Blendi Fevziu: Vlora, një vit më parë
(Botuar me 5 Shkurt 1998 në KOHA JONE)
Nga Blendi Fevziu-
Ka kaluar plot një vit që kur protestuesit e parë vlonjatë mbushën sheshin dhe bulevardin qendror të qytetit të tyre, duke protestuar për falimentimin e Gjallicës. Natyrisht, u desh fare pak kohë që protesta ta kalonte barrierën ekonomike, për t’u përqendruar në thelbin e mirëfilltë politik të saj. Në një Shqipëri të çoroditur, ku kontrolli kishte dalë përfundimisht nga duart e institucioneve dhe qe përqendruar te sportelet e fajdeve; ku legjitimiteti i pushtetit nuk qe pranuar nga më shumë se gjysma e vendit dhe pothuaj gjithë komuniteti ndërkombëtar, komplikimi i situatës qe gjëja më e pritshme. Paaftësia qeverisëse, presioni i jashtëm, trupat speciale që mësynë qytetin, greva e urisë, armatosja e popullsisë dhe gjendja e jashtëzakonshme, ndoqën njëra-tjetrën me një shpejtësi ngjethëse. Duke krijuar padashur, situatën më të rrallë dhe më paradoksale të historisë 85-vjeçare të Shqipërisë moderne.
Në harkun e 365 ditëve, distanca kohore nuk është ende e mjaftueshme për të arritur një përfundim historik. Imazhet e dhimbshme që mëkuan një nga tragjeditë më të mëdha të shekullit janë ende imponuese, ndërsa plagët që u hapën vijojnë të mëkojnë opinionin publik dhe logjikën politike. Por 365 ditë janë të afta për një bilanc të thjeshtë dhe për të përkufizuar me pak fjalë filozofinë e protestës.
Së pari, Shqipëria sanksionoi sistemin e saj demokratik dhe dëshmoi se lojërat politike, ose politika me dorë të fortë është përfundimisht një filozofi e harruar. Kujtimet e 50 viteve socializëm dhe nënshtrimi absurd, jo vetëm nuk kanë lënë gjurmë, por janë kthyer në sens të kundërt.
Së dyti, ngjarjet e shkurtit, marsit dhe prillit, realizuan rotacionin e nevojshëm politik. Ato dëshmuan se një demokraci ka kriteret e saj dhe injorimi i tyre, mund të provokojë katastrofën. Nga ana tjetër, pesë muaj turbullira, duket se e sfilitën vendin. Fatura e impotencës së klasës politike i kushtoi Shqipërisë mbi 4.000 të vrarë dhe të gjymtuar, dhjetëra mijëra të plagosur, mbi 1 miliard dollarë dëme ekonomike dhe ushtarake, një paralizë të plotë dhe shthurje të institucioneve shtetërore, rrënimin e imazhit ndërkombëtar të saj si dhe plot elementë më pak të rëndësishëm. Vënia në balancë e tyre padyshim që favorizon protestën ndaj shtypjes; sensin e lirisë ndaj uniformave të forcave speciale. Por njëherazi me këtë, të dyja bashkë, dëshmojnë se politika është e aftë të hapë plagë të tmerrshme dhe se këto plagë do t’i vuajmë të gjithë. Imazhet e një viti më parë janë monumenti më i mirë i realizmit, përpara të cilit, politika duhet të vendosë kurorën e saj të pendesës.