Blendi Fevziu: Hendeku brenda PD

Botuar me 19 Shkurt 1997 në KOHA JONE)

Nga Blendi Fevziu-

Mbi tavolinën qeveritare ka mbërritur mocioni më befasues. Një kërkesë dorëheqjeje e nënshkruar nga pushteti lokal i Vlorës, i cili kontrollohet thuajse krejtësisht nga PD-ja. Furia e protestave të shesheve është institucionalizuar kësaj here, duke pritur sipas të gjitha gjasave edhe një përgjigje. Situata ngjan paradoksale po të mendosh se Pushteti lokal i Vlorës i takon PD – së dhe një kërkesë e tillë mund të qe paraqitur në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të para disa kohëve. Peticioni të bën të mendosh se situata ka evoluar. Aq më tepër në kushte të tilla, kur zhvillimet njohin kapërcime befasuese. Nga ana tjetër, ky është problemi i parë serioz, i denjë të konsiderohet një opozitë brenda partisë në pushtet. Nëse mocioni i Shehit dhe deputetëve të tjerë, qe më shumë një variant zgjidhjeje i paraqitur përpara këshillit Kombëtar, Peticioni i Vlorës ka më tepër formën e një ultimatumi, cili nuk ka më mundësi për diskutime. Ai lë të mendosh se protesta e konsideruar deri më sot si një përplasje midis njerëzve dhe Qeverisë, do të transformohet në një përplasje midis Pushtetit Lokal dhe Pushtetit Qendror, të dyja në duart e PD-së. Pra konflikti do të zhvendoset brenda partisë në pushtet dhe kjo do ti rëndojë problemet. Një situatë e tillë ishte e pritshme po të mendosh se Pushteti lokal është më pranë problemeve dhe presioneve të bazës. Ai do të duhet të ndeshet direkt me kolapsin e krijuar nga fenomeni fajde dhe t’i japë zgjidhje konkrete atij. Për më tepër ky është një problem që do të zgjasë gjatë dhe askush nuk mund të thotë se nuk do të okupojë krejt mandatin katërvjeçar të këtij pushteti. Në shumë prej rretheve Pushteti Lokal është më i ndjeshëm dhe më i prekshëm se ai qendror. Për të gjitha këto arsye, Pushteti Lokal ka një njohje më të mirë të problemit. Ai ka mundësi të bëjë një ballafaqim më real të dëmit dhe të mundësive të përballimit të tij. Lëvizja e Pushtetit Lokal të Vlorës, nuk është një lëvizje për konsum. Nuk është as një lloj faljeje që Drejtuesit lokal i kërkojnë zgjedhësve të tyre. Kjo është një kërkesë reale e cila synon minimizimin e pasojave fajde. Natyrisht, drejtuesit lokalë të Vlorës, si ata të gjithë Shqipërisë, e kuptojnë se ky kolaps nuk mund të riparohet. Rikthimi i kapitaleve është i pamundur, por nga ana tjetër kjo është kërkesa e vetme dhe e domosdoshme e njerëzve. Mungesa e zgjidhjes ekonomike nuk mund të provokojë tjetër veçse një zgjidhje politike. Në këtë rast, do të realizohet shpërndarja e përgjegjësisë dhe kjo do të shërbejë për kalimin më të butë të situatës. Natyrisht, që edhe në këtë rast do të jetë tepër e vështirë. Shpërndarja e përgjegjësisë, një gjë që duhej bërë më shpejt dhe në mënyrë më të prerë, nuk mund të realizohet ndryshe veçse përmes zgjedhjeve të parakohshme. Caktimi i datës së tyre, respektimi i rregullave demokratike gjatë zhvillimit të zgjedhjeve dhe krijimi i një parlamenti që të pasqyrojë raportin real të forcave është zgjidhja e vetme politike për kalimin e këtij kolapsi ekonomik. Në të kundërt, PD do të marrë mbi vete të gjitha përgjegjësitë dhe konflikti do të zhvendoset në strukturat e saj. Nuk është aspak çudi që prej pushtetit lokal, ai të kalojë në Parlament, ku deputetët e Vlorës, nuk mund të qëndrojnë indiferentë. Krijimi i një situate të vështirë në parlament do t’i rëndonte problemet e PD-së dhe pas kësaj, për partinë e Berishës, Kasandrat nuk mund të parashikojnë ditë fatlume.

Blendi Fevziu

 

SHKARKO APP