Blendi Fevziu: Tiranë – Prishtinë – Tiranë, ose “Ra ky mort e u pamë”!

(Botuar me 2 shkurt 2006)

Tiranë – Prishtinë – Tiranë, ose “Ra ky mort e u pamë”!

Nga Blendi Fevziu

Avioni i Albania Airlines me të cilin kisha udhëtuar gjithnjë për Prishtinë, një Jak bullgar i prodhuar diku në vitet ’70, ishte zhdukur nga pista.

Në vend të tij, me katër motorët e ndezur qëndronte një prej arritjeve më të fundit të linjës shqiptare, një xhambolino, në derën kryesore të të cilit ishte shtruar qilimi i kuq me rojat e nderit në dy anë. Ishte avioni me të cilin do të udhëtonte për Kosovë delegacioni shtetëror shqiptar, delegacioni i PS-së, një pjesë e Parlamentit dhe disa gazetarë që i shoqëronin. Një miks i çuditshëm politike, por edhe mërie, personazhe që bashkëpunonin e luftoheshin, kundërshtarë të vjetër e të rinj, që befas, i kishte bashkuar ajo që nuk e priste askush, vdekja e Ibrahim Rugovës.

Presidenti i Kosovës kishte ndërruar jetë të shtunën dhe ikja e tij kishte lënë pas po atë dhimbje dhe hutim që lë zhdukja e çdo lideri real që nuk ka lënë pas trashëgimtarë politikë të afishuar. Në shkallët e rrjepura të avionit pritej të ngjiteshin për të asistuar në varrimin e tij, Presidenti Moisiu, kryeministri Berisha, kryetarja e Kuvendit, Topalli, kryetari i PS-së, Rama, kryetarët e grupeve parlamentare të PD-së dhe PS-së, Topi e Majko, ministri i Jashtëm, Mustafaj, ai i Kulturës, Leskaj, shefi i Kabinetit të Presidentit, Imami, këshilltari diplomatik i Presidentit, Kapllani, ish-ministrja e Jashtme, Dade, deputeti Zogaj, princi trashëgimtar Leka dhe një grumbull tjetër njerëzish më shumë apo më pak të njohur, e përbashkëta e të cilëve ishte nderimi ndaj Presidentit të vdekur. Edhe pse vështirë të thuash se patën rezervuar në gjallje të tij, po këtë lloj respekti.

Pak minuta më vonë, të ngjeshur pranë njëri-tjetrit, politikanët sikur përcillnin klimën e akullt të vetë politikës shqiptare. Qenë ulur në të njëjtin avion të ngushtë, kishin thyer të gjitha ligjet dhe Kushtetutën që i ndalonte të udhëtonin bashkë në një mjet, dhe duke ndier ngritjen me tërsëllëm të avionit, nuk e di pse mendova se që nga karroca që transportonte nëpër shi e baltë Ismail Qemalin dhe protagonistët e tjerë që do të shpallnin pavarësinë e Shqipërisë në Vlorë në nëntorin e 1912-s, ky ishte mjeti më i çuditshëm i udhëtimit në historinë e shtetit shqiptar.

Të udhëtosh nga Tirana për Prishtinë me një avion të tillë nevojiten më pak se 30 minuta. Nëse gazetarët do të qenë më të heshtur, një dimension që duket se asnjë nga ne nuk e preferon shumë, atëherë udhëtimi do të ishte edhe më i nderë. Por nuk dukej krejt i tillë. Me disa batuta në distancë Berisha-Rama, me disa lëkundje që e shtonin ankthin dhe me ngacmimet se nëse avioni binte, Fatos Nano e Ilir Meta mbeteshin trashëgimtarët e vetëm të politikës shqiptare, arritëm mbi Kosovë. Një rrafshnaltë e bardhë, e ngrirë, që kishte rënë prej ditësh nën pushtetin e të ftohtit. Një natë më parë temperatura ishte -19 gradë celsius, ndërsa të nesërmen, ditën e varrimit, parashikohej diçka në -11.

Berisha qe ngjeshur pranë dritares së avionit duke ndjekur me vëmendje tokën e ngrirë ku mbërrinte për herë të parë në jetën e tij. Si për një ironi të fatit, vendi të cilit më së shumti i kishte kushtuar vëmendje në jetë, po e priste tashmë me heshtjen e përmortshme. Ishte data 25 janar dhe sipas një njoftimi të publikuar nga Këshilli i Ministrave, ai duhej të ishte këtu, pikërisht këtë ditë, për një vizitë zyrtare. Një vizitë që nuk e bëri dot, sepse Rugova u shua katër ditë më parë. Nuk e di nëse ai ndiente keqardhje për këtë. Në mbrëmje vonë, ndërsa fliste për vizitën që nuk e bëri dot dhe për mikun që nuk e takoi përpara vdekjes, vura re në sytë e tij lot. Por në mesditë ne ishim ende mbi aeroportin e Prishtinës dhe avioni filloi uljen me një nga ato zbritjet e buta dhe të mrekullueshme që amortizojnë çdo vuajtje që të vjen prej tij. Në pistë nuk frynte erë dhe i ftohti prej -9 gradësh nuk ndihej shumë. Ishte një i ftohtë i thatë nga ata që ne provojmë rrallë në Tiranë. Kamerat qenë aty dhe në të dhjetën e sekondës pashë Presidentin e Berishën të mbërthyer nga disa dhjetëra gazetarë.

Pastaj i zgjata dorën pa vëmendje Sabri Hamitit dhe Bajram Rexhepit, ndërsa fytyrat e tyre qenë të ngurta, pa shprehje, sikur mblidhnin gjithë dhimbjen që Prishtina përjetonte atë ditë. Nuk e di se si më doli nga goja shprehja: “Të rroni vetë”, por u binda se njohuritë e mia në raste të tilla tradicionale janë thuajse zero.

Një orë më vonë, autobusi ku qe mbledhur pjesa më e madhe e delegacionit po hynte në Prishtinë. Përfaqësia më e rëndësishme e delegacionit kishte mbërritur tashmë, ndërsa në kolonën qendrore dallohej makina me flamurin kombëtar e Presidentit dhe Benzi i madh i kryeministrit. Asnjëherë tjetër të dy bashkë nuk do të mund të mbërrinin në mënyrë të tillë në Prishtinë dhe nëse kjo do të ndodhte, Ballkani do të ziente nga zhurma dhe ankesat. Tani kishin mbërritur. Ecnin pas njëri-tjetrit, nën masa të forta sigurie, ndërsa anës rrugës, mijëra vetë duartrokisnin në heshtje. Duartrokisnin atë që s’kishin guxuar ta besonin kurrë, por që po ndodhte. M’u kujtua libri i Kadaresë për luftën e Kosovës dhe titulli i tij, “Ra ky morte u pamë”, mund të ishte okeloja më perfekte për këtë tablo makinash shtetërore shqiptare që ecnin ngadalë rrugëve të Prishtinës, qytetit që i ishte ndarë trungut amë në vigjilje të krijimit të shtetit të parë të pavarur të tij, 94 vjet më parë.

Në sallën e homazheve kishte radhë të gjatë. Njerëzit prisnin të heshtur, me orë, për t’u përkulur disa sekonda përpara njeriut që i kishte çuar drejt pavarësisë dhe që befas, nuk do të kishte mundësi ta shihte atë! Për t’i shprehur ngushëllimet familjes dhe për të lënë nën arkivol një tufë me lule. Kur hymë, në sallë ishte qetësi. Moisiu, Berisha, Topalli dhe Rama kishin nderuar më parë. Imazhet e Moisiut dhe Berishës që përkuleshin përpara arkivolit me trupin e Rugovës do të bënin xhiron e botës atë natë përmes CNN-it, BBC-së dhe Euronews-it!

Qëndruam pak sekonda përpara arkivolit dhe unë u kujtova befas se kishim mbërritur në Prishtinë pa lule. Një mungesë që mund të na e shtonte dhimbjen atë ditë. Ndërsa largohesha vështrova edhe një herë fytyrën e akullt të Presidentit që s’jetonte më. Me një qetësi olimpike që vetëm vdekja mund të ta japë. Po ikte duke marrë me vete një stinë trishtimi dhe përpjekjesh, por i bindur se tashmë i takonte historisë. Po ikte duke mbështjellë me vdekjen një mister të madh, misterin e jetës dhe filozofisë së tij. Atë të një djali të mbetur jetim pa mbushur ende një muaj, me babain dhe gjyshin e vrarë, por që jeta e kishte mësuar të mbijetonte. Dhe ai kishte mbijetuar, duke ia përcjellë filozofinë e tij gjithë popullit që udhëhoqi për 16 vjet më radhë. Duke e çuar nga mbijetesa në pavarësi.

Pak minuta më vonë qemë në hotel “Grand”, i cili mbetej po ai që kisha lënë dy vjet e gjysmë më parë. I zhurmshëm, krejtësisht në degradim dhe me stilin tashmë të zhdukur të hoteleve komuniste. Zhurma dhe gjallëria e “Grandit” binte krejt në kundërshtim me heshtjen mortore të sallës disa qindra metra më tej. Mendova se pikërisht “Grandi” duhej të ishte pikënisja e politikës kosovare të së nesërmes. Se aty po gatuhej intriga dhe vendimi politik për zëvendësimin e Presidentit. Pak minuta më vonë, isha i bindur se Kosova ndahej tashmë në dy dimensione. Ai i nderimit për Presidentin e vdekur, i përcjelljes së tij dhe ai tjetri, i zëvendësimit politik, ruajtjes së unitetit dhe vazhdimësisë. Isha i sigurt se Moisiu e Berisha mund të luanin një rol në këtë drejtim. Një rol që mund të ishte deciziv.

Majko ishte bashkuar me delegacionin e PS-së dhe vetë pjesëtarët e delegacionit shtetëror qenë shpërndarë nëpër takime private. Moisiu dhe Berisha qenë akomoduar në dy suita në katin e katërt të hotelit dhe Baton Haxhiu, ndërsa këqyrte numrin e Berishës, 447, u shpreh:

Është suita ku ka fjetur Tito! Bota kishte ndryshuar kaq shumë për 25 vjet. Titoja, njeriu që kishte lartuar ëndrrën e “Bashkim-Vëllazërimit”, nuk jetonte më; ëndrra e tij qe shembur si një gërmadhë; pasuesja e saj, ajo e hegjemonisë serbe po ashtu; Millosheviçi ishte në Hagë, ndërsa Presidenti dhe kryeministri i Shqipërisë kishin zbritur në “Grand Hotel” për t’i dhënë lamtumirën njërit prej njerëzve më të rëndësishëm në Kosovës, por edhe për të sigluar, pa u ndier, pavarësinë e saj.

Në drekë, po e diskutoja të gjithën këtë me Fatmir Limajn, njërin prej emrave më të njohur të UÇK-së, luftëtar i saj, i burgosur për afro dy vjet në Hagë dhe i njohur më pas si i pafajshëm. E takoja për herë të parë pas burgut dhe ai dukej më i menduar dhe më i bardhë në fytyrë. Fatie kishte sjellë që ai të gjendej në një burg me Millosheviçin dhe zyrtarët apo oficerët e tij, duke u bërë shembulli më i mirë i përmbysjes së historisë. Nuk e di nëse e kishte menduar Fatmiri këtë situatë atë ditë të vitit 1998 kur la qytetin për të luftuar njeriun që mbante me dorë të hekurt Kosovën dhe gjithë Jugosllavinë, Millosheviçin! Ndoshta jo.

Fatmir Limaj nuk e reflekton ankthin e politikës kosovare për zëvendësimin e Rugovës. Duket më i qetë dhe i largët. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Hashim Thaçin. E shoh pak më vonë në TATO, i rrethuar fillimisht nga shefi i zyrës britanike e më pas nga i dërguari i Solanës. Agjenda e Thaçit është intensive, si ajo e gjithë liderëve të tjerë. Më vonë, në hollin e “Grandit” kam mundësi ta vërtetoj këtë. Grandi është i mbushur plot me politikanë shqiptarë se të ngjan vetja në Parlamentin e Tiranës, në “Hotel Rogner”, apo “Sheraton”. Tri ditë rresht, protagonistë të tjerë, përfshi Nanon dhe disa ministra, kanë vizituar Kosovën, Burra që nuk i njoh, me pallto të zeza, afrohen pranë njëri-tjetrit dhe përsërisin frazën standard: kryshnoshë!

Duket se shqetësimi më i madh mbetet Presidenti i ardhshëm dhe trashëgimia e LDK-së. “Grandi” zien nga thashethemet. Një herë më thonë se Presidenti i ardhshëm do të jetë Nexhat Daci, më pas më sqarojnë se kjo nuk do të ndodhë, por se Daci ka kërcënuar se në rast se nuk zgjidhet ai me 11 deputetë do të bashkojnë votat me PDK-në. Për udhëheqësi LDK-së, një herë përmendet emrin i Alush Gashit dhe një herë ai i Sabri Hamitit. Po e vështirë të kuptosh diçka. Duket se njeriu me informata më të sakta është ai që rri më qetë, Sabri Godo. I ulur në një kënd të hollit, ai sheh me qetësi zhurmën dhe ankthin. Jeton në Prishtinë që prej dhjetë ditësh me statusin e të dërguarit special të kryeministrit të Shqipërisë për kontaktet me faktorët shqiptarë, por askush nuk e ka zbuluar identitetin e tij, as shtypi.

Afër mbrëmjes mësoj se LDK-ja, sipas një logjike normale, do të ketë sërish Presidentin deri në fund të mandatit, se është arritur një kompromis për Fatri Sejdiun, një jurist në moshë, dhe se LDK mund të ndahet mes Alush Gashit dhe Lutfi Hazirit. Nuk dihet sa të sakta janë informatat, por në orën 20.00 “Grandi” është shndërruar në një vend që pret çdo moment delegacionet e huaja. Shoqëruar me truproja dhe ushtarë të armatosur me gjuhë nga më të ndryshmet, ata lëvizin nëpër ashensorë dhe kate pa shumë bujë.

Në ora 21.00 duhet të nisemi për darkë në një restorant që quhet “Rroni”. Diku në periferi të Prishtinës. Në “Grand” lëmë gjithë delegacionin dhe Mero Bazen që lëviz nga një tavolinë në tjetrën në shoqërinë e gjithë grupeve rivale të LDK-së.

“Rroni” është një restorant relativisht i ri, mbushur me ndërkombëtarë, po të mos llogarisësh Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin që darkojnë në shoqërinë e Fatmir Limajt. Është qetë, por kur dalim, jashtë është acar. Makina tregon se temperatura është -17 gradë, e mjaftueshme për një njeri të mësuar në Tiranë, që të ngrijë.

Holli i “Grand-iť është i qetë, ndërsa Berisha vijon të presë gazetarë dhe politikanë në suitën e tij. Në atë orë të vonë pas mesnate, ngjan se kujtimet e takimeve të tij me Rugovën dhe vitet 1991-1995 dominojnë ndjenjat e tij. Analizon gjithë atë që ka ndodhur në ish-Jugosllavi dhe ka bindjen se statusi është në rrugë të mbarë.

E enjtja në mëngjes ka gdhirë e pastër, me diell dhe me temperatura të ulëta, – 11 gradë. Njerëzit janë ngjeshur në rrugë që prej mëngjesit të herët, transporti është falas nga e gjithë Kosova drejt Prishtinës, ndërsa në qytet është bllokuar qarkullimi. Pothuajse të gjithë delegacionet janë në “Grand”. Edi Rama, Pandeli Majko dhe Arta Dade që takoj të parët më shpjegojnë për takimet e tyre të një dite më parë dhe ngjajnë dukshëm më të afërt me PDK-në. Majko ruan mbi vete ende lavdinë e 1999-s dhe statusin e kryeministrit të Shqipërisë kur Kosova fitoi lirinë. Mbetet popullor në Prishtinë, edhe pse kësaj here nuk mund të jetë protagonist. Aq më tepër që është ndarë nga delegacioni shtetëror ku duhej të bënte pjesë. Rama është po ashtu popullor. Nisen të tre herët për në sallë, ndërkohë që në një anë të kafes ka mbërritur Presidenti Moisiu. Është i qetë. Ka një dinjitet të admirueshëm në raste të tilla dhe një prezencë që jo gjithkush e fiton lehtë. Ky ushtarak i vjetër që e ka veshur uniformën 14 vjeç, që fati e ka përplasur nga një anë në tjetrën, përfaqëson më mënyrë perfekte gjithë seriozitetin e nevojshëm për një shtetar.

Në ora 10.00 kortezhi ka nisur të lëvizë nëpër rrugën qendrore të Prishtinës. Arkivoli ecën ngadalë, shoqëruar nga trupat mbrojtëse të Kosovës dhe roja e tyre e nderit. E vështirë ta imagjinosh këtë shoqërim kontradiktor. Ish-ushtarët e UÇK-së që nderojnë njeriun të cilin për hir të së vërtetës nuk e kanë dashur kurrë; që bartin mbi shpinë arkivolin e tij, të njeriut paqësor që shpesh e quanin tradhtar dhe që tani, kur gjithçka ka marrë fund, varroset si hero. Por ai është Presidenti i tyre dhe Kosova po dëshmon më shumë se kurrë që po bëhet një shtet i vërtetë. Shumë herë më serioz dhe më dinjitoz se sa mendonim ne. E dëshmojnë njerëzit që qëndrojnë në dy anët e rrugës të ngrirë, duke përshëndetur me kokë dhe duke hequr, ndërsa kalon arkivoli, kapuçat që i ruajnë nga i ftohti. Ka një stil dhe dinjitet të paparë në qëndrimin e tyre, në mënyrën se si nderojnë se si duartrokasin delegacionet e huaja dhe kortezhin thuajse familjar. Në krye të tij dallohet edhe Ramush Haradinaj, ish-luftëtari dhe ish-kryeministri që Gjykata e Hagës e ka ndaluar të ushtrojë aktivitetin e tij politik deri në gjykim.

Në mesditë trupi është i vendosur në sallën “1 Tetori”, dekoruar me mjaft hijeshi dhe me një protokoll strikt dhe perfekt. Gjëja që të bie më shumë në sy është prania e delegacionit të Shqipërisë. 70 vende pa llogaritur Presidentin, kryeministrin dhe kryetaren e Parlamentit. Mbi 36 delegacione të huaja, shumica drejtuar nga presidentë e ministra, por një mungesë e plotë e delegacionit serb. Presidenti Tadiç ka kërkuar të marrë pjesë në varrim, por brenda deklaratës ai ka bërë edhe një provokim. Ka shtuar se po shkon në varrimin e një burri shteti në një tokë serbe. E kanë refuzuar, me stil dhe elegancë. Por edhe mund të kishte qenë. Në atë sallë, ndërsa do të ngrihej në këmbë për të nderuar himnin kombëtar shqiptar dhe flamurin e saj, Tadiç do ta kuptonte shpejt se provokime si ky nuk kanë vlerë. Dhe se Kosova nuk do të jetë kurrë pjesë e Serbisë.

Delegacionet çajnë përpara me hap të ngadalshëm. Në një ritual kurorash stolisur me flamujt kombëtarë të vendeve prej nga ata vijnë. Nuk është çudi të thuhet se më të rëndësishmit e pritjes janë Berisha e Moisiu. Hyrja e tyre në sallë shoqërohet me një mërmërimë. Të lehtë, por të pranishme. Çajnë përpara për të nderuar pak sekonda dhe për t’u vendosur së bashku me krerët kosovarë në radhën e parë.

Në 13.00, pas pak minutash heshtjeje dhe pritjeje, ceremonia fillon, Kam një emocion që nuk më përfshin shpesh. Në fillim himni i Flamurit, më pas ai i Kosovës. Kori që këndon me dy zëra. Më vjen ndërmend një skenë e klasës së gjashtë, në vitin 1981, kur për t’u solidarizuar me studentët kosovarë në protesta, mësuesit na nxorën përpara fillimit të mësimit, për të kënduar këngë patriotike. Këngë nga ato që kori i djemve të klasës së tetë i këndonte në çdo përvjetor të pavarësisë. Me po atë zë të plotë e solemnitet. Ishte mënyra më e mirë e solidaritetit sipas tyre. Tashmë ne kishim udhëtuar nga Tirana për t‘u bërë solidarë në një tjetër moment të trishtë. Duke ruajtur po atë solemnitet të kohës së shkollës. Tashmë solemniteti ndihet kudo. Që nga salla e ngritur në këmbë, nga truproja që qëndron e ngrirë, nga përfaqësuesit e delegacioneve që në një sallë të Prishtinës, në ceremoninë e përcjelljes së Rugovës janë ngritur të dëgjojnë dhe nderojnë himnin kombëtar të shqiptarëve. Edhe flamurin në gjysmë shtizë. Një heshtje solemne, e nderë, që nuk e prishin as fjalimet e ndjera, por mediokre të Kol Berishës e Nexhat Dacit. Plot figura të rënda letrare e fraza me një deklamim fals. Por që e shton fjala e mrekullueshme e Petersenit, e Solanës dhe fjalimi politik i sekretarit Xhekson.

Mbas 60 minutash, ceremonia ka mbaruar. Siç parashikohet në protokoll, por siç ndodh shumë rrallë mes shqiptarësh. Jam ende i sugjestionuar. Një sugjestion që do të vazhdojë pak minuta më vonë, kur ndërsa zbresim rrugës në këmbë drejt hotel “Grandit”, së bashku me gjithë delegacionet e tjerë, të rinjtë anash duartrokasin. Si për të falënderuar të huajt që ju janë gjendur pranë në një rast. Në një rast të dhimbshëm. Por që është shndërruar padashje, në shërbimin e fundit që Rugova po i bën vendit të tij. Duke fokusuar gjithë vëmendjen tek ai. Dhe vendi nuk e tradhtoi besimin e tij; organizoi një ceremoni që do ngelet gjatë në kujtesë. Një ceremoni të tillë, që nuk kemi organizuar kurrë në ekzistencën tonë si komb modern.

Në ora 19.30 avioni i Albanian Airlines bëhet sërish gati për ngritje. Në 25 minutat e udhëtimit për Tiranë. Aq sa i nevojitet dikujt për të pirë një kafe të shpejtë në një lokal. Po ajo përbërje, po ajo renditje vendesh për të shmangur ndenjet e padëshiruara, por më pak tension. Policët kosovarë përshëndesin me një buzëqeshje të lehtë. Ngrihemi duke lënë pas një Kosovë tjetër nga ajo që gjetëm; një Kosovë pa Rugovën, por një Kosovë që ka nisur rrugën e saj. Një rrugë e pakthyeshme, por një Kosovë që ka nisur rrugën e saj. Një rrugë e pakthyeshme, por një rrugë që shumë shpejt, me apo pa dëshirën e dikujt, do takohet me rrugën tonë. E si mund të ndodhte ndryshe! Pas një shekulli, fati nuk mund të jetë gjithnjë i pamëshirshëm me ne. “Ra ky mort e u pamë”, përsërita ndërsa avioni bëhej gati për ngjitje dhe Kosova me dritat, shndërrohej në një kartolinë që sa vinte e zvogëlohej nën aeroplanin tonë!

 

SHKARKO APP