Blendi Fevziu: Pushteti i klaneve në RTSH

(Botuar me 4 nëntor 1998 në KOHA JONE)
Nga Blendi Fevziu-
Një kontradiktë e rëndë midis Drejtorit të RTSH, Klosi dhe Drejtorit të TV, Mazi e ka bërë praktikisht të pamenaxhueshëm institucionin më të madh dhe më të rëndësishëm në vend. Drejtori i Përgjithshëm Klosi me një shkresë, pa propozim të Drejtorit të TV, Mazi dhe pa aprovim të Këshillit Drejtues, ka larguar nga puna nëndrejtorin Gjoka, por ky i fundit e konsideron vendimin të jashtëligjshëm dhe nuk e njeh atë. Gjoka nuk dorëzon çelësat e zyrës së tij dhe mbi 1200 gazetarë dhe punonjës të RTV presin çdo mëngjes përfundimin e këtij dueli të padëgjuar ndonjëherë në administratën publike.
Fatkeqësisht, rasti i mësipërm nuk është vetëm një detaj i veçuar dhe kaq. Ai është shprehje e një mentaliteti, që prej më shumë se një viti po shkatërron çdo mundësi të rindërtimit të shtetit dhe funksionimit të tij. Të gjithë jemi koshientë se Shqipëria e pas Marsit ’97 kishte si prioritet të parë dhe kryesor ndërtimin e institucioneve shtetërore dhe forcimin e tyre. Ky objektiv që i dha PS më shumë se 70 % të votave të Shqiptarëve, duket se ka falimentuar, duke e futur vendin në një amulli të plotë ose në prag të saj.
Klanet, lobet partiake, kontrabandistët dhe farefisnitë, kanë zënë peng ligjin dhe tempujt e tij. Gjykata është zëvendësuar nga vetëgjyqësia, policia nga kallashnikovi ilegal, ndërsa zyrat e shtetit po shihen gjithnjë e më shumë si kopshte private, ku poseduesit e tyre vjelin jo rrallë të ardhura të majme. Thënia “në Shqipëri nuk ka shtet” e përsëritur me dhimbje dhe me dozë të ndjeshme fataliteti, po dëgjohet gjithnjë e më shumë në këtë vend. Pushteti i klaneve duhet t’ia lërë vendin pushtetit të ligjit, dhe ky është shansi i vetëm dhe i fundit për çiftin Majko -Meta, nëse duan të kenë sukses.
Rasti Klosi – Gjoka është shembulli më i mirë për ta ilustruar impotencën e shtetit, dhe marrjen peng të institucioneve nga interesa meskine klanore. Asnjë drejtues nuk mund të largojë një punonjës thjesht sepse do apo se i duket pa vlerë. Në çdo vend të botës ky do të ishte një skandal dhe sindikata do të kishte bërë mjaft zhurmë. Nëse një njeri është i aftë apo jo; nëse duhet të rrijë apo të ikë, këtë ka ligje dhe procedura që e përcaktojnë. Nëse këto injorohen, për t’ju lënë vend vullneteve personale dhe interesave klanore, Shqipëria shpejt nuk do të jetë më Shqipëri.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?