Dokle: Jam më liberal se Nano dhe Imami
(Botuar me 4 gusht 1996 në KOHA JONE)i
Mocioni është pak liberal. “Unë jam më liberal se liberalët”
“Jam më liberal se Imami dhe Nano”, ka qenë mesazhi i nënkryetarit të Partisë Socialiste, Namik Dokle për qëndrimin e djeshëm të Imamit. Por Dokle nuk është mjaftuar me Imamin, ai ka sulmuar edhe Nanon, duke bërë të qartë dje reflektimin e tij përfundimtar kundër kryetarit të burgosur dhe përfundimisht kundër frontit opozitar.
Duke rreshtuar veten në kundërshtarët e liberalizmit, Dokle ka reaguar ashpër ndaj Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Aleanca Demokratike. “Jam liberal se Imami sepse ulem në tryezë me Partinë Demokratike, ndërsa Imami e kundërshton”, ka qenë argumenti i servirur nga Dokle. Ulja e PS-së në tryezë me PD-në, është sulmuar ashpër jo vetëm nga PAD, por edhe nga PSD edhe PDD. Kështu PS ishte e vetmja parti që u shkëput prej fronit opozitar, në kërkim të PD-së, duke u ulur në bisedime pa asnjë kusht. Kjo i dha mundësi PD-së të arrinte atë që dëshironte, duke e paraqitur tryezën dypartiake si fillim të dialogut me opozitën, ndërkohë që vendimet e marra nuk i shërbenin aspak opozitës. Pas uljes së Pëllumbit në tryezën presidenciale ku dha konsensusin për zgjedhjet lokale, Berisha rrëzoi shumë shpresa për mirëkuptim duke shpallur datën e zgjedhjeve. Të gjitha këto veprime politike të PS-së u sulmuan ashpër nga Poli i Qendrës, i cili e vuri nën akuzë PS-ën. PS po shkatërronte fronin opozitar, por u tërhoq në tryezën e 9 partive të iniciuar nga Poli. Në deklaratën e fundit të tryezës së 9 partive, PS e ka firmosur pranimin e gabimit të saj në tryezën presidenciale. “Berisha pasi mori konsensusin e disa partive, kryesisht në pushtet, vendosi caktimin e zgjedhjeve të reja”, thuhet në deklaratë. Për tryezën ku Pëllumbi dhe Hajdaraga i buzëqeshën me ëmbëlsi Berishës. Por megjithëse kjo deklaratë u firmos edhe nga Dokle, nënkryetari socialist përsëri kundërshton për të nxjerrë aksionet e tij si liberale. “PS ulet me PD-n që të fitojë kartën e rinovimit”, ka thënë Imami pas tryezës së parë PS-PD. Fjalët e tij duket se po vërtetohen kur nënkryetari i PS-së, kryeredaktori i “ZP”-së, të PPSH, megjithëse nuk është përmendur fare nga pedagogu i lëvizjes së dhjetorit ’90, Imami, as si liberal dhe as si konservator, ka mbetur i pakënaqur ndaj qëndrimit të tij në mbështetje të liberalëve. Sekretari i PAD nuk ka pranuar të përmend emra dhe as të dalë në mbështetje të mocionit. Ai vetëm sa ka përmendur liberalët, si grupim ndaj të cilit Dokle e ka përjashtuar dje veten, duke dalë më liberal se liberalët.
Për herë të parë nënkryetari socialist është shprehur dje kundër mocionit të Fatos Nanos: “Jam kundër sepse mocioni është pak liberal”, ka thënë Dokle për të theksuar se është shumë liberal. Me të vërtet ai nuk ka duruar pa e deklaruar hapur edhe këtë: “Jam më liberal se liberalët”. Kështu është shprehur Dokle, duke i bërë “sfidë liberalizmi” kryetarit të burgosur pikërisht pasi e ka sulmuar për liberalizmin e tepruar, duke mos gjetur kohën e duhur për paraqitjen e mocionit. Kështu Dokle ka dalë jo vetëm kundër kryetarit të vet, por edhe kundër PAD, njërës prej partive kryesore të opozitës që ka mbajtur një peshë shumë të madhe në zgjidhjen e krizës politike pas dhunimit të votës së lirë më 26 maj.
Enton Abilekaj