Blendi Fevziu: Sindikatat ose “shpirtrat” e vdekur

(Botuar me 6 tetor 1996 në KOHA JONE)

Nga Blendi Fevziu-

Greva e dy sindikatave për kompensimin e pagave, qe lajmi kryesor i TVSH-së dy ditë më parë. Nga ekrani i tij paqësor, shqiptarët panë një mësuese, e cila plot delikatesë u shkruante nxënësve mbi dërrasën e zezë prozën aq të njohur: “Të dashur nxënës, sot nuk ka mësim”. Kjo sekuencë e përgjumur, shumë inferiore karshi imazheve me mijëra vetë të fundit ’91-’92, që i vetmi lajm që bëri të mësohej për grevën e përgjithshme. Natyrisht, sindikatat dhanë lajmet e tyre. Ato njoftuan se greva paralizoi pikat kyçe të ekonomisë dhe se qeverisa duhet t’i bëjë pas kësaj llogaritë më me kujdes. Por si për ironi të tyre, Qeveria përsëriti edhe një herë deklaratën e parë.

Meksi theksoi se nuk do të ketë kompensime, ose thënë ndryshe, deklaroi se nuk ka frikë.

Në këtë përplasje deklaratash, Meksi është padyshim më logjik. Ai e di se sindikatat nuk kanë një forcë reale me të cilën mund të përligjin kërcënimet. Në këtë situatë, lufta e deklaruar e vendosur do të degjenerojë në shkëmbime deklaratash, nga të cilat nuk humb askush.

Vetëm se ky është një shkak i mjaftë për të hetuar mbi gjendjen e sindikalizmit shqiptar dhe potencën reale të tij. I organizuar pesë vjet më parë si një forcë vendimtare në ndryshimet politike në Shqipëri, sindikalizmi po bën prej vitesh në vend numëro.

Krijimi i një sistemi të ri dhe zhvillimet ekonomike kanë krijuar vështirësi serioze për ekzistencën e tij.

Aktualisht Shqipëria njeh dy grupime kryesore sindikaliste, BSPSH-në dhe Konfederatën e Sindikatave. Dallimi i tyre më tepër se me kritere sindikaliste mund të shpjegohet me kritere politike. Biografia e BSPSH-së është më e lidhur me PD-në, për ardhjen në pushtet të së cilës ajo ka kontribuar jo pak. Konfederata përkundrazi. Duke qenë trashëgimtare direkte e Bashkimeve Profesionale ka ruajtur marrëdhënie më të afërta me PS-në dhe forcat e tjera të opozitës së majtës.

Më 1996 , gjendja e tyre paradoksale ngjason shumë. Të dy forcat e mëdha sindikaliste deklarojnë shifra të përafërta anëtarësh. Sipas të dhënave nga zyrat e BSPSH – së, kjo e fundit numëron rreth 200000 anëtarë në të gjithë Shqipërinë. Më 1991, kjo shifër ishte 500000 , ndërsa më 1993, 250000. Konfederata deklaron edhe ajo të njëjtën gjë. Anëtarësia atje llogaritet të jetë deri në 250000, duke e çuar kështu numrin e përgjithshëm të sindikalistëve shqiptarë 450000 vetë. Sipas të gjitha gjasave kjo shifër llogaritet mbi të punësuarit në sektorin shtetëror. Punësimi privat, për vetë karakteristikat e tij, nuk ka krijuar ende premisat për një organizim sindikalist. Përqendrimi i punëtorëve privatë llogaritet nga 2-20 për çdo qendër pune. Kjo shifër dhe mungesa e traditës përbëjnë pengesën e parë serioze për shtrirjen e sindikalizmit në sektorin joshtetëror. Por 450000 sindikalistët e deklaruar, bien ndesh me të dhënat zyrtare. Sipas njoftimeve të Qeverisë numri i të punësuarve në shtet nuk i kalon të 175000 vetët. Brenda këtij numri, duhet bërë një zbritje normale e të paangazhuarve, duke e reduktuar edhe më shumë numrin e militantëve sindikalistë. Me një logjikë të thjeshtë, Meksi ka të drejtë të mos i trembet kërcënimit sindikalist.

Ushtrisë së shpartalluar të tyre ai mund t’i verë përballë atë të fajdexhinjve shqiptarë, e cila sipas të gjitha informacioneve, llogaritet në rreth 300000 vetë. Kryeministri e kupton se Vefa, Kamberi, Gjallica Cenaj, Sudja apo Populli përbëjnë sot forcën e vërtetë të Shqipërisë. Përballë tyre, sindikatat dhe drejtuesit e tyre ngjajnë gjithmonë e më tepër me çiçikovin, personazhin e njohur Gogolian të “shpirtrave të vdekur”. Dhe për të mos u quajtur “diçka që ekzistonte dikur” , sindikatat është mirë ta kuptojnë se një kohë e re kërkon organizim dhe funksionim të ri./Blendi Fevziu/

 

 

SHKARKO APP