Ben Andoni: Qeveria shqiptare fillon përpjekjet për të sjellë internetin në vendin tonë

(Botuar me 26 Tetor 1997 në KOHA JONE)

Nga Ben Andoni-

Projekti i hershëm i Telekomit shqiptar për zhvillimin e këtij rrjeti, tani duket se ka marrë formë më të pastër. Projekti synon, përveç kësaj të shfrytëzojë infrastrukturën reale të Telekomit shqiptar. Kjo është gati, që duke shfrytëzuar projektin e Ballkanit për fibrën optike që kalon në bregdetin tonë, të ofrojë shërbimet e mundshme të Internetit për abonentët e saj. Deri tani në këtë sipërmarrje, ajo ka qëndruar në vend. Arsyet kanë qenë nga më të çuditshmet dhe këto shkonin sipas atyre që gjithmonë nuk duan të identifikohen nga mossurvejimi dot i lirisë së informacionit, deri në pengesa të shumta subjektive apo objektive që në Shqipëri janë shumë aparente. Si gjithmonë nuk përjashtohen pengesat politike. Paradoksi ishte se nga ky shërbim ajo mund të fitonte jo pak.

Historia e shkurtër e “pushtuesit” elektronik

Ne fund të viteve ’70, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ishte në përpjekje për të bërë realizimin e një projekti ushtarak që do të kishte si qëllim kryesor lidhjen e kompjuterëve të përdoruesve të tij në një sistem. I gjithë ky program ishte në kuadër të kërkimit të një rrjeti lokal i cili quhej DARPA. Ata që e kishin iniciuar këtë rrjet kishin menduar që ky duhet të ishte një rrjet që do të respektonte individualitetin e çdo njësie. Me fjalë të tjera nuk kërkohej që njësi të ndryshme, të cilat mbulonin veprimtari të shumëllojta të punonin në sisteme operative të njëjta (p. sh. MS-DOS, Macintosh System, Windows, Unix). Arsyeja ishte e thjeshtë që shfrytëzuesi mos të shfrytëzonte vetëm një sistem operativ.

Rezultatet dolën me tepër se inkurajuese, menjëherë u krijua dhe u popullarizua një projekt i ri i cili u quajt ARPANET (që në fakt në vetvete do të përcaktonte efektivitetin e kompjuterëve) kështu që janë tejkaluar “pa dashje” për masat e një projekti ushtarak. Në vitin 1975, ai është ndarë si një rrjet i veçantë. Për këtë atij i duhej të punonte me një protokoll (sistem) të veçantë dhe përfundimisht në vitin 1983, protokolli FTP (File Transmit protocol), i shfrytëzuar prej ARPANET, është aprovuar si standard i nevojshëm. Mundësia për eksportimin e disa file në operatorë të ndryshëm ishte me të vërtetë një mrekulli që nuk harrohet lehtë nga ajo kohë. Në atë kohë projekti ARPA u nda në dy degë “ARPANET dhe MILNET” këto të dedikuara vetëm për protokollin ushtarak të armatës amerikane. Këto dy emra më vonë lindën termin INTERNET. Ky term me të cilin njerëzit kishin filluar të njihnin këto dy rrjete fitoi “autonominë”. Në vitin 1990 ARPANET është shuar ndërsa MILNET ende është një nga rudimentet e Internetit të sotëm.

Kush e drejton këtë perandori elektronike?

Me fjalën INTERNET njerëzit e zakonshëm të cilët kanë një kulturë modeste në informatikë përkufizojnë një rrjet vetëm më kompjuterë. Në të vërtetë, ai nuk është një rrjet vetëm me kompjuterë, firmë apo organizatë. Interneti përbëhet nga shumë rrjeta, të cilat shfrytëzojnë të njëjtin protokoll (sistem) (TCP/IP) për komunikim. Kjo në fakt është diçka e ngjashme me rrjetin telefonik botëror që realizohet nëpërmjet kompanive të saj më të forta si AT&T ose British Telecom, Italian Telecom etj.

Kuartieret e tyre kujdesen se si mund të punohet në të gjithë botën së bashku ndërsa shfrytëzuesit paguajnë rregullisht. Po ashtu çdo rrjet përbërës i Internetit të cilat janë të organizuar në ndonjë shtet hapin llogaritë e veta për shfrytëzim ndërsa është problem komunikimi reciprok. Shfrytëzuesi i INTERNETIT duhet të jetë i lidhur me njërin nga këto rrjete i cili bën të mundur lidhjen në INTERNET (sigurisht edhe pagesën) dhe për çdo gjë tjetër të tyre duhet të kujdesen rrjetet të cilat ofrojnë shërbimet dhe sistemet administruese të tyre.

INTERNETI nuk ka president, drejtues operativ apo ndonjë organ suprem që udhëheq në të. Në qoftë se mund të flitet se demokracia është rezidente në ndonjë vend të botës kjo ndodh vetëm në perandorinë INTERNET. Në fakt, rrjetet përbërës të INTERNETIT mund të kenë ndonjë drejtues lokal, po në të vërtetë nuk ekziston asnjë autoritet i veçantë mbi INTERNETIN në përgjithësi. Megjithatë sot në botë ekziston një shoqëri e cila quhet ISOC.

ISOC ka për qëllim të mendojë për të ardhmen e INTERNETIT që tani përbën një autoritet të pamohueshëm dhe që ka për qëllim avancimin e kërkimeve informatike për shkëmbimin në INTERNET.

ISOC tani emëron një lloj këshilli që ata e quajnë (Council of elders) dhe është në fakt një këshill që ne mund ta emërtojmë thjesht pleqësi që ka përgjegjësinë për drejtimin teknik të INTERNETIT. Ky lloj organizmi që mund të quhet INTERNET Architecture Board apo IAB. IAB përcakton vazhdimisht standardet dhe resurset e INTERNETIT. Kjo realizohet teknikisht nga INTERNET Engineering Task Force apo IETF. IETF shërben gjithmonë për problemet teknike të rrjetit.

Po si punon perandoria INTERNET?

INTERNETI ka disa rrjeta të vogla. Këto komunikojnë me anë të një sistemi që quhet TCP/ IP (Transmission Control Protocol). Thelbi është se ky është sistemi shfrytëzues i INTERNETIT. Ky i shpjeguar më thjeshtë ka kuptimin e Windows për kompjuterin e thjeshtë.

Në fakt ka shumë protokolle të cilat janë disi të shtresëzuara por në fakt i tërë korpusi i tyre e ka marrë emrin në bazë të dy protokolleve themelore. Kështu protokolli TCP/IP funksionon në atë mënyrë që çdo kompjuteri në botë i jepet një emër me të cilin identifikohet. Ky numër është adresa në INTERNET e tij. Çdo kompjuter në rrjet i ndahet adresa 32 -bitëshe që për thjeshtim shënohet si kombinim i katër numrave dekadë dhe që ndahen me pika mes tyre. Për këto adresa qëllimi është që duhet të jenë adresa të cilat njerëzit i përdorin pa ndonjë vështirësi të veçantë. Në fillim ekzistonin “regjistrat” në qendrat informatike të rrjetit (NIC-Network Information Center) që kishin këtë “tollon” për shfrytëzimet. Por shpërndarja e këtij sistemi donte shumë kohë. Në këtë kohë në skenë doli sistemi i ri on-line (Domain Name System (DNS) që e zgjidhi këtë problem. Çdo nivel i këtij sistemi quhet domen. Domenët janë të ndarë me pika si p. sh. përparësi e adresimit është se adresat nuk i definojmë vetë por këtë e bëjnë sistem administratorët provajderëve.

 

Lidhja me internetin

Që të kemi në dorë të gjithë shërbimet e internetit duhet të kemi lidhjen e sistemit TCP\IP.

Në këtë rast, kompjuteri ynë mund të kontaktojë me një kompjuter tjetër në rrjet. Për këtë përdoret lidhja dial-up. Kjo mund të realizohet me anë të modemit të cilin mund ta kemi ne në dispozicion. Përveç kësaj lidhje është edhe lidhja me Slip/ PPP, e cila ka nevojë për një program i cili quhet Winsock. Kështu formohet adresa Ip për sa kohë je i lidhur në internet. Ndërsa një lidhje tjetër është lidhja e quajtur ISDN e cila nuk realizohet nëpërmjet lidhjes telefonike por për këtë duhen modenat digjitalë. Këto lidhje janë më shumë efikase. Por ky realizim varet edhe nga mundësitë e postave të ndryshme. Ndërsa një lidhje por që përsëri është shumë e kushtueshme është lidhja satelitore. Kjo lidhje në Shqipëri është realizuar nga SOROS.

Shërbimet e Internet

Gjëja më interesantë janë shërbimet që afron ky rrjet. Çdo shërbim përbëhet prej dy pjesëve të software që kooperojmë, klientit që është program që ekzekutohet në kompjuterin që afron shërbimin dhe prej serverit program që ekzekutohet në kompjuterin që afron shërbimet.

Rrjeti duke shfrytëzuar protokollin TCP/IP është mediumi që komunikojnë dy programe.

Shërbimet e Internet sipas parimit klient-server:

TELNET është shërbimi që bën lidhjen e kompjuterit të larguar dhe ndoshta edhe të kyçur diku në Internet me anë të hapjes së terminalit dhe vazhdimin e punës në të.

FTP është shërbimi në bazë të protokollit FTP që bën transferimin e file nga një kompjuter në tjetrin.

E-MAIL ose e thënë më thjesht posta elektronike është shërbim që është përdorur edhe para internetit. Ky është i ngjashëm me shërbimin postar por me ndryshimin se porosia bëhet në mënyrë elektronike.

NETWORK NEWS është një aplikacion që i mban përdoruesit në rrjet. Këtu bën pjesë USENET NEWS i cili ka shtatë grupe me të cilat adresohesh në internet psh. comp ku diskutohet për informatikën news lajme për rrjetin, sci për shkencë soc, për shoqëri, kulturë dhe politikë etj.

FINDING FILES është shërbim që bën të mundur kërkimin dhe gjetjen e file që na nevojiten në internet. Kjo realizohet me anën e dy aplikacioneve të cilat quhen Archie dhe Gopher WEB, ky është shërbimi më i ri por edhe më i pëlqyeshmi sot në internet. Ai është shërbimi më i kompletuar i tij . Ky është i kombinuar me elementë të multimedia. Këtu nga një dokument mund të shkosh në dokumente të tjera, të cilët kanë lidhje me këtë. Momentalisht është shërbimi më i plotë i internetit.

Përpjekjet e hershme të Shqipërisë

Ideja e krijimit të rrjetit në Shqipëri është e fillimit të viteve ’80. Megjithëse në atë kohë mikrokumpjuterët kanë qenë në fillimet e tyre modeste çdo gjë ishte mbështetur në makinat e mëdha të cilat quheshin mainframe.

Duke pasur si bazë këtë koncept është kaluar për një financim te UNDP. Problemi që ishte aparent në ato momente ka qenë plotësimi i kërkesave, të cilat kishin filluar të rriteshin nga ana e institucioneve të shumta shtetërore dhe bashkë me të edhe atyre akademike.

Projekti bazë ishte atëherë në Qendrën e Matematikës dhe Llogaritjes. Ata mbasi kanë realizuar nënshkrimin e dokumentacionit përkatës me UNDP kanë filluar trajnimin e specialistëve. Më vonë ka dalë si imediat edhe ndërtimi i vetë Institutit të Informatikës dhe Matematikës së Aplikuar. Ky rrjet u bë funksional vetëm në vitin 1985. Teknikisht ky rrjet përbëhej nga dy mainframe (DPS7) dhe nga tre minikompjuterë (MINI), si edhe rreth 50 terminale të thjeshtë të shpërndarë nëpër Tiranë. DPS7 kishin këto karakteristika 6MB RAM, 12 njësi disqesh të lëvizshme nga 200 MB secili, 6 njësi shiritash magnetikë dhe dy printera të shpejtë. DPS7 dhe tre MINI6 lidheshin me një frontal të quajtur DATANET. MINI6-at kishin këto parametra IMB RAM dhe 64-128 MB disk. Dy nga MINI6-at ishin jashtë qendrës. Njërin e kishte ndërmarrja energjetike dhe tjetrin Banka e shtetit shqiptar.Rreth 25% e terminaleve janë lidhur me DPS7 direkt.

Konjukturat politike zgjodhën në atë kohë edhe zgjidhjen teknike të këtij rrjeti por nga ana tjetër edhe funksionimin e tij. Për këtë u zgjodh teknologjia Honeywell-Bull që në të vërtetë ishte një nga bazat e teknologjisë evropiane. Koncepti kryesor ishte përpunimi i të dhënave ekonomike-financiare e cila nuk u arrit të bëhet asnjëherë nga institucionet përkatëse shqiptare. Këtu me përjashtimin e shfrytëzimit të rrjetit për regjistrimin e popullsisë, ky rrjet u përdor vetëm për qëllime shkencore inxhinierike. Lidhja me rrjetet ndërkombëtare ishin fjalë të cilat nuk arritën të bënin asgjë.

Fillimi i viteve ’90 ka sjellë realisht vjetrimin e teknologjisë. Vështirësitë e pafundme financiare për të mbajtur këtë rrjet tashmë të plakur por mbi të gjithë invazioni i “paskrupullt” i P. C. bëri që ky rrjet të braktisej plotësisht. Braktisja e tij dha sinjalin e punës për përpjekjet që do të bëheshin në lidhje me krijimin e rrjetave të reja me teknologji moderne dhe fillimin e ndërmarrjes shqiptare për t’u lidhur me gjigantin Internet.

 Pak më vonë

Diskutimet që sot janë në progres midis vendeve lindore mesdhetare për të siguruar komunikimin ndërkombëtar me anën e instalimit të një rrjete të re rajonale duke përdorur në ketë rast teknologjinë moderne të fibrës optike. Dy projekte tashmë janë planifikuar. Projekti më i avancuar është ai që ka të bëjë me Adria-1, i cili është një sistem kabllor prej fibre optike që përfshin shtrirjen e 1,350 km kabëll fibre optike poshtë bregdetit Adriatik. Ajo është nga Dubrovniku në Kroaci në drejtim të Evropës Qendrore dhe Lindore. Qëllimi është lidhja e qyteteve greke dhe shqiptare si edhe kroate me këtë pjesë të Europës Qendrore dhe Lindore. Kontributi i qeverisë shqiptare do të jetë rreth 3 milionë dhe pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë projekt do të varej kryesisht nga aftësia e qeverisë shqiptare për të plotësuar etapat e këtyre projekteve dhe aftësia për të siguruar financat e nevojshme për këtë ndërmarrje.

Vitet e para të përpjekjes shqiptare

Në Shqipëri tentativën e parë në lidhje me këtë e ka bërë një prift baptist me emrin Mike Holman. Ky anëtar i Kishës baptiste që si shumë të tjerë kanë mbirë në vitet mbas ’90 u mundua të jepte shërbimin e E-MAIL për të huajt të cilët ishin vendosur në Shqipëri. Ky realizoi ndërmarrjen e tij disi historike për Shqipërinë me anën e një modemi që shfrytëzonte radion. Mbas këtij ishte INFOSOFT që bëri përpjekjen e dytë por sigurisht me më shumë sukses se paraardhësi. Ajo që u mundua të krijojë mundësinë e vërtetë të Internetit ishte PNUD. Ajo kishte qëllimin që të jepte shërbimin e E-MAIL për subjektet qeveritare dhe organizatat jofitimprurëse. Për këtë qëllim ajo ka ngritur rrjetën e ashtuquajtur Free Net. Qëllimi i saj ka qenë përhapja e lirë e informacionit. Për fatin e keq kjo i ka munguar për shumë kohë vendin tonë. Fillimi i këtij shërbimi kishte qëllimin që të ndihmonte organizatat, që nuk fitonin dhe përveç kësaj edhe ndihmën ndaj shumë individëve të cilët kanë ditur të përdorin komunikimin elektronik.

Rrjeti Free Net është sponzorizuar nga Programi i Zhvillimit të Kombeve të Bashkuar (PNUD) dhe ka qenë gjithmonë për organizmat të cilat nuk fitonin. Kufizimi i këtij sistemi në Shqipëri ka qenë se ajo nuk jepte aksese të internetit me anën të këtij rrjeti. Qëllimi i saj kryesor ka qenë lidhja me E-MAIL që ajo do të siguronte. Sipas kësaj, çdo organizatë e cila do të plotësonte konditat e nevojshme për pjesëmarrje në Free Net pranohej dhe mund të zgjidhte software-t e nevojshëm dhe një informacion të përmbledhur. Megjithatë ky frut i përpjekjeve të shumë subjekteve në Shqipëri ka ngelur me rreth 100 vendosje dial-up.

Sipas PNUD, kjo ka qenë lidhja e parë reale e Shqipërisë me Internetin. Duke marrë parasysh prapambetjen e madhe të vendit, ku ka operuar UNDP ku siç dihet jo shumë larg përqindja e popullsisë e cila kishte lidhje telefonike ka qenë më pak se 4% mund të kuptohet se çfarë pune “e madhe” është kjo. UNDP kishte lidhje permanente me Kuvendin Popullor, Këshillin e Ministrave, Universitetin Politeknik dhe SOROS në fillim. Këtyre ai u siguronte shërbimin e plotë të Internetit. Mbas kësaj PNUD ka 20 organizata qeveritare dhe joqeveritare të cilat janë pa qëllim fitimi dhe ku operoj në rreth 1250 përdorues.

Sorosi “shqiptar” dhe Interneti

Soros në kuadër të projektit që ata e kanë quajtur @net është lidhur me Internetin në kuadër të një kontratë që ka bërë me TELENOR (telekomin norvegjez). Ai me anën e një antene parabolike satelitore merr sinjalet nga sateliti dhe me anën e modemave shpërndan në shkolla. Ndërsa me anën e një lidhje tjetër por këtë radhë më anë e modemave radiofonikë, ajo është lidhur me Universitetin Politeknik dhe INIMA.

@net është një rrjetë lokale me qëllimin e shtimit të anëtarëve në këtë tip forumi akademik siç e kanë quajtur vetë ata. Ajo paguan një qira rreth 8000 $ për këtë lidhje satelitore dhe kjo lidhje do të jetë funksionale deri në momentet kur ky fondacion do të shohë të leverdishëm funksionimin e këtij sistemi. Qëllimi i saj strategjik është lidhja e gjithë sistemit arsimor shqiptar me Internetin. I vetmi ndryshim me UNDP qëndron se ndërsa ajo ka organizmat e ndryshme qeveritare dhe joqeveritare të cilat nuk kanë qëllim fitimprurës kjo është e profilizuar me sistemin akademik shqiptar. Në momentin që Telekomi Shqiptar apo ndonjë subjekt tjetër do të bëjë lidhjen apo do të realizojë lidhjen e full Internetit në Shqipëri, UNDP do të shkëputet plotësisht duke e quajtur misionin e saj të mbaruar në lidhje me Internetin ndërsa Soros do të vazhdojë por sigurisht duke u shkëputur nga qiraja e lartë satelitore dhe duke e derdhur qiranë e nevojshme në Shqipëri. Me këtë rast ajo do të derdhë kuotën e caktuar si të gjithë abonentët e tjerë në Shqipëri . Deri në fund të këtij viti @net do të lidhë edhe universitetet jashtë Tirane, Kamzën etj.

Infrastruktura e Telekomit “shërbëtorja e varfër” Internetit

Pa një Telekom të zhvilluar nuk mund të ketë shërbim Interneti. Shqipëria e ka provuar atë që do të thotë prapambetje. Kështu në vitin 1992 qeveria shqiptare ka zhvilluar një “Master Plan” për zhvillimin e telekomunikacionit. “Master plani” do të organizohej në tre faza. Pajisjet për “Master plan” do të ishin nën përgjegjësinë e Project Implementation Unit (PIU) faza e parë e të cilit është ndarë në pesë projekte. Duke u bazuar në parashikimin e Master Planit, rrjeta do të përmbante rreth 225.000 linja. Shqipëria kishte një deficit të vendosur në këtë sektor prej 7.9 milionë dollarësh. Kjo ishte kryesisht prej kostos ndërkombëtare të transitit me Italinë dhe Greqinë. 1.4% e banorëve të Shqipërisë kishin lidhje telefonike dhe kjo përbënte 3% në zonat urbane dhe 0.65 në zonat rurale.

Në fakt çdo qytet po ashtu edhe zonë rurale e kishte lidhjen e tij me shërbimin telefonik por rreth 1200 fshatra u mungonte shërbimi. Gjatë viteve 1993-1994, Telekomi shqiptar ka rinovuar sistemin e saj në lidhje me ndryshimet e reja digjitale në Berat, Gjirokastër, Elbasan, Korçë etj. Kjo ishte me pak fjalë ajo që Telekomi shqiptar i ofronte Internetit.

Prej disa ditësh Këshilli i Ministrave ka nxjerrë një lajmërim i cili paraqet njoftimin se të gjitha organizmat e interesuar që ofrojnë mundësinë e shërbimit të internetit duhet të paraqesin projektet e tyre në adresën Këshilli i Ministrave, Drejtoria e Dokumentacionit. Dead line 25 tetor.

Ashtu si thuhet nga specialistët e këtij institucioni është duke u parë nga qeveria e re mundësia reale e firmave të ndryshme të cilat janë duke operuar në Shqipëri dhe që do të operojnë edhe më vonë për mundësitë reale financiare që kanë ato për të “sjellë” shërbimin e Internetit në Shqipëri. Pas paraqitjes së dokumentacionit të tyre, do të hartohet një strategji kombëtare për zhvillimin në këtë fushë pothuaj “terra bianca”. Ndoshta ligji i cili është në fuqi momentalisht i hartuar 2 vjet më përpara kufizon lirinë e organizmave të cilët janë të interesuar për projektet ndryshme të cilat do të çojnë më përpara zhvillimin e Internetit në Shqipëri. Ideja është pjesëmarrja e sa më shumë subjekteve të cilat do të mundin të bëjnë më shumë për Internetin do të çojë edhe në ndryshimin e legjislacionit ekzistues. Por a do të bëhet vallë? A do të kemi mundësi që të jemi në të ardhmen diku në Internet?

BEN ANDONI

SHKARKO APP