Blendi Fevziu: PS, ky dem i verbuar

(Botuar me 20 Korrik 1996 në KOHA JONE)

Blendi Fevziu: PS, ky dem i verbuar

Zhvillimet e fundit politike po e përforcojnë më shumë krahasimin e PS me një dem, të cilit sa herë i tund copën e kuqe është gati të vërsulet. Vetëm se si në lojën e famshme spanjolle, PS ende nuk po e kupton se pas ngjyrës tunduese qëndron shpata e toreadorit dhe mbi shpinën e saj janë damkosur disa herë rresht humbje të kushtueshme politike. PS po përgatitet të rinisë një aventurë të re, nga e cila ka pak gjasa të dalë fitimtare. Ajo e ka pranuar sfidën e PD për zgjedhje lokale dhe është turrur rreth tyre me të njëjtin pasion të 26 Majit.  PS nuk po frenohet as nga deklarimet kundër të partive që s’kanë njohur zgjedhjet e fundit parlamentare dhe duket se është e gatshme të ndeshet me PD edhe e vetme. Vendimi i PS për të hyrë në garën e pushtetit lokal nuk është një episod i veçuar. Analiza e ngjarjeve të lë të  mendosh se midis principalitetit, garancisë ligjore dhe sfidës, partia më e madhe e opozitës ka zgjedhur rëndom këtë të fundit. Dy vjet më parë, kur Berisha kërkoi referendum për Kushtetutën, duke shkelur paketën e ligjeve që e njihte këtë si ekskluzivitet të Parlamentit, PS qe e para që u ngrit kundër. Ajo e dënoi shkeljen ligjore, por në vend të tërheqjes pranoi të bëhej palë në këtë shkelje, me të vetmen arsye, idenë fikse të mundjes së  Berishës. Ngjarjet shkuan në favor të saj dhe fitorja krijoi në partinë rozë bindjen e patundur se fitorja e 96 ishte e padiskutueshme. Kjo bindje dhe euforia që shoqëronte atë, e rihodhi PS në një aventurë të re, në pranimin e një ligji elektoral, i cili nuk ishte i favorshëm për pjesën më të madhe të partive politike shqiptare. Ajo votoi kundër ligjit, deklaroi se nuk do ta njihte kurrë atë, por u fut në zgjedhje pikërisht me atë ligj, duke i vënë përballë një detyrimi edhe partitë e tjera të opozitës. PS harroi se kur ligji shkelet një herë, ai mund të shkelet sa herë të duash. Kështu ajo mbeti e befasuar përballë faktit se PD vodhi votat dhe harroi se ajo vetë e kishte favorizuar këtë vjedhje duke pranuar aplikimin e një ligji të diskutueshëm. Sindromat revolucionare duket se mbizotërojnë ende në PS. Por kjo duhet ta kuptojë, se përveç sfidës dhe forcës, një parti ka nevojë të respektojë ligjin. Deklarimet e Polit të Qendrës dhe të Djathtës së Kallakulës, ngjajnë kësaj here të justifikueshme. Partitë më të vogla nuk janë të gatshme për aventura. Ekzistenca e tyre garantohet përmes ligjit. Për to është më i rëndësishëm garantimi i tij se sa fitorja mbi kundërshtarin me çfarëdo mënyre. Tryezat  rrumbullakëta PD-PS dhe tryeza e rrumbullakët e iniciuar nga Presidenti, e kanë vënë PS përballë një fakti të kryer. Berisha ka të gjitha mundësitë të deklarojë se ai është për dialog dhe se ky dialog i pranuar edhe nga PS, po sabotohet nga disa parti të vogla destruktive. Pas kalimit të përgjegjësisë nga vetja tek Poli i Qendrës dhe parti të tjera më të vogla, PD i ka të gjitha mundësitë të ndeshet me PS me avantazhe të ndjeshme. Në qoftë se PS, e verbuar nga etja për të mundur Berishën, ose e kushtëzuar nga probleme të brendshme, nuk arrin ta kuptojë atë sot, ajo nuk duhet të trishtohet nga humbja nesër.

Blendi Fevziu

SHKARKO APP