.
Pyetje: Kritikët tuaj brenda dhe jashtë koalicionit thonë se Qeveria po tregohet joefektive në disa aspekte. Ku kanë dhe ku s’kanë të drejtë ata sipas jush?
Ne jemi të hapur ndaj çdo kritike. Aq me tepër në këto momente delikate reflektimi ndaj tyre nuk ka ndonjë të keqe. Natyrisht që sot nuk është shumë e vështirë të besh kritika ndaj qeverisë, madje të kesh edhe të drejtë në aspekte të veçanta. Veçse, pa hyrë në analiza, do të thoja se “kritikët“ e qeverisë që unë i respektoj sinqerisht, duhet t’i shohin gjërat dhe veprimtarinë e saj jo “sot për sot” por në procesin e tyre të natyrshëm. Kështu, mjaft masa që tashmë ne i kemi përcaktuar ose i kemi në proces, shumë shpejt do të kenë efektin e tyre pozitiv që do të bëhet i prekshëm. Me ketë shpresë dhe besim po punojnë anëtarët e Qeverisë sonë, me bindjen se nuk do të na mungojë as mbështetja e vërtetë e në vazhdimësi nga forcat politike përkatëse dhe subjektet e tjera politike dhe shoqërore.
Pyetje: Cili ka qenë momenti më i vështirë që keni kaluar qysh nga marrja e detyrës?
Padyshim ditët e para, kur në vend mbretëronte kaosi i pafund, kur administrata e pushtetit lokal pothuajse ishte paralizuar, ndërsa dikasteret qendrore, veçanërisht ato të mbrojtjes dhe të rendit pothuajse “ishin boshatisur”. Megjithatë do të shtoja se çdo moment nëpër të cilin kalon kjo Qeveri është i vështirë, për vetë gjendjen e krijuar pas krizës totale politike, ekonomike dhe institucionale.
Pyetje: Prodi ju takoi në Gjirokastër. A mendoni se ai kërkoi të shmangte kryeqytetin?
Mendoj se mesazhet e takimit “blic” me kryeministrin italian janë qartësisht të lexueshme. Ai takim mendoj se do parë pa kurrfarë paragjykimi, por në kushtet e gjendjes emergjente shqiptare me pasoja në gjithë rajonin e trazuar të Ballkanit.
Pyetje: Incidenti i Bushatit vazhdon të mbetet i pandriçuar. A e keni marrë ju raportin e organeve kompetente dhe nëse po, çfarë thuhet në të?
Siç e kam përmendur edhe në raste të tjera, incidenti i Bushatit nuk ishte një sfide ndaj meje apo disa ministrave të tjerë, as kundrejt ndonjë force politike te veçante. Nuk ishte as simptomë e ndonjë revolte apo ndarjeje Veri – Jug. Qysh ditën e incidentit përfaqësuesit e të gjitha ngjyrave politike dhe të pushtetit lokal të rrethit të Shkodrës më shprehën pa ekuivok mbështetjen e popullit demokrat të Shkodrës për Qeverinë dhe realizimin e misionit të saj të Pajtimit Kombëtar. Pavarësisht nga qëllimi i autoreve dhe nxitësve të asaj ngjarjeje të turpshme, nuk mund të sfidohet fryma e përgjithshme e paqes, mirëkuptimit dhe pajtimit që kjo qeveri kërkon të përcjellë në të gjithë vendin, pa kurrfarë dallimesh gjeografike apo politike. Prandaj, unë kam kërkuar dhe këmbëngulur që të hidhet dritë mirë mbi të vërtetën, të ndëshkohen shkaktarët dhe të shmanget përsëritja e incidenteve të tilla në të ardhmen. Besoj se dhe analizat dhe raportimet përkatëse do t’i përgjigjen shumë shpejt kësaj fryme.
Pyetje: Kur do te shkoni në Vlorë me kryeministrin italian?
Zoti Prodi është i mirëpritur në Vlorë dhe kudo në Shqipëri si kryetar i një qeverie të një populli fqinj dhe mik si Italia. Ne jemi të gatshëm dhe besojmë se pas përfundimit të procedurave të votëbesimit në Parlamentin italian do ta realizojmë një vizitë të tille së shpejti.
Pyetje: A mendoni se Marrëveshja e 9 marsit ju ka krijuar vështirësi, duke lënë jashtë saj zgjidhjen e problemit të RTV, SHIKU-t dhe marrëdhëniet me Parlamentin?
Marrëveshja e 9 marsit hodhi platformën e pajtimit kombëtar. Forcat politike pjesëmarrëse në të dhe Qeveria po bashkëpunojnë për realizimin hap pas hapi të kësaj platforme. Nisur nga rëndësia e institucioneve që ju përmendni me të drejtë në pyetjen tuaj, në marrëveshjen vijuese të 28 marsit të partive politike pjesëmarrëse në qeverinë e pajtimit janë përcaktuar disa linja veprimi. Qëllimi është i qarte: edhe SHIK-u dhe RTV me përmbajtjen dhe strukturat e tyre t’i përgjigjen sa më shpejt dhe mirë frymës së re politike të krijuar në vendin tonë. Kjo i takon edhe marrëdhënieve me Parlamentin shqiptar.
Pyetje: Si mendoni se do të flitet për Qeverinë e Pajtimit Kombëtar, të them pas pesë vjetësh?
Afati prej 5 vjetësh është disi i largët. Mua më duket se realizimi bashkë me forcat politike pjesëmarrëse në qeveri i objektivave madhore te përcaktuara në Marrëveshjen e 9 marsit, mund të na japë të drejtën morale që të kujtohemi për të mirë, megjithë kohëqeverisjen e shkurtër. Pyetje: A do te ketë zgjedhje në qershor dhe nëse jo, cili është marzhi më i pranueshëm i shtyrjes?
Gjithë impenjimi i Qeverise që kryesoj është zhvillimi i zgjedhjeve të reja parlamentare brenda muajit qershor. Madje, jo thjesht zhvillimi i një raundi zgjedhjesh parlamentare, por që ato të bëhen vërtet të lira dhe të ndershme. Për ketë u mblodhëm përpara disa ditëve me partitë politike dhe realisht ka filluar puna për hartimin e infrastrukturës elektorale në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin ndërkombëtar. Ardhja e forcës shumëkombëshe dhe e ndihmave emergjente të çfarëdo lloji, forcimi edhe pse ende jo me ritmet e kërkuara i rendit dhe qetësisë, funksionimi gjithnjë e më i mirë i pushtetit lokal dhe një sërë masash të tjera që po marrim janë premisa domethënëse në këtë fushë. Ndaj nuk do të doja që të parandillja ndonjë shtyrje të këtij afati.
Pyetje: Përkrahja ndërkombëtare për kabinetin tuaj duket të jetë e gjithanshme. A nuk do të ishte ky një faktor për më shumë iniciativë nga ana e qeverisë?
Përkrahja në fjalë është e dukshme dhe e pranishme në Shqipëri. Ajo pa dyshim është dhe do të jetë edhe më shume në të ardhmen faktor i domosdoshëm, jo vetëm për më shume iniciativë nga ana e kabinetit qeveritar, por për të gjithë Shqipërinë.
Pyetje: Komitetet e jugut janë një nga temat ku ju mendoni ndryshe nga kreu i shtetit. A do të vazhdoni ju të kontaktoni me ta në të ardhmen?
Në programin e saj që mori votëbesimin e Parlamentit plot një muaj me pare, qeveria e Pajtimit Kombëtar theksonte se do të merrte të gjitha masat për rivendosjen e normalitetit institucional dhe kushtetues në vend. Ajo shprehej se ishte e hapur për të dialoguar edhe me komitetet qytetare, gjithnjë në funksion të gjetjes se opsioneve dhe zgjidhjeve për rivendosjen e stabilitetit në vend. Mendoj se roli dhe veprimtaria e këtyre komiteteve me forcimin dhe funksionimin e pushtetit lokal dhe të organeve të rendit do të vije duke u sfumuar deri në shkrirjen e tyre, siç ka filluar të ndodhë në ndonjë rreth të vendit. Theksoj se si qeveri e pajtimit kombëtar, na takon që të dialogojmë me të gjithë shqiptarët, për të zgjidhur në rruge të drejte demokratike kërkesat dhe problemet që dalin.
Pyetje: A ekziston sipas jush rreziku i një krize qeveritare, duke pare disa qëndrime të parlamentit dhe forcave politike ndaj nismave tuaja ligjore dhe qëndrimeve të mbajtura?
Në gjendjen e krizës se gjithanshme në të cilën ndodhet vendi, rreziku i krizave qeveritare është gjithnjë i pranishëm, por jo i pashmangshëm. Forcat politike që e kanë krijuar dhe e sponsorizojnë këtë qeveri e kanë plotësisht në dorë për të parandaluar një gjë të tillë. Toleranca, kompromisi, dialogu dhe mirëkuptimi i vazhdueshëm është ilaç më i mirë në këtë drejtim. Mendoj gjithashtu se sa më shumë t’i afrohemi realizimit të objektivave të caktuara, aq më e vogël bëhet mundësia e krizës qeveritare. Këtij qëllimi ne i jemi përkushtuar me të gjitha forcat dhe energjitë.
Intervistoi: S. Minxhozi