Cilët janë mercenarët e Sali Berishës në “Koha Jonë” dhe në PS?
(Botuar me 3 shtator 2000 në KOHA JONE)
Cilët janë mercenarët e Sali Berishës në “Koha Jonë” dhe në PS?
Nga Nikoll Lesi
Katër ditë më parë, kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, duke folur në një prej televizioneve private të Tiranës, për zhvillimet politike të kohëve të fundit në vend, ndër të tjera, përmendi dhe një fakt që çdo njeriu me memorie, i cili ka ndjekur ndodhitë e këtij dhjetëvjeçari në Shqipëri, do t’i dukej si diçka që qëndron më pranë fanta-politikës sesa realitetit. Për të hyrë në temë, kryetari i PS-së, i bëri të njohur publikut të gjerë se në gazetën “Koha Jonë” veprojnë mercenarët e Berishës, duke lenë të nënkuptohet për botuesin e saj. Dhe kjo pas një shkrimi, pothuaj kritiko-problematik, botuar në gazetë para katër ditësh.
Nano, Berisha dhe “Koha Jonë”
Duke u ndalur në “zbulimin” sensacional të zotit Nano, në lidhje me gazetën “Koha Jonë”, cilido do të ngrinte supet dhe do të fërkonte sytë i habitur në maksimum. Kjo do të ndodhte natyrshëm, për këdo që do të sjellë qoftë edhe një fragment kohor në kujtesë, retrospektivisht ngjarjet e përcjella në jetën pothuajse dhjetëvjeçare të gazetës, rolit të saj në zhvillimet politike të vendit gjatë këtyre viteve, pozicionit që ajo ka mbajtur, por sidomos, marrëdhënieve të saj me presidentin e dikurshëm, Sali Berisha, shtetin e atëhershëm dhe gjithë hallkat e piramidës së tij.
Jo shumë kohë pas ngjitjes në pushtet të PD-së dhe Berishës, “Koha Jonë” do të vihej në rolin e oponentes së fuqishme duke kritikuar gabimet, shkeljet, abuzimet e zyrtarëve të PD-së, me në krye Berishën, duke zbuluar skandale financiare të zyrtarëve të asaj periudhe. Në këtë mënyrë, shumë shpejt, kjo gazetë do të dominonte në mënyrë absolute tregun e medias së shkruar. Lidhur me këtë duhet thënë, se një “kontribut” të madh dha dhe partia e drejtuar nga Nano, e cila, ndonëse partia kryesore opozitës, nuk i sillte as më të voglin shqetësim ish-Presidentit, pasi brenda kësaj partie militonin “delfinët e Berishës”.
Në atë kohë, PS përfaqësonte një qenie të përgjumur, e cila duke mos qenë në gjendje të orientohej në rrethanat e krijuara pas kalimit në opozitë, nuk arriti të ishte asnjëherë një kërcënim serioz për pushtetin e demokratëve, pra Berishës. Kështu, në vend që të merrte në mbrojtje interesat e elektoratit të saj të nëpërkëmbur, si pasojë e politikave diskriminuese të pushtetit të Berishës, do të kufizonte gjithë aktivitetin e vet opozitar vetëm në debatet akademike në parlament dhe deklaratat formale ku protestohej kundër bëmave të Berishës dhe pushtetarëve të tij.
Për më tepër, nuk mund të injorohet dhe fakti që, në atë kohë PS është marrë më shumë me kryetarin e saj të burgosur në Bënçë se me masën e gjerë të elektoratit mbështetës deri në sakrifikim, i cili, i ndodhur më pranë realitetit, ndjente domosdoshmërinë e ndryshimit të gjërave. Vetë zotit Nano, do t’i duheshin pothuajse katër vjet për të konstatuar se partia që ai drejtonte ndodhej në një “gjendje kënetore” dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt nuk na qenkëshin gjë tjetër, veçse disa “guralecë” pa asnjë lloj vlere! (Sipas deklaratës së Nanos në qershor 1996, botuar në “KJ”).
Rrjedhimisht, falë kësaj apatie që kishte kapluar partinë më të madhe të opozitës, mungesës së potencialeve të forcave të tjera opozitare të asaj kohe, gazeta “Koha Jonë”, pa iu shmangur aspak realitetit, do të ishte opozita e vetme kundër regjimit të Berishës. Në këtë pozicion, ish-presidenti Berisha ishte i shqetësuar më shumë nga çka lexonte në faqet e “Koha Jonë” se sa nga aktiviteti i krerëve socialistë me në krye kryetarin e tyre të izoluar e të mbyllur në kafaz.
Pushtetarët e atëhershëm e shihnin rrezikun më shumë tek shkrimet e gazetarëve të kësaj gazete, e cila kishte filluar të diktonte në politikën shqiptare se sa tek politikanët kundërshtarë të cilët, të paaftë të ndesheshin me Berishën në terrenin që ky u kishte imponuar, ngushëlloheshin nëpër kafenetë e Tiranës duke lexuar shkrimet e Frrok Çupit, Martin Lekës, Aleksandër Frangajt, Ben Blushit, Armand Shkullakut, Agim Isakut, Arben Imamit, Neritan Cekës, Gramoz Pashkos, Preç Zogajt, Ritvan Peshkëpisë, Teodor Kekos, Bujar Xhaferrit, etj. Me këtë shpjegohet dhe fakti që drejtuesit kryesorë të Partisë Socialiste, vraponin në dyert e redaksisë së “Koha Jonë” për të botuar shkrimet e tyre apo intervistat duke injoruar krejtësisht edhe organin e partisë së tyre, gazetën “Zëri i Popullit”, e cila në vend që të merrej me Berishën, kritikonte Nanon e burgosur se “po prish partinë”.
Dhe kryeredaktori i asaj kohe të “ZP”-së, tashmë është këshilltar i mediave i kryeministrit Meta. Por ne ndihmuam Nanon dhe PS-në, se ju kishit të drejtë e jo se ne ishim militantë të socialistëve. Nisur nga kjo në opinion u krijua përshtypja se gazeta “Koha Jonë” është gazetë e PS-së. Gjithë ky realitet, bëri që regjimi i Berishës të shihte tek “Koha Jonë” kundërshtarin e vetëm serioz, nga mund të vinin rreziqe të paparashikuara. Ndaj Berisha u bëri zbor gazetarëve të kësaj gazete, sa mund të themi se mbetet rasti i vetëm në botë që një pushtet djeg zyrat e gazetës me të madhe në vend, ashtu siç ndodhi natën e 2 marsit 1997 ku u shkrumbua gazeta jonë.
Paradoksi i fantazisë së “agjentëve”
Ky ishte dhe shkaku që gazeta më e madhe vendit nisi intensivisht t’u nënshtrohej sanksioneve nga më të ndryshmet dhe një diskriminimi të egër të ushtruar nga të gjitha hallkat e pushtetit të Berishës, përfshirë policinë, drejtësinë, organet e kontrollit, për të mbërritur deri tek banditët ordinerë, të cilët kërcënimet dhe rrahjet e gazetarëve të “KJ”, i finalizuan me aktin mesjetar të djegies së redaksisë së gazetës në marsin e vitit 1997 dhe vjedhjen, nga bandat, të të gjitha automjeteve të transportit të shtypit të kësaj gazete.
Për të kaluar në llogari financiare, shuma e dëmeve të shkatërrimit nga djegia e vjedhje arrin mbi 350 е mijë dollarë. E për të qenë edhe më të saktë me lexuesit, ju, brenda ligjit, nuk na keni kompensuar as edhe një 1 dollar nga këto dëme, e megjithatë ne jetojmë, edhe pa ju, zoti Nano, ndërkohë që për të tjerë pronarë mediash keni dhënë toka, pasuri, privatizime, tendera në miliona e miliona lekë. Ne nuk ua kemi kërkuar e as nuk e duam një ndihmë të tillë kushtëzuese, e cila në thelb është politike dhe nënshtruese.
Nëse doni emra, njëherë tjetër mund t’ju kushtojmë një faqe me emra, tendera, e financime, por këtë radhë po mundohemi të sqarojmë etiketimin që na bëre publikisht si “mercenarë të Berishës”. Unë, edhe kam bërë gabime nga mosnjohja, moseksperienca, nxitimi karakteristik verior, porse kurrë nuk mund të pranoj emrin “mercenar i Berishës”, por as “servil i Nanos”. Megjithatë le të vazhdojmë.
Gazeta “Koha Jonë” mban rekordin e padive gjyqësore kundër saj nga ana e pushtetarëve të asaj kohe. Ka qenë gazeta e vetme, financat e së cilës ishin vazhdimisht nën kontrollin antiligjor të pushtetit të Berishës. Si asnjë gazetë tjetër, gazetarët e “KJ” kanë vuajtur mbi kurrizin e tyre, rrahjet nga ana e njerëzve të pushtetit, ndalimet në polici që kulmuan në shkurt 1996-ës, kur i gjithë stafi i saj u mbajt për gjithë natën në komisariatin numër dy të policisë së Tiranës.
Duart e gazetarëve të “KJ” kanë provuar prangat, ashtu siç i keni provuar edhe ju padrejtësisht. Janë masakruar gazetarë nga shikasit e Gazidedes e të Agim Shehut. Ju dini se mua më hodhën me tritol banesën ku jetoja në Lezhë, por fatmirësisht shpëtuan gruaja dhe dy fëmijët e mij të vegjël, njëri katër vjeç e tjetri një vjeç. Besoj se nuk ka gjë më të hidhur në jetë se sa kur të rrezikojnë familjen, apo jo zoti Nano? Gjithashtu mendoj se nuk ka më keq për një njëri se sa kur i rrethojnë shtëpinë e të atit me forca ushtarako-policore dhe e detyrojnë atë, pra babain, të rrijë me duart lart mu në pragun e shtëpisë së tij, duke i vënë automatikun në tëmth e duke i thënë “poshtë krimineli Nikollë Lesi”!? Edhe kjo, fatkeqësisht, më ka ndodhur në maj 1997 nga forcat e Sokol Mulosmanit që terrorizonin Lezhën. Represioni shtetëror kundër gazetës “Koha Jonë” do të bëhej edhe më i ashpër kur regjimi i Berishës filloi të merrte të tatëpjetën. Kjo, sepse, për gjithë këtë rrokullimë politike, faji do t’i vihej vetëm kësaj gazete, pasi opozita, që pas zgjedhjeve të 26 majit të vitit 1996, nuk ekzistonte më ose shfaqej si një repart i shpartalluar nga vetvetja dhe mospasja për një kohë të gjatë e një kryetari prezent dhe përditshmërish aktiv. Vetëm duke pasur parasysh të shkuarën e afërt, këtë persekucion dhe dhunim kohëgjatë të institucionit të vetëm stoik të fjalës së lirë dhe oponente, as mund të çohet nëpër mend që gazeta “Koha Jonë” një ditë të ndërrojë misionin e lirisë së vet dhe të bjerë në patronatin dhe shërbimin e ndëshkuesit Berisha.
Aq më naive bëhet një akuzë e tillë, kur shkoni në pohimin e gabuar se editori i gazetës mund të tolerojë vegjetimin e atyre që Nano i quan “agjentë të Berishës”. Sigurisht, zoti Nano ka pasur parasysh disa politikanë të tjerë të PS-së, që dikur mbanin teserën e PS-së, por raportonin në zyrat e Berishës, porse në rrëmbim e sipër, inatçor nga kritikat e gazetës, Nano do të ketë harruar se ka përpara një gazetë, e cila është e lirë.
“KJ”, as e Nanos, as e Berishës
Po pse t’i jetë fiksuar vallë zotit Nano obsesioni për praninë e agjentëve të Berishës, në gazetën “KJ”? Mendja ta do se edhe kryetari socialist, ashtu si një pjesë e opinionit duke gjykuar nga marrëdhëniet e mësipërme të “KJ” me Berishën, ka menduar iluzivisht se gazeta më e madhe e vendit i përket atij dhe partisë që ai drejton, pra PS-së. Mesa duket kreu i socialistëve qeverisës ka mbetur i pavëmendshëm ndaj titujve të ditës së parë të kalimit të tij nga kryetar i opozitës në podiumin e kreut të mazhorancës qeverisëse tre vjet më parë, kur në faqet e kësaj gazete paralajmërohej se “Koha Jonë” do të jetë në oponencë dhe me pushtetin e “Aleancës për Shtet”.
Dhe në të vërtetë, “KJ” gjatë këtyre tre viteve nuk i ka kursyer goditjet kundër ministrave të paaftë, të korruptuar e kontrabandistë të këtij koalicioni. “KJ”, gjithashtu, nuk do të toleronte veprime me karakter antikombëtar të ndonjë zyrtari të papërgjegjshëm apo nga prania e dy ministrave pro-grekë që më parë raportojnë në Athinë se sa para kryeministrit Meta. Kritikave të saj nuk ka arritur t’u shpëtojë edhe vetë Nano. Por megjithatë kryetari socialist, iu ruajt nisjes së konfliktit të hapur me gazetën. Duke dashur të qeveriste pa pasur “ferra nëpër këmbë”, që kur ishte kryeministër, nuk pati guximin të hidhte ndonjë hap për të ndihmuar shtypin e pavarur, siç premtonte me solemnitet nga qelitë e burgut të Bënçës e më pas.
Veç kësaj, pak kohë më parë, kur Kryeministri Meta, inicioi një vendim për të favorizuar gjithë shtypin kryesor të vendit me një grant për qëllime publicitare të kontestuar edhe ligjërisht, kryetari i Partisë Nano do të ngrinte zërin kundër këtij gjesti, duke ia kaluar në këtë reagim të hidhur edhe vetë kryeopozitarit Berisha. Natyrisht edhe kësaj here zoti Nano nuk kishte guxuar të dilte hapur, ndoshta ngaqë kishte planifikuar që në rast nevoje të shfrytëzonte faqet e gazetës për të goditur kundërshtarët e tij brenda radhëve të partisë. Por tani, duket se zotit Nano i ka sosur përfundimisht durimi, pasi mesa duket ka provuar se ëndrrës së tij për ta pasur “KJ” në shërbim politik të orientuar, i ka ardhur fundi. “Koha Jonë”, ka kurajën që nëse boton ndonjë gabim apo pasaktësi të kërkojë menjëherë falje. Natyrisht që do të ishte e mira që faljet të jenë sa më të rralla, porse edhe ne jetojmë në Shqipëri dhe nuk mund të jemi aq të përsosur, pasi jemi pjesë e këtij realiteti politik, ekonomik e kulturor. Megjithatë, nëse na lejohet a mund të pyesim publikisht zotin Nano se a ka kërkuar falje për premtimet publike që nuk i ka realizuar dhe pikërisht:
1-Përse nuk u vu në bankën e drejtësisë ish-presidenti Berisha për të vrarët e mars-qershorit 1997 apo ka ndonjë marrëveshje të fshehtë mes jush për të qëndruar në politikë secili në llogoret që keni zënë tash 10 vjet?
2-Pse nuk i kthyet paratë e fajdeve të premtuara në Vlorë në masën 100 %, ashtu siç keni deklaruar në atë qytet, pasi dhe gazeta “KJ” doli me titull të madh me deklaratën tuaj, ndërkohë që ju na përgëzuat atëherë për saktësinë e shkrimeve nga Vlora e asaj dite?
3-Çfarë ndodhi me premtimet e PS-së që kur të vinit në pushtet do të nxirrnit para bankës së të akuzuarit ministrat e PD-së që kanë vjedhur? Pse asnjëri prej nuk e provoi drejtësinë, por shëtisin lirshëm dhe darkojnë nganjëherë edhe më ndonjë ministër të partisë tuaj?
4-Cili zyrtar i lartë apo ministër i PS-së është shkarkuar për korrupsion dhe ka përfunduar në qelitë e burgut, ashtu siç keni premtuar dikur në opozitë?
5-Pse nuk e zbardhni 14 shtatorin e 1998 ose “grushtin e shtetit” të Berishës apo keni frikë? Kaq për këtë herë, duke ju uruar udhë të mbarë dhe duke ju thënë: Lamtumirë!