Ben Blushi: Dita e fundit dhe dita e parë

(Botuar me 31 dhjetor 1996 në KOHA JONE)

Nga Ben Blushi-

Fishekzjarrët që do të hidhen sonte nëpër Shqipëri, urojmë që të mos kthehen as në fishekë, as në zjarre nesër ose në vazhdim të vitit 1997. Viti që mbyllet sot i ka shtuar paratë për fishekzjarrë por nga ana tjetër ai ka shtuar edhe shkëndijat që mund të hapin shumë zjarre nëpër Shqipëri gjatë vitit të ardhshëm. Duke filluar nga nesër shqiptarët do t’u kthehen sërish llogarive të fajdeve ku sipas të dhënave të fundit të paktën një në dy shqiptarë kanë investuar pasuritë. Për ata që patën fatin e keq të humbin shtëpitë, kursimet apo fitimet te Sudja, Limani apo Grunjasi nuk do të ishte shumë njerëzore tua kujtoje këtë në ditën më të gëzuar të vitit. Ndoshta sonte tryezave të tyre do t’u mungojë një gjel apo një pulë apo një shishe verë. Këta elementë të çdo viti të ri janë tretur nëpër sportelet e disa firmave.

Të tjerët që akoma nuk e kanë patur këtë fat kanë shpenzuar ndoshta pa hesap me shpresë se gjatë vitit do të kompensojnë “humbjet” e Vitit të Ri me depozitat dhe interesat. Sidoqoftë viti 1997 i ka të gjitha shanset të hyjë në historinë e vendit si viti më i shtrenjtë. Tavolina e sotme kushton gati 20 për qind më shtrenjtë se sa ajo e një viti më parë. Artikuj të barabartë në peshë, në volum dhe në cilësi kushtojnë dhe do të kushtojnë më shtrenjtë duke nisur nga dita e nesërme. Ndërkaq rrogat janë po ato, taksat janë shtuar dhe do shtohen, ndërsa interesat bankare dhe ato të fajdesë vijnë duke u ulur.

Shumë shqiptarë, sot, rreth tavolinave të shtruara, me siguri janë të kursyer në urime. Shumica kërkojnë të ruhet statukuoja e vitit që shkoi. Me kaq shumica do të ishte e kënaqur. Por bathët nuk janë të tilla. Fajdetë, Kosova, zgjedhjet presidenciale, janë të paktën tre momente që sigurisht do të mbushin vitin 1997. Të tria bashkë e kanë në dorë ta nxijnë ose ta zbardhin këtë vit. Ta mbushim me fishekë ose me zjarre. Sidoqoftë le ta djegim vitin e mbrapshtë ’96 me fishekzjarrë./Ben Blushi/

SHKARKO APP