Ben Blushi: Qeveria luan me fajdetë

(Botuar me 8 tetor 1996 në KOHA JONE)

Nga Ben Blushi-

Lajmet për rreziqet që u kanosen kompanive të fajdeve janë të trishtueshme dhe njëkohësisht të rrezikshme. Katër vjet pas fillimit të këtij biznesi, qeveria u detyrua të prononcohet publikisht për to, pasi gjatë gjithë kësaj periudhe i kishte lënë fajdetë në harresë duke neglizhuar kësisoj burimin më të madh të të ardhurave të qytetarëve shqiptarë. Për katër vjet rresht qindra mijëra familje, të braktisura nga reforma e PD, gjetën rrugë të vetme mbijetesën e riskun e depozitimit të parave me fajde. Këta njerëz të tradhtuar nga qeveria e tyre shitën shtëpitë, pronat ose mblodhën kursimet e shumë viteve për të rrezikuar te VEFA, Gjallica, Kamberi, ose Sudja. Qeveria që i dinte të gjitha këto, që i dinte shitjet e shtëpive bashkë me vuajtjet e të jetuarit nëpër komshinj, heshti. Ajo nuk mori asnjë masë preventive për të garantuar biznesin e kompanive më të mëdha të vendit, të cilat edhe ato rrezikonin nga ana e tyre. Qeveria heshti për katër vjet dhe u kujtua të dilte në TV vetëm ditën kur asaj iu dha ultimatumi nga organizmat ndërkombëtare. FMN ka kërkuar në mënyrë precize mbylljen e kompanive në një afat sa më të shkurtër, sepse sipas saj dëmet do të jenë më të vogla për xhepat e njerëzve. Natyrisht konkluzionet e FMN janë shumë të ashpra dhe pas kësaj pritet që ky organizëm të anatemohet nga shqiptarët ndoshta më shumë se sa gjithë institucionet e komunizmit të marra së bashku. Megjithatë kalkulimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar janë bërë në tym, sepse qeveria shqiptare nuk i ka servirur organizatës me qendër në Uashington, të dhëna të sakta mbi numrin e depozituesve, si dhe sasinë e parave të depozituara. Shumat e mbledhura me fajde janë marramendëse për fantazinë e çdo shqiptari, dhe si pasojë edhe reagimi ndaj tyre do të duhej të ishte më i kujdesshëm. Masat duhet të kishin nisur të merreshin me kohë dhe jo sot kur gjigantët VEFA, Gjallica, Kamberi kanë grumbulluar ndoshta miliarda dollarë. Tashmë bosët e këtyre firmave kanë të drejtë të ndjehen të tradhtuar nga qeveria e tyre e cila nuk i paralajmëroi me kohë dhe nuk hyri në negociata me ta, në mënyrë që së bashku të shmangnin rreziqet. Deklarata e djeshme e Ministrit të Financave është një apel i shëmtuar që njerëzit të vrapojnë të tërheqin paratë. Mund të kishte mënyra të tjera më njerëzore dhe natyrisht më të kujdesshme për të mbajtur nën kontroll dëshpërimin e njerëzve të cilët rrugë të vetme pas kësaj kanë dyndjen nëpër dyert e pafajshme të kompanive. Nga ana e saj FMN në vend që të terrorizojë popullatën e varfër shqiptare, duhet ti bëjë presion qeverisë që të licencojë kompanitë e fajdeve, shndërrimin e tyre në banka private, në mënyrë që të paktën depozitat të jenë më të garantuara. Sepse ajo që njerëzit do të kërkojnë, duke nisur nga sot, do të jenë depozitat dhe jo interesat. Burokratët e FMN janë aktualisht përtej Atlantikut dhe do ti ndjejnë vetëm me fakse ose imazhe televizive vuajtjet e shqiptarëve. Recetat e tyre janë shpesh laboratorike dhe të paaplikueshme për kushtet e Lindjes. Shumë vende të Lindjes e kanë zbuar FMN duke e quajtur fajtore të varfërisë dhe dhimbjes së popullatës. Deri më sot vetëm qeveria shqiptare i është bindur pa kushte burokratëve të Uashingtonit, gjë që e vërtetoi edhe dje. Megjithatë në fund të fundit ajo dhe jo FMN është përgjegjëse në rast kolapsi. Qytetarët do të duheshin sensibilizuar me kohë për rreziqet dhe natyrisht edhe bosët e kompanive. Qeveria nuk mund të rrezikojë paratë e të tjerëve për të shpëtuar biografinë e saj në dosjet e FMN./Ben Blushi/

 

 

SHKARKO APP