Bëhen të njohur 100 kodikë të Shqipërisë
(Botuar me 14 nëntor 2003)
Prof. As. Dr. Kaliopi Naska
Prof. As. Dr. Shaban Sinani
Në librin “Kodikët e Shqipërisë”, vepër shkencore e ilustruar, janë përzgjedhur e botuar pjesa më e madhe e artikujve dhe shkrimeve me karakter studimor e njoftues për dorëshkrimet ungjillore, që i janë paraqitur publikut për një periudhë afro 135-vjeçare, qysh se ipeshkvi i Beratit. Anthim Aleksudhi (Anthimus Alexoudes), dijetari, “miku i artit”, siç e quanin me mirëdashje në Kostandinopojë, përshkoi për të parën herë, në librin e tij “Përshkrimi shkurtër i mitologjisë së shenjtë të Beratit, disa nga kodikët më të vjetër, që ruheshin në kishat e manastiret e besimtarëve shqiptarë. Në vepër janë përfshirë dhe studime të paleografëve, tekstologëve, kataloguesve dhe bibliologëve të huaj e vendës.
Tradita e shkrimeve kishtare
Sikurse do të vihet re prej vetë lexuesit, tradita e shkrimeve kishtare në Shqipëri ka pasur më shumë vëmendje në shkencën botërore se sa në atë antropologjike shqiptare, në atë kuptim që shkenca amerikane njëson dijen për historinë e kulturës njerëzore. Kjo lidhet me shumë arsye, nga të cilat njëra është ajo e pozitës ateiste të shtetit shqiptar për një periudhë relativisht të gjatë, por kryesorja është mungesa e specialistëve me njohuri ndërdisiplinore për të gjykuar e vlerësuar. Studiuesit e huaj ia kanë kushtuar vëmendjen kryesore “Kodikut të Purpurt të Beratit”.
Codex Purpureus Beratinus F i njohur gjerësisht me emrin e shkurtër “Beratinus”. Në fakt emrin e Beratit e ka marrë si binom edhe ‘Kodikui Artë Anthimit”, i cili mbiquhet shpesh “Beratinus-2”. Kjo ka ndodhur jo vetëm për faktin; J “Beratinus” i takonte një periudhe shumë të hershme (i shkruar në kufijtë e fundme të paleokrishtërimit); jo vetëm sepse për një kohë të gjatë emri i tij është lidhur e vazhdon të lidhet me emrin e Shën Gjon Gojartit (Joan Chrysostome), një prej protagonistëve dhe reformatorëve më të mëdhenj të historisë së krishtërimit të hershëm; jo vetëm sepse dorëshkrime si “Beratinus” kanë mbijetuar në botë më pak se gishtat e dorës; por, mbi të gjitha, për faktin se, siç e ka vënë re mençurisht P. Batiffol, në tekstin e këtij dorëshkrimi ka herë pas here “shmangie leximi” (“conflate reading”), që lidhen me karakterin jonormativ të këtyre fragmenteve kalimtare.
Historia e mendimit ungjillor
“Beratinus” mori rëndësi botërore si një dorëshkrim i hershëm që mund të ndihmonte për të plotësuar historinë e zhvillimit të mendimit ungjillor, nëpërmjet studimeve të posaçme të tekstologjisë kritike (“textual criticism”), që mund të thuhet se, në dijen shqiptare, sapo kanë filluar. Në një vështrim më të gjerë këto studime do të evidentonin se çfarë ndodhi në procesin e kalimit prej fjalës së shenjtë tek shkrimet e shenjta, prej predikimit ungjillor gojor tek predikimi kanonik. Rëndësia e “Beratinus-it” u theksua edhe më nga fakti se në tipologjinë e tekstit të tij gjenden gjurmë të shkrimeve sirake (të Lindjes) dhe të Perëndimit njëherësh. Këtij mendimi i janë përmbajtur shumë dijetarë, prej Batiffol-it deri tek Aleks Buda e më pas Roderic L. Mullen. Kjo e bën atë një prej dorëshkrimeve më të rëndësishëm për të krahasuar shkollat e shkrimeve ungjillore dhe procesin historik të kanonizimit të shkrimeve t ë shenjta në përgjithësi.
Numri i kufizuar
Për fat të keq, numri i kodikëve me njohje ndërkombëtare të ruajtur në Shqipëri, duke përjashtuar “Kodikun e Artë të Anthimit” (një dorëshkrim i rrallë krysografik, në pergamenë të purpurt) dhe disa të tjerë, me gjithë këtë vëmendje, që e tejkalon interesin e shkencës vendëse, është i kufizuar. Të paktë kanë qenë ata që kanë bërë studime duke pasur njohje të drejtpërdrejtë për kodikët. Disa të tjerë kanë shkruar duke pasur si burim jo vetë kodikët, por studimet mbi to. Në Shqipëri dijetari i parë që ka bërë të ditur ekzistencën e Beratinus-it dhe të disa kodikëve të tjerë ka qenë Ilo Mitkë Qafëzezi. Ky qe më shumë i preokupuar për “Kodikun e Kostë Beratit”, në të cilin gjendej një alfabeti panjohur i shqipes me grafema helene, por nuk harroi të përmendte pak më gjerësisht vlerat e thesarit dorëshkrimor beratas. Me këtë rast ai krijoi edhe neologjizmin “shkresë dore”, për “manuscript”- dorëshkrim, që nuk pati fat të mbetej në gjuhën aktive. Redaksia që përgatiti veprën “Kodikët e Shqipërisë” parapëlqeu në kriter përzgjedhjen e studimeve dhe artikujve me karakter shkencor, botuar në revista akademike universitare dhe buletine shkencore. Një numër artikujsh të botuar herë pas here në shtyp thjesht për qëllime njohjeje dhe vlerësimi nuk janë përfshirë. Për ndonjë prej këtyre të fundit, që ka pasqyruar përparim të dijes e të informacionit rreth kodikëve, është bërë përjashtim. Duke iu përmbajtur kuptimit terminologjik që i është dhënë fjalës “kodik” në arkivistikë, kanë mbetur jashtë kësaj vepre një numër studimesh me karakter filologjik, ndër të cilët veçohen studimet e albanologut gjerman Armin Hetzer, shkrimet e të cilit kanë pasur dhe kanë rëndësi për të bërë të njohura vlerat gjuhësore të disa kodikëve të Shqipërisë, si dhe studimet e akademikut Alfred Uçi kushtuar veprës së Teodor Kavaliotit: logjikës, fizikës dhe metafizikës së tij, tekste të akademisë së Voskopojës.
Fondi i rrallë
Me kodikë të Shqipërisë” në këtë vepër, me ndonjë përjashtim tejet të rrallë, kuptohet vetëm “Fondi 888”i AQSH-së, ku janë koleksionuar 100 kodikë dhe 17 fragmente. Ndoshta numriikodikëve që gjenden në fonde të tjerë në këtë arkiv (arkipeshkvia e Gjirokastrës/Drinopolit, arkipeshkvia e Shkodrës, manastiri i Shën Gjon Vladimirit dhe disa fonde të tjerë, nominale) është i barabartë me ato të “Fondit 888”. Por këto janë ende të pakataloguar në një regest tërësor. Ka dhe përto të dhëna të thjeshta informimi, por në fondin ku gjenden. Disa kodikë, si “Liturgjia e Shën Gjon Gojartit”, që përshkruan Batiffol-i, pa bërë fjalë për disa të tjerë që ky nuk arriti t’i shohë me sy, si një kodik i shekullit të parë që ruhej në Gjirokastër, si dhe një kodik tjetër i shekullit të 4-t, ekzistenca e të cilëve pa dyshim do të ndryshonte kalendarin e kulturave në shkallë europiane e botërore, sikurse dihet, më vonë u zhdukën pa gjurmë. Tani ato ekzistojnë vetëm në përshkrimet e studiuesve. Një numër i madh kodikësh gjenden në institucione të tjera: në Bibliotekën Kombëtare, në Muzeun e Artit Mesjetar të Korçës, në bibliotekat e institucioneve të Akademisë së Shkenncave, si dhe në bibliotekat e qytetarëve. Deri në fillim të viteve 1990, nga veprimtarët e shërbimit arkivor, janë raportuar dëshmi për ekzistencën e kodikëve të tjerë mesjetarë në familjet qytetare shqiptare. Në këtë kuptim, mungon një regjistër kombëtar, ndërinstitucional, i të gjithë kodikëve të Shqipërisë.
Karakteri katalog
Shumica e shkrimeve që botohen në këtë vepër janë të karakterit “katalog”. Alexoudis përshkroi 6 dorëshkrime. Batiffol përshkroi e analizoi 16, megjithëse përmendi shumë më tepër: nuk pati mundësi t’i shihte e t’i analizonte. Në formën e një katalogu paraqitet edhe studimi i Johannes Koder-it e Erich Trapp-it: Këta patën mundësi të vizitojnë arkivat e Shqipërisë dhe të shohin koleksionin e kodikëve që ishin mbledhur deri atëherë (mesi i viteve 1960) dhe ruheshin në AQSH. Studimet e tyre shpallën në listat ndërkombëtare ekzistencën e një numri kodikësh të panjohur të botës shqiptare. Në atë kohë një pjesë e madhe e kodikëve gjendeshin ende në pronësi të kishave dhe manastireve dhe kodër-Trapp nuk patën mundësi t’i katalogonin të gjithë. Një skedë me të dhëna të plota të përditësuara u përgatit prej tyre për dy më të rëndësishmit e kodikëve të Shqipërisë: Beratinus-1 e Beratinus-2. Në këtë botim nuk janë përfshirë katalogët e R. Gregory-t (botuar në fillim të shekullit të 20-të) dhe të Gregory-Aland (botuar në fund të shekullit të 20-të), sepse në to bëhet fjalë për rreth 5000 dorëshkrime me karakter kishtar dhe në to disa kodikë të Shqipërisë përmenden sipas radhës kronologjike në listë, por jo më vete. Në këto studime, për vetë karakterin global të tyre, për kodikët e Shqipërisë bëhet fjalë kalimthi. Kataloguesit e huaj gjithnjë i janë përmbajtur ndarjes së dorëshkrimeve ungjillore në tre grupe: 1. Maiuscule (shkronjë mëdha); 2. Minuscule (shkronjë vogla) dhe 3. Lectionary (ligjërata ungjillore, fragmente ungjijsh, ungjij në perikope). Të dhënat e kataloguesve të mëdhenj të letërsisë ungjillore (Gregory-Aland), sa u takon kodikëve të Shqipërisë, megjithatë, janë të pranishme në këtë vepër përmes evokimit të tyre prej studiuesve të tjerë.
Historia
Në Shqipëri një katalog të kodikëve të Shqipërisë pati përgatitur Theofan Popa, i cili iu kushtua kësaj pune në vitet e fundit të jetës së tij, në vitet 1980. Katalogu i Popës u përgatit për nevoja shërbimi, si mjet informimi dhe kërkimi arkivor. Në këtë katalog, përgjithësisht, kodikët renditen sipas radhës kronologjike, por jo gjithnjë respektohet kriteri kronologjik, kryesisht sepse dorëshkrime të hershme janë zbuluar e pranuar në arkiv në një kohë kur vendin e tyre sipas radhës kohore e kishin zënë të tjera, që ishin bërë më herët pronë e arkivave. Në përshkrimet e Popës herë pas here, në të rrallë, përmendet edhe numri i referencës në inventarët e Gregory-Aland, por nuk zbatohet kriteri klasifikues i tyre. Ende mungon një analogim përfundimtar i numrave të referencës të dorëshkrimeve ungjillore të Shqipërisë në katalogun e AQSH-së dhe në katalogune Gregory-Aland apo të Kodër-Trapp. Botimi “Kodikët e Shqipërisë” mundëson komunikimin e studiuesve brenda dhe jashtë vendit, duke siguruar, pikë së pari, identifikimin e të njëjtit objekt. Duke qenë se katalogu i Popës nuk qe përgatitur nga autori si një vepër për botim, redaksisë i është dashur të punojë me përgjegjësi me daktiloshkrimin, për qartësimin e mendimit dhe rrjedhshmërinë e frazës, për saktësimin dhe njehsimin e termave, si dhe për disa plotësime të domosdoshme.
Rëndësia
Merr rëndësi, në këtë kuadër, studimi i Dr. Roderic L. Mullen, nga universiteti i Birmingamit, i cili përshkroi dhe krahasoi, ndonëse jo tërësisht (vetëm për dorëshkrimet me karakter ungjillor) numrat e referencës të katalogut të Gregory-Aland me ato të katalogut të Popës, duke lehtësuar e mundësuar shfrytëzimin e literaturës shkencore tradicionale dhe të re për kodikët.
Katalogu i Popës, së bashku me studimin hyrës, që është e para vepër me të dhëna arkeografike dhe kulturore-historike thuajse për të 100 kodikët e “Fondit 888”, i cili gjithashtu u krijua nën drejtimin e tij; botohet për herë të parë.
Renditja e artikujve dhe studimeve të përfshirë në këtë vepër bëhet sipas radhës së botimit. Kjo për të respektuar autorët, përparësitë e tyre, si dhe për t’i dhënë mundësi lexuesit të vërejë se çfarë ka sjellë të re, në kohën dhe kontekstin e vet, secili nga studiuesit që është marrë me kodikët. Katalogu dhe studimi hyrës i Popës është vendosur në kronologji, duke pasur si referencë datën e përfundimit dhe të dorëzimit në AQSH (mesi i viteve 1980). Në shkrimin e emrave të njerëzve dhe të vendeve redaksia ka zbatuar parimin e drejtshkrimit të shqipes, sipas të cilit forma më e hershme e një huazimi është normë formuese, përkundër të tjerave, që mbeten në përdorim më të kufizuar. Shqipja është një gjuhë që e ka prekur fjalorin biblik qysh prej kohës së krishterimit të hershëm. Një varg emrash të përveçëm biblikë e ungjillorë, toponime historike të kësaj hapësire, emra të përgjithshëm të terminologjisë kishtare, kanë, për këtë shkak, formën e tyre të shqipëruar. Kështu, është shkruar, Gjon” për Joan”, sepse forma, Gjon” del si e tillë në trajtë të shkruar në faltoret e shqiptarëve qysh në shekullin e 7-të.
Megjithatë, në të shumtën e rasteve, kur emrat e përveçëm nuk kanë të bëjnë me figura biblike, por me personazhe historikë, në kllapa është dhënë edhe forma e huazimit të mëvonshëm të të njëjtit emër biblik, kurse në disa raste të tjera është zbatuar parimi historik dhe është respektuar forma që ka përdorur vetë personaliteti, si: Jan Kukuzeli i Ri, Joasafi i Beratit etj. Pothuajse të gjithë artikujt dhe studimet e këtij botimi, duke qenë se kanë qenë shkruar dekada e shpesh shekuj më parë, redaksia i ka pajisur me shënime shpjeguese, saktësuese ose krahasuese, në dy forma: Si shënime të brendashkruara në tekstin e autorit, duke bërë dallimin me kllapa (katrore ose të kurbëta) dhe si shënime në formën e fusnotës. Në rast se autorët kanë pasur vetë shënime në formë fusnote, shënimet e redaksisë janë dalluar me korsiv. Për të lehtësuar kuptimin e kësaj lënde relativisht të panjohur në botën shqiptare të letrave është përgatitur një fjalorth shpjegues. Theksojmë se fjalorthi u referohet kuptimeve që kanë këto terma në studimet për kodikët. Në raste të veçanta, kur ka qenë e nevojshme të saktësohet një kuptim prej tjetrit, është dhënë edhe përmbajtja semantike e termit në përdorimin kishtar. Për botimin e kësaj vepre, nga redaksia, punonjësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave dhe bashkëpunëtorët e saj të jashtëm, është punuar afro tre vjet. Një punë e vështirë ka qenë përzgjedhja dhe përgatitja e ilustrimeve, që janë pjesë e rëndësishme e promovimit të kësaj pasurie të madhe. Redaksia e ndien të nevojshme të falënderojë përzemërsisht Presidentin e Republikës, Alfred Moisiu, i cili i ofroi kujdestarinë e vet të lartë këtij botimi dhe përgatiti me këtë rast një përshëndetje inkurajuese për punë të mëtejshme. “Kodikët e Shqipërisë” botohet me mbështetjen financiare të Unesco-s. Ne falënderojmë personalisht Dr. Koichiro Matsuura, Drejtor i Përgjithshëm i Unesco-s, që vlerësoi rëndësinë e këtij projekti dhe e përshëndeti atë me një fjalë hyrëse të ngrohtë dhe dashamirëse. Një falënderim i përveçmi përket Institutit Arkeologjik të Akademisë së Shkencave të Kinës (Pekin), specialistë të të cilit shpëtuan nga dëmtimii pandreqshëm dy kodikët më të vjetër Beratinus, duke i restauruar me teknologji bashkëkohore dhe duke ua zgjatur jetën për shekujt e ardhshëm. Për fat të keq, nuk qe e mundur që të përfshihej në këtë botim ndonjë studim i këtyre specialistëve, megjithëse Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave shprehu interesin e vet për këtë. Me këtë vepër do të rezultojë e nevojshme që shkenca shqiptare të këmbëngulë për një përmasë të re të dijes etnologjike, si dije antopologjike, siç kuptohet ky term në shkencën e sotme euro-amerikane (cultural anthropology.).
Kjo do t’i lejonte që etnologjia të bënte objekt studimi dorëshkrime të krijuara ose të ruajtura në hapësirën shqiptare dhe nga njerëz shqiptarë, në gjuhë dhe shkrime të kulturave perandorake (greqisht, latinisht), të lidhura me kryeqendrat e këtyre kulturave, me rëndësi për historinë e krishtërimit të hershëm dhe të mendimit të krishterë në tërësi, me rëndësi për ndikimin në botën shpirtërore laike të kësaj hapësire. Këto dorëshkrime nuk janë traditë kombëtare në kuptimin e ngushtë të fjalës, por janë pjesë e identitetit kulturor të shqiptarëve në kuptimin e gjerë të fjalës, janë pjesë e vlerave europiane të kësaj kulture. Hapi më i afërm i një strategjie afatgjatë, që do të lejonte integrimin në tërësi të dorëshkrimeve kishtare të Shqipërisë në inventarët botërorë të tyre, do të ishte:- Botimi në gjuhë të huaj i kësaj vepre që po i paraqitet lexuesit;-Përgatitja e një katalogu me të dhëna të plota për pjesën tjetër të kodikëve të Shqipërisë, të ruajtur jashtë ‘Fondit 888″;- Krijimi i një inventari kombëtar të këtyre dorëshkrimeve, pavarësisht se pranë cilit institucion ruhen (duke përfshirë edhe ato të familjeve); Botimi në shqip e gjuhë të huaj i një katalogu me të dhëna ezauruese për gjithë fondin e shkrimeve të krishtera në Shqipëri. E ndiejmë të nevojshme të theksojmë se lexuesi do të gjejë në këtë vepër një botim me karakter laik, në të cilin historia e dorëshkrimeve biblike e ungjillore, si dhe historia e besimit, qoftë studimet e autorëve të huaj, ashtu dhe në ato të autorëve shqiptarë, shihen kryesisht si histori kulture. Studimet e tekstologjisë kritike biblike janë një çështje më e thellë, që pret këshillimin e dijetarëve të specializuar, dhe që i takon një të ardhmeje jo të largët. Shoqata Ndërkombëtare Biblike, me qendër në Londër, që po punon për redaktimin e tekstit të Dhiatës së Re mbi bazën e referencave të dorëshkrimeve më të vjetra, me qëllim që ky tekst të jetë i pranueshëm për të gjitha kishat, dorëshkrimin “Beratinus” e vlerëson si një prej pikëmbështetjeve më të rëndësishme të nismës së saj.