Carlo Bollino: Virusi i Perëndimit
(Botuar me 11 shtator 1998 në KOHA JONE)
Nga Carlo Bollino-
Shqipëria po vuan prej vitesh nga një sëmundje misterioze dhe e panjohur: Oksidentokracia. Asnjë mjek nuk ka mundur ta diagnostikojë deri tani dhe sa herë që ekspertë nga vende të ndryshme të botës vijnë deri këtu për të dhënë këshilla, ndikojnë në përkeqësimin e sëmundjes. Nuk ka rritje pa dhembje dhe këtë e them për të shpjeguar se kjo sëmundje nuk është vdekjeprurëse, madje është dhe e domosdoshme. Por e keqja ekziston dhe duhet treguar.
Oksidentokracia është ai virus që godet vendet më të vogla, kur kushtëzohen tepër nga vendet e mëdha. Qeveria e Fatos Nanos lindi nga rregullat e diktuara nga OSBE, e cila ka diktuar norma demokratike të tipit evropian: një mazhorancë me shumë parti, një President Republike me të vërtetë i pavarur, ndarje e qartë midis gjithë pushteteve të Shtetit, liri të rrymave brenda partive. Kështu funksionon në Perëndim, në vendet që kanë një traditë të fortë demokratike. Shqipëria njeh demokracinë prej gjashtë vjetësh dhe kështu, ato antitrupa që do komuniteti ndërkombëtar dhe që shërbejnë për të evituar rrezikun e autoritarizmit, në këtë trup të ri demokratik provokojnë reaksion, ashtu si hormonet e rritjes.
Nëse Qeveria do të ishte në duart e një njeriu të vetëm, të fortë dhe të pakundërshtueshëm; nëse Drejtësia do të kontrollohej nga i njëjti zotëri në pushtet; nëse do të ishte vetëm një parti në pushtet, pa opozita të tjera, pa zëra apo debate të ndryshme, sot mbase Shqipëria do të jetonte në qetësinë e saj modeste, pa trauma, por jo e lirë. Qeveritë e paqëndrueshme, kriminaliteti, përplasjet sociale janë fytyra tjetër e demokracisë, në gjithë botën.
Këto sa thashë, i përkasin politikës, por një analogji ekziston dhe për ekonominë. Qeveria Nano ka si detyrim të respektojë receta të shëndoshjes financiare të sugjeruara nga jashtë. Fondi Monetar është si një mjek gjigant që pretendon të shërojë vendet e sëmura, duke i dhënë ilaçe të forta dhe duke mos marrë parasysh se çdo pacient që vuan ka dhe një shpirt. Dhe receta e Fondit Monetar për Shqipërinë thotë: të pushohen buxhetorët, sepse i kushtojnë arkës së Shtetit, t’i shtohen taksat popullsisë, të shtohen taksat doganore, të zvogëlohet inflacioni. Nëse Shqipëria nuk respekton këtë recetë, nuk do të ketë ndihma ndërkombëtare. FMN-së nuk i intereson që, për të respektuar normat e saj, rritet papunësia, përhapet varfëria dhe bëhet kontrabandë. Edhe lufta kundër krimit, në Shqipëri, është e dënuar të ndjekë rregullat ndërkombëtare: krimineli duhet të garantohet, policia s’duhet të përdorë dhunë, s’duhet të aplikohet dënimi me vdekje. Por, maskat vazhdojnë të vrasin policë, të cilët duhet të qëllojnë gjithnjë të dytët. Këto rregulla janë të drejta, sepse kanë domethënien e civilizimit modern, por civilizimi është një luks që ka çmim të shtrenjtë.
Natyrisht, e keqja e oksidentokracisë, nuk shërben për të justifikuar abuzimet e atyre që në Qeveri apo në opozitë, përfitojnë për arsye të ulëta personale. Të dhunshmit, të korruptuarit, antiliberalët, duhet të kthehen në shtëpi, sepse edhe kjo është një normë e demokracive moderne. Zotërinjve ambasadorë, që veshin rrobat e mjekëve shpëtimtarë, u kërkojmë të kenë më shumë kujdes dhe respekt. Për faj të një gjykatësi, përfundon pas hekurave, një gabim i një mjeku të çon nën dhe./Carlo Bollino?