Ben Blushi: Ballkan Jashtë Evropës
(Botuar me 4 Nëntor 1997 në KOHA JONE)
Nga Ben Blushi
Liderët ballkanikë kanë tentuar dje gjatë samitit të Kretës të kurojnë disi me para plagët e hapura, por pa treguar xhepat dhe mundësitë që kanë për të sponsorizuar idetë e tyre. Ndryshim ka bërë vetëm Nano, i cili pa u kujdesur shumë për reagimin e të tjerëve, tha se një pjesë e parave duhet të vijnë nga Evropa. Të tjerët kanë kërkuar pa përjashtim një Ballkan jashtë Evropës, përfshirë edhe Greqinë që ndodhet në të dy pjesë.
Pothuajse të gjithë, që nga Simitis dhe Jillmaz e deri tek Millosheviç, Gligorov dhe Nano, kanë folur gjatë për mundësitë e shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare. Ata kanë hapur të gjitha dosjet e mbyllura për vite gjatë kohës së Luftës së Ftohtë dhe më pas gjatë Luftës në Bosnje. Me pak fjalë, në tryezë është rënë dakord në heshtje të përdoret një fjalor i ndryshëm, disi më modern se sa historik dhe tradicional. Jo më kot seanca e parë e ditës së djeshme iu dedikua kooperimit ekonomik dhe më pas u fol për sigurimin, ku natyrisht iniciativat ishin shumë më të pakta në krahasim me seancën e paradites.
Në këtë kontekst nuk ishte fare e befasishme që politikanë të konsideruar si fanatikë dhe konservatorë, si Millosheviç dhe Gligorov, të flisnin për hapjen e doganave, liberalizimin e tyre e deri te bashkimet doganore. Millosheviç, administrata e të cilit ditët e fundit ka treguar shenja liberalizimi për lëvizjen e mallrave në verilindje të Shqipërisë, tha se ish-Jugosllavia është në favor të heqjes së tarifave doganore me disa vende të Ballkanit, si dhe për lëvizjen e lirë të kapitaleve.
Pas tij, Fatos Nano, sipas të cilit ato vende që aplikojnë politika izolacioniste janë të destinuara të dështojnë, tha se Shqipëria është jo vetëm për lëvizjen e lirë të kapitaleve, por edhe të njerëzve. Nano, i cili më pas ngulmoi që nga draft-rezoluta të ndryshohej një paragraf ku përmendej ndihma morale dhe mbështetja ndaj stabilitetit në Shqipëri dhe rivendosjes së rendit, kërkoi në përgjithësi një evropianizim të Ballkanit.
Sipas stafit të Nanos, qeveria ka arritur të rivendosë rendin dhe nuk ka pse citohet në çdo deklaratë si dele e zezë ose si Bosnje. Nga ana tjetër e tryezës, ndryshe nga Fatos Nano, Millosheviç theksoi me forcë idenë e një Ballkani jashtë influencave të Perëndimit, të cilat sipas tij kanë shkaktuar tragjedi në rajon.
Pikërisht në këto dy aspekte duket se ndryshojnë më tepër dy udhëheqësit ballkanikë. Millosheviç, me një pushtet të rrezikuar nga ndryshimet në ish-Jugosllavi si dhe nga presionet e komunitetit ndërkombëtar, kërkon një Ballkan të fortë ku ballkanasit t’i zgjidhin vetë problemet që kanë, ndërsa Nano, me një pushtet të sapomarrë, tenton hapje të rajonit duke imituar format e përdorura në Evropë. Kurse Gligorov, për të cilin edhe Ballkani edhe Evropa janë njëlloj të rëndësishëm për ekzistencën e Maqedonisë, u ndal gjatë në mundësinë e kooperimit ndërballkanik për realizimin e korridorit 8, lindje-perëndim, që parashikohet të bashkojë Stambollin me Durrësin, dhe për korridorin vertikal Jugosllavi-Maqedoni-Greqi.
Politikën e “korridoreve” duket se ka ndërmend ta sponsorizojë fort edhe Turqia, kryeministri i të cilës, Jillmaz, tha se Ankaraja është shumë e interesuar për krijimin e këtyre urave, nëpër të cilat mund të kalonte paqja në Ballkan. Ndërkaq kryeministri rumun Çorbea si dhe përfaqësuesi i Bosnjës dukeshin si dy spektatorë të ftuar në një sofër ku duhej të flisnin dhe Çorbea nuk ngurroi të thoshte se Rumania, e cila nuk ka marrë pjesë pothuajse kurrë në çorbën ballkanike, në fakt është dhe mbetet një eksportuese stabiliteti. Një mungesë të tillë modestie, homologët e Çorbeas natyrisht që nuk mund ta artikulonin kaq kollaj, ashtu siç bëri në fakt Millosheviçi.
Duke folur për krijimin e një rrjeti sigurie në rajon, presidenti i federatës jugosllave tha se ky rrjet nuk mund të krijohet nga ushtritë e superfuqive, por vetëm nga ato të vendeve ballkanike. Millosheviç, i cili i kushtoi më tepër kohë dhe energji projekteve ekonomike se sa atyre të garantimit të paqes, u ankua se janë evropianët dhe ushtritë e tyre ata që e kanë përdorur Ballkanin si fuçi baruti.
RFJ sipas Sllobos, u është përmbajtur të gjitha obligimeve të Dejtonit, ndërkohë që sipas tij, disa vende të tjera nuk i kanë përmbushur premtimet e dhëna në Dejton. Në përgjithësi, Millosheviç ishte ndoshta i vetmi nga liderët ballkanikë që nuk bëri premtime të mëdha, gjë që në Kretë u komentua me fushatën elektorale që ai dhe ministri i Jashtëm Milutinoviç duhet të përfundojnë në 7 dhjetor.
Të dielën në darkë Nano dhe Millosheviç u ndalën t’i jepnin dorën njëri-tjetrit përpara se të uleshin në ekstremet e të njëjtës tryezë, ku darkuan bashkë me kryetarët e tjerë të shteteve ose qeverive ballkanike. Përveç tyre, çifti më i ndjekur ishte padyshim ai Simitis – Jillmaz, të cilët në të kundërt refuzuan të shtrëngonin duart, pavarësisht nga ulërimat e fotoreporterëve të të dy vendeve.
Por zgjidhjet nuk mund të gjenden më duke iu referuar koncepteve të vjetra, tha Simitis duke hapur debatin mbi sigurimin. Megjithëse u kërkua në projektrezolutë, s’është parashikuar përsëritja çdo gjashtë muaj e samitit të nivelit të lartë, ndërkohë janë përcaktuar qartë datat e udhëtimeve të ministrave të transportit, energjetikës, tregtisë etj, të cilët duhet të mblidhen të paktën një herë në vit. B. BLUSHI