Blendi Fevziu: Turist me qëllim. Korfuzi dhe turizmi

(Botuar me 24 gusht 1996 në KOHA JONE)

Nga Blendi Fevziu-

Në librin e saj autobiografik, aktorja më e madhe greke, Melina Merkuri, përshkruan një episod të mrekullueshëm. Në një fshat të vogël në Korsikë, Francë, në prag të perëndimit të diellit, banorët ngjiteshin në një shkëmb. Qëndronin atje derisa dielli perëndoi në det dhe në këtë moment duartrokitën. E magjepsur, Melinaja e përmend këtë episod si një mrekulli të vogël. Por ajo nuk e dinte që në një ishull tjetër mesdhetar, në Korfuz, Greqi, grekët e saj ndoqën të njëjtin ritual.

Në një fshat të quajtur Pelekas, banorët ngjiten në majën më të lartë ku mund të shihen të dy anët e ishullit. Qëndrojnë duke ndjekur zhvendosjen e diellit drejt detit dhe kur humbet aty duartrokasin mrekullisht. Disa çaste më vonë, vendi zbrazet krejtësisht dhe vetëm turistët qëndrojnë të ulur në një bar të mrekullueshëm të quajtur SUNSET, nga i cili, si rrallë në botë, mund të ndjekësh lindjen dhe perëndimin e diellit.

Por ky ritual gjysmë pagan dhe gjysmë idilik nuk është e vetmja që ishulli ju ofron turistëve. Pozita gjeografike dhe historike e ka shndërruar atë prej shumë vitesh në një nga pikat turistike të Mesdheut. Ishulli ka rreth 110 mijë banorë por në kulmin e sezonit të verës, në gusht arrin 700 mijë banorë. Natyrisht dyndja e rreth 600 mijë turistëve nuk është një fakt për t’u injoruar. Agjencitë turistike nuk mund të japin të dhëna të sakta, por flasin për rreth një milion e dyqind mijë turistë që ishulli strehon gjatë gjithë sezonit, nga 15 maji deri më 15 tetor.

Korfuzi është një ishull historik. Gjatë ekzistencës së tij ai ka ndryshuar disa herë emrin dhe padronët e tij, duke trashëguar nga secili prej tyre atë më të mirën. Emri i tij aktual vjen nga Perëndia e ujërave nëntokësore, Gorgira. Por ndërsa perëndia e tyre është strehuar pikërisht këtu, ujërat nëntokësore janë kaq të varfra në ishull. Pothuajse çdo lloj uji i pijshëm importohet nga Greqia kontinentale ose Italia. Gjëja më e mrekullueshme e ishullit mbetet ulliri. Së bashku me kështjellën në qytet, ata janë dëshmia e 500 viteve të sundimit Venecian. Pas humbjes së sundimit venecian, ishulli u sundua përkohësisht nga francezët, anglezët, përsëri francezët, turqit, rusët dhe së në fund, në 1864, u kthyen në Greqi. Patronë të shumtë kanë lënë gjurmë në të. Aq sa një turist i thjeshtë të konstatojë se Korfuzi është më i ndryshëm nga ishujt e tjerë të Greqisë.

Turizmi është aktiviteti i vetëm i Korfuzit. Ishulli të kujton ariun polar që gjuan për pesë muaj të verës dhe fle për shtatë muaj të tjerë. Vetëm se zgjimi atje është i mrekullueshëm. Banorët shpjegojnë se turizmi masiv ka filluar rreth 15 vjet më parë. Rolin kryesor këtu e patën shoqëritë angleze që filluan të sillnin për pushime klientët e tyre me çmime shumë të favorshme. Turistët e parë mbetën të befasuar nga ky vend idilik dhe njëherazi modern i Mesdheut dhe kërkesat u shtuan. Për 10 vjet rresht, anglezët dhe gjermanët qenë klientët më të rregullt të ishullit. Pesë vjet më parë filloi fluksi i italianëve. Falë kushteve gjeografike dhe udhëtimit të lehtë detar nga Bari dhe Brindisi, italianët filluan të zbarkonin në ishull me makinat e tyre.

Bukuria dhe çmimet janë formula e artë turistike e ishullit. Aktualisht Korfuzi ofron çmime të njëjta ose edhe më të ulëta se ato të Sarandës, përkundrejt një infrastrukture shumë më superiore. Apartamentet turistike me dy dhoma kushtojnë 300 USD për 10 ditë, ndërsa garsonierat e vogla mund t’i gjendesh për 200 USD për 10 ditë.

Në shtëpitë e ndërtuara enkas për turizëm, çmimi i një shtrati varion nga 1500 – 2000 dhrahmi, ose i përkthyer në shqip, nga 600 – 800 lekë. Kostot e ushqimit janë minimale dhe padyshim më të ulëta se në Shqipëri. Midis qindra restoranteve dhe kuzhinave të ndryshme, restorantet tipike greke ofrojnë çmime të një drekë që variojnë nga 2000 – 2500 dhrahmi (850 – 105 lekë ). Menuja e gatimeve të peshkut dhe mishit nuk ndryshon shumë nga ajo këtu.

Plazhet e Korfuz janë të ngjashme me ato të Dhërmiut, Qeparosë, Borshit dhe Ksamilit. Vetëm se në guidën turistike të ishullit numërohen 20 plazhe të organizuara, të cilat shquhen për një infrastrukturë perfekte. Në to krahas detit të pastër, ka restorante, bare, sporte ujore, dushe, shërbim me motoskafëve dhe madje jahteve me qira. Si ishujt e tjerë grekë, Korfuzi është i rrethuar nga një rrugë unaze automobilistike dhe dhjetëra rrugë më të ngushta që i bien atij mes përmes.

Transporti i brendshëm realizohet me rrugë automobilistike dhe më pak me atë detare. Shumica e turistëve mbërrijnë atje me makinat e tyre, ndërsa ata që janë të detyruar të fluturojnë mund të marrin në agjencitë e shumta makina apo motorë me qira.

Çmimi minimal ditor i një makine me qira është 3000 lekë shqiptarë në ditë, ai i një motori 900 në ditë. Gjëja më e mrekullueshme e Korfuzit është jeta e natës. Dhjetëra bare, restorante, taverna, diskoteka, të cilat u shërbejnë të rinjve nga e gjitha vendet e Europës, mbushen plot. Shumica e hoteleve organizojnë shfaqje verore dhe mundësia e zgjedhjes është e madhe. Çmimet e bareve të mbrëmjes ndryshojnë nga ato të mëngjesit, por diferenca nuk është e papërballueshme. Në një restorant tipik grek, nga ata që quhen buzuk, dhe që janë edhe më të kërkuarit, duhet të paguash një taks hyrëse nga 1500 – 2000 dhrahmi (600 – 900 lekë) dhe të pish një birrë për një çmim prej 1000 dhrahmi (400 lekë). Shumica e lokaleve hapen rreth orës 22.00 dhe një pjesë tjetër pas mesnatës.

Jeta është kaq e gjallë sa duket se Korfuzi nuk pushon kurrë. Rrugët janë plot dhe në mëngjes, do të gjeni gjithmonë turistë të dehur që bisedojnë me durim me njëri-tjetrin secili në gjuhën e tyre.

Korfuzi dhe shqiptarët

Korfuzi dhe Shqipëria janë aq pranë saqë të dy vendet ndahen vetëm nga një ngushticë e quajtur kanal. Ky kanal, i njohur ndër të tjerët në histori për incidentin e famshëm të kanalit të Korfuzit, që prishi marrëdhëniet për 50 vjet shqiptaro-britanike, duket se ka qenë ura më e mirë për të dy vendet.

Korfuzi i njeh mirë shqiptarët. Përveç marrëdhënieve të përditshme, ishulli ka njohur tre kontakte të mëdha. I pari ka qenë ai me Ilirët Liburne, të cilët e zotëruan dhe e humbën Korfuzin disa herë. E dyta qe ajo e shekullit XVIII, kur një pirat Ulqinakas, i quajtur Haxhi Aliu, u bë tmerri i ishullit. Pirati i famshëm nënshtroi ishullin dhe i vilte atij rregullisht një taksë mujore. Kontakti i tretë qe ai pas vitit 1990, kur mijëra refugjatë shqiptarë te jugut kaluan kanalin me shpresën për një jetë më të mirë. Aktualisht, shqiptarët janë një komunitet i injorueshëm në Korfuz.

Burimet zyrtare nuk mund t’i përcaktojnë me saktësi, por flitet për rreth 4000 shqiptarë ilegalë që qëndrojnë aty gjatë gjithë vitit. Në sezon numri i tyre dyfishohet. Të flasësh për një refugjat në Korfuz do të thotë të flasësh për jetën e një refugjati shqiptar në Greqi. Pa dokumente, pa punë stabël, pa asnjë lloj sigurimi dhe nën kërcënimin e policisë, jeta e tyre duket më e pasigurt se kurrë. Pjesa më e madhe kanë ndryshuar me detyrim emrat si për të vërtetuar se Greqia, vendi që mësoi botës qytetërimin, ka harruar rregullin elementar të tij, respektin për emrin tënd. Emigrantët thonë se kanë marrëdhënie të mira me vendasit. Jeta është bërë më e vështirë për shkak të rënies ekonomike, theksojnë disa, por edhe për shkak të plaçkitësve shqiptarë në bregdet.

Stërnipër të Haxhi Aliut, nisen çdo mbrëmje nga bregu i Sarandës për të vjedhur në plazhet e Korfuzit gomone dhe varka. Kjo pirateri moderne ka shkaktuar në Korfuz një panik të pabesueshëm, të koncentruar në paralajmërimin e parë që turistët marrin nga policia kufitare sapo të shkelin në ishull: Ruajini gjërat tuaja vetjake dhe sidomos varkat nga shqiptarët.

Gjashtë vjet pas ikjes së parë të trembur, shqiptarët duken më të sigurt. Shumica të lidhur me Shqipërinë dhe mund të diskutojnë problemet e këtushme sikur nuk janë larguar kurrë. Refugjatët janë nën ndikimin e dy mediave informative, atë të RTV– së, që duket në pjesën më të madhe të Korfuzit dhe të gazetës KOHA JONË, që shkon atje tri herë në javë. Ndikimi i RTV-së dukej qartë në admirimin për Ardit Gjebrenë.

Shumë prej tyre ndaluan makinën për të marrë një autograf ose thjesht për ta falënderuar. Ndikimi i gazetës Koha Jonë dukej në pikëpamjet politike dhe sensin e theksuar kritik të qeverisë këtu. Largësia, malli për Shqipërinë dhe nevoja për identitet i kanë ndryshuar shumë prej tyre. Turistët e paktë shqiptarë gjendeshin të befasuar nga mikpritja e bashkatdhetarëve emigrantë dhe dëshira naive për t’i prezantuar ata te pronarët si turistë nga vendi më i varfër në Evropë. Krahas emigrantëve, turistët janë kategoria e dytë e shqiptarëve që ishulli i njeh. Sipas agjencive turistike, shqiptarët kanë filluar ta frekuentojnë Korfuzin vetëm këto dy vitet e fundit, por numri i tyre po rritet. Sipas të dhënave të atjeshme, rreth 200 shqiptarë kanë kaluar 10-15 ditë në Korfuz përmes agjencive.

Këtyre mund t’u shtohen edhe ata që erdhën direkt ose për një kohë më të shkurtër. Agjencitë mendojnë se vizat janë problemi kryesor që frenon turizmin shqiptar. Me një organizim më të mirë dhe kushte më të favorshme, shqiptarët do të bëhen në dhjetëvjeçarin e ardhshëm pushuesit dominues të ishullit.

Korfuzi dhe Saranda

Në veri të ishullit, në një fshat të vogël përpara Shqipërisë i quajtur Kouloura , ka një shkëmb që vendasit e quajnë Shkëmbi Shqiptar. Në kohën e izolimit, me dhjetëra turistë vinin deri aty dhe pozonin për aparatet fotografike me Shqipërinë në sfond. Kurioziteti për vendin misterioz bëhej edhe më miklues përballë atij relievi pa formë, vetëm një milje larg. Gjashtë vjet pas Shqipëria ka dalë nga sfondi i fotove me gjithë lakuriqësinë e saj. Agjencitë turistike propozojnë udhëtime ditore për të vizituar Sarandën dhe Butrintin, kundrejt një pagese qesharake.

Ata theksojnë se nuk mund të bëjnë më shumë përballë mungesës së plotë të infrastrukturës në Shqipëri dhe çmimeve që vendasit u propozojnë turistëve. Numri i atyre që kapërcejnë Kanalin e Korfuzit për të vizituar vendin e varfër nuk kalon 300 në javë, nga të cilët rreth 280 janë ditorë.

Por emigrantët shqiptarë që punojnë prej gjashtë vjetësh në turizmin e Korfuzit dhe njohin shkëlqyeshëm atë, vërejnë se shansi i Shqipërisë fillon pikërisht këtu. Korfuzi tani pret 1 milion e 200 mijë turistë, por tre vjet më parë priste 2 milionë. Rritja e taksave në fluturimet charter dhe rritja e përgjithshme greke e çmimeve kanë nxjerrë jashtë loje një pjesë të turizmit të ishullit.

Nëse Shqipëria do të dijë të luajë mirë kartën e saj dhe nëse plazhet e mrekullueshme të Sarandës, Borsh, Qeparo do t’ju afrojnë kushte të ngjashme për çmime më të ulëta, Jugu mund të bëhet një perlë e turizmit mesdhetar. Fitimet janë të pallogaritshme dhe kjo do t’i japë zhvillim turizmit në të gjithë Shqipërinë.

“Përderisa Shqipëria ka plazhe në verë dhe male për ski në dimër, ajo nuk do të jetë kurrë pa turistë”, shprehej tre vjet më parë një ekspert amerikan.

Tani është radha e Shqipërisë. Kjo frazë, e cila u përsërit disa herë dhe në kushte të ndryshme, të lë të mendosh se Shqipëria do të dijë ta kapë këtë shans. Stërnipërit e Haxhi Aliut duhet ta kuptojnë se pirateria i takon tashmë historisë dhe se minierat e floririt janë jo në portet e Korfuzit, por në plazhet e virgjëra të Shqipërisë.

Blendi Fevziu

 

SHKARKO APP