Blendi Fevziu: Situata në Ballkan ose ndeshja e interesave të mëdha ndërkombëtare

(Botuar me 21 qershor 1998 në KOHA JONE)

Nga Blendi Fevziu-

Një shkëmbim deklaratash lëshuar pa shumë kujdes si me nxitim, ka tronditur dje të gjithë ekuilibrat politikë në Europë. “Nëse NATO ndërhyn në Kosovë pa mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB, ky mund të konsiderohet agresion dhe njëherësh rifillim i luftës së ftohtë”- kështu është shprehur dy ditë më parë një ushtarak i lartë rus duke bërë kërcënimin më të ashpër që Europa perëndimore dhe SHBA kanë marrë që nga shembja e perandorisë sovjetike më 1991.

Ndoshta më të ashprin që nga viti 1984, kur Mihail Gorbaçovi u ngjit në fronin e Kremilinit, duke i diktuar superfuqisë komuniste një politikë të re. Vetëm përmendja e luftës së ftohtë si një mundësi dhe rikthimi i fantazmës së saj në politikën aktuale ka mjaftuar për të provokuar reagimin e menjëhershëm të aleancës së Atlantikut dhe për t’i kujtuar Rusisë se raportet e forcave kanë ndryshuar tashmë në botë. Por deklarimi i një kërcënimi të tillë, i bëri të qartë perëndimit se reagimi i menjëhershëm i tij ndaj zhvillimeve të fundit në Kosovë, theu diçka në strategjinë politike të Rusisë. Duke sqaruar njëherazi, disa nga pikëpyetjet që u ngritën me këtë rast.

Kriza kosovare dhe Rusia

Kur trupat e policisë serbe vërshuan në disa nga fshatrat e Drenicës duke terrorizuar gra dhe fëmijë nën justifikimin e luftës kundër anëtarëve të UÇK, jo pak analistë u befasuan, pa ditur të japin një përgjigje të shpejtë. Kishte së paku disa enigma, zgjidhja normale e të cilave, nuk të çonte në një përfundim të tillë.

Së pari, radikalizimi i situatës nuk qe në favorin e Millosheviçit dhe kjo dukej qartë. Pas marrëveshjes së Dejtonit, Lideri i Beogradit qe bërë partner i parë i komunitetit ndërkombëtar dhe statusi i tij qe fuqizuar në raport më atë të viteve 1989 – 1995. Kosova qe lënë jashtë Dejtonit dhe kishte pak shenja që ky komunitet do të kërkonte një zgjidhje të shpejtë të problemit të saj.

Vetë situata e brendshme në Kosovë po shndërrohej në një batak, nga i cili askush nuk do të dilte fitimtar. Rugova që kishte arritur t’i frenonte veprimet radikale të shqiptarëve për nëntë vjet me radhë po humbiste terren dhe nuk ishte çudi që zgjedhjet e 22 marsit 1998, të përftonin një tablo të copëtuar të politikës në Prishtinë. Ky fragmentarizim favorizonte Milosheviçin dhe i jepte atij mundësi të luante me disa lojtarë.

Së dyti, UÇK – ja nuk qe një faktor i ndjeshëm politik. E propaganduar më shumë nga një artikull special i gazetës amerikane “New Jork Times” dy vjet më parë, ajo nuk kishte marrë veprime ushtarake serioze deri atë ditë. Për më tepër forcat e saj qenë të pakta dhe padyshim, policia sekrete serbe dhe forcat e tjera ushtarake dinin shumë gjëra për bazat dhe lëvizjet në terren. Nëse bëhej fjalë për asgjësimin e një bërthame njerëzish që kishin rrëmbyer armët për të luftuar Serbinë, ai mund të bëhej me veprime ushtarake të rrufeshme, pa ndërmarrë operacione pompoze dhe mbi të gjitha, pa vrarë gra, fëmijë, pleq, duke tërhequr vëmendjen e Komunitetit Ndërkombëtar dhe duke i kujtuar atij masakrat e tmerrshme të luftës në Bosnjë.

Së treti, ndërmarrja e veprimeve kriminale mbi popullsinë civile dhe zbatimi i politikës së spastrimit etnik, padyshim që do ta bënte Europën dhe SHBA të reagonte me shpejtësi. Millosheviçi e dinte këtë, siç dinte se pika e parë do të qe rivendosja e embargos ekonomike, e cila do të thoshte as më shumë dhe as më pak, po shkatërrim përfundimtar i Jugosllavisë. Të gjitha këto parashikime u përmbushëm me një vërtetësi profetike dhe ballafaqimi i ngjarjeve me parashikimin përftoi një tablo aspak të favorshme për Millosheviçin. Me veprimet luftarake për gati katër muaj me radhë, me masakrat në Kosovë, ai kishte humbur tashmë gjithë shanset për të qenë partneri i parë politik që Jugosllavia ish-komuniste i ofronte botës në fund të shekullit të XX – të. Politika Kosovare nuk u fragmentarizua dhe Rugova fitoi në zgjedhjet e 22 marsit, 99 % të votave, aq sa asnjë analist optimist nuk e kishte parashikuar deri një muaj më parë.

Opinioni ndërkombëtar u kthye dhe Kosova, nga statusi i autonomisë, që perëndimi e ofronte si maksimumin e mundshëm politik, duket se po zëvendësohet me atë të një republike të tretë brenda federatës, për të mos thënë atë të një pavarësie absolute, nëse forcat e NATO-s ndërhyjnë në vend.

Së fundi, UÇK nga një organizatë fantazmë u shndërrua në një faktor politik vendimtar, duke e futur Serbinë në një ndeshje të gjatë, nga e cila ajo nuk mund të dalë kurrë fitimtare. Përfshi këtu, edhe provokimin e kontradiktave me republikën e fundit të federatës, Malin e Zi. Atëherë përse e bëri Millosheviçi një veprim të tillë dhe cilat do të ishin përfitimet politike të tij? Përgjigjja e kësaj pyetje duket se gjendet në zhvillimet politike përtej Ballkanit. Aq më tepër që situata e këtushme, gjithmonë ka qenë një reflektim i situatës politike botërore në përgjithësi. Në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti, rivaliteti diplomatik amerikano-rus, u shfaq më dukshëm dhe më ndjeshëm në Gjirin Persik. Ndërmjetësimi Rus, i cili kishte ndihmuar për zgjidhjen e një krize të zakonshme të provokuar nga Sadam Hyseini rreth një vit më parë, filloi të zbehet. Iraku refuzoi të pranojë kontrollin e OKB për armët kimike dhe sfidoi me arrogancë kërcënimet e SHBA.

Në një situatë të tillë, SHBA iu drejtua Këshillit të Sigurimit të OKB, duke shpresuar se do të merrte lehtësisht nga ky i fundit të drejtën për të goditur Bagdadin ushtarakisht. Fatkeqësisht nuk ndodhi kështu. Rusia vendosi veton e saj, duke qenë mjaft këmbëngulëse në pretendimin se kjo çështje nuk mund të zgjidhej me dhunë.  Me një veprim të tillë, ato i krijuan një problem mjaft të madh SHBA, përfshi këtu edhe mosmarrëveshjet me disa prej aleatëve kryesorë. Por veprimi i llogaritur i Rusisë nuk funksionoi ashtu siç pritej në Moskë. Duke e ndjerë veten një fuqi ushtarake dominuese dhe duke menduar se e drejta qëndronte në anën e SHBA, Klintoni vendosi të ndërmarrë vetë veprime ushtarake, pa pyetur për mandatin e OKB dhe duke shpërfillur veton Ruse. Kjo sfidë, e cila i la në dorë Moskës një letër të bardhë, nxori në politikën e jashtme botërore edhe pafuqishmërinë ruse, për të qenë një nga aktorët kryesorë. Moska nuk mund ta përtypte kollaj një dështim të tillë dhe padyshim, përgatiti rrethanat për destabilizim në një rajon të dytë. Duke e konsideruar Ballkanin pikën më të nxehtë të globit, duke ditur influencën e saj tradicionale dhe aktuale mbi Serbinë dhe mbi të gjitha, duke ditur interesat amerikane këtu, Rusia vendosi hapjen e një vatre të re tensioni. Iraku u zgjidh, por Millosheviçi, njeriu i cili e kishte llogaritur suksesin e tij politik gjithmonë tek mbështetja e Moskës, krijoi një pikë tjetër të dobët për politikën perëndimore në Ballkan. Kundër interesave të tij, por në favor të politikës globale të Rusisë ai krijoi frontin e ri, zgjidhja e të cilit, nuk është aspak e lehtë.

Rusia, Serbia dhe Komuniteti Ndërkombëtar

Nëse perëndimi i kishte parashikuar rezultatet e takimit Jelcin-Millosheviç, Rusia duket se nuk e kishte parashikuar reagimin perëndimor ndaj tij.

Në një vështrim të vëmendshëm, ka më shumë se sa një arsye për të shpjeguar lëvizjen ruse dhe lëshimet e vazhdueshme që kjo e fundit i ka bërë Serbisë. E para, ajo e politikës tradicionale pro sllave dhe e aleancës ortodokse nga Uralet në Adriatik. Duke e konsideruar Serbinë si një aleate natyrale të saj, Rusia do të shfrytëzojë influencën e saj, për t’i krijuar rrethana sa më të favorshme në Ballkan. Por kjo është vetëm njëra anë. “Në kujtimet e tij, duke folur për bisedat me Klintonin rreth ndërhyrjes ushtarake në Bosnjë, Jelcin tregon se me sinqeritet i është lutur Presidentit Amerikan që ky diskutim të shtyhet për më vonë. I mbërthyer nga problemet me parlamentin, më tetor 1993, ai i ka deklaruar se radhitja e Rusisë përkrah perëndimit kundër Serbisë, do të thoshte mbarimi i tij politik në vend. Duket qartë se marrëdhëniet me Serbinë dhe sllavët e tjerë, nuk shihen në Moskë si një element i politikës së jashtme, por i asaj të brendshme të Rusisë.

Çështja e dytë është edhe më e komplikuar. Rusia e sotme është një konglomerat nacionalitetesh, ku secili aspiron për pavarësinë dhe shkëputjen nga Rusia, sipas skemës së ish republikave sovjetike më 1991.

Çeçenia është shembulli më domethënës i këtij realiteti dhe thembra e tij e Akilit. Mbështetja që Rusia mund t’i jepte politikës separatiste të Shqiptarëve në Kosovë, do ta vinte atë përballë pretendimeve brenda territorit rus. Një vend i cili predikon të drejtën e vetëvendosjes në Ballkan, duhet ta zbatojë atë së pari brenda tij. Por politika e brendshme ruse e përjashton një zgjidhje të tillë. Nga kujtesa botërore ende nuk janë fshirë imazhet e trishtueshëm të tankeve ruse që bombardonin papushim pallatin presidencial të Dudajevit në Çeçeni, simbol i pavarësisë nga Moska.

Por ajo që nuk kishte parashikuar Rusia qe këmbëngulja amerikane për një zgjidhje të shpejtë. Ideja për ta shtyrë problemin vazhdimisht siç kishte ndodhur në Bosnjë dhe për ta vënë perëndimin përballë pafuqishmërisë së gjetjes së një rrugëdalje, nuk funksionoi këtë herë. Duke e parandjerë influencën ruse në shpërthimin e problemit dhe duke parashikuar rrjedhimet në rast të zgjerimit të konfliktit në Shqipëri dhe Maqedoni, SHBA vendosën të kundërveprojnë shpejt. Për më tepër, kësaj here ato patën një mbështetje fantastike nga Komuniteti Evropian dhe personalisht nga kryesuesja e tij e radhës, Anglia. E çliruar nga problemi i Irlandës së Veriut, pika më e dobët e politikës së saj, Anglia ngjan shteti më i interesuar evropian për një zgjidhje të shpejtë dhe përfundimtare. Rusia e kuptoi se nuk mund ta bllokojë SHBA në Këshillin e Sigurimit, ku votat e saj dhe të Kinës do të qenë të mjaftueshme për të shkruar sinjalin “Stop”. Përkundrazi, SHBA deklaruan se do të bëjnë të gjitha përpjekjet në Këshillin e Sigurimit, por shtuan se mandati i tij nuk do të jetë i nevojshëm. Kjo deklaratë e Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, William Kohen qe padyshim kërcënimi më i madh dhe më i drejtpërdrejtë që aleatët i kanë bërë Millosheviçit dhe indirekt, Rusisë, mbështetëses më të madhe të tij.

Aktualisht, përdorimi i forcës ngjan një çështje e zgjidhur, ndërsa forma se si do të kryhet kjo ende jo. Anglia këmbëngul për një ndërhyrje ushtarake dhe dekantim trupash në Kosovë, ndërsa SHBA, për krijimin e një brezi sigurie në kufirin shqiptaro-jugosllav dhe bombardime ndaj objektivave ushtarake të Beogradit në rast se ky nuk ndërpret dhunën në Kosovë.

Sidoqoftë, Rusia e ka kuptuar se roli i saj në politikën e jashtme është zbehur dhe dështimi në Kosovë, do të jetë më i madhi që ajo ka pësuar pas humbjes së influencës në Evropën Qendrore dhe republikat turkofone të Azisë. Kërcënimi i fundit i saj, i bërë jo rastësisht nga një ushtarak, ka qenë ai për provokimin e një luftë të re të ftohtë. Por të një lufte, të cilës, në këtë rast i mungojnë të gjitha kushtet që e prodhuan 53 vjet më parë, kur Kryeministri Anglez Çurçill deklaroi në një Universitet të Londrës: “Një perde e hekurt po shtrihet nga Baltiku, Uralet, e deri në Berlin”./Blendi Fevziu/

 

 

SHKARKO APP