Blendi Fevziu: Zgjidhje, jo zgjedhje
(Botuar me 11 Janar 1998 në KOHA JONE)
Nga Blendi Fevziu
Tensioni politik i fillimvitit duket se ka dominuar dje edhe mbledhjen e Kryesisë së PS. Krahas hamendjeve për ndryshime në organin e lartë dhe komenteve për emrat e rinj që do të zënë vend aty, një element i ri ka dominuar debatin. Një pjesë e anëtarëve të kryesisë ka kërkuar masa të menjëhershme politike, duke renditur si më efikasen ndër to, zhvillimin e zgjedhjeve të reja lokale. Kjo kërkesë e formuluar si një objektiv primar i vitit 1998, me mbështetje midis anëtarëve të Kryesisë, duket se ka ndeshur në pengesën e pjesëtarëve më të lartë socialistë të ekzekutivit. Pavarësisht nga kjo dhe nga ideja se Nano nuk ka qenë dakord me një kërkesë të tillë, fakti që ajo është kërkuar, të lë të mendosh se partia më e madhe në pushtet nuk ndihet shumë e qetë.
Ideja e zgjedhjeve të parakohshme lokale ka padyshim dy synime. E para ajo është një përgjigje direkte për Berishën i cili ka kërkuar zgjedhje parlamentare brenda Marsit të këtij viti. E dyta, ajo perceptohet nga një pjesë e madhe e socialistëve, të pamësuar me një bashkëjetesë të tillë, si zgjidhja e vetme për të qeverisur më lehtësisht vendin. Brenda kampit rozë, shumica e drejtuesve të lartë e kanë kuptuar tashmë se ndryshe nga vitet kur ata vetë qenë në opozitë, PD ka një kartë më tepër. Ajo sundon 90% të pushtetit lokal dhe pothuaj 100% të qyteteve më kryesore të vendit. Ngjarjet e ditëve të fundit, mosmarrëveshjet midis pushtetit qendror dhe atij lokal në shumë qytete; ngritja e flamurit në gjysmë shtizë nga bashkiakët, pa u vendosur kjo nga parlamenti dhe dekretuar nga Presidenti; si dhe aktiviteti i ngjeshur i Berishës me drejtuesit lokalë blu, i ka bërë të mendojnë shumë prej tyre se pushteti nuk mund të ushtrohet në këtë mënyrë.
Nisur nga rezultatet e Qershorit, ata mendojnë se nyja gordiane duhet prerë dhe se një votim i përgjithshëm lokal do t’u japë përfundimisht në dorë krejt çelësat e vendit. Një logjikë e tillë pragmatiste nuk favorizon një vend, i cili kërkon të zbatojë parimet bazë të demokracisë. Zgjedhjet e 20 tetorit nuk mund të zhvleftësohen me dekrete dhe askush nuk ka shkak ta bëjë këtë. PS dhe ekzekutivi i saj duhet të jetë më konsekuent në zbatimin e ligjit dhe ky është çelësi që mund të rregullojë qeverisjen e saj. Nëse një bashkiak apo funksionar lokal ngre flamurin në gjysmë shtizë duke shkelur ligjin; nëse ai nuk i bindet autoritetit qendror, atëherë kjo nuk zgjidhet duke e larguar nga vendi me votime të reja. Shkeljet dokumentohen dhe shkelësit i kalojnë gjykatës, duke sanksionuar parimin bazë të demokracisë: të gjithë jemi të barabartë përpara ligjit dhe të gjithë i bindemi atij. Nëse shkeljet tolerohen, ose mendohet të kalohen me një shkelje të re, në Shqipëri realisht nuk do të funksionojë pushteti.