Ben Andoni: Shqipëria kryqëzim hipotetik radioaktiviteti
(Botuar me 7 Dhjetor 1997 në KOHA JONE)
Nga Ben Andoni-
Vite të shkuara, nxënësit shqiptarë në bankat e shkollave, mësonin rreth efekteve të bombës bërthamore. Ata e dinin mirë se çfarë fuqie të llahtarshme kishte bomba dhe se ajo posedohej vetëm nga “imperialisto-revizionistët”. Megjithatë, pa dashjen e qeveritarëve komunistë “bomba” ekzistonte edhe në vendet “e mallkuara” të botës (“së mallkuar”) të tretë (atje ku shqiptarët nuk e dinin se ishin). Nxënësit, studentët, punëtorët, të gjithë dinin vetëm se ishim në gjendje të mbroheshim nga ky rrezik që na kërcënonte nga të “mallkuarit armiq”. Por, ne ishim fare të sigurt…
Shqipëria kishte megjithatë edhe shumë njerëz të tjerë, të cilët merreshin përditë me efektin e këtij “armiku” dhe që deri atëherë ishin fare të padukshëm. Këta ishin njerëzit e thjeshtë, të cilët merreshin me kohë me efektet e rrezatimit të tmerrshëm radioaktiv. Megjithatë, armiku bërthamor, një ditë maji u shfaq në vendin e vogël që vetëcilësohej shkëmb-graniti. Dhe atë ditë ajo vendosi ta sfidonte Çernobilin, por jo si Davidi. Ajo e fshehu dhe e nënvleftësoi këtë…
Ku ishte “strukur” rrezatimi
Shekulli XIX ishte duke u mbyllur me një bilanc, që njerëzimi do t’i ishte me të vërtetë mirënjohës. Në të vërtetë, shkenca e fizikës i kishte kaluar, të gjithë shkencat e tjera. Ajo kishte zbuluar elektricitetin, valët elektromagnetike dhe mbi të gjitha mbiteorinë e Maksvellit. Njerëzimi ishte duke menduar se kishte arritur atë që mund arrinte deri në përfundim të mijëvjeçarit të dytë. Megjithatë, kishte akoma për të rregulluar në ngrehinën e kësaj shkence. Për fizikanët kishte ngelur fare pak dhe kjo kishte të bënte me fenomenin e radioaktivitetit, të cilin, sapo e kishte zbuluar francezi Anri Bekerel, pikërisht në fund të shekullit të XIX (1896). Por paradoksi ishte, se nga kjo copëz e vogël, u zhvilluan degë krejt të reja në fizikë. Ato sollën një ndryshim të tillë në shkencë që nuk ishte imagjinuar ndonjëherë dhe bashkë me këtë edhe pasoja të mëdha teknike dhe ekonomike për jetën e shoqërisë njerëzore.
Rastësia, armiku i madh i njerëzimit
Fizikanëve, gjithmonë u kanë dhënë privilegjin e rastësisë. Në kujtesë është, ajo rënia e lirë e mollës, që i provokoi pak më vonë Newton-it, atë që do të sillte revolucionin e fizikë në kohën e vet. Por ajo që ndodhi me radioaktivitetin ishte më të vërtetë rastisje.
“Në një mëngjes pranvere të vitit 1896, Bekerel ka parë se pllakat fotografike me të cilat ishte duke punuar ishin nxirë”. Shkencëtari kërkoi shkakun dhe gjeti se ato pllaka ishin mbajtur për shumë kohë, pranë një cope minerali uraniumi. Bekereli në atë kohë merrej me lumineshencën e mineraleve të uranit. Ai “çuditërisht” ka arritur në përfundimin se nga pllakat dilte një rrezatim që ishte, jo vetëm i padukshëm, por edhe i panjohur më parë. Kjo aftësi e uranit për të lëshuar këtë lloj rrezatimi u quajt Radioaktivitet.
Një vit më parë, Röntgen kishte zbuluar gjatë studimit të shkarkesës elektrike në tuba me gaze të rralluar (përsëri rastësisht) rrezet X. Rrezatimi i uranit kishte disa aftësi krejt të veçanta. Ai depërtonte thellë në lëndë dhe intensiteti i tij nuk varej nga asnjë konditë e jashtme, ku mund të vihej urani. Temperatura, presioni apo forma e lidhjes kimike në të cilën ndodhej urani nuk kishin asnjë ndikim mbi rrezatimin që ai lëshonte. Në fillim të shekullit tonë, ka hyrë si një faqe e ndritur puna e madhe e çiftit Pjer e Mari Kyri. Ata u përpoqën, që të zbulonin, që në botë ekzistonin dhe elementë të tjerë, të cilët ishin radioaktivë. Urani i veçuar nga minerali i tij rezultoi, se nuk ishte i vetmi element radioaktiv. Mbeturinat e elementit vazhdonin të ishin radioaktive. Këtë element të ri, ata e quajtën radium dhe pak më vonë gjetën edhe elementin tjetër, i cili ishte me emrin që i atribuuan ata, poloniumi.
Ç’është rrezatimi radioaktiv?
Rrezatimi radioaktiv është studiuar nga veprimi mbi të i fushave elektrike. Kështu nga një copë uraniumi janë zbuluar tre tufa të cilat rrezatonin. Një pjesë e rrezatimit quhet rrezatim alfa. Tufa tjetër quhet rrezatim beta(8). Ndërsa ishte edhe një pjesë tjetër e cila kalonte në drejtimin fillestar dhe nuk influencohesh nga fusha elektrike. Ky u quajt rrezatim gama. Rrezatimi “i çuditshëm” ishte një përzierje e tre rrezatimeve krejt të ndryshme.
Pak më vonë, një i famshëm tjetër dhe ky shkencëtari i shquar Radhërford, ka gjetur se grimcat alfa ishin atome heliumi me dy elektrone që mungonin. Shpejtësia e lëshimit të tyre është 15.000-20.000 kilometra në sekonda. Rrezet B ishin gjetur që ishin më të “lehta”. Rrezet B ishin rrezatim elektronesh. Shpejtësia me të cilën elektronet shkëputeshin nga atomi, ishte afër shpejtësisë së dritës, 300.000 kilometra në sekondë. Ndërsa rrezet þ ishin më të fuqishmet. Ato dolën se ishin valë elektromagnetike me energji shumë më të madhe. Natyra nuk i dallon ato nga motrat e veta, përveç faktit se energjia e tyre është më e madhe se valët e radios, rrezet rëntgen. Rrezet alfa depërtojnë shumë pak. Ato i thith edhe një fletë e hollë. Rrezet B janë më të mëdha, ato shkojnë deri në 3 m. Ndërsa rrezeve gama në ajër do t’u duhej një shtresë në ajër shumë e trashë. Tani, të tre llojet e rrezatimit duke kaluar në lëndë, shkaktojnë jonizimin e saj. Si rezultat, ajri i cili nuk e përcjell elektricitetin bëhet përcjellës. Kjo bëhet edhe në qelizat e gjalla të kafshëve e të bimëve duke shkaktuar dëmtimin e tyre.
Çernobili dhe Shqipëria “e paprekur”
Në një edicion të huaj lajmesh, shqiptarët morën vesh lajmin fatal të plasjes të Çernobilit. Ishte data 26 prill 1986. Në edicionin e RAI 2, shqiptarët, panë atë që do të trondiste të gjithë botën. Të parët që reaguan menjëherë, ishin patjetër shkencëtarët skandinavë, të cilët prej afërsisë gjeografike, rrezikoheshin më shumë. Lajmi, që autoritetet ish-sovjetike donin ta mbulonin, kishte marrë dhenë. Vetë ata u detyruan ta pohonin këtë, por si gjithmonë “pak më vonë”. Çdo gjë kishte ndodhur në reaktorin numër 4 të Çernobilit. Vendi ishte i lokalizuar, rreth 100 km larg qytetit të Kievit.
Dihej se prej kohësh në këtë pjesë të vendit sovjetik ishin katër centrale bërthamorë me fuqi 1000 MW secili. Njerëzit fare rastësisht e kishin nënvleftësuar atë që mund të quhej rreziku më i madh radioaktiv i shekullit. Aksidenti kishte ndodhur natën duke u gdhirë 26 maji. Ishte ora fatale 01.23 Fuqia me të cilin ishte duke punuar reaktori ishte vetëm 200MW. Disa gabime teknike dhe ndoshta edhe të metat e vendosjes në projektim por edhe shkelja e masave të funksionimit të reaktorit kanë sjellë atë, që ajo të ishte në gjendje jo stabile.
Mbas kalimit të gjendjes kritike ku temperatura kishte kapur nivelet kritike; një shkëndijë ka sjellë shkatërrimin e reaktorit dhe të gjithë korpusin ku ishte vendosur reaktori. Radioaktiviteti qëndronte në këtë moment, se ishte djegur në masë grafiti, i cili ishte në pozitën e ngadalësuesit të neutroneve. Gjithashtu, kishin dalë në mjedis produktet radioaktivë të ndarjes. Vetëm 10 ditë pas aksidentit diçka kishte filluar të ndërpritej nga rrezatimi i reaktorit. Ishte 5 maji. Organet e specializuara ruse nxorën se 3 deri në 4% e përbërjes së lëndëve radioaktivë kishin dalë në atmosferë. Sasia e përgjithshme aproksimative e tyre ishte rreth 2.1018. Bq (bekerel, njësia matëse e ndotjes së rrezatimit radioaktiv). Zona përreth Çernobilit është shpallur zonë e ndaluar dhe rrezja e kësaj zone shkonte deri në 30 km. Kjo zonë quhej e gjithë zonë e ndaluar. Por në punë ishin akoma edhe dy centrale të tjerë bërthamorë. Në këtë aksident gjetën vdekjen të paktën 32 vetë. Fatkeqit ishin të ndryshëm dhe midis të tjerëve ishin edhe njerëzit e parë të forcave avaro-shpëtuese. Ata ishin viktimë e dozimetrisë së lartë. Ukraina, Bjellorusia dhe Federata Ruse ishin pushtuar nga radioaktiviteti. Tashmë ajo ishte kryefjala e gjithçkaje. Sintaksa e mendimit të shtetit kishte ndryshuar. 25000 km² ishin pushtuar dhe ndoshta edhe sot paraqesin shumë rrezik për njerëzit të cilët janë rezidentë në ato vende.
Shqipëria nga ushtari i thjeshtë te mumjet qeveritare
Për shkak të kushteve meteorologjikë, reja radioaktive ishte duke u zhvendosur për në veri dhe veriperëndim të kontinentit. Por ndryshimi i situacionit meteorologjik, ka sjellë pak ditë më vonë zhvendosjen e masave ajrore për në jug të kontinentit. Shqipëria menjëherë kishte filluar matjet më të shpeshta. Në atë kohë, këto matje bëheshin sistematikisht nga struktura ushtarake e kimisë, që ishte e atashuar në reparte të ndryshme të sistemit të vjetër ushtarak.
Nga ana tjetër, Instituti i Fizikës Bërthamore, kishte filluar kontrollin e kampionëve, të cilat vinin nga e gjithë Shqipëria. Ato ishin më shumë nga Lindja dhe Verilindja e vendit. I pari që “kapi” nivelin e lartë radioaktiv në aparatin e vet, ishte një ushtar i thjeshtë i reparteve kimike, cili kryente shërbimin e thjeshtë rutinor të kontrollit radioaktiv në një pikë të Shëngjinit. Ai lajmëroi për nivelin e larte eprorët e vet. Megjithatë njerëzit e shkencës shqiptare ishin sinjalizuar shumë kohë përpara nga media e “ndaluar” italiane për rrezikun.
Shqipëria u “pushtua” nga radioaktiviteti në datën 1 maj. Por vlerat më të larta arritën vetëm në datat 3 dhe 4 maj. Një pauzë ka vazhduar disa ditë dhe kjo duket nga kushtet jo të favorshme meteorologjike dhe pastaj përsëri bum-i i dytë, këtë radhë në datat 7 dhe 8 maj. Matjet e kampionëve bëheshin nën kontrollim më të lartë të autoritetit të vetëm shkencor të vendit, Institutit të Fizikës Bërthamore dhe këto bëheshin paralele me repartet e ushtrisë të cilët kishin aparate më pak të sakta. Çdo ditë ato depozitoheshin diku…
Sipas specialistëve të asaj kohe, punohej në dy drejtime. Këto ishin ekspozimi i jashtëm, që vinte nga kalimi i rërës radioaktive dhe nga lëndët të cilat depozitoheshin në tokë. Tjetra ishte ekspozimi i brendshëm dhe kishte lidhje me thithjen e ajrit të ndotur gjatë kalimit të rërës radioaktive, por jo më pak edhe përdorimi i ushqimit të ndotur.
Menjëherë qeveritarët shqiptarë filluan praktikën e njohur të fshehjes së realitetit. Nga drejtues të lartë të asaj kohe, nënvleftësohej fare rreziku radioaktiv dhe arrihej deri aty sa thuhej që: ”Vetëm me një larje të thjeshtë dhe gjithçka është në rregull”. Por e vërteta nuk mund të fshihej aq kollaj.
Në atë kohë, ish-ministri italian i Mjedisit, Degan urdhëron zhdukjen dhe groposjen e të gjithë zarzavateve dhe lëndët e tjera ushqyese në të cilat ishin vërejtur dozat e larta të radioaktivitetit. Italia, e cila ishte me larg gjeografikisht nga Shqipëria, bëri çfarë të ishte e mundur që ky rrezik të kalonte me sa më pak dhimbje por, duke dashur të fiksonte në celuloid mashtrimin e madh, u përpoq të realizonte një emision ku mund të tregohej se rreziku ishte fare i vogël. Detyrën e bënë shumë mirë, si përherë, ata punonjës që ishin të detyruar ta bënin. Megjithatë vendi i vogël komunist në atë kohë nuk e mori mundimin që për pjesën më të prekshme të saj, fëmijët, të paktën të merrte qumështin nga importi. Popullsia e Shqipërisë, u nda për shkaqe studimi në disa grupe moshash për dozimetrinë (sasinë e dozës së radioaktivitetit që merrnin grupmosha të ndryshme). Dominonin grupmoshat e reja.
Duke konkluduar gjithmonë në dy drejtimet në të cilat kishin vendosur që më parë, studiuesit shqiptarë, panë se ndotja nga depozitimet në tokë të lëndëve radioaktive ishte edhe pas aksidentit rreth 130 mSv (milisiven, njësi tjetër matëse e radioaktivitetit). Mosha e vogël, ishte prekur më shumë nga marrja e ajrit të ndotur. Kjo luhatej deri në 21.6 mSv për fëmijët e vegjël. Ndërsa nga përqendrimi i lëndës radioaktive në konsumin e bukës ishte deri 727 mSv për të rritur. Qumështi i përdorur nga fëmijët, përmbante dozën 582 mSv për fëmijë. Më në fund, u konkludua që doza mesatare e popullsisë ishte deri në 815 mSv. (Në fundvitet ’90-të, mesatarja e dozës në të cilën është e ekspozuar popullsia shqiptare është vetëm 5 mSv.)
Radoni “vrasësi” hipotetik i 200 shqiptarëve
Radoni është një gaz natyror pa erë, ai nuk ka shije dhe për më tepër ai nuk perceptohet nga shqisat njerëzore. Radoni, sipas specialistëve shqiptarë, momentalisht është një nga llojet e rrezatimeve radioaktive, të cilat paraqesin rrezikun më të madh për shëndetin e njeriut në Shqipëri. Ai zbërthehet nga elementi radioaktiv natyror uranium, i cili gjendet me shumicë në tokë. Nëpërmjet depërtimeve të shumta natyrore, që në Shqipëri janë jo pak, që nga tunelet, galeritë e braktisura por edhe më thjeshtë nëpër të çarat e ndërtesës, radoni depozitohet në mjediset krejt të mbyllura. Duke dashur të ulet presioni, ai tenton të bëhet më i vogël se jashtë dhe depërton nëpër të çarat e poret e dyshemesë dhe të mureve të ndryshme në ambientet e ndryshme urbane.
Në, Shqipëri përqendrimi i tij varet nga përbërja gjeologjike e truallit, lloji i ndërtesës, kushtet atmosferike, si edhe ato të ajrimit të banesës. Duke e përmbledhur këtë, arrihet në përfundim se niveli i tij është shumë i madh në katet nëntokësore dhe në ato që janë në kontakt direkt me tokën. Ai sot rreshtohet si nga shkaktarët më të mëdhenj të kancerit të mushkërive.
Paradoksi i këtij ndotësi, është se njerëzimi ka bashkëjetuar prej shumë vitesh me të. Po ashtu, ai ka qenë evident edhe në Shqipëri, për shkak të nivelit të ulët urbanistik dhe të konstruksioneve fare të ulëta të banesave. Struktura e këtij ndotësi është e tillë, që ai zbërthehet në elementë të tjerë radioaktivë p. sh. alfa rrezatues, të cilat lidhen me grimcat e aerosolëve dhe nëpërmjet frymëmarrjes, ai depërton pastaj në mushkëri duke u depozituar në të. Grimcat alfa u transmetojnë qelizave të mukozës së bronkeve, energjinë e mjaftueshme për prishjen e tyre.
Amerikanët janë kombi, i cili ka bërë më shumë për këtë armik radioaktiv të njerëzimit. Ata kanë zbuluar se shuma vjetore e vdekjeve të ardhura nga radoni në vend, është më e madhe se e atyre të cilët vdesin nga SIDA. Kjo shifër në Shqipëri, e llogaritur me matje të tërthorta, vlerësohet në afërsisht rreth 200 veta në një vit. Ky ndotës i kalon të gjithë ndotësit e tjerë të marrë së bashku. Në këtë futen, si të vrarët nga mbidoza e drogës ashtu dhe ata të aksidenteve automobilistikë.
Shqipëria e ekspozuar ndaj ndotjes radioaktive
Shqipëria renditet në vendet, të cilat këtë ndotës e ka mjaft të konsiderueshëm. Përveç shumatores të njerëzve, të cilët “i pret” vdekja nga ky ndotës, problem është edhe niveli i këtij ndotësi në shtëpitë e banimit të shumë shqiptarëve. Këmbëngulet për matjen e radioaktivitetit në banesa të ndryshme dhe theksi është në matjen e përqendrimit të tij në banesa dhe mjedise të tjera ku niveli i tij i kalon caqet kritike. Paradoksi është, se në Shqipëri ndërtesat e zonave rurale, kanë një arkitekturë mjaft arkaike dhe përveç kësaj, përbëjnë një nga ekspozimet më të mëdha nga ky ndotës.
Por problematike në Shqipëri janë më shumë vendet ku janë çerdhet, kopshtet të cilat ndodhen në ndërtesa të ulëta dhe ku nuk monitorohet kurrë niveli radioaktiv i vendit. Gjithashtu, edhe ndërtimet e reja, me lëndë ndërtimi që në vend nuk duhet të përdoren. Shumë specialistë shqiptarë e dinë mirë këtë dhe faktin tjetër që shumë materiale të importit nuk duhet të kalojnë në procesin e ndërtimit pa u ekzaminuar më parë. Këto, përbëjnë një nga problemet më akute ne lidhje me problemin e radioaktivitetit. E tmerrshme është që nga specialistë të Institutit Bërthamor, të pohohet se niveli i këtij ndotësi në ambientet rezidencialë është të paktën 10 herë mbi nivelin e lejuar. Tani lehtë mund të llogaritet ekspozimi për radioaktivitetin në vende të tjera.
Radioaktiviteti në ushqim: problem për brezin 2000
Shqiptarët e kanë “minimizuar” gjithmonë rrezikun nga ndotja radioaktive e ushqimit të tyre. Ata gjithmonë kanë menduar se kampionet sporadike do të ishin mjaft kundër tij. Duket se, “tmerri” i vetëm i shqiptarëve të thjeshtë ka ardhur mbas Çernobilit. Institucioni i Fizikës Bërthamore, i cili ka mbijetuar dhe ka qenë një institucionet më modernë në Shqipëri, është bërë sot më i vetëdijshëm për punën reale të tij para publikut. Fati ka dashur të përqendrojë në këtë institucion, aparatura të niveleve të larta që u vunë shumë shpejt në rolin e tyre. Njerëzit e zakonshëm, të cilët këtë ambient më parë e kishin parë si një “oaz shkencor” të panevojshëm, pas Çernobilit, filluan të interesohen më shumë për të.
Fizikanët shqiptarë, ndërkohë, kanë apeluar me kohë dhe në vazhdimësi për kontrollin ndaj ushqimeve në të cilat hynë në Shqipëri dhe jo në pak raste, nuk dihet se nga vinë. Fatkeqësia ka qenë se, në rastet për të cilat ata janë thirrur urgjentisht, kanë dalë “pa gjë” për sa i përket dozimetrisë në ushqim. Kështu, ata fare si rastësisht kanë gjetur se shumë materiale ndërtimi të importuara kanë qenë sipër nivelit kritik.
Masa, që ka adoptuar Shqipëria, është rreth 370 Bq dhe kjo është shumë më pak se e vendeve të tjera shumë të “rrepta”, të cilat e kanë këtë vlerë deri në 600 Bq. Kjo, për t’i paraprirë fluksit të importeve që shumë herë ka qenë i pakontrolluar në Shqipëri. Rreziku, i cili për shqiptarët ka fatin e keq se mund të potenciohet nga nivele të cilat e bëjnë të padukshëm, për një kohë të gjatë, ndoshta dhe për shumë breza. Sipas njerëzve, të cilët asnjëherë nuk duan të ngjallin panik, këto efekte mund të shkaktojnë deri në mutacione degjeneruese në brezat pasardhës. Ndaj tashmë IB, janë momentalisht një shërbim portativ pranë pikave doganore në Durrës dhe Tiranë. Planet e këtyre njerëzve janë të shumta por ata paradoksalisht mbulohen sot nga shërbimi veteriner! Ai është rezident në kontrollin doganor dhe ka marrë përsipër edhe kontrollin e mallrave për rrezikun radioaktiv me lëndët ushqimore, të cilat kanë baza blegtorale. Por Shërbimi Veterinar, i kryen matjet me mjete që, sipas specialistëve, janë të pamjaftueshme.
Shqipëria, me bazën teknike që disponon, mund të bëjë vetëm identifikimin e tyre të saktë në IB dhe në një shkallë tjetër, të bëjë edhe një kontroll më të sofistikuar vetëm në laboratorët e tij. Është krijuar ideja se rreziku më i madh vjen vetëm nga vendet lindore dhe shkalla e rrezikut sikur është e kondicionuar vetëm me afërsinë e vendit nga Ukraina. Por fakti, ka treguar se edhe shumë mallra të cilat arrijnë të importohen nga perëndimi, kanë bazë nga vendet e Lindjes. “Wind of change” duken se kanë qenë të tmerrshme për të gjithë vendet perëndimore. Rastet sporadike duket se janë mjaft intriguese me ato që ofroi Lindja pas viteve ’90. Një sasi plutoniumi është kapur nga ana e autoriteteve gjermane (element i bombës bërthamore). Kjo sasi kishte ardhur nga vendet e ish-BS. Me 60 gr të cilat ishin kapur mjaftonin për të vrarë të paktën 6 milionë njerëz.
Shqipëria, “pa dashje”, transit radioaktiv
Shqipëria ka qenë jo më pak e ekspozuar ndaj këtij fakti. Media italiane, që në vitin 1995, informonte për sasi plutoniumi të kapura me rrugë kalimi dhe identifikonte vetëm vendin më të varfër të Lindjes, Shqipërinë. Vendi që kishte “mbjellë” gjithë kohën bunkerë kundër një shpërthimi të mundshëm atomik, ishte në fakt, vendkalimi për elementë të ndryshëm radioaktivë. Shumë specialistë, të cilët nuk duan të identifikohen, tregojnë për fluksin e madh të lëndëve radioaktive, të cilat njerëz fare të panjohur u tregonin specialistëve të fushave të ndryshme të radioaktivitetit për t’i identifikuar.
Rastet më të dukshme, që tregohen janë ato të një sasie plehu kimik që vinte në Shqipëri nga ana e pikës doganore të Korçës. Disa makina vetëshkarkuese LIAZ janë ekzaminuar si të ndotura në Itali. Ato nuk kanë mundur të kalojnë shërbimin e posaçëm italian. Maune të ndryshme me lëndë ndërtimi, me destinacion Shqipërinë, janë ekzaminuar përsëri jashtë nivelit të nevojshëm kritik. Por, ka pasur edhe shumë mallra të tjera që vijnë në Shqipëri nga vendet e perëndimit, por me stampën “Made in USSR”. Trafiku ilegal i lëndëve radiotoksike si Plutonium apo të tjerë duket se nuk e ka lënë edhe pa prekur Shqipërinë. Problem ka qenë edhe depozitimi ilegal i mbetjeve, të cilat askush nuk ka patur mundësi t’i kontrollojë në kushtet e mungesës së shtetit për shumë kohë. Ato që më vonë mund edhe të merrnin pjesë në zinxhirin ushqimor të kafshëve dhe të njerëzve.
Por kjo vetëm kaq, kërcënimi me të, që mund edhe të ndodhë nga elementët terroristë, nuk është fare i pakonsiderueshëm.
Ndotja radioaktive më tepër se kurrë afër njerëzve
Shqipëria e ka filluar shërbimin ambulator radiologjik jo shumë herët. Kushtet optimale në të cilat është punuar në fillim, kanë qenë shumë afër atyre të lejuara. Por kalimi i kohës ka sjellë edhe amortizimin e këtyre aparateve. Sot në Shqipëri ekziston një rrjet shtetëror, i cili ka për bazë një aparaturë tepër të vjetër. Kjo ndoshta është që në kohën kur lulëzonte miqësia e madhe e Rusisë dhe Shqipërisë.
Nga ana tjetër, edhe ai që quhet “rrjet i ri”, duket se e ka bazën në këto aparatura që tani janë fare private. Aparaturat më të reja radiologjike janë ato të viteve ’70 dhe dominojnë ato me rrezet Röntgen. Kushtet e tyre të mjerueshme, janë minus, si për njerëzit që punojnë me to, dhe për ata që shkojnë për t’u kuruar me to. Për më tepër, rrezet që marrin shumë pacientë, janë krejt të pamotivuara. Kjo si rezultat i marrëveshjes së heshtur të doktorëve me radiologët. Flitet, për disa kushte optimale të cilat janë kontrolluar edhe nga specialistë, por niveli i lejuar 400 mRg (miliröntgen), kalohet shumë shpesh nga njerëzit të cilët merren me këto diagnostikime. Ndoshta edhe kontrolli i tyre, tashmë është krejt rutinor. Kjo do të thotë se shqiptarëve të rrezeve, gjithmonë u thuhen kuota që ata i dinë që më parë! Shumica e këtyre aparaturave në Shqipëri, është e amortizuar. Mjaft të përmendësh pikat radiologjike të Poliklinikës Qendrore, të Laprakës, Kombinatit dhe të tjera. Është dhënë një kuotë plus në para për punonjësit që ndodheshin pranë rrezikut radioaktiv me punë. Më parë, ata merrnin 170 lekë për këtë. Trajtimi i tyre sot, kur punojnë në kushte edhe më të vështira, është rreth 170 lekë. Kontrolli që u bëhet atyre, është thjesht rutinor. U jepen dozimetria personale dhe bëhet një kontroll i aparateve personale, vlerat e vërteta të të cilave, siç deklarohet nga shumë njerëz të radiologjisë, u fshihen për ti lejuar të punojnë ende në këto kushte. Sintezë është fjala e një mjeku të spitalit onkologjik që kur pyetet për këtë problem të thotë: “Ne punojmë në këto kushte, sepse “duam”. Nëse nuk duam të punojmë, gomonet janë gati për në Itali.”
Në spitalin Onkologjik ku punon doktori i cituar, rreziku i aparatit të dalë nga përdorimi, kërcënon me heshtjen e tij të frikshme radioaktive. Megjithatë rreziku momental më i rrezikshëm për Shqipërinë, është përhapja e pikave radiologjike dhe përveç këtyre edhe pikave dentare që kanë mbirë si kërpudhat kudo. Shumica e tyre është e fillimviteve ’70. Ekziston shpresa, si zakonisht, që vitin tjetër një donacion i përbashkët zvicerian dhe gjerman të sjellë diçka për Shqipërinë, por vetëm kaq. Ai me sa duket do të plotësojë vetëm nevojën e spitaleve, ku këto mjete janë pothuaj jashtë kushteve të pranueshme të tyre. Ky do të jetë ndoshta hapi i parë i “disiplinimit” radiologjik të shqiptarëve.
Ligji për mbrojtjen nga rrezatimi
Ligji i vitit 1995 ishte kurorëzimi i punës që kanë specialistët për mbrojtjen radioaktive. Ai mban datën 29.04.1995 dhe përcakton jo vetëm kushtet e mbrojtjes nga rrezatimet jonizuese, por edhe veprimtarinë që kryhet me lëndët radioaktive dhe pajisjet rrezatuese për të mbrojtur punonjësit, të cilët janë profesionalisht të ekspozuar ndaj rrezatimeve dhe popullatave, por nga ana tjetër edhe rreziqet e mundshme për rrezatimet. Ligji i vjetër kishte qenë i viteve 1971, i ripunuar në vitin 1972.
Një komision i Mbrojtjes për Radioaktivitetin, pranë Ministrisë së Shëndetësisë, kryente funksionin e rregullatorit të aktiviteteve kryesore që kanë lidhje me mbrojtjen nga radioaktiviteti. Këtu përfshihen inspektimi, licensimi dhe ekzaminimi mjekësor i punonjësve të lidhur me rrezatimin. Monitorimi i punonjësve dhe menaxhimi i shpenzimeve të ndryshme si dhe trajnimit të tyre, ishte punë e Institutit Bërthamor. Por ky sistem i mbrojtjes nga radioaktiviteti kishte pikën e dobët të mungesës së infrastrukturës të nevojshme të mbrojtjes së radioaktive. Kështu, procesi i licensimit të aktiviteteve me rreze ishte për të gjithë aktivitetet, përveç atyre të makinave me rrezet X. Këto, për fat të keq, kanë qenë jashtëzakonisht të vjetra. Rreziku i tyre është i madh si për njerëzit të cilët punojnë me to ashtu edhe me pacientët. Në vitin 1992, një mision i agjencisë ANEA (Agjencia Ndërkombëtare Atomike) ka këshilluar: “Mbrojtja nga rrezatimi duhet të rishikohet në të ardhmen dhe infrastruktura e mbrojtjes nga rrezatimi, duhet të zhvillohet”. /BEN ANDONI/