Blendi Fevziu: Shpërthen konflikti
(Botuar me 18 Prill 1998 në KOHA JONE)
Nga Blendi Fevziu
Dje në mbrëmje vonë, Shqipëria ka rrëshqitur në një krizë politike, më seriozja dhe e para e tillë në shtatë vjet e pluralizëm. Meidani, i cili e kishte kthyer një herë ligjin 48 orë më parë, nuk ka dhënë shpjegime për vonesën e dekretimit të ministrave të tjerë, por veprimi i tij ka provokuar stuhi në zyrat e Kryeministrit dhe Partisë Socialiste.
Me dy deklarata rresht, kreu i qeverisë dhe kryesia e PS e kanë konsideruar veprimin e tij “subjektivist” dhe “jashtë kompetencave ligjore”. Nano ka kërkuar deklarimin edhe të partive të koalicionit, duke i vënë ato përpara alternativës së miratimit apo hedhjes poshtë të deklaratës së 14 prillit. PS ka shkuar edhe më tej, kur ka deklaruar se “veprimi i Meidanit përbën një precedent me pasoja destabilizuese për Shqipërinë dhe Rajonin. Vetë Meidani ka heshtur. Madje ka shpjeguar përse e ka bërë një veprim të tillë, duke qëndruar pas afatit dhjetëditor që i jep ligji. Sidoqoftë, ndeshja e papritur midis Presidentit dhe Kryeministrit e fut vendin në një situatë mjaft të rrezikshme politike. Ajo mund të bllokojë funksionimin normal të Këshillit të Ministrave, mund ta detyrojë Nanon të japë dorëheqjen dhe Meidanin t’ia besojë qeverinë një personi tjetër. Ky person që vështirë se mund të marrë votëbesimin në parlamentin me dominim rozë, do të jetë karta e sigurt që e çon vendin në zgjedhje të parakohshme.
Edhe pse është ende herët për të bërë parashikime të tilla, një gjë është e sigurt. Situata e krijuar e ka thyer përgjithmonë harmoninë midis institucioneve kryesore dhe mund të transformohet shumë shpejt në një konflikt midis Nanos, Meidanit dhe strukturave drejtuese të PS. Konflikte të tilla, të lindura nga shkaqe më të thella, por të mbuluara me pretekste rastësore dhe argumente ligjore, tregojnë se në Shqipëri, mazhoranca e ka shumë të vështirë të qeverisë dhe se pas kësaj mund të mos jetë aspak çudi që ajo të rikërkojë votëbesimin në zgjedhje të reja.