Dritero Agolli bashkëbisedon me Henri Çilin: Nano, njeri i dështuar!
(Botuar me 31 Mars 1998 në KOHA JONE)
Nga Henri Çili-
Në shtëpinë e Dritëro Agollit prej dy ditësh ka pa pushim telefonata nga njerëz të ndryshëm, të cilët reagojnë ndaj shkrimit të tij të së dielës në shtypin shqiptar ku kishte kritikuar me tone të forta qeverinë, Nanon dhe shumë emra të tjerë, që po ushtrojnë pushtetin e 29 qershorit ’97. Një i fundit i thotë se e kishte lexuar shkrimin e Agollit jo në gazetë, por të fotokopjuar dhe të blerë 20 lekë. Pasi nuk i heq asnjë presje atyre që ka shkruar, Agolli nxiton të rikonfirmojë prognozat për qeverisjen e partisë së tij.
“Nëse Nano vazhdon me këtë lloj meritokracie atëherë është i dështuar”- thotë Agolli, pa i zbutur tonet e kritikave të tij, që kanë shkaktuar pështjellim në kampin e PS, por sidomos në pjesën e sipërme të vertikales që ka pushtet. Ata që janë përmendur me emër në shkrimin e Agollit nxitojnë të reagojnë deri me akuza. Të gjitha Agolli i pret me qetësi. Madje i përgatitur për këtë reagim, ai i ka gati edhe batutat e tij. Akuzave si “spiuni” familjar i Shuteriqëve dhe Blushëve, ai u përgjigjet. “Unë vërtet e kam “spiunuar”, të atin e Benit, Kiçon, po pas kësaj unë e bëra kryeredaktor dhe Ramiz Alia e bëri anëtar të Këshillit presidencial”- thotë Agolli ndërsa nënvizon se është mik me familjarët e zëdhënësit të kryeministrit duke nisur nga gjyshi, Dhimitër Shuteriqi. Arrogancën e të llastuarve të ish-nomenklaturës (që u thonë “shkërdhatë” gazetarëve të partisë së vet), ai e shikon si rrezikun e vërtetë të qeverisjes meritokrate apo “shkërdhatokrate” të Nanos. Duke lakuar gafat e tipit “Kaçi” me përgjues në xhep, ai thotë se në të vërtetë këto janë skandale, që të çojnë në burg në botë. Ai e këshillon Nanon edhe në fjalorin që përdor, të cilësuar si një nga epërsitë kryeministrit. “Fjalët që kanë “kraci” në fund, përveç fjalës “demokraci” kanë një kuptim negativ”- thotë ai duke u ndjerë i çuditur madje se si Nano e ka ngritur këtë në filozofi. Pa thënë nëse ka apo jo shpresë te filozofia e përhershme e ndryshimit të Nanos, ai mendon se shpëtimi i qeverisjes janë njerëzit, që kanë edhe përkushtim e ideal edhe profesionalizëm. Njeriu që e kanë cilësuar si “ndërgjegjja e PS”, i ka dhënë përfundimisht shtysën ndryshimit të ngurruar në qeverisje.
HENRI ÇILI