Ben Blushi: 26 majin rregullojeni me lokalet
(Botuar me 26 korrik 1996 në KOHA JONE)
Nga Ben Blushi-
Vizita e komisionerit Van Den Bruk në Tiranë duke përbërë problem për Qeverinë, mbi të gjitha përbën problem për opozitën. Van Den Bruk vjen në Shqipëri në një kohë që qeveria dhe në përgjithësi administrata e Berishës kanë shfaqur shenja nervozizmi ndaj kërkesave të komunitetit ndërkombëtar për zgjedhje të reja. Kryesisht Tirana zyrtare ka artikuluar qëndrime patologjike kundër SHBA, qëndrime të cilat kanë përfunduar me refuzimin e WIRTH, zëvendëssekretar i shtetit dhe kongresemeni proshqiptar Engel. Natyrisht që Evropa, e cila gjatë gjithë kohës ka qenë nën presionin amerikan për sa i takon Shqipërisë, është në dijeni të këtyre refuzimeve. Se sa miratohen këto qëndrime, duke patur parasysh lidhjet e varësisë Uashington-Bruksel, kjo mund të kuptohet lehtë. Tirana nuk përfaqëson një pikë të tillë strategjike për globin sa që Evropa dhe SHBA të luajnë me dy standarde të ndryshme. Megjithatë, tendenca e Berishës për të mos u konfliktuar me Evropën është e qartë. Tritan Shehu i tha mirë se vjen Van Den Brukut, mesa duket i mirinformuar për misionin e tij dhe propozimet që ai do të sillte në Tiranë. Komisioneri i lartë i Brukselit, në dosjen e tij kishte raportin e fundit nga Tirana, ku flitej për një tavolinë të përbashkët PD-PS për zgjedhjet lokale. Në këtë mënyrë, do të ishte pa kuptim që ai të ndërmjetësonte për një kapitull që të dyja palët ishin dakord ta mbyllnin: zgjedhjet parlamentare.
Dhe Van Den Bruk, në përgjithësi i kënaqi dje shpresat e ministrit të Jashtëm. Ai foli kryesisht në të ardhmen duke mos u ndalur shumë në të kaluarën. Që do të thotë se Van Den Bruk nuk u mëshoi shumë zgjedhjeve të 26 majit dhe ripërsëritjes së tyre, por zgjedhjeve të ardhshme lokale. Sipas tij, gabimi i zgjedhjeve parlamentare duhet riparuar me zgjedhjet lokale. Në këtë kontekst, qeveria dhe Partia Demokratike, e kanë më të lehtë të qeshin gjatë negociatave me Van Den Bruk. Në të kundërt, misioni i opozitës paraqitet më i vështirë. Opozita vjen në tavolinën e Van Den Bruk pasi i ka thyer një këmbë tavolinës së vet. Ditët e fundit, përplasjet mes opozitës së denjë, Polit dhe PS, ishin lajme për të gjitha gazeta shqiptare. Poli dhe PS u paraqitën te Van Den Bruk me qëndrime të ndryshme dhe jo në bllok. PS erdhi pasi pjesëmarrja e saj në zgjedhjet lokale ishte pothuajse e sigurt. Në këto kushte, Van Den Brukut i mbetej veçse të negocionte mes dy palëve kryesore PD-PS, vetëm për një gjë, zgjedhjet lokale dhe modalitetet e tyre. Ndërkohë që PS duke u ulur në tryezë me PD kishte rënë dakord që negociatat të fillonin nga 20 tetori, ditën e zgjedhjeve lokale, Poli kërkonte që negociatat të fillonin nga 26 maji, dita kur ekuilibri u prish. Me pak fjalë, Van Den Bruk dje ka dëgjuar dy qëndrime: njërin të PD dhe PS, të dyja të shqetësuara për zgjedhjet lokale dhe tjetri të Polit, i preokupuar për zgjedhjet parlamentare.
PD dhe PS kanë folur te Van Den Bruk me të njëjtin fjalor të dominuar nga mbiemri “lokale”. Në këto kushte, megjithëse dukej si jo shumë serioz, konflikti Poli-PS ka qenë determinues për tavolinën e djeshme. Në rast se dy forcat do të shkonin me të njëjtin qëndrim në takimet me komisionerin, e ardhmja e politikës shqiptare sigurisht do të ishte më ndryshe.
“26 maji” tjetër mund të ishte më afër se viti 2020./Ben Blushi/