Baton Haxhiu: Në kërkim të Shqipërisë etnike

(Botuar me 23 nëntor 2003 në KOHA JONE)

Nga Baton Haxhiu-

-Askush s’ka guxim të merret seriozisht me projektin e tregut shqiptar shtatëmilionësh, si mundësi e vetme e funksionimit dhe e ekzistimit normal të ekonomisë, deri në aderimin e shqiptarëve në BE. Të gjithë, idenë e Bashkimit e kanë ose të imagjinuar ose e shumta të simbolizuar në prognozën e motit nëpër televizionet e Prishtinës, Shkupit dhe Tiranës-

Tri televizionet kombëtare në Kosovë dhe të gjitha gazetat ditore e kanë një hapësirë të vogël në ekran, respektivisht në gazetë, për motin sot dhe nesër. Në këtë hapësirë mund ta gjesh parashikimin e motit ne tri qytete: Tiranë, Prishtinë dhe Shkup. Në pamje të parë, parashikimi i motit do të kishte domethënie të thjeshtë – prognozimi i kushteve meteorologjike në hapësirat ku shëtisin shqiptarët. Por, e vërteta e tregimit për motin ka një domethënie tjetër. I përngjan asaj që dikur e bënte edhe Kroacia edhe Serbia gjatë luftërave të viteve nëntëdhjetë. Vizatimin e dëshirës dhe vullnetit politik përmes rubrikës: Parashikimi i motit. Televizioni i Kroacisë e tregonte motin për Bosnje-Hercegovinën, kurse Televizioni i Serbisë e tregonte motin për Republika Srpska dhe për Republikën Autonome të Serbëve të Kroacisë. Në Shqipëri, asnjë prej televizioneve nuk e përdor simbolikën e Parashikimit të Motit për të ngashënjyer e cytur dëshira e vullnete politike. Në Prishtinë e Shkup – po.

Ekuivalenca e parashikimit të motit

Ndoshta edhe ngjashmëritë janë të rastësishme, por kjo tregon se ambiciet e popujve të Ballkanit janë të përqendruara në ide të ngjashme. Përngjasimi i Prognozës së Motit mes Serbisë, Kosovës dhe Kroacisë janë të një ekuivalence. Diferencat na paraqiten kur nisim të flasim për strategjitë e sendërtimit të këtyre vullneteve, duke na i prezantuar dallimet mes këtyre vendeve si esenciale.

Tregimi

Prognozën e Motit është shpjegimi më i mirë se çfarë në të vërtetë kanë për vullnet popujt e Ballkanit, por për dallim nga Serbia dhe Kroacia, Kosova dhe Shqipëria, asnjëherë nuk e kanë shqyrtuar seriozisht Idenë e Bashkimit. Nuk kanë pasur platformë politike dhe nuk kanë pasur një bosht, as politik, as kulturor dhe as ekonomik që i bashkon. Gjatë gjithë periudhave të ndryshme, kur është përmendur Bashkimi i Shqiptarëve, organizimi politik ose ka pasë, të shumtën, formën somaleze të organizimit (organizim në formë të feudeve politike), ose s’ka pasë dëshirë politike për këtë gjë. Më e keqja është se vendet ballkanike dhe vendet e tjera në botë, në situata të ngjashme, e kanë pasur një autoritet fetar që i ka bashkuar forcat politike në një qëllim të tillë. As sot e kësaj dite nuk kemi organizimin politik dhe një autoritet fetar që do t’i niste shqiptarët në Procesin e Idenë e Bashkimit. Një ide e përfolur shumë, e bërë në vitet e nëntëdhjeta nga përfaqësuesit e Lidhjes Popullore të Kosovës, shpeshherë e vizatuar në facoleta me kufij sipas dëshirës dhe momentit, më vonë u shndërrua në idenë për luftë çlirimtare dhe për bashkimin e të gjitha trojeve etnike. Ideja e bërë në vitet e nëntëdhjeta, u zbeh menjëherë pas fillimit të luftës në Kosovë. Askush me nuk e përmendi Bashkimin, sapo u ballafaqua me realitetet politike, diplomatike dhe ushtarake në rajon, si dhe me pafuqinë e shtetit shqiptar për t’i hyrë një ideje të tillë. Kështu që, Ideja e Bashkimit mbeti në ilegalitet. Dhe vazhdon të mbetet si e tillë vetëm në një kompjuter të Armatës Kombëtare Shqiptare, e cila paguan ëeb-faqen e saj vjetore, ose në një oaz të Luginës së Pres hevës, e cila po ashtu është ilegale.

Reminishenca e emigracionit shqiptar

Reminishenca e emigracionit shqiptar, e paraqitur këto ditë në formën e një Peticioni me nënshkrime të mbledhura, katër vjet pas luftës çlirimtare, më shumë është shpalosje e pafuqisë së kësaj lëvizjeje, se sa një ide që realisht është funksionale. Më shumë është shpalosje e të zhgënjyerve se sa e besimit në një ide të tillë. Por, çka solli të re ky Peticion i Lëvizjes Popullore të Kosovës krahasuar me reminishencat e emigracionit shqiptar. Dallimi qëndron në kulturën e të paraqiturit të idesë, në formën procedurale të saj, dhe në dëlirjen dhe zhveshjen nga tërë ajo ikonografi kuazinacionaliste e emigracionit. Mbi të gjitha, përcaktimi për këtë formë civilizuese sinjalizon diçka esenciale – heqje dorë nga çfarëdo dhune. Le ta hedhim një shikim të shkurtër në qendrën tjetër gravitacionale të kësaj çështje Shqipëri. Në një udhëtim nga Prishtina për në aeroport, me Fatos Lubonjën, Remzi Lanin dhe Blendi Fevziun, seç iu kujtua Fatosit ta hapë idenë për një debat për Bashkimin e Shqiptarëve. “Pse të mbetet tabu kjo temë”, thoshte Fatos Lubonja. Mbeti që të niset një debat në Shqipëri, sa për të shqyrtuar të gjitha dilemat rreth kësaj ideje. Por, nga Tirana s’u dëgjua gjë. As menjëherë, as më vonë. Kjo ide mbeti e heshtur. Nuk e hapi askush, edhe pse Fatosi dukej i entuziazmuar. Remzi Lani e përsëriti atë që dikur e kishte thënë në “New York Times” se “do të bashkohemi, nëse një forcë e tretë na bën këtë, psh Këshilli i Sigurimit. Nuk do të ishim kundër kësaj”, ishte shprehur ai. Dhjetë vjet më vonë, një gazetar dhe ish-diplomat shqiptar, tashmë analist në BBC, Paulin Kola, e kishte marrë një bursë për ta hulumtuar këtë temë. Një libër i botuar ditë më parë në Britani ka shpalosur idenë e Shqipërisë së Madhe si të paqëndrueshme. Pas një hulumtimi të gjatë ai ka konstatuar se “idenë e bashkimit nuk e gjeta as në Tiranë, as në Prishtinë dhe jam në kërkim të saj edhe më tutje”. Pavarësisht nga dimensionet politike të kësaj ideje, ajo që mund t’i shtohet gjithë kësaj është se askush në Kosovë dhe Shqipëri s’ka guximin të merret seriozisht jo me projektin politik, por me projektimin ekonomik të kësaj ideje – Tregun Shqiptar 7 milionësh! Tregu i Përbashkët Shqiptar do mund të ishte një mundësi e funksionimit dhe e ekzistimit normal të ekonomisë deri në aderimin e shqiptarëve në BE. Tashmë kemi kontratën e 1 %-it për shkëmbim të mall rave ndërmjet vendeve ballkanike. Në këtë kontratë rajonale hynë edhe Kosova dhe Shqipëria. Lëvizjet e mallrave ndërmjet nesh ende janë më të ulëtat. Pse ndodh kështu? Sepse, të gjithë mbeten peng të një iluzioni politik ose shprese se diçka e tillë mund të na vijë nga Këshilli i Sigurimit. Të gjithë idenë e Bashkimit e kanë ose të imagjinuar ose e shumta të simbolizuar në Prognozën e Motit nëpër televizionet e Prishtinës, Shkupit dhe Tiranës.

 

 

 

 

 

SHKARKO APP