Blendi Fevziu: Paradoksi i shtetrrethimit
(Botuar me 29 Prill 1997 në KOHA JONE)
Nga Blendi Fevziu-
Duhen edhe fare pak orë që Shqipëria të hyjë zyrtarisht në muajin e tretë të Gjendjes së Jashtëzakonshme, që nga dita e parë e dekretimit të saj më 2 mars 1997. Gjendja e jashtëzakonshme, si çdo fenomen tjetër shqiptar i këtyre kohëve, nuk i ka shpëtuar aspektit të saj paradoksal, komik e tragjik njëherësh. E nisur me bujë, për herë të parë ne historinë e vendit që nga viti 1944, me një gjeneral të plotfuqishëm, me trupa që lëvizën drejt Vlorës dhe me një skuadër që e inauguroi në Tiranë duke djegur selinë e gazetës “Koha Jonë”, gjendja e jashtëzakonshme nuk shkoi më larg se kaq. Rregulli ushtarak i javës së parë mbaroi dhe të gjitha palët pas kësaj bënë sikur e harruan. Fatkeqësisht, të gjitha fenomenet për parandalimin e të cilave ajo u dekretua ndodhën. Duke nisur që nga Fieri e më në jug, orari i shtetrrethimit nuk u zbatua kurrë; Depot e armëve u hapën në gjithë vendin; qindra vetë gjetën vdekjen nga të shtënat e armëve; u vodhën depo, banka, institucione dhe dyqane; u hapën burgjet; ushtria u shpërbë dhe vendi u zhyt i gjithi në kaos. Në kundërshtim me të gjithë rregullat ushtarake Komitetet e Jugut vijojnë të organizojnë çdo ditë mitingje, ndërsa trashëgimtari i Fronit, i mbërritur pas pothuaj 58 vjetësh vijon turin elektoral në të gjithë qytetet, duke harruar se në gjendje të jashtëzakonshme aktiviteti publik i partive ndalohet. Fjala e madhe dhe e frikshme “Gjendje e Jashtëzakonshme“ u reduktua në një ndalim të aktiviteteve kulturore dhe çuditërisht në një ndalim qarkullimi pas orës 20.00 në vendin më të qetë, qendrën e Tiranës. Edhe pse zyrtarisht parlamenti nuk e ka tërhequr atë, edhe pse zoti Çelo vijon ta drejtojë formalisht, askush nuk është kujtuar të përmendë, se në një shtet që zbërthehet brenda 24 orësh çdo masë ushtarake është qesharake. Aq më tepër kur të gjitha motivet, për të cilat ajo u dekretua, nuk ekzistojnë më. Problemi i rendit dhe rikthimi i tij, nuk i është i mjaftueshëm për të përligjur një masë të tillë ekstreme. Aq më tepër që gjendja e jashtëzakonshme dhe një element themelor i saj, siç është ndalim qarkullimi, nuk kanë arritur asnjë rezultat serioz. Një njeri që mund të dalë pas orës 20.00 në Tiranë, mund të shohë se autoriteti ushtarak nuk i kalon kufijtë e Unazës së Tiranës, dhe çdo gjë jashtë saj vijon me ritme normale. Rrugët janë të mbushura me njerëz, klubet vijojnë deri në orët e vona dhe kufizimi i lëvizjes kushtëzohet nga vullneti i qytetarëve dhe jo nga dekreti parlamentar. Rendi, thembra e Akilit e Qeverisë Fino dhe e shoqërisë shqiptare në përgjithësi mund të instalohet më lehtë përmes normalitetit sesa përmes panikut. Njerëzit që vrapojnë në bulevardin qendror të Tiranës për t’u mbyllur në shtëpi pa u errur ende dhe biznesi që po vdes nga ky vendim absurd, janë kujtimet e vetme të ditëve fatale të një muaji e ca më parë. Parlamenti, Shtabi i Mbrojtjes dhe Komandanti i tij, duhet ta kenë kuptuar se lufta dhe rreziku, më shumë se një kërcënim real janë një psikozë. Për të mos e ushqyer më tepër atë, ose për të shpëtuar sa më shpejt prej saj, Tirana dhe më pas gjithë vendi kanë nevojë për parametrat normalë të jetës. Shqipëria nuk është Bosnje, as Zaire dhe Somali. Është një vend në krize politike, me një rend të tronditur, por larg luftës civile. Në një situatë të tillë, më e mira do të ishte që Parlamenti, i cili me impotencën dhe pazotësinë e tij ndihmoi në krijimin e kaosit, t’i kërkonte falje këtij populli, duke hequr së pari gjendjen e jashtëzakonshme.
Blendi Fevziu