Blendi Fevziu: Fundi i diplomacisë me Millosheviçin
(Botuar me 17 qershor 1998 në KOHA JONE)
Nga Blendi Fevziu-
Kremlini e ka shembur edhe një herë shpresën e komunitetit ndërkombëtar për një zgjidhje diplomatike të krizës kosovare. Millosheviç dhe Jelcin, liderët me fillime politike të ngjashme, kanë nënshkruar një marrëveshje dypalëshe, me të cilën, siç pritej, por ndryshe nga ç’shpresohej, vetëm sa e kanë komplikuar edhe më gjendjen shpërthyese në jug të Ballkanit. Sipas dokumentit të Kremlinit, Millosheviç angazhohet të plotësojë pjesën më të madhe të kërkesave të komunitetit ndërkombëtar, por lë pa zgjidhje atë kryesoren. Armata Jugosllave nuk do të tërhiqet nga Kosova dhe njësitë speciale të policisë nuk do të kufizojnë operacionet e tyre. Thënë ndryshe, masakra do të vazhdojë në Kosovë dhe rajoni do të jetë gjithmonë i kërcënuar nga raketat dhe grykat e tankeve. Marrëveshja e djeshme duket se e ka tronditur politikën euroatlantike. Në vend të presionit për një zgjidhje reale, Rusia i ka dhënë Millosheviçit shansin që t’i bëjë politikës së tij një makijazh të lehtë, për ta bërë kështu më joshëse për Europën nostalgjike.
Në të vërtetë nuk kishte si të ndodhte ndryshe, po të mendosh se delegjitimimi i politikës serbe në Kosovë, mund t’i krijojë Rusisë një sërë problemesh në territorin e saj, përfshi këtu edhe Çeçeninë. Por manovra e trashë e Millosheviçit, e përsëritur për katër vjet me radhë në Bosnjë, nuk ka kaluar me elozhe. SHBA kanë qenë dje më të ashprat me të. Duke filluar që nga Ollbrajt, për të përfunduar te Klintoni, Uashingtoni zyrtar e ka deklaruar marrëveshjen të pamjaftueshme dhe ka përcaktuar si objektiv të padiskutueshëm tërheqjen e trupave.
Pas iluzionit Jelcin, qëndrimi i SHBA mund të afrohet më shumë se kurrë me atë anglez, sipas të cilit, krijimi i një brezi mbrojtjeje në kufirin shqiptaro-jugosllav është ndërmarrje e dështuar. Ky brez sigurimi vlen vetëm për momentin e parë, kur dhuna është ende e lokalizuar. Shpërthimi i saj masiv dhe intensifikimi i politikës së spastrimit etnik, do ta detyrojnë padyshim Shqipërinë të përfshihet në luftë, pavarësisht nga tanket aleate, që do të ngrohen në diellin e nxehtë të bjeshkëve të Tropojës. Përfshirja e Shqipërisë do të tërheqë pas Maqedoninë, duke rikrijuar tablonë e frikshme të Luftës Ballkanike të 1913. Zgjidhja e vetme, e propozuar nga Kryeministri Bler, është ndërhyrja ushtarake në Kosovë dhe sigurimi i qetësisë pikërisht në vatrën e zjarrit. Sidoqoftë, takimi i djeshëm dhe deklarata e Millosheviçit, më shumë se këdo ka dëmtuar politikën e Rugovës. Kosovarët janë të bindur tashmë se zgjidhja paqësore ka vdekur dhe shansi i vetëm mbetet ndeshja e armatosur. Madje nga shkalla e intensifikimit të goditjeve do të përcaktohet dhe ndërhyrja e jashtme. Ndihma e SHBA dhe Evropës perëndimore, do të ndihmojë në këtë rast vetëm që Kosova, në rrugën e saj të pavarësisë, të mos regjistrojë shifra dëshmorësh si ato të Kroacisë dhe Bosnjës./Blendi Fevziu/