Blendi Fevziu: Zyrtarët e lartë në mëshirë të fatit
(Botuar me 26 Shtator 1997 në KOHA JONE)
Blendi Fevziu: Zyrtarët e lartë në mëshirë të fatit
Lajmi i vrasjes misterioze të një zyrtari të lartë lokal të SHIK-ut, tronditi dje pothuaj gjithë shtypin e Tiranës. Ngjarja, pa detajet dhe rrethanat e nevojshme për një gjykim më të plotë, pati si zakonisht komente kontradiktore. Fakti që viktima përbënte një ndër njerëzit kyç për zbërthimin e enigmës së revoltës së Vlorës lë mundësinë të dyshosh se vrasja ka motive serioze. Agolli qe ndër të vetmit persona që mund të dëshmonte për fillimet e revoltës, për organizatorët e saj, për praninë në qytet të disa prej elementëve keqbërës, mbërritur papritur në mesin e muajit shkurt, ashtu siç mund të dëshmonte për urdhrat që ka marrë nga qendra, për planet shtetërore të shtypjes së revoltës dhe metodat që ai është urdhëruar të përdorte për këtë.
Por ndërsa vrasja e papritur ia ka mbyllur gojën përgjithnjë, duke e mbushur me pikëllim familjen, pakkush ka shtruar publikisht pyetjen: a është e lejueshme që një zyrtar i lartë, për më tepër drejtues institucionesh delikate, të largohet nga vendi dhe të jetojë si emigrant në një vend tjetër? Ose, cili është në të vërtetë statusi i një nëpunësi të tillë, dhe ç’rregulla duhet të zbatojë ky pas përfundimit të mandatit?
Qenia zyrtar i lartë, është në shumë raste një obligim që i kalon kufijtë kohorë të mandatit. Një person i cili ka qenë për disa vjet President, Kryeministër, Ministër i Mbrojtjes, i Brendshëm, i Jashtëm, Shef i shërbimeve sekrete, apo diçka e tillë, është i detyruar ta kalojë gjithë pjesën tjetër të jetës së tij civile nën kujdesin e shtetit dhe të zbatojë disa rregulla të tij. Shembulli i SHBA, që shpenzon 15 milionë USD në vit, për ruajtjen e grave të ish-Presidentëve dhe një shifër 13 herë më të madhe për ruajtjen e ish-zyrtarëve të rëndësisë së veçantë nuk është një rast pa vlerë. Aktualisht, Shqipëria mund të jetë vendi i vetëm në botë, ku ish-personalitete që kanë pasur në dorë jetën politike, ushtarake apo diplomatike të vendit, pas largimit nga detyra nuk kanë më asnjë obligim. Mjafton të përmendet se ish-presidenti Alia, ish-Ministri i Mbrojtjes Mustaqi, ish-shefat e shërbimeve sekrete të viteve të diktaturës, ish-Shefi i SHIK-ut, Gazidede, ish ZV. Ministri i Brendshëm Shehu, ish-Komandanti i Gardës Xhaferri etj, janë larguar nga vendi, pa lënë asnjë adresë. Për më tepër, disa prej tyre mund të shfaqen një moment në ekranin e një TV të huaj, ashtu siç ndodhi me Kiço Mustaqin në mars, ku nga fabrika e këpucëve ku punonte si roje nate, befasoi grekët me intervistat e tij mbi ushtrinë shqiptare dhe potencialin e saj. Ky handikap që po shqetëson jetën politike shqiptare që prej 1912, duhet të marrë fund. Sepse shteti nuk fillon ditën që një forcë politike merr mandatin dhe as mbaron kur ajo e lë atë.
/BLENDI FEVZIU/