Blendi Fevziu: Zgjidhja amerikane

(Botuar me 20 Mars 1998 në KOHA JONE)

Nga Blendi Fevziu

I ulur vetëm për pak orë në Tiranë, Ambasadori Gelbard, i dërguari i Presidentit Klinton në Ballkan, ka lënë të kuptohet atë që po përvijohet si qëndrimi amerikan për të zgjidhur krizën në Kosovë. Me gjuhë diplomatike ai ka deklaruar se “amerikanët janë kundër indipendencës, për një autonomi të zgjeruar në kuadrin e Federatës Jugosllave dhe jo të Serbisë”. Më tej, ai ka shtuar se sidoqoftë, “SHBA nuk mund t’i paragjykojnë bisedimet shqiptaro-serbe”.

Kushdo që i ka ndjekur me vëmendje zhvillimet diplomatike të tre javëve të fundit, mund të kuptojë se një deklaratë e tillë, përbën një evoluim të qëndrimit amerikan. Është fakt se shpërthimi i befasishëm i dhunës në Kosovë, e gjeti të papërgatitur komunitetin ndërkombëtar. Duke ndjerë mungesën e një formule të gatshme zgjidhjeje, ata u përpoqën së pari të ndalojnë dhunën atje dhe më pas, të adoptojnë zgjidhjen optimale për ta zhveshur rajonin nga kërcënimi i një lufte të re. Amerikanët qenë të parët që reaguan në këtë rast dhe kjo nuk qe rastësi. Së pari, diplomacia amerikane mund të ketë shumë pikëpyetje rreth shkakut të shpërthimit të dhunës në Drenicë tani dhe vetëm tani.

Një koincidencë misterioze i lidh zhvillimet ballkanike me qëndrimin amerikan në krizën irakiane dhe me vendosmërinë që ata treguan atje, duke injoruar njëherazi ndërmjetësinë ruse dhe këshillat e saj. Mbështetja fare e hapur që Moska zyrtare i dha Beogradit, e shton në shumë këtë dyshim.

Së dyti, SHBA më shumë se kushdo tjetër e kuptojnë që radikalizimi i situatës në Kosovë, mund të nxisë nacionalizmin në Shqipëri. Në një situatë të tillë, asnjë qeveri shqiptare, pavarësisht këshillave ndërkombëtare, nuk mund ta frenojë përfshirjen në luftë. Një përfshirje fatale, që do të tërheqë pas vetes, Maqedoninë, Bullgarinë, e ndoshta Greqinë e Turqinë, duke shkatërruar ekuilibrin e NATO-s në Evropë. SHBA e dinë më mirë se kushdo se nga një luftë e re ballkanike, shqiptarët janë të vetmit që nuk mund të humbasin më shumë seç kanë humbur nga lufta e 85 vjetëve më parë: mbi 60% të territorit etnik dhe mbi 60% të popullsisë që jeton jashtë kufijve zyrtarë. Amerikanët e shohin se zhvillimet e fundit e kapërcyen formulën e rikthimit në Kushtetutën e ’74.

Ideja e re për një autonomi të zgjeruar brenda Serbisë, nuk do të thotë asgjë. Asnjë diplomat në botë nuk mund ta konkretizojë një term të tillë. Ideja e hedhur dje për një autonomi të zgjeruar në kuadrin e Federatës është padyshim një hap i madh. Ajo nuk është veçse ideja e krijimit të një Republike të Kosovës në kuadrin e Federatës Jugosllave. Një status i ngjashëm me atë që ruan tashmë Mali i Zi. Kjo zgjidhje, që mund të nënkuptohet nga deklaratat e SHBA dhe që padyshim do të adaptohet edhe nga Komuniteti Ndërkombëtar, varet tashmë nga këmbëngulja e liderëve të Prishtinës, Tiranës dhe vijimi i demonstratave në Kosovë

SHKARKO APP