Ben Blushi: Berisha fshihet pas presidentit
30 vite KOHA JONË E Mërkurë, 6 Janar 2021 21:03
(Botuar me 12 dhjetor 1996 në KOHA JONE)
Nga Ben Blushi-
Për të gjithë ata që e panë mbrëmë në TV konferencën e shtypit të presidentit nuk është e nevojshme të tregojmë se çfarë tha Berisha. Ndoshta më e rëndësishme do të ishte të themi se çfarë nuk tha ai.
- Berisha nuk tha se është e vërtetë që Tirana ka hyrë në konflikt me Prishtinën, sidomos pas fillimit të protestave të studentëve në Beograd. Konflikti i cili është latent, duket se tashmë po shpërthen. Me propagandën e vet, presidenti shqiptar po i bën thirrje shqiptarëve të Kosovës të ngrihen në demonstrata kundër Millosheviçit. Ndërsa Rugova nga ana e vet po i mban shqiptarët urtë, në vazhdim të politikës së tij të zbutjes së gjakrave me Beogradin. Ndryshe nga Rugova Berisha duket se kërkon një tjetër qeveri në Beograd.
- Berisha nuk tha se inflacioni në Shqipëri në krahasim me vitin e kaluar është rritur afro 15 %. Një vit më parë inflacioni ka qenë 7 për qind ndërsa tani është 22 për qind. Presidenti nuk tha po ashtu se një nga mosmarrëveshjet e qeverisë me FMN ka qenë niveli i inflacionit. Në këtë logjikë, presidenti fshehu faktin se deficiti buxhetor është rritur jo për pasojë të mosvjeljes së taksave, por për pasojë të shpenzimeve të pakontrolluara të qeverisë. Ky vit ka qenë viti i dy fushatave elektorale, dhe sidomos në 26 maj qeveria e ka zbrazur qesen me frikën se do të humbte pushtetin. Ndërkaq, sipas burimeve zyrtare niveli i vjeljes së taksave ka qenë në masën 66 për qind, gjë që nëse është e vërtetë, do të ishte e lakmueshme për çdo vend tjetër të rajonit.
- Berisha nuk tha se autor kryesor i bojkotit të opozitës është ai vetë me ligjet që ka hartuar dhe miratuar në parlament si dhe vjedhjet e pallogaritshme të votave më 26 maj. Kërcënimet, rrahjet dhe presionet mbi opozitën shkaktuan bojkotin, dhe në këtë pikë shtypi nuk ka ndikuar. Përpara 26 majit askund, përveçse në shtypin e kontrolluar nga presidenti, nuk është frymëzuar bojkoti. Ditën e bojkotit më 26 maj shtypi e kishte mbaruar misionin e vet duke uruar ndërrimin e pushteteve në këtë vend. Autorë të vetëm dhe autentikë të bojkotit janë presidenti dhe partia e tij, të cilët implementuan ligjet e gjenocidit dhe të dosjeve duke përjashtuar një pjesë të klasës politike shqiptare.
- Berisha nuk tha se fajdetë janë një fenomen i cili ka paralizuar ekonominë shqiptare. Ai nuk i tha ato që di në lidhje me burimet e parasë dhe po ashtu nuk tha se një nga arsyet e mosnëshkrimit të marrëveshjes me FMN ka qenë pikërisht mungesa e vullnetit për të marrë situatën nën kontroll. Ai nuk tha se çfarë do të bëjë qeveria për njerëzit në rast se fajdetë falimentojnë dhe kursimet e popullatës shkrihen si kripa në ujë. Në të kundërt, ai tha se paratë e fajdeve janë shumë të ndershme, duke kundërshtuar veten kur pak më parë kish thënë se qeveria nuk ka të dhëna mbi këtë fenomen.
- Berisha nuk tha se shkak për mosmarrëveshjet me SHBA janë pikërisht zgjedhjet e manipuluara të 26 majit dhe kërkesa e Uashingtonit për zgjedhje të reja. Ai nuk tha po ashtu se SHBA i ka bërë të ditur se nuk ka ndërmend ta njohë mandatin e dytë të presidentit të marrë nga parlamenti aktual. Po ashtu presidenti nuk tha se në rast se këto kërkesa nuk realizohen dhe në rast se kushtetuta nuk miratohet në bashkëpunim me opozitën, nuk ka asnjë shpresë për përmirësim marrëdhëniesh. Përkundrazi. Këto ishin shkurtimisht vetëm disa gjëra që presidenti nuk i tha në konferencën e djeshme për shtyp. Megjithatë gjithsecili mund të gjejë shumë e shumë gjëra të tjera që presidenti si zakonisht nuk i ka thënë.
Ben Blushi