Ben Blushi: Nacionalizmi, çadër e korrupsionit

(Botuar me 23 shtator 1999 në KOHA JONE)

Nga Ben Blushi-

Tani që po shkruaj mjaft nga arsyet që nxitën konfliktin mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, mes Beogradit dhe NATO-s, janë akoma aktive. Me pak fjalë mund të thuhet se, bombardimi i ish-Jugosllavisë, ndryshimi i përkohshëm i statusit të Kosovës, kthimi i shumicës së refugjatëve në shtëpi si dhe administrimi i krahinës nga OKB, ndoshta e përshpejtuan por nuk e sollën rezultatin e pritshëm: demokratizimin e ish-Jugosllavisë dhe çlirimin e krejt Evropës Juglindore nga ethet e kufijve të vjetër që influencojnë deri në degradim mënyrën e qeverisjes. Në të vërtetë historia e re e Ballkanit provon në një mori rastesh, të anasjellën. Pra, që qeverisja me defekte deformon platformat nacionale, i radikalizon ato, i përdor për tu mbajtur pas pushtetit dhe për tu pasuruar ilegalisht. Nga ky virus nuk ka shpëtuar ende as Shqipëria as Maqedonia e Mali i Zi e aq me pak Serbia. Shenjat janë se në këtë rrugë mund të hyjë shpejt edhe Kosova, pavarësisht nga profilaksia ndërkombëtare. Ndërhyrja e NATO-s në këtë drejtim nuk ka patur, dhe as mund të kishte ndonjë sukses. Nëse do ti ishte gjetur një zgjidhje kësaj kontradikte, pra, mes pushtetit legjitim që kthehet në ilegjitim përmes abuzimit të pakontrollueshëm të tij, do të ishin zbutur mjaft konfliktet rajonale përfshi edhe më tragjikun: atë mes shqiptarëve dhe serbëve. Por kjo zbutje as nuk shihet në horizont dhe me të drejtë mund të thuhet se lufta arriti të krijojë vetëm dhe vetëm një premisë të vagullt paqeje. Personalisht jam i bindur se nëse riaktivizohen shkaqet që shkaktuan Bosnjën dhe Kosovën do të jetë pothuajse e pamundur për tu kthyer edhe për shumë vjet, qoftë edhe në këtë formulë pothuajse artificiale paqeje që kemi sot.

Pyetja është se si mund të arrijnë të mbijetojnë me njeri-tjetrin këta aktorë dhe faktorë që udhëheqin sot rajonin dhe që mbetën atje ku ishin përpara bombardimeve. Sepse bombardimet nuk eliminuan as shkaqet dhe as individët në qendër dhe në periferi të krizës duke mosarritur në të njëjtën kohë të prodhojnë shkaqe dhe individë të tjerë. Bëhet fjale për Milloshevicin në Serbi, UÇK në Kosovë, Gjukanoviçin në Mal të Zi, si dhe për një numër qeverish apo grupesh të dobëta politike që administrojnë pushtetin në Shqipëri, Maqedoni, etj. Nuk është aspak e pabazuar të thuash se nuk ishte vetëm Millosheviçi, por edhe konfliktet e fshehura të interesave në vendet fqinje ato që shkaktuan krizën e Ballkanit dhe që mund ta përsërisin atë në kohë dhe vende të ndryshme. Mafia politike dhe ushtarake e Millosheviçit nuk do të kishte mbijetuar embargon disavjeçare dhe krizat e ekonomisë jugosllave pa ushqimin e mafies ballkanike.

Kriza e Kosovës, përveç dëshirës legjitime të shqiptarëve për tu shkëputur nga Serbia, u gatua në vite edhe nga një numër arsyesh të tjera që burojnë nga interesat e mbajtjes së pushtetit nga grupe politike apo etnike njëlloj të kriminalizuara, si dhe etheve të pasurimit përmes pushtetit në vendet kufitare. Të paktën tashmë është bërë e qartë dhe e faktuar se korrupsioni si dhe një numër interesash të tjera të ndërthura politike, në rajon, ishin furnitorë të dorës së parë, gjatë dhe përpara krizës. Për fat ndërhyrja vendimtare e Bashkësisë Ndërkombëtare i dha një sens tjetër krizës duke eklipsuar momentalisht shfaqjen dhe përplasjen e interesave të ngushta rajonale dhe duke i dhënë luftës një karakter çlirimtar dhe jo material.

E megjithatë, akoma sot, asnjë nga grupet politike në Ballkan nuk ka arritur dhe nuk po premton se do të arrijë shpejt të harmonizojë, me mjete demokratike, së pari interesat nacionale brenda shtetit të vet dhe së dyti ato ndërkombëtare ku përfshihen marrëdhëniet me fqinjët, me minoritetet dhe me Bashkësinë Ndërkombëtare. Ky çrregullim interesash të shtyn të besosh se shumë shpejt do të kemi të tjera ndryshime në Evropën Juglindore. Ndryshim pushtetesh dhe shtetesh. Sigurisht për shumë nga ne tashmë janë kthyer në rutinë grushtet e shtetit apo luftërat ndëretnike. Ironikisht në Ballkan, rotacionet e pushtetit politik dhe etnik nuk arrijnë të kryhen pa eksese të tilla. Kontestimi i mënyrës së marrjes së pushtetit është një argument bazë i luftës politike dhe jo vetëm politike në të gjitha vendet e Ballkanit Jugor, në Serbi, Maqedoni deri diku në Shqipëri, për të mos folur pastaj për Bosnjën, Malin e Zi apo edhe Kosovën.

Në Serbi votimet e shpeshta ideologjike, të shoqëruara me çrregullime të forta gjatë procesit zgjedhor, nuk e kanë filtruar kurrë plotësisht vullnetin e elektoratit serb. Në Maqedoni votimi për nevoja nacionale ka dhënë një rezultat të dëshiruar vetëm nga etnia në shumicë numerike, gjë që, në rast se i përgjigjet realitetit të sotëm etnik, le shumë për të dëshiruar në drejtim të zhvillimit demokratik. Në Shqipëri rebelimi popullor i 97 që përshpejtoi ardhjen e të majtës në pushtet konsiderohet ende nga pakica politike si grusht shteti. Ndërkohë të tjerët janë mjaft larg edhe këtyre proceseve defektoze votimi, por gjasat flasin se edhe Mali i Zi e Kosova do ti përjetojnë shumë shpejt këto shaka demokratike. Por kjo nuk do të thotë se nuk ka një rrugëdalje. Rotacioni i pushtetit besoj se është vendimtar. Një qeveri e ardhur në pushtet përmes votës së lirë jep garancinë e parë të domosdoshme se në vazhdim do të dijë të respektojë edhe interesat shtetërore edhe ato nacionale.

Demokratizimi i brendshëm i shteteve të Evropës Juglindore përmes forcimit të shoqërisë civile dhe monitorimit të rreptë e të kushtëzuar ndërkombëtar të reformave ekonomike është një zgjidhje. Sot vendet tona nuk i kanë definuar ende raportet mes institucioneve dhe parimeve mbi të cilat ngrihen këto institucione. Si pasojë ineficenca e pushtetit, abuzimi politik dhe ai ekonomik shkaktojnë pakënaqësi sociale, varfëri, konflikte dhe dobësim të shtetit ligjor. Këto shkaqe të së tashmes që u shtohen atyre historike, lehtësisht mund të provokojnë kriza siç kemi parë në dhjetë vitet e fundit. Ka arsye dhe prova për të besuar se niveli i ulët i demokratizmit dhe deformimet në funksionimin e shtetit ligjor influencojnë më tepër mbi krizat lokale apo multietnike se sa nostalgjia nacionaliste dhe madhështia e humbur kombëtare. Shqiptarët e Shqipërisë nuk u rreshtuan në një front aktiv luftarak për çlirimin e Kosovës por tentuan ta bëjnë këtë gjë spontanisht kundër abuzimit me pushtetin në pranverë 97. Kjo duket të jetë e vërtetë edhe në rastin e Serbisë. Ndoshta jo çdo lloj pushteti serb do të kishte prodhuar atë energji shkatërruese si pushteti i kriminalizuar i Millosheviçit dhe jo çdo lloj pushteti serb do të kishte marrë po atë goditje ushtarake nga Bashkësia Ndërkombëtare dhe ndoshta edhe nga vetë shqiptarët e Kosovës.

Millosheviçi erdhi te Bosnja dhe më pas te Kosova pasi kishte mbytur gjithë frymën liberale që karakterizonte Jugosllavinë e Titos në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Millosheviçi pati dhe ka probleme me shtypin, me opozitën, me procesin e zgjedhjeve dhe zëvendësimin e reformave ekonomike me korrupsionin. E në këtë logjikë Bosnja dhe Kosova ishin vetëm një fund i parashikuar. Një rezultat lehtësisht i parashikueshëm do të vazhdojnë të jenë krizat në Evropën Juglindore në rast se nuk arrihet demokratizimi i përgjithshëm dhe i ndërkontrollueshëm. Përndryshe Kosova dhe Bosnja do të kthehen në “Serial Killer” me skena që zhvendosen sa në Maqedoni, Shqipëri, Mal të Zi, e më gjerë, pasi aktorët aktualë duke shfrytëzuar faktorët historikë do të prodhojnë gjithnjë të njëjtin aksion.

 

 

SHKARKO APP