Dr. Fehmi Abdiu, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese: Si duhet zbatuar Kushtetuta nga institucionet kushtetuese 

(Botuar me 7 maj 1999 në KOHA JONE)

Dr. Fehmi Abdiu, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese: Si duhet zbatuar Kushtetuta nga institucionet kushtetuese 

U bënë 5 muaj nga koha që ka hyrë në fuqi Kushtetuta e re. Pas miratimit të saj në Shqipëri kanë lindur shumë probleme e të tjera mund të dalin në të ardhmen. Me sa duket këto në një farë mase kanë patur ndikimin e tyre për mospërqendrimin sa e si duhet të vëmendjes në drejtimet kryesore të vënies në jetë të kërkesave kushtetuese. Me gjithë dëshirën për të justifikuar hapat konkretë që duhen hedhur për këtë punë, qoftë dhe me situatat e vështira që po kalojmë, për detyrat e emergjencës mendoj se koha ka kaluar e disa dukuri që vihen re nuk përligjen me çfarëdo arsyetimi e argumentesh që të parashtrojmë për këtë problem. Në një shkrim të botuar në gazetën “Koha Jonë” në datën 04.02.1999, kam parashtruar disa probleme për të gjitha institucionet kushtetuese shqiptare, por për fat të keq mbas asaj date vihet re e njëjta plogështi e papërligjur. Problemet që mendoj se duhen parë urgjent janë ato që lidhen drejtpërsëdrejti me Kushtetutën, prandaj këtyre qëndrimeve u duhet thënë stop pa humbur kohë.

  1. Organet kushtetuese t’i përshtaten Kushtetutës

Mbas miratimit të Kushtetutës, nga organet që ndryshojnë emërtimet dhe funksionet qoftë dhe pjesërisht, vetëm Kuvendi ka ndryshuar fizionominë e vet si përpjekje për t’u harmonizuar me dispozitat e ligjit themelor. Megjithëse Kushtetuta ka sjellë ndryshime për mjaft organe kushtetuese, shumë nga këto të fundit akoma ruajnë strukturat apo emërtesat që kishin më përpara. Ndër më kryesoret janë:

  1. Këshilli i Ministrave

Duhet të përshtatet përbërja e Këshillit të Ministrave me përmbajtjen e nenit 95 të Kushtetutës, sipas të cilit “Këshilli i Ministrave përbëhet nga: Kryeministri, zv. kryeministri dhe ministrat”. Më përpara, sipas nenit 35 të ligjit nr. 7491 datë 29.04.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese, në për bërjen e Këshillit të Ministrave hynin: kryetari, zv. kryetari, ministrat dhe personat e tjerë të përcaktuar me ligj”. Sipas një ligji të veçantë, ishte përcaktuar se në përbërje të Këshillit të Ministrave futeshin dhe persona që nuk mbanin funksion të mirëfilltë të ministrit. Për kohën, kjo gjë ishte normale. Kjo formulë lidhur me përbërjen e Këshillit të Ministrave ka ndryshuar, prandaj mbetet detyrë e Këshillit të Ministrave që të konfirmohet Kushtetues pa humbur kohë. Rrugët dhe mundësitë për këtë ekzistojnë prandaj nuk duhet neglizhuar. Nuk duhet konsideruar si normal fakti që anëtarë të kabinetit qeveritar vazhdojnë të jenë të tillë pa qenë të emëruar si të tillë nga organet përkatëse që e kanë këtë të drejtë.

  1. Gjykata e Lartë

Gjykata e Lartë e krijuar me Kushtetutë duhet të gjejë vendin e vet në legjislacion. Me Kushtetutën e Re, Gjykata e Kasacionit është konceptuar si Gjykatë e Lartë. Kjo e fundit ndryshon si nga ana organizative dhe në lidhje me kompetencat e saj, nga Gjykata e Kasacionit. Megjithëkëtë, as legjislacioni procedural penal e civil, e as ligji mbi Gjykatën e Lartë nuk janë miratuar. Pra, Gjykata e Lartë punon me ligjin dhe me dispozitat që vepronin për Gjykatën e Kasacionit.

  1. Shërbimi Informativ Kombëtar

Sipas ligjit nr. 8391 datë 28.10.1998, Shërbimi Informativ Kombëtar drejtohet nga kryetari. Kryetari e zv/kryetari emërohen e shkarkohen nga Presidenti i Republikës me propozim të Kryetarit të Këshillit të Ministrave. Me Kushtetutën e Re, ky organ duhet quajtur Shërbimi Informativ i Shtetit. Edhe këto ndryshime nuk janë miratuar akoma.

  1. Forcat e Armatosura

Aktualisht në vendin tonë ekzistojnë disa ligje për Forcat e Armatosura. Disa nga këto ligje kanë të bëjnë me policinë e të tjera me ushtrinë. Para miratimit të Kushtetutës, forcat e policisë së rendit përfshiheshin me forcat e armatosura. Me Kushtetutën e Re, forcat e armatosura përbëhen nga forcat tokësore, forcat detare dhe ajrore. Pra, policia nuk bën pjesë në këto forca sepse është konceptuar ndryshe nga sa ka qenë më përpara. Në këto kushte duhen ndryshuar të gjitha ligjet ekzistuese për këtë problem me rëndësi.

  1. Avokati i Popullit

Për herë të parë në Kushtetutë gjen vendin e vet organi me shumë rëndësi i Avokatit të Popullit, që teorikisht ekziston në Shqipëri që nga data e miratimit të Kushtetutës. Sipas ligjit nr. 8454 datë 04.02.1999 që doli në bazë e për zbatim të Kushtetutës, Kuvendi duhet të zgjedhë Avokatin e Popullit brenda 2 muajve nga hyrja në fuqi e tij.

Sipas Kushtetutës dhe ligjit “Avokati i Popullit mbron të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshme të individit nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike si edhe të tretëve që veprojnë për llogari të saj”. Siç shihet ai ka detyra të rëndësishme në mbrojtjen e shtetasve nga paligjshmëritë, prandaj kërkohet që të gjejë vendin e tij si institucion. Ky ligj ka hyrë në fuqi në datën 01.03.1999 e me gjithë këtë, ky person nuk është zgjedhur. Nëse do të lihet ky problem për ditët e fundit, edhe përzgjedhja e tij do të jetë e shpejtuar.

  1. Të zbatohet Kushtetuta në lidhje me shpaIljen, botimin e fuqinë detyruese të akteve normative e marrëveshjet ndërkombëtare

Për botimin në kohë të akteve normative të Këshillit të Ministrave e instancave të tjera qendrore. Sipas nenit 117 pika 1 e Kushtetutës, ligjet e aktet normative të Këshillit të Ministrave e institucioneve të tjera qendrore marrin fuqi juridike vetëm pasi botohen në Fletoren Zyrtare. Megjithëse kanë kaluar muaj nga koha e hyrjes në fuqi të Kushtetutës, vihen re mangësi në lidhje me botimin e akteve normative të Këshillit të Ministrave. Ka vendime që kanë karakter normativ, që nuk janë botuar fare në Fletoren Zyrtare, ndërsa të tjerë që botohen me shumë vonesë. Me kaq rëndësi është edhe detyrimi për botimin e akteve normative të Ministrave dhe të organeve drejtuese të institucioneve të tjera qendrore, të cilat nuk janë botuar thuajse asnjëherë. Kjo kërkesë e Kushtetutës i detyron të gjitha këto organe që: – Të dallojmë qartë e pamëdyshje aktet normative nga ato që nuk kanë karakter normativ.- Të marrin të gjitha masat me karakter organizativ e të përgatisin infrastrukturën e nevojshme për botimin me shpejtësi të akteve normative, sepse ato marrin fuqi juridike detyruese vetëm pasi botohen në Fletoren Zyrtare. Pra ato nuk marrin këtë fuqi nëse publikohen në mjete të ndryshme e nëse botohen në organe të tjera të ndryshme për aq kohë sa nuk janë botuar në këtë organ.

  1. b) Për shpalljen e botimin e akteve të tjera normative. Karakter më emergjent ka detyrimi ligjor i përmbajtjes të pikës 2 të nenit 117 të Kushtetutës, sipas të cilit “Shpallja e botimi i akteve të tjera normative bëhet sipas mënyrës së parashikuar me ligj”. Kjo kërkesë kushtetuese bën emergjente ndërmarrjen e nismës legjislative për miratimin e ligjit përkatës ku të përcaktohet si bëhet shpallja e botimi i akteve të tjera normative, ato për të cilat bëhet fjalë në pikën 1 të këtij neni që përmendëm më lart.
  2. c) Për shpalljen e botimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Të njëjtin kujdes kërkon Kushtetuta dhe për marrëveshjet ndërkombëtare që për këtë efekt i grupon: Marrëveshjet ndërkombëtare që ratifikohen me ligj nga kuvendi, shpallen dhe botohen sipas procedurave që parashikohen për shpalljen dhe botimin e ligjeve. Marrëveshje të tjera ndërkombëtare që nuk ratifikohen me ligj që sipas Kushtetutës bëhet sipas ligjit. Edhe kjo detyrë nënkupton domosdoshmërinë e miratimit të këtij ligji që aktualisht mungon. d) Për nxjerrjen e akteve nënligjore. Aktet nënligjore nxirren në bazë dhe për zbatim të ligjeve nga organet e parashikuara në Kushtetutë. Sipas nenit 100 pika 5 e Kushtetutës, Këshilli i Ministrave nxjerr vendime dhe udhëzime, ndërsa sipas pikës 4 të nenit 102, Ministri në zbatim të kompetencave të tij nxjerr urdhra dhe udhëzime. Veç kësaj, Kushtetuta kërkon që të përcaktohen disa parime në bazë të të cilave duhen nxjerrë aktet nënligjore e ku duhen përcaktuar dhe disa piketa për çështjet që duhen rregulluar nëpërmjet këtyre akteve. Pra dhe për nxjerrjen e akteve nënligjore, pika 2 e nenit 118 të Kushtetutës kërkon që me ligj të veçantë të përcaktohen çështje që duhen rregulluar, e në mënyrë të veçantë parimet në bazë të cilave nxirren këto akte.

  1. e) Për aktet e pushtetit vendor.

Sipas nenit 116, pika 2 e Kushtetutës, aktet që nxirren nga organet e pushtetit vendor kanë fuqi brenda juridiksionit territorial që ushtrojnë këto organe. Për nxjerrjen e tyre neni 120 i Kushtetutës ka përcaktuar se parimet dhe procedurat për nxjerrjen e akteve juridike vendore përcaktohen me ligj. Edhe kjo kërkesë imponon të njëjtin detyrim, miratimin e një ligji ku të përcaktohen mbi cilat parime e me çfarë procedurash duhet të nxirren ato. Sa më lart, nuk është e vështirë për të kuptuar se vetëm në lidhje me aktet normative dhe marrëveshjet ndërkombëtare Kushtetuta e Re përcakton shumë detyra që lidhen me domosdoshmërinë e plotësimit të boshllëkut ligjor që ekziston në aspektet që sapo përmendëm. Kur kemi parasysh se këto janë të lidhura pazgjidhshmërisht me veprimtarinë e organeve kryesore vendimmarrëse të ekzekutivit e ato vendore, duhet të jepet alarmi që kjo veprimtari të ushtrohet në bazë e për zbatim të Kushtetutës.

SHKARKO APP